Page 1 of 1

Kurbani, një libër nga E.Rama

Posted: Thu Nov 10, 2011 11:02 am
by Adriana
Libri i ri i Edi Ramës hidhet në qarkullim më 10 nëntor.



Libri i ri i Edi Ramës hidhet në qarkullim më 10 nëntor. Botuesja Arlinda Dudaj tregon për “Shekullin” disa të dhëna të para. Impresione nga pozita e lexuesit dhe e botuesit që i është besuar për të komunikuar një vlerë shkrimtarie e lartë, që megjithëse një vlerë më afatgjatë, nuk mund ta konkurrojë tani për ta kuriozitetin ndaj përmbajtjes. Sepse është shkruar, siç pohon Dudaj, në mënyrë autentike, nga një individ që tregon një histori të përbashkët të bashkëkohësve.



Si nis bashkëpunimi juaj me Edi Ramën për këtë libër?

Ka nisur që në gusht, mbase në çastet e para kur Edi Rama kishte mbrujtur qartas në kokë idenë se rrëfimi i tij, i nisur sikundër e thotë edhe vetë qysh në fillim të librit në intimitetin e shtëpisë së tij nga sebepi i kurbanit, ishte destinuar të bëhej libër. E vërteta është se nuk më tha se donte të botonte një libër, po vetëm më çoi një sms ku më thoshte “Ka të ngjarë të kesh një libër nga unë”! Ai donte të shkruante pa asnjë autocensurë dhe si duket nuk donte ta kushtëzonte veten me idenë se çka do të shkruante do të botohej. Kjo ndjehet qartë gjatë leximit. “Kurbani” është një pëshpërimë e shkruar pa pyetur fare se ç’do të mendojnë të tjerët.



A kishte marrëveshja mes jush kushte apo kritere strikte për botimin e këtij libri?

Asnjë marrëveshje. Asnjë kusht. Asgjë tjetër veç dëshirës reciproke për të bashkëpunuar që “Kurbani” t’iu shkojë në dorë sa më shumë lexuesve. Sigurisht isha e lumtur si botuese që Edi Rama zgjodhi shtëpinë “Dudaj” sepse e çmoj shumë shqipen e tij. Por jo si botuese që mund të mendohet se jam e interesuar të flas shumë mirë për një botim timin, po si lexuese shumë e apasionuar ju them se ky libër m’i tejkaloi të gjitha pritshmëritë e mia. Është një befasi përcëlluese.



Ju e quajtët rrëfim, por çfarë gjinie është ky tekst?

Kjo është një pyetje e mirë. Nuk mundem ta kornizoj në asnjë lloj gjinie… megjithëqë kjo është mënyra e sotme perëndimore e të shkruarit. Po prapëseprapë është ndryshe. Është një rrëfim, të drejtohet ty, sikur të ka përballë ulur në karrige… mënyrë tejet origjinale e sakaq përfshirëse, e të tregon gjërat, një nga një, siç i ka parë e përjetuar. Ka shumë emra njerëzish të njohur, politikanë, njerëz të familjes, gazetarë, ambasadorë, personazhe historike, portrete qytetesh e të tjerë, përzier si në një roman. Ka episode të panjohura, ide apo projekte te realizuara dhe jo… Është historia që njohim po prapë gjithçka duket sikur e merr vesh për herë të parë, në një sfond gjuhe tejet të arrirë, me një pasuri të çuditshme në të shprehur dhe me një rrjedhshmëri unikale që s’ta bën asnjë çast të mërzitshëm rrëfimin. Madje për ata që e duan gjuhën shqipe dhe librat do të jetë një kënaqësi e mirëfilltë leximi.



Kur ka qenë periudha më intensive e shkrimeve të librit?

Libri është shkruar në periudhën Gusht-Shtator, me intensitet e me shfaqje e zhdukje të autorit, në kuptimin që merrja për disa ditë informacione për ecurinë pastaj heshtje e plotë. Pastaj më njoftonte se kishte kapërcyer aksh numër faqesh dhe përsëri zhdukej. Pasi libri mbaroi andej nga fundi i shtatorit, u deshën nja dhjetë ditë që Edi Rama ta lëshonte. Bënte dhe ribënte fundin, që për mua është një ndër pjesët më të bukura kështu siç ka mbetur.



Titulli “Kurban” është një metaforë që i referohet çfarë?

Më duket se e thashë pak në fillim: kurbani, (autori e thotë që në fillim të librit) i qengjit në derë të Bashkisë së Tiranës, është nxitja e fortë, e menjëhershme, që e shtyu të ulet të shkruajë. Rrugës kuptoi se po bënte një libër për një histori të jetuar dhe pastaj vendosi ta botojë. Pa asnjë censurë apo korrekturë të imponuar nga fakti që merret me politikë. E kjo e bën librin sa befasues aq edhe të paparashikueshëm në reagimet që do të ngjallë.



A duhet të presin lexuesit një vepër që “sqaron” sjellje të Ramës politikan në këto vite?

Besoj se prej këtij libri lexuesi do të mësojë shumë për personazhin e Edi Ramës. Për mua ai e ka trajtuar veten njëlloj si të tjerët në librin e tij dhe unë vetë kam marrë përgjigje për disa pyetje të mbetura pezull lidhur me kryetarin e bashkisë apo Partisë Socialiste. Po libri është më shumë se kaq. Shumë më tepër se kaq.



A zë politika në këtë libër atë vend që ka zënë në jetën e tij?

Politika është në çdo faqe të librit sigurisht, po jo siç jemi mësuar ta shohim ne që nuk merremi me të dhe e ndjekim për së jashtmi. Libri na jep mundësinë ta shohim nga brenda. Ta jetojmë në vite duke ecur përdore me Edi Ramën dhe duke u kthyer në kohë për të rijetuar ngjarje apo takuar personazhe të njohura, po siç nuk i kemi parë asnjëherë. Po edhe duke udhëtuar në të ardhmen përmes të shkuarës. Kjo ecje për dorë e bën këtë libër përvëlues.



E jeta jashtë politikes, çfarë do të gjejnë lexuesit për këtë aspekt?

Këtë po mundohem t’ju tregoj, s’ka një jetë brenda e një jetë jashtë politikës në këtë libër. Ka vetëm një jetë të jetuar i shkrirë brenda gjërave, siç janë gjërat të gjitha të shkrira gjatë rrëfimit, dhe ka pjesë ku ana njerëzore shfaqet shumë mbizotëruese dhe për nga forca dhe mënyra si është rrëfyer, ia kalon edhe një shkrimtari të sprovuar; në një moment, për nga fuqia e të shkruarit m’u hoq në kokë një paralele me një pasazh të një shkrimtari shumë të njohur në botë, David Grossman. Po nuk dua të shuaj kureshtjen e lexuesit, libri duhet lexuar.



Raportet e tij me median dhe njerëz të saj, thuhet se zënë vend të posaçëm.

Po, e vërtetë, pothuaj të gjithë ata që kanë pasur një rol publik në vitet kur Edi Rama ka shkruar pjesën e tij të historisë së Tiranës dhe punët apo rrethanat i kanë lidhur me të, e kanë një vend në libër.



Ju e thatë pak a shumë opinionin tuaj si një nga lexuesit e parë të “Kurbanit”, por kujtojmë se si botuese jeni marrë me prurjen në shqip të disa librave nga liderë botërorë të politikës.

Sa më përket mua si botuese, lexuese dhe adhuruese librash, siç e thashë dhe pak më lart, përtej përmbajtjes së narracionit gjuha e këtij libri, shqipshkrimi siç thotë Edi Rama, është një rast i rrallë që mund ta hasësh në një tekst të shqipes. Është madje për t’u marrë si objekt studimi. Duket gati e pamundur të lexosh dy faqe njëra pas tjetrës, e këto të jenë veç dy fjali, po kjo ndodh, e jo vetëm ndodh po rreshtat ikin me një frymë dhe ti nuk e humb për asnjë çast fillin… veçse bëhesh pre e nuk e lëshon dot nga dora. Ky është një efekt. E vërtetë që kam botuar shumë libra figurash botërore dhe është po kaq e vërtetë që ky libër i rri shumë bukur listës sime. Gjynah që është tejet i vështirë për t’u përkthyer në një gjuhë të huaj. Do të qe befasi.



Në raport me mendimin publicistik të mëparshëm të Ramës, si rri ky libër?

Besoj se askush nuk e mohon dot që Edi Rama e shkruan shqipen si pakkush, po tani për tani them se “Kurbani” rri si qershia mbi tortë në raport me gjithçka ka shkruar. Seç kam një bindje që Edi Rama do të shkruajë edhe libra të tjerë tanimë. Të shohim.



Kur do të jetë në dorë të lexuesve?

Në datë 10 Nëntor do të jetë në të gjitha libraritë e Shqipërisë, dhe në datë 11-14 Nëntor gjithashtu edhe në Panairin e Librit në Tiranë.



Biografi

Edi Rama u lind më 1964 në Tiranë. I ati Kristaq Rama, skulptor i njohur, e ndihmoi në zhvillimin e dhuntisë në artet figurative. Pas diplomimit për Pikturë në Institutin e Lartë të Arteve, qëndron këtu si pedagog. U bë i njohur qysh në vitet 1989-‘90 për vatrën e kundërshtimit ndaj regjimit që u krijua rreth tij në Institut. Në dhjetor 1990 nis këtu së bashku me Ardian Klosin serinë e Refleksioneve që vazhduan edhe gjatë vitit 1991. Libri “Refleksione” u botua po atë vit.

Gjatë viteve nëntëdhjetë është shumë aktiv në shtypin e ri opozitar, sidomos me gazetën “Koha jonë”. Shkrimet e tij kritike që shpesh janë satira të mirëfillta botohen edhe në revistën “Përpjekja” (që drejtohet nga Fatos Lubonja) ose në libra të veçantë (p.sh te V. Kandinski “Mbi shpirtëroren në art”, Tiranë, 1997). Nga viti 1995-‘98 Edi Rama jeton më shumë në Paris. Kthehet në Shqipëri me emërimin e tij si ministër i Kulturës nën kryeministër Fatos Nanon. Pas kësaj kohe merret gjithmonë e më pak me pikturën dhe shkrimet e mirëfillta. Prej vitit 2000 deri më sot, 2011 është kryetar i bashkisë së Tiranës, i zgjedhur tri herë rresht. Prej vitit 2005 është kryetar i partisë socialiste.


http://www.shekulli.com.al/shekulli/201 ... pervelues/

Re: Kurbani, një libër nga E.Rama

Posted: Thu Nov 10, 2011 11:03 am
by Adriana


Kryetari i PS-së, Edi Rama ka promovuar librin e tij, "Kurbani". Para te ftuarve rama u shpreh se nuk ka shkruar një rrëfim sipërfaqësor me kokën prapa, por me shikimin përpara.

Re: Kurbani, një libër nga E.Rama

Posted: Thu Nov 10, 2011 11:04 am
by Adriana


Deputeti socialist Ben Blushi ndërsa i ka dhuruar një kopje të librit te tij "Shqipëria", kreut të Bashkisë Lulzim Basha ka gjetur momentin të shkëmbejë batuta lidhur me librin më të fundit të Ramës "Kurbani". "Shkova me shpresën mos gjeja zotin Rama, por nuk ishte",-i'u drejtua kryebashkiaku Basha, deputetit socialist Ben Blushit.