Sabit Idrizi - ZARFI
Posted: Fri Jan 20, 2017 11:01 am
ZARFI
Sot e kësaj dite s’e kam të qartë në ishte vajzë a engjëll.
Isha në zyrën time, në redaksi. Po redaktoja dorëshkrimet për numrin e radhës të revistës letrare “Fjalë e valë”. Pas një trokitjeje të lehtë në derë, brenda u fut një vajzë diku 17-18 vjeçe. Një vajzë e druajtur me një zarf të madh në dorë. E mora për ndonjë krijuese të re, që kishte ardhur për t’i provuar hapat e parë në letërsi, andaj u ngrita në këmbë për t’i dhënë kurajë.
- Urdhëroni! – i thashë, duke ia zgjatur përzemërsisht dorën.
Nga ky gjest imi tepër i ngrohtë e miqësor, ndoshta pse s’e kishte pritur, vajza u hutua tërësisht. Kur ma dha dorën, vërejta se po dridhej.
- Urdhëroni, uluni! – i thashë, më tepër nga droja se s’do ta mbanin këmbët, sesa nga nevoja për ta zgjatur bisedën.
- Sabit Idrizi, nëse s’gaboj? – më pyeti, disi gulçueshëm.
- Po! – ia ktheva.
E bindur se kishte gjetur njeriun që kërkonte, ma zgjati zarfin.
- Jeni krijuese, sigurisht? – e pyeta jo aq nga kureshtja sesa nga dëshira për t’ia larguar emocionet, që e kishin ngërthyer të tërën.
- Jo! – ma ktheu ftohtë. Këtë zarf e kam “amanet” që ta dorëzoj në redaksinë tuaj. Juve, personalisht, si kryeredaktor.
Vajza, tashmë, ishte qetësuar. Dukej krejtësisht tjetër. Disi e lirë, e qeshur... Sikur të ishte çliruar nga një barrë e rëndë, nga një ankth... Thua se në atë zarf nuk ishin ca letra të shkruara, po një masë plasëse, shkatërruese... Dhe, meqë zarfi tash ishte në dorën time, ajo ndjehej jashtë këtij rreziku, jashtë këtij kobi... Kjo ma shtoj edhe më kureshtjen për ta hapur sa më parë. U ngrita për t’i marrë gërshërët, që, zakonisht, i lija në një dollap afër derës. Dhe... O, Zot! As që kisha vërejtur a dëgjuar gjë e vajza s’ishte më aty! Sekondat ishin në pyetje. S’kisha arritur ta pyesja as për emrin e autorit. Ishte zhdukur?! Vrapova në korridor, si i çmendur, po nuk e pashë gjëkundi. U ktheva, vetëtimthi, në zyrën time, dritaret e së cilës shikojnë nga oborri i ndërtesës dhe, meqë dalje tjetër nuk ka, qëndrova aty deri në fund të orarit të punës, po vajzën s’e pashë se s’e pashë.
Derisa po e hapja zarfin, s’di pse më bëhej sikur po e hapja vetë Kutinë e Pandorës.
Në takimin e radhës, anëtarëve të redaksisë ua dhashë nga një kopje të shumëzuar të dorëshkrimit, bashkë me propozimin tim për ta botuar në vazhdime në numrat e ardhshëm të revistës.
- Në shikim të parë të lënë përshtypjen e një mishmashi shkrimesh zhanresh të ndryshme, mirëpo, po të lexohen me vëmendje, shihet se përbëjnë një tërësi, madje një tërësi të ngjeshur dhe se kanë një lidhje shumë logjike në mes veti, - u thashë.
Për rastin e vajzës që ma kishte sjellë zarfin nuk u tregova fare. U thashë se zarfi kishte arritur përmes postës.
Në takimin tjetër, të gjithë anëtarët e redaksisë ishin të pajtimit që dorëshkrimi të botohej në vazhdime, mirëpo rreth emrit të autorit secili ngulte këmbë në të veten:
Ganiu: Jam i bindur se është F. L. Vetëm ai shkruan kështu. Ia njoh stilin. Kam “banuar” me të në një dhomë, një kohë të gjatë, në burgun e Nishit.
Miftari: Para se N. A. nuk është kush. Moti s’e kam parë, por me të kam qenë në të njëjtin njësit, me muaj të tërë, në Brigadën e Shalës. Ai shkruante kështu. Kështu fliste.
Ejupi: D. RR. është, s’ka dyshim. Ka qenë nxënës imi. Edhe hartimet me shkrim i shkruante kështu. Po, po, ai është.
Fazliu: Unë s’ngul këmbë që t’ju bind, po, megjithatë, jam i sigurt se është U. K.
Riza: Një shok imi i luftës, që quhej F. G., gjatë luftës mbante ditar. Jo vetëm stili, po edhe shkrimi i tij është. S’ka fije dyshimi.
Isa: Ju si të doni, po ky duhet të jetë një koleg imi i studimeve. L. P. quhej. Kështu fliste gjithmonë, po s’dihet...
Sa më shumë që bënim përpjekje për ta zbuluar identitetin e autorit të këtij shkrimi, aq më i mjegulluar e më enigmatik na bëhej. Si më i besueshëm dilte njëfarë D. N., që njihej për filozofimet e tij të përhershme pesimiste, që e quan në çmendi, dhe poeti e shkrimtari L. D., që kurrë s’pajtohej me çoroditjen e njeriut e të njerëzimit, me ligjet e shkruara e të pashkruara të kësaj bote tepër kundërthënëse, që e quan në asketizëm të skajshëm.
Më në fund, vendosëm që dorëshkrimin ta botojmë pa emrin e autorit dhe pa kurrfarë ndërhyrjesh.
Vetëm titulli është i redaksisë.
ABSURDET DHE PARADOKSET – ARDHMËRIA IME E ÇMENDUR
Liria është vënia e dorës në zemër kur të vjen në shteg të bësh çka të duash. Ajo nuk është diçka e jashtme. Përkundrazi. Jashtë vetes sonë ajo nuk ekziston. Pavarësisht prej rrethanave. Ajo është diku në ne. Diku thellë në brendinë tonë të fjetur. Vetëm se duhet ta shprushim, ta shpërthejmë, ta bëjmë... dhe do ta shohim, do ta zbulojmë një tjetër vete brenda vetes sonë të ndrydhur, brenda vetes sonë të stërkequr, brenda vetes sonë të bastarduar. Pa këtë vete tjetër, pa këtë vete të dytë, nuk ka jetë, nuk ka dashuri, nuk ka ardhmëri...
E ne na bëhet se jetojmë, se dashurojmë, se kënaqemi... jashtë kësaj veteje të mbytur vullnetarisht. Mashtrohemi me gjëra krejt të parëndësishme, me gjëra që nuk e formësojnë jetën si jetë dhe mendojmë se po e përjetojmë lirinë absolute. Dhe, ja tash absurdi! Për të arritur deri tek këto gjëra aspak të rëndësishme, aspak të vlefshme (që ne na duket se e formësojnë dhe e kuptimsojnë jetën) ne na duhet ta varrosim në vetvete lirinë e vërtetë dhe të bëhemi: hajna, lajkatarë, servilë, demagogë, hafije, kontrabandistë, kriminelë, smirëzinj, spiunë, kurva e kurvarë... Dhe, kur ta marrim ndonjërin nga këta tituj “të nderuar”, apo shumë tituj përnjëherë (siç e do logjika e këtij lloji) ne na duhet patjetër t’ia nximë jetën njëri tjetrit. Dhe, duke ia nxirë jetën njëri tjetrit, ne e nximë jetën tonë të përbashkët dhe e bëjmë ferr. Dhe kur, kështu vullnetarisht, jetën tonë të përbashkët e nximë dhe e bëjmë ferr, dalim e këlthasim, pa fije turpi: Jeta është rrenë! Jeta është kurvë! Jeta është turp! Jeta është hiç!...
Për kategorinë e moralit, në përgjithësi, flasin e normojnë të pamoralshmit.
Ju mund të prekeni, të pickoheni, të putheni, madje edhe të... nëpër këto zyra, sa të doni. Vetëm se, fshehtas! Po u zbulua kush, vaj halli! Në punët tjera mos u përzieni! A morët vesh?! Ë?! AMEN!!!
E mua ma shohin për të madhe që e dua një grua. Ma shohin për të madhe që këtë e them botërisht. Përpiqen t’më detyrojnë që ta ndrydh në vete këtë ndjenjë. Këtë ndjenjë kaq të thellë, kaq të fuqishme, kaq fisnike!... Por mua aq më bën! I kushtoj, madje, edhe poezi kësaj gruaje. I këndoj. Pse jo! Vetëm se këtë grua, që e dashuroj (mund ta merrni me mend pse) kurrë nuk e kam prekur, kurrë nuk e kam puthur, kurrë nuk e kam pushtuar... Vetëm se këtë grua, që e dashuroj (mund ta merrni me mend pse) kurrë nuk do ta prek, kurrë nuk do ta puth, kurrë nuk do ta pushtoj... E, ta dashuroj po, madje përjetësisht. E kam këtë të drejtë dhe do ta shfrytëzoj deri në vdekje.
Nuk i kam hiç në qejf moralizimet, po, megjithatë, kujtoj se jashtë rregullave bashkëshortore nuk ka më rregulla. Dalja prej tyre, vetëm edhe për një çast, nënkupton hyrjen në një terren parregullsie, ku më nuk mund të mbështetesh e të thirresh në diçka njerëzore. Andaj, pretendimet e disa besëthyesve, që edhe në këtë terren të krijojnë rregulla, dalin gjithherë të mjera e qesharake.
Logjika e robit!
I numëroj të padinjitetshmit, puthadorët, servilët, demagogët, hajnat, hafijet, kurvat, kurvanat... në mesin ku punoj e jetoj, i shumëzoj me meset tjera dhe... NAH, PAVARËSIA E PLOTË! NAH, LUMTURIA! NAH, MIRËQENIA!
E populli thotë se druri i njomë digjet afër të thatit.
Digjet që ç’ke me të, po çka pastaj?!
Çka pastaj?
Çka tjetër përveçse sillje në një rreth. Prapë do djem e do vajza që do t’i organizojnë do demonstrata. Prapë do të tjerë që do t’i gjykojnë për prishje të rendit e të qetësisë publike. Prapë një thyerje e madhe. Prapë do rrugë diplomatike. Prapë do djem e do vajza që dalin maleve. Prapë një luftë. Prapë disa që ia kthejnë shpinën Atdheut. Prapë disa të tjerë që dëbohen me dhunë. Prapë shumë lot. Prapë shumë gjak. Prapë shumë varre. Prapë përfundimi i luftës. Prapë kthimi i madh. Prapë rindërtimi i vendit. Prapë turri i atyre që s’bënë asgjë për Atdheun për t’u punësuar të parët. Prapë do spiunë e do tradhtarë nëpër poste të larta. Prapë pasuria në duart e disa të pandërgjegjshmëve. Prapë disa të ndërgjegjshëm që vuajnë, që heqin keq... Dhe... prapë këtu ku jemi, për t’u përgatitur sërish për të njëjtën rrugë.
I numëroj të..., i shumëzoj me... dhe... NAH, PAVARËSIA E PLOTË!!! NAH, LUMTURIA!!! NAH, MIRËQENIA!!!
Po druaj mos po dalin të vërteta dyshimet e një profeti tashmë të harruar, profecitë e të cilit, tash vonë, i pata lexuar në një libër të vjetër.
DYSHIMET E PROFETIT ALKOMIN
Me këmbëngulësinë e tyre të përhershme për të fituar sa më shumë dituri dhe për të jetuar skajshmërisht ndershëm, tashmë kanë fituar dashurinë dhe besimin Tim të përjetshëm, andaj, sa herë që të më afrohen e të ma rrezikojnë Mbretërinë Time Qiellore, s’do t’ua fundos më Atlantidën, por do t’i rrethoj me krijesa të çuditshme, që kanë formën e njeriut e që janë të mbushura përplot urrejtje ndaj çdo gjëje që ekziston e nuk ekziston dhe, përmes tyre, do t’i gjuaj me shekuj terri, derisa të lodhen aq shumë sa të mos mund të më zënë me shekuj të tërë drite.
Diçka të tillë po mendonte Krijuesi shumë vjet para lindjes së profetit Alkomin, të cilin kishte vendosur ta dërgonte profet në vendin më të lulëzuar të Mbretërisë Tokësore.
Mbreti pellazg, Atlashtini, lëshoi shikimin e venitur nga pleqëria kah shtigjet e pafundme të lashtësisë dhe kapi fijet që çonin dikah lartësive.
“Atje lart është Krijuesi”, tha i gëzuar mbreti.
“Krijuesi krijoi nga dashuria, i krijuari dashuri duhet të jetë”, mendoi.
“E dashuria është diçka e shenjtë, e paskajshme, e paprekshme – diçka e lirë”, përfundoi.
Pastaj thirri oborrtarët e vet për t’ua komunikuar vendimin që mori.
“Iliri të quhet, tash e tutje, ky vend i bukur, ky vend i lirë. Jetofshi gjithmonë në paqe dhe liri! Të keni besim tek njerëzit, t’i doni ata ngado që të vijnë. Gjithkah të ndërtoni ura, vetëm ura”.
Kështu tha i urti mbret Atlashtin dhe vdiq i lumtur.
Kur erdhi profeti Alkomin në Iliri, legjenda për Mbretin Dashuri ishte krijuar. Po atë ditë, në amfiteatrin e madh të kryeqytetit, po luhej opera “Mbreti Dashuri flet me Krijuesin”. Në sallën solemne të Bibliotekës së Qytetit përurohej libri i shkrimtarit të madh Ilir Pellazgut “Urat dhe Mbreti Dashuri”.
Profeti sikur parandjeu diçka të kobshme në lumturinë e madhe të këtij populli të urtë.
“Këtë popull të mirë do ta mynxyrosë pamëshirshëm dashuria, besimi i madh në njerëz”, tha profeti dhe nxori rruzaret e tij të arta dhe përmes tyre drejtoi shikimin engjëllor nga ardhmëria. Pa e pa profeti Alkomin deri në paskajshmëri dhe fytyra e tij hyjnore mori një pamje të trishtueshme.
Dikur vonë, diku në thellësi të shekujve, pa rrezet e praruara të dritës që po vinin dhe sikur erdhi në vete.
“Shqipëri do të quhet ky vend i bukur kur do ta mundë terrin”, u çudit profeti. “Po, deri atëherë, sa shumë terr do të mbjellin të tjerët në këtë oazë drite e qytetërimi. Sa keq do ta shëmtojnë këtë bukuri që krijoi ky popull i vyeshëm dhe i mençur”.
Profeti Alkomin ndjeu dhembje për ardhmërinë e këtij populli deri në thellësi të qenies së vet hyjnore.
“Ç’është kjo, vallë?!”, shtrydhi ai vetveten.
Cila ishte porosia e Krijuesit? Ç’këshilla duhet dhënë këtij populli, o Zot! Dhe, pasi shteri gjithë profecinë e vet dhe kurrsesi të zgjidhte enigmën, iu drejtua për ndihmë Krijuesit.
“Ti që më dërgove, më ndihmo!”, i tha.
Krijuesi nuk foli.
“Më ndihmo, o Krijues i Gjithësisë!”, thirri prapë profeti.
Krijuesi nuk u përgjigj.
“Më ndihmo, o Zot i Plotfuqishëm!”, u lut së treti.
Po Krijuesi prapë nuk foli.
Atëherë profetit Alkomin iu kujtua se heshtja e Krijuesit do të thotë: “Unë jam Një dhe tjetër s’ka”, prandaj nuk iu lut më por ra në mendime.
Dyshimi se çdo gjë ishte krijuar nga dashuria po e brente tmerrësisht.
Jepja një grimë pushtet të ligut dhe ndal e shih seri me sy!
Mua, ish-bashkëveprimtarë të dashur, po më dhemb diçka tjetër. Po më dhemb diku ngjeti. Diku edhe jashtë vetes sime...
Ju lutem, për hir të kësaj diçkaje, që aq gjatë e aq me afsh e ëndërruam dikur, mos ma lëndoni brendinë time të etur për dashuri! Mos ma shprushni një pjesë rebele të qenies sime paqësore, të dashuruar në dashuri të përjetshme. Ju lutem! Shumë ju lutem!
Kohë turresh!
Turr për ta marrë pushtetin! Turr për ta zënë ndonjë post!
Asgjë e keqe, do të thoni ju.
Hiç, do të shtoja unë, sikur të mos i shihja nga afër këto paudhësi.
Tek ne marrja e pushtetit dhe turri për ndonjë post, njëherë për njëherë, nënkupton turrin pas privilegjeve për vete, për familje dhe për farefisin e gjerë. Sytë janë me pa!
Turri për pushtet e për poste duhet të bëhet për qëllime tjera. Krejt për qëllime tjera.
Çka t’i bësh! Krejt varet prej karakterit të njeriut. Së pakut, sikur të mos synonin që të jenë edhe të respektueshëm këta farë grykësish të mjerë!
Unë për vete i respektoj dhe u përulem, deri në tokë, të gjithë atyre që bëjnë përjashtim nga ky “rregull”.
Kush, bre?! Aiiiih! Ai, a?! Kur s’është i zoti për t’i punësuar fëmijët e vet, si mund t’u prijë të tjerëve?! Hajt, bre, pashë Zotin! Shokët e tij edhe pulat i kanë punësuar e ai as një fëmijë të vetin. Lëre, lëre! Qe sa vjet u krye lufta, o dajë!
Nëse, për shkak të edukatës që kam, s’dua të bëhem dredhaq, ndërskëmbcaxhi, bërrylaxhi, i pafytyrë, hajn, dolloverxhi, klanaxhi..., s’do të thotë se jam aq i marrë sa të mos i kuptoj të gjitha këto paudhësi që po ndodhin. Në virtyte e punë të mbara, urdhëroni e garojmë kur të doni.
Atdhedashuria, që mua përherë më zgjon asociacione të njerëzimdashurisë, dëshmohet vetëm atëherë kur nuk funksionojnë rregullat. Vetëm atëherë kur mungojnë mekanizmat për t’i ndëshkuar ata që i shkelin dhe nuk i përfillin ato.
Ata u kthyen pas mbarimit të luftës. Nga pallatet që i ndërtuan këtu, mezi duken kasollet tona. Nuk e paguajnë as rrymën, as ujin, as shërbimet për largimin e hedhurinave, as tatimin... tashmë gati dhjetë vjet. I kanë punësuar të gjithë anëtarët e familjes, që janë të aftë për punë, ndërsa fëmijët i shkollojnë pa kurrfarë problemi.
Sa lart valonte flamuri kombëtar mbi shtëpitë e tyre ditën e pavarësimit të vendit. Mbi çatitë e përdheseve tona prej qerpiçësh mezi dukej i bekuari!
Kush thotë se politikanët e vendit tim, Qeveria, Parlamenti, kuvendet komunale, qeveritë komunale... nuk dinë të bëjnë politikë! Dinë që ç’ke me të! “Përparësi në ndërtimin e shtëpive të djegura e të shkatërruara gjatë luftës, në punësim, në shkollim, në furnizim me energji elektrike, në furnizim me ujë, në... - atyre që e penguan dhe po e pengojnë vazhdimisht mirëqenien e këtij vendi, atyre që s’bënë gjë për këtë vend, atyre që e shkatërruan këtë vend...”, thonë ata. “Kjo është në të mirë të vendit! Kjo e çon vendin përpara!”.
Mesazh se jo mahi, po ndodhi e u përsërit edhe një herë (larg qoftë!) diçka nga historia!
Ç’persekutim cinik i ndërgjegjes së këtij populli!!!
Ruaju, drejtor! Oh, e mjera unë për ty! Ruaju se po shpërthen!
Afër 200 metra larg grumbullit të njerëzve kureshtarë, që prisnin identifikimin a shpërthimin e një sendi të dyshimtë (ku u dëgjuan këto klithje histerike të një gruaje) ushtarët e KFOR-it francez gjetën një çantë të vjetër grash.
Armatë e të papunëve!
Në listën e pagave e gjeta edhe emrin e B. N., i cili ka një vit që është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
MËDITJA
- Ja, ky është padroni! – ma tërhoqi vërejtjen Urimi, një mik imi i vjetër, ditën e parë kur ia fillova punës. Kjo pëshpëritje e tij në vesh m’u duk si një kërcënim i butë e miqësor që të jem i kujdesshëm në punë, sidomos në prani të atij djaloshi simpatik që po vinte drejt nesh.
Nga kati i tretë i ndërtesës ku punonim, fytyra e djaloshit që po vinte m’u duk e njohur. Ai po përshëndetej me kolegët e mi punëtorë atje poshtë te përziersja e betonit. Pas pak, ata e rrethuan dhe ç’i pëshpëritën diçka, duke bërë me kokë nga unë. Në fillim, as kjo e as vështrimi disi enigmatik i Urimit nuk më bënë përshtypje. Sigurisht ndonjëri prej tyre më njeh dhe po ia tregon hallet e mia, mendova.
- Më duket si fytyrë e njohur, - i thashë, pas pak, Urimit, pa e kthyer fare kokën nga ai.
Me Urimin ishim shokë të ngushtë, që prej kohësh. Ishim vazhdimisht bashkë, sidomos gjatë kohës së luftës. Kurrë nuk jemi kursyer për njëri – tjetrin dhe gjithmonë jemi kuptuar lehtë, andaj vonesa e ndonjë reagimi të tij, pas fjalëve të mia, sesi ma bëri, për një çast, krejtësisht të huaj.
- Urim! – i thirra instinktivisht, duke u kthyer rrëmbimthi nga skela ku po muroste.
- Hë! – mezi dëgjova zërin e tij, sikur të vinte nga thellësia e tokës.
Ai e kishte ndërprerë punën dhe po më vështronte, disi, me keqardhje. Sytë e tij, aq sa m’u dukën të huaj, po aq edhe të frikshëm. S’isha mësuar të më shikonte askush ashtu. Aq më pak Urimi. Diçka po ndodhte e unë ende nuk po e merrja vesh. Mbase ajo pëshpëritja atje poshtë!... Një Zot e di çka gatuhet këtu, në këtë mes injorantësh, që, përveç parasë, nuk njohin gjë tjetër, mendova.
- Fytyrë e njohur, thatë?! – m’u drejtua, për herë të parë në shumës, Urimi. – Ah! Po, po, ti e njeh, nëse s’e ke harruar, - belbëzoi i hutuar, sikur të fliste me vetveten e jo me mua.
Derisa pronari i kompanisë po ngjitej drejt nesh, Urimi ma tha edhe emrin e tij.
Një klithmë habie, s’di as vetë çfarë, doli krejtësisht e pakontrolluar nga qenia ime.
Habibin e kisha njohur qysh kur ishte fëmijë. Ishte një djalosh tepër problematik. Familja e tij kishte një respekt të veçantë për mua. Shpesh më ftonin për t’i folur e për ta këshilluar që t’i kthehej jetës normale. Sa e sa vajzat, gjatë kohës së okupimit, e kishin ndërprerë shkollimin sherri i tij! Sa e sa vjedhje kishte bërë! Sa e sa ngatërresa! Sa e sa herë kam përdorur autoritetin tim për të pajtuar familjet tjera me familjen e tij për hajni e sherre të tjera që i bënte! Dhe vetëm atëherë kur u përhap lajmi se Habibi kishte shkuar diku jashtë vendit, lagjja dhe qyteti morën frymë pak më lirshëm.
- Puna e mbarë! – dëgjova një zë të njohur që më shkëputi përnjëherë nga ato kujtime të largëta e të hidhura. Ishte ky zëri i Habibit, pronarit të kompanisë më të njohur në vend.
Edhe pse Urimi ishte nja 7-8 vjet më i ri se unë, Habibi u drejtua së pari nga ai dhe e përshëndeti ngrohtësisht.
Urimi ishte mjeshtër i zoti në ndërtimtari. Unë isha një punëtor i thjeshtë krahu. Madje një punëtor shëndetlig. Kjo ishte dita e parë që po punoja në ndërtimtari dhe më mungonte kondicioni. Edhe mosha po e bënte të veten. Vetëm falë autoritetit të Urimit si mjeshtër, unë ia kisha filluar këtu punës. Më pranoi krye në veti për të punuar ndonjë ditë, ngase kisha mbetur shumë keq në pikëpamje materiale. Ishte ky muaji i gjashtë që kisha ngelur pa punë, pas disa reformave që ishin bërë në sektorin ku punoja. S’kisha të holla as për bukë e cigare, e lëre më për letër e gjëra të tjera.
- Si je, zoti shkrimtar! – m’u drejtua ftohtë Habibi, pasi që ishte përqafuar ngrohtësisht me Urimin.
- Mirë, zoti drejtor! – ia ktheva me një buzëqeshje të lehtë. – Ja, kështu, siç më shihni! – dhe i ngrita duart lart për t’ia tërhequr vërejtjen se në ç’gjendje isha katandisur.
Trupin tim të përlloçur e të larë në djersë ma përshkoi ngeshëm një vështrim i tij përbuzës, siç shikohet keq një qen i zgjebosur.
Kisha mbetur keq. Fyerja, që po më bëhej kështu sy botës, më së pakut i shkonte karakterit tim, por, për çudi, në ato momente ndjehesha krejtësisht i paaftë për të ndërmarrë çkadoqoftë. Kthimin tim të pakontrolluar kah Urimi instinkti i tij e kuptoi si kërkesë për ndihmë mikut në ato çaste të vështira dhe iu drejtua gati me ton kërcënues Habibit.
- Si nuk keni turp ta fyeni kështu një shkrimtar kaq të njohur, një njeri kaq të respektueshëm! – i tha i mërdhezur në fytyrë.
Toni i ashpër i Urimit, sado që po më mbronte mua, më frikësoi. Më kapi droja mos po ma shihte sherrin e po mbetej edhe ai pa punë. Dhe, derisa prisja shpërthimin bombardues e hakmarrës të Habibit, duke na sikterisur të dyve tatëpjetë shkallëve, për çudi, dëgjova zërin e tij të qetë e miqësor që iu drejtua Urimit.
- Ti, Urim, je mjeshtër i zoti. Pa ty kompania ime nuk do të ishte kjo që është. Mirëpo, kohëve të fundit, punët nuk po shkojnë sipas dinamikës së paraparë. Nuk të duhen këtu shkrimtarë e artistë, po punëtorë të fortë krahu. Edhe dy javë i ke për ta dorëzuar objektin. Ti duhet të angazhosh në punë djem të rinj e jo parazitë që vetëm sorollatën poshtë e përpjetë. Për këtë ma tërhoqën vërejtjen edhe punëtorët atje poshtë.
I tha këto fjalë dhe ashtu, me ftohtësi kompjuteri, u nis shkallëve tatëpjetë, pa u përshëndetur fare.
Kisha mbetur si statujë. Përbrenda ndjehesha krejtësisht – krejtësisht i zbrazët. Midis fajtorit që për një ditë gati kishte rrënuar një kompani të fuqishme dhe skamnorit që po i merrej kafshata e vogël e gojës, duke u fyer kaq rëndë, nuk dija cili isha. Nuk di sa kisha qëndruar ashtu, por e di se dikur isha kthyer kah Urimi. Ai po shikonte papërcaktueshëm diku në horizont. E dija se çkado që po shikonte, po e shihte turbullt, ngase sytë i ishin mbushur me lot. Një ndjenjë e fuqishme miqësie më grishte pareshtur që t’i afrohesha e ta përqafoja pushtueshëm, por kisha frikë se do të shpërthente në vajë, ndërsa kjo më së pakut më duhej në ato çaste të rënda. Sot e kësaj dite nuk e kam të qartë a më dëgjoi kur i thashë “shkova”, edhe pse s’kishin mbetur as dy orë të plota për të mbaruar orari i punës. Vetëm e di se, kur e kalova përziersen e betonit, dikush më thirri nga prapa:
- Zoti shkrimtar! Zoti shkrimtar!
Ktheva kokën dhe pashë të vraponte drejt meje njëri nga kolegët e punës.
- Hë?! – ia bëra ftohtë, posa m’u afrua.
- Me të parin të vishë ta marrësh mëditjen për sot. Kështu na porositi drejtori,- tha dhe deshi të kthehej.
- Jo, nuk më duhen gjë! – ia ktheva i vendosur. Mëditjen e sotme po ta falë ty. Ta pini nga një kafe bashkë me kolegët tu dhe me drejtorin.
Një ndjenjë të përzier habie dhe gëzimi, që dinë ta shprehin vetëm idiotët, e lash në fytyrën e tij të vrazhdë dhe u nisa...
E për gjuhën e lotit shkojnë e thonë e çka nuk thonë. Të gjithë po rrejnë! Pasha t’Madhin Zot, po rrejnë!
Ata as sot nuk janë të vetëdijshëm se rrebeshet të përlajnë.
Pas tërmeteve dhe luftërave duhet të pastrohet terreni nga mbeturinat për t’i vu themelet e reja. Kjo logjikë mbizotëron gjithherë dhe gjithkund.
Pra, i kisha duart e lira për të vepruar, merret vesh, sipas disa rregullave që i kishim caktuar më parë.
Ata i gjeta aty. Më pritën jashtëzakonisht mirë. Më nderuan tej mase. Nga shokët kisha vërejtje se nuk po bëja asgjë në pastrimin e terrenit dhe në vendosjen e themeleve të reja. Ndoshta edhe kishin të drejtë, por unë s’mund të veproja ndryshe. Është në karakterin tim që gjithherë të jem në anën e të ligut, në anën e të dobëtit, në anën e të pambrojturit... Ata, me gjasë, s’kishin bërë gjë të keqe. Nuk i largova. Përkundrazi. I mbrojta më shumë se veten time.
Dhe doli se shokët kishin pasur të drejtë. Së paku në diçka. Këtë e vërtetova më vonë, fatkeqësisht. I ligu e i dobëti përherë i lig dhe i dobët mbetet. E unë tash s’mund të jem aq i lig e aq i dobët sa t’ua them troç se ç’presion më bënin dikur do “llokuma”, do “zemra”, do “loçka”, do “shpirtra”... të tashëm për t’i larguar ata nga puna.
Kërceva Drinin, t’ç... pelën.
Tash, moszbatimi i ndonjë urdhri që jap hiç nuk më befason. Përkundrazi. Është krejt logjike kjo rrjedhë. Derisa luftohej në Prekaz, dikush përkundej lezetshëm në prehrin e drejtorit a të shefit të vet të dhunshëm dhe s’lodhte as kokën bile pse digjej flakë Kosova.
SHTËRPINJTË, AKTET E VETËFLIJIMIT DHE PUSHTETI
Jezu Krishti u vetëflijua për mëkatet e të tjerëve, duke zgjedhur, me vetëdije, një vdekje të mynxyrshme. Dhe, derisa po përjetonte çastet e fundit të këtij tmerri, po ata njerëz, për mëkatet e të cilëve po vuante aq shumë, e përqeshnin dhe e fyenin paturpësisht, ndërsa ai lutej: “Fali, o Zot, se s’dinë çka bëjnë!”
Shtërpinjtë
Po të zhvishen nga figuracioni poetik vargjet:
Të tjerët, që vetëm vëzhgojnë nga bregu
Janë shtërpinj të padukshëm
Që nuk i takojnë asnjë kohe
do të dilnin kështu:
Të tjerët, që nuk bëjnë asgjë për atdheun e tyre
Janë njerëz të pafytyrë e të poshtër
Që u përshtaten të gjitha kohëve
Dhe, të tillët nuk është fare vështirë të njihen. Në kohë furtunash ata nuk duken, ngase fshihen diku nëpër gëzhojat e mjerimit të vet dhe presin në heshtje. Instinkti i qyqarisë ua ka zhvilluar së tepërmi shqisën e të nuhaturit, kështu që shumë shpejt i hetojnë kthjellimet. Janë brejtës të hatashëm, prandaj të parët bëjnë turr që t’i shijojnë frutat e ëmbla të kohëve që i sjellin të tjerët. Dhunti tjetër e këtyre zvarranikëve është përvjedhja. Dinë të përbirohen e të futen gjithkund, përmes deriçkave që nuk shihen. Po t’u vijë rasti, dinë të kafshojnë tmerrshëm. Nuk skuqen fare as atëherë kur i përdhunojnë e i përqeshin fshehurazi edhe ata që u flijuan e flijohen, përveç tjerash, edhe për qyqaritë e tyre.
Nga zvarritja e tyre tinëzare e hanë shtatin edhe kohët që vijnë.
Aktet e vetëflijimit
Është shumë logjike të thuhet se aktet e vetëflijimit nuk i kuptojnë dhe i keqinterpretojnë vetëm të pamoralshmit. Ne, në këtë rast, qëllimisht po i marrim vetëm këto dy ekstreme, pra ekzekutuesin dhe mohuesin, ndonëse në mes të këtyre dy kategorive është një det i tërë karakteresh, që nuk mund të studiohen as përafërsisht edhe po të hulumtohen gjithë jetën.
Një akt i vetëflijimit, për aq sa është i kushtëzuar nga niveli i ndërgjegjësimit të individit për një çështje madhore dhe shumë sublime, po aq kërkon edhe guxim e gatishmëri fizike e shpirtërore. Andaj, nuk është çudi që aktet e tilla nuk mund t’i bëjë dhe nuk mund t’i kuptojë gjithkush. Niveli i atyre që i kryejnë këto akte është mbimesatar, për të mos thënë hyjnor, prandaj shpeshherë ata keqkuptohen dhe keqinterpretohen edhe nga niveli mesatar i të kuptuarit. Karakteri i mohuesve dhe i atyre zvarranikëve, që i cekëm më lart, është diçka tjetër. Në rastin e tyre s’ke si të mos e përkujtosh përherë aktin madhor të Jezu Krishtit, i cili u vetëflijua për mëkatet e të tjerëve, duke zgjedhur, me vetëdije, një vdekje të mynxyrshme. Dhe, derisa po përjetonte çastet e fundit të këtij tmerri, po ata njerëz, për mëkatet e të cilëve po vuante aq shumë, e përqeshnin dhe e fyenin paturpësisht, ndërsa ai lutej: “Fali, o Zot, se s’dinë çka bëjnë!”.
Përveç vetëflijimit të gjësë më të shtrenjtë, siç është jeta, për një çështje shumë madhore, siç është liria (për këtë arsye dëshmorët janë kategoria më e lartë e ndërgjegjësimit dhe ne atyre u përfalemi për jetë e mot) ka edhe forma tjera të vetëflijimit, me të cilat autorët e tyre përpiqen të arrijnë efekte fort fisnike për çështje shumë madhore. Kështu, ata me vetëdije të plotë heqin dorë nga shumë të drejta dhe të mira që u takojnë ndershmërisht, për t’ua tërhequr vërejtjen atyre që e mbajnë timonin se anija nuk po shkon në drejtimin e duhur. Kjo bëhet vetëm në rastet kur shteren të gjitha mundësitë tjera të bindjes. Pas akteve të tilla, në të shumtën e rasteve, pason zhgënjimi. Dhe ironia e gjithë kësaj është, shikuar tash nga një kënd tjetër, se po ata, për mëkatet e të cilëve bëhet ky vetëflijim, vazhdojë t’i shfrytëzojnë dhe t’i shijojnë padrejtësisht po ato “të drejta” dhe po ato të mira, nga të cilat ka hequr dorë vullnetarisht i vetëflijuari.
Ndëshkimi i kohës për këtë mosdëgjueshmëri të arsyes, herët a vonë, mund të jetë tepër i ashpër për të gjithë.
Pushteti
Në mes këtyre dy karaktereve skajshmërisht të kundërta, që u cekën më lart, ka karaktere e karaktere. Dhe, nga kjo xhungël karakteresh të mesme duhet të ndërtohen pushtetet. Themi nga kjo xhungël karakteresh të mesme, ngase dy kategoritë e para vetë koha do të duhej t’i privonte nga një e drejtë e tillë, për shkaqe krejtësisht të ndryshme.
Kjo, në asnjë rast, nuk duhet kuptuar si diferencim, por si rrjedhojë logjike e proceseve të zhvillimit të shoqërive në fazat e tyre më delikate.
Sukses apo dështim – krejt varet nga aftësia e të kuptuarit drejt të këtyre dy skajshmërive.
Ekzistojnë disa rregulla të pashkruara, të cilat janë të çdokohshme dhe të gjithkundshme.
Dikur, atij që vepronte në kundërshtim me rregullat morale të familjes, edhe po të ishte më i vjetri, i merrej apo nuk i jepej fare posti i Zotit të Shtëpisë. Atin, edhe po t’ia falte dikush, ai nuk duhej ta kalëronte (ngase ishte e pandërgjegjshme) përpara se t’i vente në vijë të mbarë të gjitha punët në familjen e tij.
Tash, gjithë ky “salltanat” përballë gjithë kësaj varfërie të skajshme dhe as që skuqet kush bile!
Sa e sa “atllarët” dhe “superatllarët”, të blerë me djersën e këtij qytetari të varfër, kalërojnë sot, hiç pa ndalë, pa kurrfarë nevoje, rrugëve të vendit tim.
Po të ishin aq të ndërgjegjshëm sa ta përfillnin proporcionin e privilegjeve të veta me zhvillimin e vendit, atëherë, e shumta e shumta, funksionarët tanë do të mund të shkonin në punë me motoçikleta zyrtare, në mos me biçikleta. Flas për nivelin vendor, ngase sa u përket niveleve lokale – s’ka fije dyshimi se ata do të duhej t’i pështynin këmbët.
Ia luajtëm nënën komunizmit!
Kujt i kërcet sot a je shqiptar a çka dreqin je! Me rëndësi të dish anglisht, ta zotërosh kompjuterin, të kesh telefon mobil, veturë... Ani drejtshkrimi! Gjuha standarde! Ta psh... drejtshkrimin e gjuhën standarde! Kush ka kohë sot të merret me këto cikërrima, o dajë?! Me këto punë të kota?! Me rëndësi të jesh njeri! Njeri të jesh! E pat puna e kufijve! S’do të ketë më as kombe. Kaloi ajo periudhë. Të gjithë do të jemi një. Një do të jemi të gjithë, a kupton?!
E gjeta një letër cinike të redaktorit të një gazete, në të cilën, një miku im i kahershëm, kishte punuar (me honorar) si përkthyes dhe redaktor gjuhësor.
Përgjigja e tij ishte:
ZOTI REDAKTOR,
Ndërhyrjet e mia në artikuj dhe vërejtjet që i kam përcjell tek ju përmes koordinuesit të punëve kanë qenë shumë të sinqerta, kolegjiale dhe fisnike. Një letër juaja, që arriti këto ditë në adresën time, m’u duk si tepër tendencioze, fyese dhe cinike, andaj, lidhur me këtë, desha t’i them disa fjalë.
Unë, për veten time, çfarëdo pune që marrë përsipër, me pagesë a pa pagesë, përpiqem që ta kryej me përkushtim, me nder e me sinqeritetin më të madh. Në anën tjetër, kurrë në jetën time nuk kam marrë përsipër, e nuk do të marrë as në të ardhmen, punë që nuk i njoh e që nuk mund t’u dal zot, cilësi këto që, fatkeqësisht, nuk i kam vërejtur tek disa prej jush. Pra, nuk është këtu fjala, zotëri, për gabime thjesht gjuhësore e teknike, por për paqartësi në shprehjen e mendimeve dhe për mosrespektim apo mosnjohje të rregullave më themelore të gjuhës, për çka më është dashur të kërkoj sqarim, ngase nuk jam profet që të di se çka ka dashur të thotë ky apo ai gazetar, në këtë apo atë fjali çatalle. Në rastet e tilla kam intervenuar tek koordinatori, përndryshe, po t’i ktheja artikujt për gabime të shumta gjuhësore, atëherë do të duhej t’i ktheja gati të gjithë.
Sa u përket sqarimeve tuaja se qysh shkruhet në gazetë a revistë e qysh në roman a në një vepër shkencore, të falënderoj shumë! Ke bërë shumë mirë, zotëri! E keqja e vetme është se ke harruar një “imtësi”. Ke harruar se këto sqarime i drejtohen një poeti e shkrimtari që, deri më tash, ka të botuara 5 vepra letrare, që është kaherë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve (deri tash vonë i vetmi në qytetin tonë), që është kryeredaktor i një reviste letrare shumë të njohur; një njeriu që mbush edhe nga dy faqe të gazetave e revistave më të njohura me komente, polemika, reportazhe, poezi, ese, tregime...; një krijuesi që ka marrë edhe çmime të larta në fushën e letrave, madje edhe në nivel mbarëkombëtar... Dhe, nga ana tjetër, ke harruar se këto sqarime i bënë një gazetar, i cili nuk i njeh as rregullat më themelore të gjuhës së vet amtare, të gjuhës në të cilën shkruan nëpër gazeta.
Më habit fakti se me çfarë krenarie e pranon që nuk e njeh dhe nuk e respekton gjuhën tënde amtare, thua se kjo është dëshmi e të qenit gazetar i mirë!!! Këtë e dëshmoni edhe në letrën tuaj, që ma dërguat ditë më parë, në 13 rreshtat e së cilës kishte hiç më pak se 18 gabime të ndryshme gjuhësore e logjike. Unë kurrë nuk mund ta kuptoj se si mund të jetë dikush gazetar, e sidomos gazetar i mirë, kur nuk e njeh gjuhën.
Sa u përket rrjedhave (ju e parapëlqeni fjalën e huaj “trende”) të gazetarisë bashkëkohore, mos u shqetësoni edhe aq shumë, zotëri! Më mirë do të ishte të kujdeseshit për veten tënde dhe për brezin tënd që, në emër të njëfarë “paqeje” e “globalizimi”, pahetueshëm janë duke jua “tredhur trutë” dofarë “trajnuesish” të dreqit e të birit. Një terapi e lehtë e kthimit nga vetvetja nuk do t’ju bënte keq. Provoni të mendoni, të flisni e të shkruani bukur në gjuhën tuaj amtare dhe do ta shihni se nuk do t’ju bëjë keq. Vetëm kështu të vetvetes do të jemi interesantë edhe për të tjerët dhe vetëm si të tillë do të mund të integrohemi në rrjedhat botërore. Nuk ia vlen të paraqitemi as “anglezë” e as “francuzë”, sepse dalim karikaturë e keqe e tyre dhe dukemi qesharakë.
Zoti redaktor,
Po e përsëris edhe një herë se ndërhyrjet e mia në artikuj dhe vërejtjet që i kam përcjell tek ju përmes koordinuesit të punëve kanë qenë shumë të sinqerta, kolegjiale dhe fisnike. Se vërtet është kështu, mund të vini në zyrën time e të bindeni vetë. Fatmirësisht, të gjitha dorëshkrimet, që nga numri i parë i gazetës, i kam ruajtur dhe i kam në të dyja versionet.
PËRDHUNUESIT E GJUHËS
Se a është bërë normëzimi i gjuhës standarde (letrare) shqipe me kompetencë të plotë shkencore, apo sipas diktatit të dikujt, mund të merret si çështje e hapur, për të cilën edhe mund të diskutohet. Pra, kjo nuk është më temë tabu dhe është mirë që është kështu.
Nuk e kam për qëllim që të jap opinionin tim se a i mbështes ata që konsiderojnë se ky normëzim është bërë në dëm të dialektit gegë, ata të cilët konsiderojnë se është bërë në dëm të toskërishtes, apo ata të cilët e pranojnë këtë normë. Qëllimi i këtij shkrimi është diku tjetër.
Në gjithë botën e qytetëruar dihet që norma është normë dhe se asaj i përmbahen të gjithë. Të mos i përmbahesh një norme do të thotë të mos i përmbahesh një ligji. Dhe, ta shkelësh një ligj, në botën e qytetëruar, dihet cilat janë pasojat. Tjetër gjë është të mos pajtohesh me një ligj apo me një normë, mirëpo, derisa është në fuqi, deshe s’deshe, duhet ta respektosh dhe t’i përmbahesh. Po ashtu, dihet se cila është procedura për ndryshimin e një ligji apo të një norme dhe kush është kompetent që ta bëjë atë.
Në rastin konkret, sa i përket mosrespektimit të normës së gjuhës sonë standarde, kjo bëhet, me apo pa vetëdije, nga një grup i caktuar njerëzish të profesioneve të ndryshme, të cilët pretendojnë të jenë të gjithëdijshëm dhe janë mohues të flaktë të çdo gjëje që është punuar në të kaluarën, ngase edhe bota paska zënë fill vetëm pas lindjes së tyre. Ata e paralajmërojnë një revolucion të rrufeshëm në normëzimin e gjuhës shqipe dhe nuk hezitojnë fare që ta thonë edhe botërisht se kjo do të bëhet vetëm sipas kutit të tyre. Harrojnë se kjo është shkencë dhe se në shkencë nuk ka vetëm si ma ka ënda. (Larg qoftë, o Zot, të jenë të paguar nga ata që vazhdimisht kanë paguar për zhbërjen e kombit tonë!).
Dihet që çdo komb e ka gjuhën e vet standarde, e cila është edhe gjuhë zyrtare e atij kombi, siç dihet, po ashtu, që çdo komb ka edhe dialekte e nëndialekte të ndryshme, krahinorizma e lokalizma, mirëpo askush në botë nuk insiston me kaq këmbëngulje, si këta të krisurit tanë, që e folmja e fshatit të tyre, apo një djall e di se e kujt, të bëhet gjuhë zyrtare e gjithë kombit. S’ka shqiptar, që i ka dy para mend në kokë, që nuk do të pajtohej që, edhe në një Kongres të ardhshëm eventual, ku do të bëhej normëzimi apo rinormëzimi i gjuhës standarde shqipe, të merreshin parasysh njësoj të dy dialektet e shqipes. Këta, të krisurit tanë, ende pa u mbajtur ky Kongres dalin me gjuhën e tyre të “normëzuar”, që po të ishte, së pakut, një gegërishte e kulluar nuk do t’ua shihnim edhe aq për të madhe. Fatkeqësia është se, të tillët, nuk e njohin as dialektin gegë e as të folmet lokale e krahinore, por gjuhën e tyre të “normëzuar” e flasin, thjesht, shqip magjupçe. Si të shpjegohet kjo ndryshe kur, përveç tjerash, në asnjë folje dhe në asnjë emër nuk e përdorin diftongun “ue” dhe “ye”, që gjithmonë është përdorur edhe në gjuhën e folur e edhe në atë të shkruar të dialektit gegë. Ata thonë: “me shku”, “me punu”, “me ndërtu”, “me pushu”, “me fluturu”, etj., në vend se : “me shkue”, “me punue”, “me ndërtue”, “me pushue”, “me fluturue”, etj. Thonë: “kry”, “kru”, “prru”, “gru”, etj., në vend se: “krye”, “krue”, “përrue”, “grue”, etj. dhe këtë gjuhë të tyre e përdorin edhe në mjetet e informimit publikë e edhe në administratë e arsim, ngase disa prej tyre mbahen edhe si gazetarë, publicistë, krijues, arsimtarë, përkthyes, nëpunës, e çka jo.
Nuk di kush tjetër, përveç magjupëve dhe këtyre bastardëve, e flet gjuhën shqipe kështu.
E thuhet se mortaliteti është më i lartë se nataliteti!
Mos, vallë, po shuhen popujt, po shuhet njerëzimi?!
Kam dëgjuar se disa njerëz kanë filluar të martohen edhe me kafshë.
Sa sperma derdhet përballë dritareve të zyrave tona! Vijnë çifte, gjithfarë moshash, dhe e kryejnë “atë punë” si lepujt. E shohin se po i shohim dhe shkojnë pa një të keqe. Në vend të tyre skuqemi ne.
Meteorët shihen dhe janë të bukur vetëm gjatë rënies. Yjet, megjithatë, kanë dritë të përjetshme. Ata nuk bien.
Në rendin e parë vijnë e ulen: drejtorë, shefa, kryeshefa, kryetarë partish, kryetarë komunash, ministra, kryeministra, kryetarë shtetesh... U përulen, i nderojnë... Asgjë nuk flasin, vetëm urdhërojnë me kokë. Vartësit i marrin porositë dhe i zbatojnë përpikërisht. Rezultati: Do rrugë të humbura në mjegull.
Diku në fund: poeti, shkrimtari, piktori...
Thërrasin: Ja rruga! Kush s’i dëgjon. Kush nuk ua vë veshin. Rezultati: Një zë në shkretëtirë. Çka t’i bësh! Të vdekshmit me të vdekshmit...
Për krijuesit thuhet se janë ndërgjegjja e zgjuar e njerëzimit. Janë pararoja e tij. Janë cikoli i inteligjencës. Pushtetarët (sunduesit) janë ana tjetër e medaljes.
Arti, në radhë të parë, ka si mision fisnikërimin e shpirtit dhe ndërgjegjësimin e njeriut për ta jetuar lumturisht jetën. E, fisnikërimi i shpirtit dhe ndërgjegjësimi i të sunduarve nuk u shkon përshtati sunduesve. Një shpirt i fisnikëruar dhe i ndërgjegjësuar do të thotë një shans më pak për ta mbajtur pushtetin, një privilegj më pak për ta. E ata nuk duan t’i humbin privilegjet, ngase, me humbjen e tyre, s’ka më sundim mbi të tjerët. Ja njëra ndër arsyet kryesore përse krijuesit janë të gjykuar të jetojnë e të vdesin në varfëri të skajshme!
Me gjasë, filozofia e ndërtimit dhe e mbajtjes së pushtetit, në të gjitha kohët dhe hapësirat, është e njëjtë. Plot gojën kulturë dhe art e kishin pushtetarët (sunduesit) qysh në antikë. E kishin edhe gjatë periudhave tjera historike. E kishin edhe gjatë epokës së komunizmit. E kanë edhe tash në demokraci. Mirëpo praktika, fatkeqësisht, flet krejt diçka tjetër. Hendeku në mes të krijuesve dhe sunduesve, pavarësisht se si i emërtojmë ne sistemet, mbetet ende shumë i thellë.
Krijuesit kanë mision fisnik. Ata, duke flijuar gjithçka nga vetja e tyre, përpiqen që t’i ndihmojnë të tjerët që jetën ta shohin edhe me sytë e shpirtit. Shprehur me një gjuhë pak më figurative, të gjitha fushat tjera të jetës, pa i nënvlerësuar e nënçmuar në asnjë rast, janë vetëm gjymtyrë të shtatit të krijesës së quajtur njerëzim, ndërsa arti dhe kultura janë shpirti i tij. Dhe, një trup pa shpirt... Ja përse ka kaq pak lumturi e kaq pak mirëqenie në këtë jetë kaq të shkurtër e kaq të pamëshirshme!
Unë mërzitem për ndodhitë që mund edhe të mos ndodhin, jo për ato që duhet të ndodhin patjetër, sado të hidhura që të jenë.
S’ka lidhje, po thonë, se në cilën parti është, me rëndësi të jetë ekspert, të jetë profesionist për punët përkatëse. Çfarë rrene! Çfarë ironie!
Profesionistë???!!! Këta me diploma false?! Këta me diploma të blera?! Këta me tituj të rremë shkencorë, pa asnjë punim të vetëm, që s’dinë t’i thurin as dy fjali?! Këta që po bëjnë gara se kush po e merr asistenten më perri?! Këta që nuk po ua huqin veturave zyrtare ditë as natë?! Këta që i kanë me dhjetëra e dhjetëra afera pas vetes për amoralitet, hajni, korrupsion e kopukllëqe tjera?! Këta që kurrë s’ia bënë asnjë argat të vetëm këtij vendi të shumëvuajtur?! Këta...?! Këta na qenkan profesionistë?!
Ua psh...kriteret e konkurseve! Ua psh...komisionet! Ua psh...koalicionet!
Ku mbeti kriteri kryesor – NJERI? Kriteri – ATDHEDASHURI? Kriteri – NDËRGJEGJE? Kriteri – MORAL? Ku mbeten ata që dhanë prova të përhershme se e duan dhe se dhënë gjithçka për këtë vend? Ata që kurrë nuk i bënë hile këtij vendi? Ata që kanë nga një bagazh rezultate në fusha të ndryshme të jetës? Ata që u përpoqën e po përpiqen vazhdimisht që t’i dalin zot këtij vendi? Ku mbetën?! Ku?!
Kah pikën tash këta farë ekspertësh e profesionistësh, që kurrë nuk ua pa hairin ky vend e askush tjetër? Këta farë ekspertësh, që nuk kanë autoritet as në familjet e tyre të ngushta e lëre më t’i prijnë dikujt tjetër? Ku ishin këta të bekuar kur këtu hahej fasulja nga një kokërr? Ku ishin?! Ku?!
S’paska pasur faj e gjora deve! Ku t’ia bësh hallall padronit kur ta qet gomarin përpara?!
E kam njohur mirë. Moti s’e kam parë. S’di në është gjallë apo ka vdekur. Mushkëritë ia patën hëngër dofarë horrash e bastardësh. Për shumë vjet me radhë i pat prirë kulturës në qytetin tonë. Ka qenë një krijues i zoti.
HESHTJA NUK DO TË THOTË, GJITHHERË, SE PAJTOHESH ME DIÇKA
Ka dy vjet e më tepër që ndaj meje dhe kolegëve të mi, që aktualisht i prijmë kulturës në qytetin tonë, s’lihet gjë e zezë pa u thënë nga qarqe të caktuara pseudo-intelektuale e pseudo-kulturore, që nuk ia duan të mirën as artit e as kulturës sonë në përgjithësi. Kjo bëhet nëpër rrugë e kafene, si dhe nëpër vende tjera, ku, zakonisht, e shpenzojnë pamëshirshëm jetën e vet këta bjerrakohës. Në këtë drejtim nuk kursehen as disa nga mjetet tona të informimit publik, të cilat, në mungesë të një përvoje demokratike, u japin hapësirë këtyre bastardëve, duke menduar se e drejta për lirinë e fjalës nënkupton të thuash gjithë çka të teket e çka të vjen ngojesh.
Heshtja, dy e më tepër vjeçare, ndaj këtyre zërave fort ogurzinj u bë me të vetmin qëllim që, me punë të përkushtuar e jo me fjalë e dokrra, t’u tregohet këtyre smirëzinjve se, megjithatë, në komunën tonë, në fushën e kulturës e të artit, nuk është gjithçka e zezë (siç dëshirojnë ata të jetë përherë) dhe se po punohet diçka. Mirëpo, sa më shumë që arrihen rezultate, aq më nervozë, aq më çorodë e aq më të padurueshëm bëhen këta farë zvarranikësh.
Kulmi i ironisë së gjithë kësaj fushate të pakuptimtë, që edhe më nxiti ta bëj këtë reagim, u arrit në përmbyllje të motmotit që sapo e lamë pas. Dhe, ja përse! Në mjetet tona të informimit, në disa sosh, ndryshe nga ajo që praktikohet në vendet tjera të botës, së pakut për kurtuazi, në vend se të jepet ndonjë rezyme apo raport i sublimuar i rezultateve të arritura në fushën e kulturës e të artit në komunën tonë (që edhe në vitin që sapo e lamë pas nuk ishin të pakta) reprizohen emisione bajate foljore (që nuk u shkojnë fare ditëve festive), ku kritikohen pikërisht ata që kontribuuan në arritjen e këtyre rezultateve.
Një ndër emisionet e tilla, i reprizuar ditën e parë të këtij viti, ishte edhe një tribunë, ku bashkëbisedues ishin dy liderë lokalë të partive politike. Kur dëgjova vlerësimet e tyre kuturu për kulturën dhe artin në komunën tonë, sa nuk thirra: Edhe ju, Bruta!!! Dhe, vërtet është çudi që nga njerëz të tillë, të këtij rangu, të dëgjosh vlerësime e konstatime të tilla. Jam i bindur se ata, në mungesë të informatave burimore, vlerësimet dhe konstatimet e tilla i bëjnë nën ndikimin e thashethemeve të atyre bjerrakohësve që u cekën më lart, gjë që nuk u ka hije liderëve të këtij rangu. Ndryshe kjo nuk shpjegohet.
Zotërinj të nderuar të tribunës së reprizuar,
Juve, si liderë lokalë të partive politike, s’ka kush që ua mohon të drejtën që të dilni edhe me vlerësime se, bie fjala, në kulturën e komunës sonë diçka nuk po ec, se nuk ka rezultate të kënaqshme, etj. etj., ngase vend për të kritikuar ka sa të doni, siç ka edhe në të gjitha fushat tjera jetësore tek ne, por nuk keni të drejtë të dilni me konstatimin kuturu se njerëzit joprofesionistë e të paaftë po i prijnë kulturës, ndërsa profesionistët dhe të aftit po sorollaten nëpër qytet. Me ç’të drejtë dilni me këtë konstatim, ju lutem?! Si është e mundur që një ekonomist, ta zëmë, një jurist, një mjek, një inxhinier a një kushdoqoftë i ndonjë profesioni tjetër ta dijë (aq më parë kur nuk i përcjell kurrë ngjarjet dhe aktivitetet kulturore) se kush na qenka profesionist e kush jo për ta udhëhequr kulturën e një komune?! (Merreni me mend sikur një shkrimtar a piktor, ta zëmë, t’i japë veti të drejtë që t’i caktojë kuadrot profesioniste për ta udhëhequr, fjala vjen, ekonominë tonë që është katastrofë fare! A do të kishte kuptim kjo, ju lutem?!). Nëse, sipas jush, një poet a shkrimtar, i cili, deri më tash, i ka të botuar pesë libra, që është kryeredaktor i një reviste letrare shumë të respektueshme dhe që kaherë është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk po bëka t’i prijë kulturës së një qyteti, atëherë kush?! Një piktor? Një aktor? Një regjisor? Një këngëtar? Një kushdoqoftë tjetër, do të thoni ju. Po, pse jo, ore zotërinj?! Nuk i kemi marrë me “tapi” këto vende të punës Do të sprovohemi të gjithë. Kemi kohë. Nuk është fundi i botës ky. Nesër do të vijë dikush tjetër t’i prijë kulturës në qytetin tonë. Kjo s’ka fije dyshimi, po kush mund të më bind sot mua se edhe atij nuk do t’ia bëni kështu?
Pra, të nderuar zotërinj të tribunës së reprizuar, halli i telallexhinjve që nuk po prajnë, e që ju verbërisht po ua mbani ison, nuk është se a ka a nuk ka rezultate në fushën e kulturës në komunën tonë (s’di si nuk po e shihni këtë!) po është diku ngjeti. Ata, më së pakut janë të interesuar për rezultate. Atyre nuk u interesojnë rezultatet. Atyre u intereson diçka tjetër. Diçka krejt tjetër. Diçka krejt çorode, që s’ka të bëjë fare me kombëtaren e me njerëzoren. Hulumtoni pak, ju lutem, në biografitë e tyre, sidomos në periudhat më të vështira që i kaloi atdheu ynë dhe do të bindeni për këtë. Ata s’janë në gjendje të dhënë asgjë për atdhe. Ata janë në gjendje që, për interesa të tyre personale, atdheut t’ia marrin edhe shpirtin. Ka fakte dhe dëshmi të shumta për këtë, fatkeqësisht.
Ju që verbërisht po ua mbani ison do mbrapshtanave, binduni njëherë e përgjithmonë se problemi nuk është tek ne që nuk jemi “profesionistë” e që “nuk po dimë të punojmë e të organizojmë” po tek ata zvarranikë që s’kanë punë më të mençura në këtë jetë sesa t’i përgojojnë të tjerët. Tek ata që, të verbuar nga një urrejtje e pakuptueshme sadiste dhe nga një grykësi e paparë, nuk mund ta shohin e ta pranojnë si sukses, në vitin që shkoi, as financimin dhe realizimin e një shfaqjeje teatrore, me të cilën qytetit ynë, në një festival mjaft të rëndësishëm, zuri vendin e parë në nivel vendor dhe mori gati të gjitha çmimet e këtij festivali; as zënien e vendit të parë në një festival të folklorit mbarëkombëtar; as nxjerrjen e një reviste letrare, për të cilën kanë fjalë të mira dhe me të cilën bashkëpunojnë pothuajse penat më eminente të letërsisë sonë nga të gjitha trojet etnike; as organizimin e një manifestimi poetik ndërkombëtar, që tashmë është bërë tradicional; as pjesëmarrjen e Ansamblit të Qytetit të Këngëve dhe Valleve në dy festivale ndërkombëtare; as Garat Komunale të Recituesve të Rinj; as Festivalin e Grupeve Teatrore të Shkollave Fillore; as Festivalin e Këngës së Fëmijëve; as organizimin e kremtimit të festave të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare; as shënimin e përvjetorëve të rëndësishëm; as themelimin e katër SHKA-ve të reja nëpër fshatra; as rifillimin e punës së Kinemasë së Qytetit, pas kaq vitesh; as rritjen e fondit librar në Bibliotekën e Qytetit edhe me 2798 tituj të rinj; as grumbullimin e materialeve të shumta me vlerë të madhe arkeologjike e etnografike; as fillimin e punëve në restaurimin e Kompleksit të Kullave të një heroi kombëtar; as organizimin e mbi 100 shfaqjeve të ndryshme artistike e kulturore në Qendrën e Kulturës, të cilat i përcollën diku rreth 42.353 shikues; as kryerjen e mbi 600 shërbimeve në Arkivin Historik të Qytetit; as projektet e shumta, me të cilat është konkurruar edhe jashtë vendit; as financimin dhe bashkëfinancimin e projekteve të shumta të OJQ-ve; as meremetimin dhe pajisjen e institucioneve të kulturës; as plot e plot punë tjera, për kryerjen e të cilave u kërkua angazhim e mund i madh në këto kushte e rrethana aspak të volitshme për zhvillimin e kulturës. Pra, këto e shumë punë të tjera, nga të tillët nuk konsiderohen rezultate. Dhe tash, natyrshëm shtrohet pyetja se çka do të bënte, përveç kësaj, një dikush tjetër po t’i printe kulturës në qytetin tonë? Përveç ndonjë imtësie, plus – minus, asgjë tjetër. Dhe, pse atëherë gjithë kjo zhurmë pa farë nevoje?! Pse?!
Edhe përkundër këtyre rezultateve, kemi qenë, jemi dhe do të jemi përherë të vetëdijshëm se ka pasur e ka të meta e mangësi në punën tonë, edhe shumë bile. Pra, ka vend për të kritikuar, pse jo?! Po, jo kështu! Jo kritika qëllimkëqija! Jo me paragjykime! Jo me inate! Jo me pretendime të mbrapshta! Bëhuni të bindur se artit dhe kulturës sonë, në përgjithësi, nuk i kanoset kurrfarë rreziku as nga unë e as nga kolegët e mi, që, sipas disave, nuk po dimë ta organizojmë e t’i prijmë. Përkundrazi. Arti dhe kultura jonë, në përgjithësi, është në rrezik nga diçka tjetër. Është në rrezik edhe nga këta smirëzinj që i zumë ngojesh. Ne edhe mund të mos dimë shumëçka, që është shumë logjike dhe aspak e turpshme, po bëhuni të bindur se, në punën tonë, jemi të sinqertë, të ndershëm dhe nuk kursehemi fare. Kushdo që do të vijë nesër e t’i prijë kulturës së qytetit tonë, përveç këtyre bastardëve, do ta ketë ndihmën dhe përkrahjen time të pa rezervë, për aq sa di dhe mundem. Do ta ketë ndihmën dhe përkrahjen time, ngase jam plotësisht i vetëdijshëm se vetëm bashkërisht mund t’i çojmë gjërat përpara. Se vetëm bashkërisht mund të arrijmë rezultate. Kurrsesi ndryshe. Një ndihmë dhe një përkrahje të tillë e kam pasur edhe unë dikur dhe e kam edhe tani nga plot e plot artistë, shkrimtarë, poetë, piktorë, muzikantë, dashamirë të kulturës e të artit..., vërejtjet, sugjerimet dhe kritikat e të cilëve, gjithherë qëllimmira, i pranoj me kënaqësi dhe më dhënë kurajë për punë të mëtejme.
Sa për kritikat dhe vërejtjet e çorodëve, që i zumë ngojesh, ato s’më duhen gjë fare. Më s’do t’ua vë as veshin bile. Kam punë shumë më të mençura sesa të merrem me ta. Mirëpo, në një duel, në një betejë, në një luftë argumentesh do të dëshiroja shumë të përballesha me ta, por ç’e do që atyre u mungon edhe guximi intelektual e edhe ai qytetar për t’na dalë përpara mua dhe të vërtetës...
Nëse dikush thotë se dy vjet e sa durim janë pak, unë vërtet mendoj se janë pak si tepër...
Veç sa kanë dal nga gëzhoja e shkollimit formal (pa asnjë ditë përvojë në shkollën e pazëvendësueshme të jetës) dhe vijnë e thonë: “Erdha që ta ngjall jetën kulturore në këtë qytet”, thua se ky qytet kurrë s’paska bërë gjë, po vetëm paska pritur shkopin e tyre magjik! Çfarë “magjistarësh” të paturpshëm! Çfarë mosmirënjohësish! Çfarë bastardësh!
Kush mund t’i kontribuojë kulturës së një qyteti kur i mungon ajo e vetja, ajo elementarja?!
Nganjëherë më bëhet se i dëgjoj kah thërrasin: Rroftë robëria! Robëria – liria ime e përjetshme!
Prej dy alternativave skajshmërisht të kundërta, ata, me vetëdëshirë, e zgjedhin DIKTATURËN. Dhe ti nuk di në duhet t’i mëshirosh a t’i urresh këta njerëz. Që t’i duash jo se jo, ngase s’ke çka do në këtë shkretëtirë të pafund.
“Zoti është Dashuri. Kush është me Dashurinë është me Zotin”, pat thënë, qysh moti, një shenjtor.
Shekuj e shekuj më vonë, një filozof i njohur tha: “Aq shumë e dua popullin tim sa nuk mund t’i urrej të tjerët”. Dhe, kjo “klithmë e tij në shkretëtirë”, si për ironi, erdhi me mileniume e mileniume pas ndërtimit të Kullës së Babilonit, e cila, më tepër se një mallkim, ishte një sprovë e madhe për njerëzimin.
Dhe, tash e këtu, në këtë nënqiell, nuk është Babilonia. Këtu është një qytet i ndarë. Një qytet i plagosur, që kaherë e pret kurimin. Një qytet që, më shumë se për gjithçka tjetër, ka nevojë për një Kullë. Për një Kullë krejtësisht tjetër nga ajo e Babilonit. Për një Kullë Mirëkuptimi, Kullë Tolerance, Kullë Ardhmërie...
S’janë as lumenjtë e thellë e të rrëmbyeshëm ata që i ndajnë, as urat e gurta e të betonta ato që i bashkojnë qytetet. Këta lumenj duhet të rrjedhin e këto ura duhet të ndërtohen diku në ne...