GOMERËT E TROJËS
Ujqit bëjnë demagogji
Pranojnë veshon në parti.
Që të merrnin dhe pushtet
Na e zgjedhin deputet.
-Çudi! -thanë kafshët që hanë bar,
Në mes ujqëve një gomar!
-Ç’është kështu! -tha lopa, kali…
Por supriza prapë s’ndali.
Se veshgjati, deputeti
Na kalon ministër shteti.
Dhe kështu si kurrë ndonjëherë
Veshua seç bën karrierë.
Më pastaj na ngrihet trimi
Ministër privatizimi.
Me ta ngritur në pozitë,
Fillojn’ ujqit llogaritë.
Si të ndahet prona shteti,
Sa pa ndarë copë s’mbeti.
S’mbeti ujk pa u bërë pronar…
Hedhka firmën një gomar!
S’ngeli tigër e s’ngeli dhelpër
E çdo kafshë që ka kthetër.
Nga kjo gjë në parlament
Njëthundrakët s’zinin vënd.
Të gjora kafshë të punës thonë:
-Ku vallë vajti djersa jonë?
Dhe kështu në një seancë
I kërkojnë interpelancë.
Për fabrika kombinate,
Për çdo gjë që u bë private.
Në podium na del nga zori
Të flasë Vesho oratori.
Hapi gojën, u bë gati,
Por në çast ju rrënqeth shtati.
Se nuk diti si të flasë,
Të ulërijë a të pëllasë…!
-Të pëllas -mendoi më mirë
Mrekulli letrash me birë.
-Qe privatizimi ynë…
Dhe ujqëve u shkeli synë.
-Më thoni shokë! Kur rraca jonë
Ka patur ndonjëherë pronë?!
Si sot e dje e si qëmoti
Vajti prona tek i zoti.
Kur një kalë andej nga fundi
Hingëllin e jelet i tundi:
-Soji ynë një jetë tërë
Pronë s’ka patur e pronë ka bërë.
Nga kafsh’e punës lindi prona
Edhe prapë s’ësht’ e jona
Dhe materialet dhe gjithë të mirat
Sot i gëzojnë veç egërsirat.
Na shkatërrove o djall, o ters!
Na hodhe poshtë dhe gjak dhe djersë.
Gjersa ministër të kemi gomarë
Punëtorë do jemi, po kurrë pronarë.
Sa të ketë në qeveri veshgjatë
I morën ujqit të gjithë kalatë
Më kot të flasim e ti japim gojës
Sa të ketë mes nesh gomerë të Trojës.
