Mendimi Kombëtar Nacionalist Shqiptar
Posted: Sun Mar 22, 2015 9:22 pm

Mendimi kryesor, që përfshihet në këto botime dhe që ne konvencionalisht jemi mësuar ta quajmë periudha e viteve 30-të, si vazhdim i suksesshëm i mendimit politik dhe filozofik të zgjimit kombëtar shqiptar, përfundon rreth viteve 1944-1945, kur mbaron dhe Lufta Nacional-shkatërrimtare* e në Shqipëri vendoset sistemi komunist. E fill me vendosjen e këtij regjimi fillon dhe shkëputja totale e brezave të ardhshëm me këtë trashëgimi. Aq sa pothuajse të gjithë mendimtarët e kësaj periudhe me ndonjë përjashtim të rrallë u përgojuan dhe u çensuruan në të gjitha gjeneratat e reja, duke mos lënë asnjë shteg për të hyrë në lidhje me këtë kulturë. Pikërisht kjo shkëputje, mund të konsiderohet si një nga fatalitetet më të mëdha të kulturës, politikës dhe historisë shqiptare. Ky mendim, që lindi bashkë me Rilindjen tonë kombëtare dhe që përjetoi një ripërtëritje të pashembullt në vitet 30-të të shekullit të kaluar, u materializua me krijime origjinale, duke përfshirë këtu botime të plota librash të ndryshëm me karakter filozofik, politik, sociologjik, psikologjik dhe kulturor. […]
Kur hyn në kontakt me këtë mendim politik, filozofik, sociologjik dhe kulturor, kupton menjëherë vizionet e qarta, që ata kishin qysh atëherë për të ardhmen e Shqipërisë. Mëson gjithashtu se problemet e dikurshme shqiptare, që janë aktuale dhe në kohët tona, prej tyre u trajtuan ndoshta akoma dhe më qartë se sa sot, duke dhënë madje dhe zgjidhje konkrete për disa prej tyre.[…]
Padyshim që merita kryesore u takon vetë mendimtarëve që përfaqësojnë këtë mendim si dhe botuesve dhe studiuesve të sotëm të varfër, të cilët megjithëse pa shtetin në krah, zgjodhën të respektonin më shumë në veprimtarinë e tyre nevojën e lexuesve shqiptarë për ta patur në dorë këtë literaturë që u mungoi për mbi 50 vjet me radhë. Edhe pse me kohë jemi dhjetëra vjet përpara, gjë të cilën të gjithë e dimë, përsëri nga periudha e atyre viteve aq pjellore në cilësi, ne ndjejmë zilinë e atij mendimi të zhvilluar, të emancipimit dhe ambjentit të kultivuar që ata mendimtarë krijuan në Shqipërinë e asokohe. Për këtë arsye, me synimin për t'u lidhur me trashëgiminë intelektuale që nga zgjimi kombëtar shqiptar deri në mes të viteve 1940-të, botimi i kësaj antologjie të strukturuar sipas tematikës do ta ngrinte në një nivel më të lartë interesimin e brezit të sotëm dhe brezave të ardhshëm në përvetësimin e kësaj literature, duke i bërë një shërbim të padiskutueshëm kulturës sonë kombëtare.
Koma publiko-politike ku gjendet sot Shqipnia është pasojë e drejtpërdrejtë e shkuljes së vazhduar 75 vjeçare të Rrënjëve Nacionaliste që ushqyen vullnetin dhe vrullin kombëtar për themelimin, ngritjen dhe zhvillimin e një Shtetkombi të pavarur dhe të përbashkuar shqiptar. Regjimet e njëpasnjëshme copëtuese, përçarëse e shkatërrimtare po e shtyjnë Kombin tonë drejt shfarosjes dhe po vazhdojnë t'i gërryejnë dhe rrëzojnë pa ndalim të gjitha themelet shtetkombëzuese të vendosura nga Rilindësit, Mendimtarët e Shtetarët tanë të para 75 vjetëve.
Në këtë gjendje të rënduar ku çdo hapësirë publiko-politike është e pushtuar dhe infektuar nga viruse dhe veprimtarë kundrashqiptarë të çdollojshëm, është detyrë e drejtë e çdo Shqiptari që nuk dorëzohet përballë skllavërimit dhe zhdukjes që globalistikanët dhe dordolecët e tyre kanë përcaktuar për Kombin tonë, që t'i kthehet sa më parë Rrugës së Kombit, që të braktisë çdo parti dhe çdo organizatë etnomazokiste, që të rivendosë sa më parë lidhjen ultra·empatike me Mendimtarët Kombëtarë të periudhës para bolshevike dhe të mbjellë e përhapë përsëri farërat mendje-çelëse të vullnetit kombëtar që gjenden në veprat e tyre dhe pa të cilat, siç po e shohim prej 75 vjetësh, mendja, morali dhe vullneti i çdokujt që braktis rrymën ideologjike organike shqiptare, mund veçse të tkurret, vyshket dhe zvetënohet, nën ndikimin e helmeve ideologjike kundranacionaliste, postmoderne, neobolshevike e globaliste.
Vetëm duke rizbuluar dhe riveprimësuar thesarin mendimtaror kombëtar të çensuruar për më se gjysmë shekulli nga bolshevikët, dhe të shpërfillur, shtrembëruar e baltosur për më se çerek shekulli nga neobolshevikët, mund të dalim nga moçali poshtërues e vetëvrasje·nxitës ku dordolecët e djeshëm e të sotshëm të internacionalistëve, të kollarisur si politikanë, e kanë zhytur Kombin tonë duke na paraqitur si "të vetmen zgjidhje të mundshme" realizimin e planit të fije·tërheqësve të tyre globalistë për pushtim dhe zhdukje të Shqipnisë dhe të Shqiptarëve.