"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

“Si shkruanin paraardhësit”

Ketu mund te shkruani artikuj per figurat historike shqiptare dhe ato te paraardhesve tane me te hershem, te komentoni ato ose te jepni mendimin tuaj ndryshe.

Moderator: Arban Blandi

Post Reply
User avatar
Sally
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2062
Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
Gender: Female

“Si shkruanin paraardhësit”

#1

Post by Sally »

“Si shkruanin paraardhësit”

Pena të mëdha, si Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Branko Merxhani, etj, etj, etj, me shkrimet e tyre më të spikatura. Shkrimet e tyre do të vijnë origjinale, siç janë shkruar nga autorët.
Nuk jam vrasës, jam student shqipëtar, vrava një tradhtar të Atdheut tim.
(Avni Rustemi)
User avatar
Sally
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2062
Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
Gender: Female

Re: “Si shkruanin paraardhësit”

#2

Post by Sally »

Komedia e partive
Faik Konica


Botuar më 1924 Korrespondenca e mikut t'one të kthiellt, Francesco Argondizza, që "Dielli" boton në numër të sotmë, na heq përsëri vërejtjen mi reziqet që e rethojnë Shqipërinë. Kur popujt dëshërojnë paqe dhe kërkojnë marëveshje e miqësi në mes tyre, aventurierët e politikë nërkombëtare si Mussolini dhe Pashiçi e shkojnë kohën duke bërë plane për të turbulluar qetësin e botës, për të derdhur përsëri gjak, dhe për të shtuar mjerimet që rendojnë si plumb i nxehtë në kurriz e në shpirt të njerëzisë. Nuk është punë aq e lehtë të prishet një Shtet i vendosur, dhe s'duhet të na trembet aqë shumë syri. Atë lakmi çakalle që kanë sot, fqinjtë t’anë e kishin dhe die. Ish më lehtë të prishej die se sa sot Shqipëria; më lehtë në kohë të Konferencës së Parisit, kur Shqipëria nuk ish edhe e njohur si Shtet dhe armiqt’ e saj flisjin si shokë dhe aliatë të nderuar të Fuqive të Mbëdha mundëse, se sa sot që Shqipëria jo vetëm është një Shtet i njohur po mer pjesë dhe në Lidhje të Kombeve. Pastaj, ka sot n'Evropë burra si Radiç-i i Kroatisë dhe Morel-i i Inglisë, fytyra fisnike që përfaqësojnë ndërgjegjjen e njerëzisë dhe zëri i të cilëve, i shtrënguar të heshtë gjer die nga gishtërinjt' e hekurt të despotismave e të censurave të lindura nga lufta, dëgjohen tani anë mb'anë të botës dhe janë të zotët të bashkojnë për veprim gjithë forcat morale të dheut.Jo. Nuk besoj se Shqipëria është në rezik, - të pakën jo dhe për shumë kohë. Po kjo s'do të thotë se jemi të siguruar në çdo rast dhe në çdo mënyrë. Asnjë Shtet nuk është i siguruar plotësisht dhe pa konditë. Nuk është nevojë të kërkojmë shëmbëlla në histori të shkuar, arrin të hedhim një sy në historin’ e sotme, për të kuptuar se Shtetet, si njerëzit, lindin, riten dhe vdesin, - dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet. Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s'ka vent dhe trëmbem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vetë-qojturve "udhë-heqës" do t'u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria - fjalë fatale - vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj:
U NGJALL NGA IDEALISTËT
U RUAJT NGA RASTET
U VRA NGA POLITIKANËT
Po. S'ka dyshim se politikanët - turma e erët e njerësve që e përdorin politikën jo si një udhë po si një qëllim - kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. Unë që s'këndoj kurrë gazetat e Shqipërisë (e kam çfaqur arësyen tjatër herë), zura këto javët e fundit t’i këndoj me regull që të kuptoj rrjedhjet politike të vendit, dhe gjer tani nuk arrita të zbuloj gjësendi. Këtu këtje, nonjë artikull i veçuar çfaq te bërësi një ndienjë të problemeve të mbëdha që janë shtruar përpara Shqipërisë; po përgjithësisht s’duket gjëkundi filli i pakëputur i mendimeve të përgjithëshme, po vetëm një bisedim i rëmbyer hollësirash, detajesh.Për shembëll, le të marrim reformën e kodit. Pse duan t'a reformojnë dhe me ç'frymë do t' reformohet? S'meret vesh mirë. A duan t'a shkurtojnë kodin dhe t'i përmbledhin gjithë kanunet në një pakicë faqesh, siç bëri tani shpejt Japoni, gjë për të cilën ky vent u lëvdua nga juristët, se shumësia e kanuneve është një sëmundje dhe një pengim? Po të kishin një ide t'atillë reformatorët t’anë, ahere ja një fill udhëheqës, një mendim i përgjithëshm: arsyeja e reformës do t’ish simplifikimi. - A duan t'i lënë më tepër liri njeriut dhe të shkurtojnë gjer në kufirin më të ngushtë nërhyrjen e Shtetit në punët individuale, dhe jo si në Prusi ku për të ndruar odë duhet të kërkosh leje nga opolicia, sistem skllavërie i kopiuar gjer më një pikë dhe nga Turqia? Ja përsëri një fill udhëheqës: zgjerimi i lirive individuale dhe pakësimi i pengimeve të vëna nga Shteti. - A duan të kenë kanune më elastike, më t' epëshme, dhe jo rigide pa nevojë, - si për shembëll në Skolland ku ka shumë forma martese: përpara një njeriu feje, ose përpara registar-it, ose përpara miqsh të thirur si dëshmonjës në shtëpi, etj., të gjitha forma legale, kurse në Francë ka vetëm një formë legale dhe do s'do je i shtrënguar t'i bindësh asaj forme? Ahere, ha bhë thatër fill udhë-heqës: të reformuarit e kodit për të kallur ane mb'anë një epërsi më të madhe në formalitetet. Munt të vazhdojmë duke dhënë shembëlla të tjera. Këto arrijnë për të treguar se një reformë, që të jetë reformë e dobishme, duhet të ketë një fill udhëheqës, një frymë përmirësonjëse të re. Në këtë reformë të kodit, s'shohim për kundrë veç se një ndryshim. Po çdo ndryshim nuk është doemos një përparim. Dhe po të përmbledhim fjalët e reformonjësve dhe fjalët e kundërshtarëve do të gjejmë këto mendime: Reformonjësit duan t'a reformojnë kodin e sotmë se s'janë mësuar me të, kundërshtarët e mprojnë se janë stërvitur pas tij. As gjë tjatër.Që Shqipëtarët, në çdo çap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendimi i përgjithëshëm; dhe nga ana tjatër, që Shqipëtarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim: - ato janë dy fakte që duhet t'i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e shvillimeve në të katër vjetët e fundit. Patmë këto ditë një provë tjatër në të "themeluarit" e dy "partive" të "ra". Asnjë nga këto të dy "parti" s'ka nonjë gjë të re brenda, as njerës të rinj as parime të ra: njerëzit jan' ata që i kemi njohur në disa partira të tjera, - parti "'nacionaliste", "popullore", "përparimtare", "liberale" dhe s’di se ç'emëra të tjera me -ore, -are, -ale ose -atre: po kurdohere ''the same old damned thing", një grup njerëzish që nuk i lith as një e shkuar e përbashkm: as dashuria për një ideal të përbashkët, po vetëm ca inate e ca interesa të çastit. E vetëma gjë e re ketu jan' emërat e "partive", emëra që s'kan' asnjë kuptim të caktuar: fjala "demokrat" ësht' aq' elastike, sa ka ngjarë shumë herë të meret për flamur mbulonjës nga reaksionarët më të tërbuar; sa për ¬fjalën "radikal", kjo ësht edhe me elastike, -aq' elastike sa më Sërbi "radikale” ¬një kohë quhej partia rusofile, në Francë "radikale" ka qenë partia që lëftonte lidhjen e Shtetit me Kishën Katholike, n'Ingli "radikale" jan' ata liberalë që anojnë nga partia e punëtorëve, dhe n'Amerikë më në fund fjala "radikal” është një emër i mbuluar për të thënë socialist. Aqë kuptime sa edhe vende. S'munt të mohojmë se në të dy "partitë" që u themeluan ka njerës të mirë; përveç kësaj, sekretarët që të dy partive janë miqatë t'anë, dhe nukë munt të vënë në dyshim kthiellësin' e qëllimeve të tyre. Po dhe njerës të mirë shumë herë bien viktima të rrethit e të rasteve. Themelimi (i cili do të mbetet themelim në kartë vetëm) i të dy partive të ra, nuk është veç se një lodrë fjalësh, - një ndryshim etikete, ndryshim që Shqipëtarët pas zakonit të tyre e kujtojnë përparim. Po a do t' gënjehet Populli? Besoj që jo.Besoj që Populli kur të shohë se gjith' ata njerës që i kanë dalë një mot më parë n'emër të një partie tjatër dhe tre vjet më parë n'emër të një partie tjatër prapë, do të thotë me vete të tij se këta njerës tallen me të, dhe do t’u kthejë kurrizin. Dhe do t' votojë pas mendjes tij, - do t'votojë për njerëzit e "ndershëm", pa vënë re maska, etiketa, dhe emëra. Kemi shvilluar shumë herë në këto shtylla mendimin që një vent nukë munt të qeveriset mire po s'pati dy parti t' organizuara, po parti në kuptimin e vërtetë të fjalës, do me thënë parti që kanë një parim udhëheqës të kthiellt, një program me hollësira të caktuara mirë, me anëtarë besnikë e të patundur, dhe me një kryetar të njohur e të dëgjuar. Që të gjitha këto mungojnë në Shqipëri. Dhe kur na çfaqen dy parti pa kokë, pa trup, dhe veçan pa frymë, besojmë se nuk do t'gënjehet njeri me etiketa, - etiketa që janë dhe fallse, se etiketa e vërtetë e që të dy partive në fjalë duhej t'ish "konservative e matur"; që t’i çquajme duke marë hua një fjalë nga jargoni i parlamentit të Francës, njëra munt të quhet "parti centre-gauche" dhe tjatëra "parti centredroit': S'shohim, ¬gjë tjatër n'ato "partira".Po pse te humbasim kohën? Populli u ngop me gënjeshtra. Ka humbur besimin në politikanët. Dhe Populli s'ka aspakë faj, se politikanët më të vërtet s'meritojnë aspakë besim. Aherë ç'do të dalë nga zgjedhjet? Hiç gjësendi. Populli shqipëtar - si popujt e tjerë të Ballkanit, si Grekët për shembëll që një-qint vjet me radhë s'kanë patur veç se partira personash, "Trikupiste" dhe "Delijaniste", "Venizeliste" dhe "Kostandiniste" - do t' grupohet pas personave. Populli Shqipëtar do t'votojë për njerëzit "më të ndershëm", dhe Perëndia e di se ç'farë njerës jan' ata që Populli i gjykon të ndershëm. Përpara një kauzi ballkanik si ky, është më kot të thajmë gurmazin duke predikuar në shkretëtirë. Besojmë se detyra e vatrës është paskëtaj të rij' e paanëshme, duke stërvitur Popullin për një të nesërme më të kthiellt dhe duke përkrahur, çdo guvernë që të japë ca garantira të paka ndërgjegjjeje dhe pune, pa kërkuar nga ky brez i korruptuar gjëra të pamundura.[/b][/i]
Last edited by Sally on Sat Jul 24, 2010 9:27 am, edited 1 time in total.
Nuk jam vrasës, jam student shqipëtar, vrava një tradhtar të Atdheut tim.
(Avni Rustemi)
User avatar
Sally
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2062
Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
Gender: Female

Re: “Si shkruanin paraardhësit”

#3

Post by Sally »

MVEHTËSIA E SHQIPËNIËS
Luigj Gurakuqi


Botuar në vitin 1913 E andërruar nga vjershëtorët e dëshiruar nga zemrat e djeguna të disa pakë atdhetarëve, që vuanin e dirgjeshin nëpër burgjet e errata e që qanin e rënkonin nëpër shkretinat e largëta të ndjekun e të dëbuar nga Atdheu i dashun, mvehtësia e Shqipënisë na dukej të gjithëve si një dëshir i paarijshëm, si një dhuratë tepër e çmuarshme për varfërinë t'onë, si një pemë e ambëlë e shijëshme, të cilën Perëndia u a kishte ndaluar shqipëtarëvet të mjerë. Me gjith dëshirën e nxehtë, me gjith adhurimin e thellë, që kombi i ynë ka ndëgjuar kurdoherë për lirinë vehtore, robënia e gjatë e zgjedha e dredhimet e Turqisë, që për aqe shumë kohë kishin randuar mbi qafën e Shqipëtarëvet, kishin shutitun edhe, ndë mos shuar, idhenë e bashkimit e te mvehtësiës në zemrat e tyne. Po! Edhe ata që përpiqeshin e që punonin, edhe ata që vuanin e që luftonin nuk e shihnin tepër t'afërme, nuk e prisnin shpejt për shpejti ditën e bardhë të mvehtësisë s' atdheut. Dëshirin e tyne të flaktë e ruanin e ushqenin në thelbin e zemravet të veta, andërrën e tyne të lulëzuarë e fshihnin në thellësinën e kujtimevet të veta, po nuk kishin tepër shpresë se do t'a arrinin ata vetë idealin e shenjtë, të cilit i kishin falun e kushtuar fuqinë, mëndjen, qetësinë e trupit e gjanë, e jetën e vet! Kështu punonin e përpiqeshin atdhetarët tanë: mundimet e të vishtirat, që pësonin, i hiqnin e i vuanin për bijat e nipat e tyne; e me gjakun e vlefshëm, që derthnin pa pushim e pa kursim, e dinin mirë se nuk do të vaditnin e nuk do t'ushqenin një lule, me erën e të cilës, do të kënaqeshin e do të dëfrenin. Mirë po në jetën e kombevet si edhe në jetën e njerësvet ndodhin hera-herë disa rasa të papandehuna, që trazojnë rrjedhën e punëvet e pjellin disa ngjarje, që as nuk i prisnin as nuk i shpresonin. Ashtu na ngjau edhe neve motin që shkoi, mot i mbushun me brengë e me pësime, po që, ndë mest të trazimeve e të ligavet të panjehuna, na solli edhe një të mirë të pashpresuarë e të paçmuarshme, domethanë, lirinë, bashkimin, mvehtësiën e Atdheut!E mësyeme e rrahunë në të gjitha anët, e mundënë e shtypunë, në të gjitha luftat, Turqia po hiqte frymën e fundit n'Europë. Shqipënia, që, po m'ato ditë, kishte dalë nga një kryengritje e rrebtë e përgjakshme, ndodhej e lodhunë e papregatitunë e gjendej në rrezik të math. Viset e saja u shkelën, pothuaj të gjitha nga të huajt e bijat e saj, të mahnitun nga rrufeja e zjarrtë, që shkrepi e u zbras mbi kokën e tyne, nuk dinin se nga t'ia mbanin. Po Perëndia nuk e kishte thanë që të shuhej fare plangu jetik i Burrit e i Skanderbeut, që të shdukej nga faqja e botës kombi shqipëtar i vjetër, e po m'atëherë, kur anmiqët tanë na kishin dënuar për vdekje e po pregatiteshin të ndanin copa-copa Atdheun t'onë të shtrenjtë, ata, që ushqenin në zemrat e tyne idealin e mvehtësisë, rrokën flamurin të kuq e të zi në dorë e, pa vështruar të liga e rrezike, u mblodhën këtu në Vlonë, ku delegatët e ardhunë prej të gjitha viseve t'ona nxorën Shqipërinë më vehte të lirë e të bashkueme. Nuk asht sot dita të përmendim nëpër sa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të gjatë e sa ka vuar e po vuan akoma; dua vetëm të shtonj se në këtë ditë fatëbardhë, që do të mbetet e paharruarshme në kujtimet e shenjta të kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqipëtarëvet të lidhen, të bashkohen, të bahen një.Duke kujtuar e duke kremtuar ditën e sotshme duhet të përsëritim prapë besën që i dhamë shoqishoqit vitin që shkoi; e duke sjellun përpara sysh rreziket e tmerëshme, që i vareshin Atdheut përmbi krye, e shpëtimin t'onë të çuditshëm, t'a forsojmë dashuninë e vëllezëninë e t'i japim dorën njëni tjatrit për të mbajtun, për të rritun, për të shtuar mvehtësiën e Shqipënisë sonë të dashun.T'a dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun me një herë mvehtësinë tonë; u shtojnë rreziket vëllezënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne; e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve, që patën rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipërisë së lirë.
Të betohemi pra edhe një herë mbi lirinë e Atdheut, mbi varret e dëshmorëve tanë; t'i bajmë therore përpara altarit t'Atdheut anmiqësitë e smirat e zilitë e poshtme e të lidhemi e të bashkohemi të gjithë me një ment e me një zemrë që të përpiqemi e të punojmë tok, si vëllezër që jemi, për të shëruar plagët e Shqipënisë e për të fshirë lotët e atyne, që qajnë e rënkojnë mbi brenget e visevet të veta, që u ndanë nga trupi i Atdheut të përbashkëm.
Nuk jam vrasës, jam student shqipëtar, vrava një tradhtar të Atdheut tim.
(Avni Rustemi)
User avatar
Sally
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2062
Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
Gender: Female

Re: “Si shkruanin paraardhësit”

#4

Post by Sally »

Gazetari shqiptar

Mihal Grameno



Botuar më 1909 Ja dhe dy net mbetni, tha Zotoja, që na ndajnë nga moti i ri, kur kthehej në dhomë të tij, edhe buzët i nënqeshën në këtë mejtim. Kishte arsye ta priste me kaq gas meqenëqë gjithë bota: të pasur, të vobektë, të mëdhenj, të vegjël e gjithë fatzinjtë e presin me gojë hapët këtë ditë të shënuar, me shpresë të bukur të një kanisku, një darove, një lodre, ose një ndryshimi të rrojtjes, kështu pra, Zotoja tonë shpresonte nga moti i ri ndonjë ndryshim. Si hyri brenda ndezi kandilen, nxori nga xhepet një paketë të vogël mbështjellë me një gazetë dhe e vuri mbi tryezë, pastaj ndenji afër mbi fron edhe ai vetë. Në pakte nuk kishte gjësendi tjetër përveç pesë para bukë edhe pesë para ullinj. Kjo ishte gjithë darka e Zotos! Ishte i stërvitur në këtë rrojtje, andaj pa psherëtim, si hëngri bukën, shojti kandilen edhe ra të flerë që të ngrohej në shtrat meqenëse soba ishte më e ftohtë nga akulli. Sa për mobiljet e dhomës ishte lehtë për të vrejtur: Një shtrat me një jorgan të vjetër, një tryezë, një fron, një kandile, një qelqe me ujë, në fund të dhomës ishte përdhe një tok me gazeta. Kjo ishte gjendja e Zotos, të shkëlqyerit gazetar shqiptar!...
Me gjithë këto asnjë dëshpërim nuk rrëfente fytyrë e tij, po i kënaqur e me durim të patundur, shpresonte të mbushte qëllimin e shenjtëruar, duke mbrojtur të drejtat e kombit të tij përpara botës së qytetëruar. Zotoja ishte djalë i ri, i mësuar në dituri në Evropë dhe si mbaroi mësimet e larta u hodh në luftë kombëtare duke botuar një gazetë shqip për të mbrojtur të drejtat e mëmëdheut për të cilin i qante zemra natë e ditë. Pas një moti plot therori trupore e materiale, xhepet i zbrazi prej kohe e tani priste motin e ri duke shpresuar në mëmëdhetarët që do të kujtoheshin dhe do të mbushnin detyrën e tyre duke dërguar të paktën, në mos ndonjë ndihmë, pajtimin e gazetës.
Nga ky shkak ishte më i çelur këtë natë Zotoja ynë në kujtim të motit të ri. Ra të flerë po gjumi nuk i afrohej, gjithë natën u dërmua në shtrat duke shkruar ndër mend një mijë ëndërra fluturake e një qind hesape. Nga 500 pajtimtarë, thoshte, do të vinë të paktën 2000 franga. Kështu pra, do të paguaj gjithë detyrimet: Në shtypshkronjë do të paguaj për gjashtë muaj të shtypurit e gazetës se nuk duan të ma shtypin më, qiranë e dhomës e të shpëtojë nga gojë e zonjës që më tremb me të përzënë, restorantet që më kanë tharë prej kohësh gushmaqnë, dhe në kafenetë që s’ma varin fare kapistallë, pastaj do të blej dru për zjarr, një pal rroba e një pallto për të ndërruar pardesynë verake me një okë lyrë mbi të, këpucë, këmishë, pastaj të rroj edhe unë si njeri duke lagur lugën me ndonjë gjellë e të vete në kafenetë e mëdha si gazetar i një kombi edhe pastaj... pastaj... këtu qëndroi nga hesapet dhe, duke përdredhur mustaqet, buzët i nënqeshën. Deh! Ishte njeri, edhe i ri, andaj dhe Zotos i fluturoi mendja te syzeza Rozinë! Do ta bind, tha, me një palë vëthë të artë dhe do të më përgjigjet në dashuri. Këto mendonte gazetari ynë, e mundet të mos mbaronte nga këto mendime po të mos hapej dita e të zbriste poshtë për të marrë letërshkëmbimet që solli postieri. Midis shumë letrave i jep dhe një të madhe të papaguar, duke i thënë: një frang është taksa e kësaj letre. Fort mirë, thotë Zotoja, duke u kuqur, por s’kam të prishura, t’i jap nesër. Çka të bëjë, përgjigjet postieri, i cili shpresonte të nesërmen ndonjë darovë të motit të ri. Si hyri brenda, ndezi një cigare dhe zuri të hapte letrat në të cilat kishte varur gjithë shpresat. Ç’pandehni se gjeti brenda? Dorëshkrime më mërira të veçantë, vjersha dashurie edhe urime për motin e ri duke e ngritur Zoton gjer në majë të lumturisë! Po ca nga këto ishin edhe më të çuditshme. Njeri shkruante që të madhonte formën e gazetës edhe ta botojë më dendur, një tjetër e qortonte për programin, një tjetër për shkronjat, kurse një tjetër i shkruante: je një tradhëtor i shitur te të huajt duke marrë nga njëmijë franga në muaj. Vetëm njëri i dërgonte tri franga të pajtimit duke dhënë shpresë se kusurin do t’ia jepte motin tjetër. Ha! Ha! Ia dha të qeshurit Zotoja dhe si ndezi një cigare doli në qytet. I pari kujdes ishte të blente me të tria frangat një jakë e një kravatë, një çapare për kapellën, një bukë e një kokë lakre arme për të ftohur stomakun....



Botuar tek “Lidhja Orthodhokse”, 1909, nr. 10.
Nuk jam vrasës, jam student shqipëtar, vrava një tradhtar të Atdheut tim.
(Avni Rustemi)
User avatar
Sally
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2062
Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
Gender: Female

Re: “Si shkruanin paraardhësit”

#5

Post by Sally »

Shteti e besimi

Gjergj Fishta


Botuar më 1917 Për me njoftë burimin e tagrit e t’detyrës s’shtetit, na do t’shofim ma para se n’ç’t’përpjekuna ase n’ç’t’kundershtisur gjindet nieri me familje, e familja me nieri; pse tuj kenë që shteti perbahet prej familjesh, target e detyret e tija, në perftim t’vet, janë njapernja me ato t’familjes, qi asht themeli i shoqnis s’gjytetnueme ase e shtetit. E mos t’thotë kush se kto tregime janë jashta vendit n’fletore tonë, pse gjytetnia përbahet prej mnyret t’përdorimit t’tagrit e t’kryemit t’detyrës; prandej as nieri as familja, as shtetit s’munden me kenë pernjimend t’gjytetnuem po s’njoften ma parë target e detyret e veta.Nieri, si fenomen natyret, kuptohet dy mnyresh: ma para si bethje e veçantë - persona individuum; - s’dyti si pjesë a gjymtyrë shoqniet. Si vehtje e veçantë nieri nuk asht i nënshtruem i pushtetit t’kerkujë tjeter vetem t’Njatij qi e ka shkaktue mi botë, t’Perendis, edhè asht i zoti i botës mare. Nieri, me pasë per t’xanë nji peshk n’det, me vra nji shpez n’mal, me pre nji landë, me rrotullue nji gur, a me gropue nji humnere n’dhe, aj-per me folë prej pikpamjet tagrore — kerkujë n’natyrë s’do t’i pergjegjet per kto punë t’veta; pse asnjigjasend n’natyre s’ka ndoj tager m’nieri, i cili, prandej, s’ka kurrnji detyrë ndaj sendeve tjera, tuj kenë qi t’gjitha gjinden të nënshtrueme nën pushtet t’tij.
Por, tuj kene qi n’natyrë nuk gjindet kurgjâsend pa nji qellim , kshtu edhe nieri, masi nuk asht prej vedvedi, porse i shkaktuem, do ta ket nji qellim, ndaj t’cilit natyra e vet ta shtyjë. Veç shka se ky qellim i nierit nuk mundet me kenë permrêna rrethit t’natyrës, masi t’gjitha sendet e natyrës gjinden t’nenshtrueme pushtetit t’nierit: nuk mund t’thohet se ka kush per qellim nji gjasend, qi tash e ktu ta ket nen pushtet t’vet; edhe nieri, tuj kenë i shkaktuem, s’mund t’ket per qellim vedvedin, kshtu arsyja vetë na thotë se qellimi i nierit asht jashta rrethit t’natyrës, ase mi natyrë, e qi s’mundet me kenë tjetër veç Zoti; pse masi fuqia e mendes e vullnetit
-t’nierit shtrihet e pacaktueme, kshtu per me ba me pushue e per me plotnue ket mende e vulinet t’nierit, duhet qi qellimi i tyne t’jet i pakufi e i pacak, shka s’mundet me kenë tjetër gja veçse Zoti. Veç shka se tuj kènë qi qellim i nierit gjindet, si thamë mi rreth tnatyrës, kshtu nieri, si asht sod me sod, s’mundet prej vedvedi me dijt pa
gabim mnyren e rrugen per me u kapë te qellimi i vet te Zoti; prandej vetë Zoti masi e pat shkaktue nierin per vedi ja ka diftue mnyren e rrugen se si me mrrijtë n’qellimn t’vet. E kjo mnyrë e rrugë, qi me u kapë nieri n’qellim t’vet, nuk asht tjetër veçse Feja. Prandej e para detyrë qi nieri, i kuptuem si vehtje e veçantë, ka n’ket jetë, asht Besimi ase Feja.
Por nieri s’do t’jetojë vetun; tjerë t’gjashem me të, ase tjerë njerz do t’gjallojshin me të bashkë mi tokë. Tuj kenë, tashti, qi sejcilli ksi njerzsh do t’ishte zot mi gjith boten marë, si mujte me u ba qi n’shekull e n’jete t’nierit t’mahej urdhen e rregull, masi, ku janë shum zota mi nji gjasend, aty bin kundershtirn e pshtjellim? U lyp qi t’u caktote tahri i secilit nieri mi botë. Veç shka se tuj ju caktue tagri nierit, nieri vetem me fuqi t’veta nuk mund do t’i mjaftote vedit, e prandej do t’ishte i mjerë e i pavullnuem. Per me bâ, pra, qi nieri t’i vuete t’gjitha nevojët e jetës, t’cillat atij do t’i vijshim prej caktimit t’tagrit, e kshtu me kenë i lum si e lypte natyra e tij, u desht qi nieri t’u lidhte me lidhni natyret me do njerz tjerë, me nimë t’cillve do t’mujtë me rujtë tagret e veta, edhe mas ktyne tagreve, me ja reshë vedit sendet e nevojshme per me jetue mi shekull e me u mbajtë gjithmone n’fille t’udhës s’qellimit. E shtu u perba familja njerzore, e cillia ka per qellim:
a) t’ruejtunt e tagreve t’do njerzve, qi permrena, me interese, etj.b) t’pertrimit e sendeve t’nevojshme per gjallim t’paqtë e t’amel t’ktyne njerzve. Por, tuj kenë qi nieri asht para familjes, e se familja ka kenë ndertue per nieri e jo nieri per familje, kshtu familja, pose atij qellimit themeluer t’vetvetsis morale t’veten, ka per qellim edhe shelbimin e amshueshem të t’gjith njatyne vehtjeve t’veçanta prej t’cillash gjindet e perbame. Tash, masi e prum burimin e familjes prej gurret t’natyrës s’nierit edhè i caktuem qellimet e saja, t’shofim se n’ç’t’perpjekun, ase c’t’kundershtisun e relacjon kan ndermjet vedit nieri e familja.
Diten, qi len nieri n’dritë, aj çpohet ase paraqitet n’familje, si pjesë a gjymtyrë i sajë; e prandej, si pjestarë familjet, nieri, diten qi t’lej, ven dy detyrë mi vedi: a) me u rregullue mas tagrit, si gjindet i caktuem n’familje; b) me zhdrivillue fuqit e veta per dobi t’veten e t’atyne njerzve me t’cillt perban familjen, pse arsyja, qi e ban nierin me jetue n’familje, asht kjo qi me pasë tagrin e suguruem edhe pasunin e nevojshme, per me jetue n’paq e me rregull e kshtu ma udobisht me u kapë n’qellim t’vet. Kshtu edhe familja do ta kuptojë nierin dy mnyresh: a) si pjestar a gjymtyrë t’vetin; b) si vehtje t’veçantë. Familja do ta kuptojë nierin si pjestar t’vetin, pse masi ky të rregullohet mas tagrir t’sajë e t’zhdrivillojë fuqit e veta per dobi t’familjes marë familja asht e detyrueme me ja ruejt tagrin edhe me ja qitë majen e nevojshme per nji jete t’paqtë e t’kandshme. Por tuj kenë qi nieri si vehtje e veçantë, ka per qellim shelbimin e arnshueshem, kshtu familja, per në dashtë me e kndellë e me ba t’lum nierin pernjimend, e ka me detyrë me ja dhanë t’gjitha mjetet qi me u shelbue; pse nieri, pa uzdajë t’shelbimit t’amshueshem, nuk mundet kurr me u kndellë e me u vullnue plotsisht. Prandej familja asht e detyrueme me ja msue nierit t’vet Fen, e jo veç me ja msue Fe me fjalë, por edhe ma tepër me ba qi t’gjitha ligjet e punët e saja t’pelqejnë me Fe n’nji mnyre, qi nierit t’i bahet ma i let shelbimi i amshueshem. Nji familje, pra, qi s’dishmon Fe para njerzve t’vet e qi nuk punon gjithmonë n’pelqim me parime t’Fes asht nji familje e keqe; pse e rren nierin tuj i thane se don me e ba t’lum. Tash, tuj kenë qi shteti asht i perbam prej familjesh rrjedhë prej vedi se shteti do t’jet ndaj familjes shka asht familja ndaj nierit; ase prandej, si familja qi s’dishmon e s’man Fe asht e keqe, kshtu edhe shteti i pafe asht i keq.
Nuk jam vrasës, jam student shqipëtar, vrava një tradhtar të Atdheut tim.
(Avni Rustemi)
User avatar
Sally
Galactic Member
Galactic Member
Posts: 2062
Joined: Tue Jun 09, 2009 2:36 pm
Gender: Female

Re: “Si shkruanin paraardhësit”

#6

Post by Sally »

Organizimi i Kao-sit
Branko Merxhani




Çdo njeri, çdo popull, që të rojë dhe të tregojë vetëhen, më parë nga të gjitha duhet të organizojë Kaos-in, që gjendet brenda në “Unën” e tij.

Botuar më 1930 Shqipëria jonë e sotme është një Botë kaotike e vogël. Në rumbat t’ona rrjedhin shumë hidhërime dhe helme, gjurma të prishjes, të robërisë, të një tronditjeje historike-shoqërore të pakapëshme. Trazimi dhe anarkia, që mbretërojnë sot në gjuhën t’onë, nuk janë vecc se vetëm një pjesë, një pamje, një fazë e prishjes s’onë historiko-shoqërore. Gjithë ky trazim, gjithë kjo anarki mbretërojnë edhe në të gjitha çfaqjet e tjera të dynamismës s’onë qytetëronjëse. Në idetë dhe tendencat t’ona shoqërore, ca më shumë në kuptimet t’ona mbi formën dhe esencën e institutevet t’ona shoqëore. Ësht një anarki, e cila ka thëthitur të gjithë po thua jetën t’onë. Ideale s’kemi. Racionalisma e jonë është po thua si e djemvet. Dispozita për një gjyrmim të ngulur shkencor dhe sistematik na mungon krejt. Ku e ka rrënjën e saj kjo e keqe? A ka vallë arësye historike? Nga pikëpamja e kuptimit sociologjik cili është shkaku i kësaj gjendjeje?Ja disa pyetje që vë Neo-Shqiptarizma përpara Djalërisë s’onë intelektuale dhe idealiste. I vë dhe shton: Pa dhënë përgjigje në këto pyetje, s’mund të bëhet asnjë çap përpara!....Ka shumë kohë që shkoi ajo epokë në të cilën Nacionalisma ishte shoqe e Romantismës. Nacionalisma e sotme çmon kryesisht Realitetin. Është shprehja e gjallë e Sociologjisë si shkëncë, një farë tokë sbatimi të Hygjienës Shoqërore, një Laboratorium i sëmundjevet psikologjike-shoqërore. Si vlerë pozitive ka vetëm gjyrmimin. Sbulimin e rrënjës të së keqes.Kërkimi themelor i Neo-Shqiptarismës nga Djalëria- nga ajo Djalëri e cila, e ndritur me fenerin e mëndjes, ndjen pa dyshim përkundrejt fatit historik të Atdheut një respekt të thellë dhe është vënë me mish eme shpirt në rugën e fatit dhe të së ardhmes- është ky: Të ndjekë një formë shkencore në gjyrmimet dhe në përkufizimet, si edhe një kuptim filozofik të plotë dhe të tanishmë në idealismën kombëtare.Një intelektual shkon rezikun më të math dhe më të tmerëshmë: të bjerë në hendekun e gabimit dhe të vetëgënjimit, po të dojë të bëjë një udhëtim në sferën e pasosur dhe katotike të fantasisë së tij. Kjo sferë përmban vetëm botëra të rrema, vlera të vdekura që bien vetëm gjumë, dhe “utopistë gjenialë”.Drita është Shkënca. Bota e Realiteteve. Problemi i jetës, mysteri i së ardhmes, kanë nevojë për këtë dritë. Jetën nuk duhet t’a shohim përmes prismës së fatnasisë s’onë. Vështrimin t’onë duhet t’a kthejmë përkundrejt jetës, d.m.th. t’a shohim jetën ashtu siç është dhe jo ashtu siç e duam ne të jetë. Jeta do një zgjidhje. Kjo zgjidhje nuk gjendet lart në qiellin kombëtar, po është e fshehur thellë në shpirtin kombëtar.
Ja pika nga e cila nisemi. Të ndriçojmë shkaket e thella të anarkisë s’onë shoqërore, që na la trashëgim e shkuara, me fenerin e shkëncës sociologjike.Dhe ja pika e drejtimit t’onë: Përmbi gërmadhat e Shqipërisë së djeshme, të prishur dhe të robëruar, të krijojmë një Shqipëri të nesërme të mbaruar, të ndritur, të qytetëruar- një Shqipëri jo historike, po qyetëronjëse.
Qëllimi i luftës: Idealizimi i jetës.
Shqipëria e ndjenjës, Shqipëria e mendimit, po pret krijonjësit e saj. Dritë përmbi fantasinë e së shkuarës. Nuk jemi as stërnipët bonjakë të Pellasgëvet mythollogjikë, as gërmadhat e Ilirianëvet: Jemi Shqipëtarë- Një Kombësi e re.
Pralla pellasgjike është një hypothezë xhaba. Një absurditet. Këtë sofismë duhet t’a neveritim. Sot s’ka mbetur asnjë Turk i ditur që të ëndërojë prallat turanike. As një Grek, me mëndje të shëndoshë, sot nuk mburet se është stërnipi i Perikleut. Edhe Romanët e sotmë e kanë haruar prej shumë kohe origjinën e tyre. Jeta e popujve nuk është veç se Mrekullia e Shvillimit, që regullon valat e mbëdha të shekujvet.
Po! Jemi Shqipëtarë dhe përbëjmë një Kombësi të re. Mëma e Nacionalismës, Mallëngjimi Kombëtar i shekullit XX, nxori në dritë një pjellë të re. Kjo pjellë jemi ne. Si Neo-Grekët e sotmë, si Turqit e sotmë të Asisë së Vogël, kështu edhe neve na ka pjellor një natë magjike verore, dynamisma krijonjëse e freshkëtë dhe përjetësisht e re e natyrës, në gjirin që nuk duket dhe misterioz të Perëndisë së Krijesavet. Jemi akoma djem. Ndërgjegja jonë nuk e ka njohur akoma fytyrën krejt të ndritshme të Krijonjësit. Sytë t’ona nuk janë mësuar akoma të shohin me sympathi Diellin e Intelektit. Ku janë kujtimet t’ona të shoqërisë? Ku është Uniteti ynë sentimental? Ku është Poezia, Leteratura, që përfaqësojnë racën t’onë, farën t’onë? Ku është shpirti kombëtar i pastër dhe i zhvilluar? Ku është gjuha jonë?
Ku është kultura jonë?
Shqipëria nuk e ka ngrehur akoma Falëtoren e saj...
Lindëm në errësirë, po kërkojmë dritën. Dhe misioni i brezit të sotmë është që të na shpjerë nga erësira në dritë.
Reziqe na kanë rrethuar nga të gjitha anët. Me gjithë këtë, nuk ka as ndonjë rezik. Mjafton t’a kuptojmë. Ai që ron, ron se pse e pa dhe e mundi rezikun. Jeta nuk ka tjetër vlerë, tjetër kuptim. Jetë do të thotë të mundësh rezikun. Edhe Grekërit e Vjetër, në çapet e para të zhvillimit të tyre, kishin të luftonin kundër po këtij reziku. Bile luftuan një shekull të tërë. Po u përpoqën si gjigandë. Me gjithë këtë, me zor të math shpëtuan nga reziku që të mbyten në rrymën e tëmerëshme që kish shkaktuar hyrja e influencave të huaja, që u kish lënë trashëgim e shkuara.
“Mania e historismës” mënjë e prishi atë Statujë madhështore të Mëndjes Njerëzore, bile edhe para se të ngrehet. Dhe jo se pse nuk kish sbuluar akoma rrugën e jetës, që çelet brenda në pastërtinë dhe flakën e ndërgjegjies kombëtare. Për një kohë të gjatë qytetërimi i tyre nuk ishte gjë tjetër veç se një trazim konceptesh të pa-kuptuara semitike, babyloniane, indiane dhe egjiptiane. Feja e tyre ishte një shesh anarkik dhe i nxehtë lufte midis njëri-tjetrit, shesh mbi të cilin mbretëronin të gjitha Perënditë e Asisë. Me gjithë këtë Kaos, qyeteërimi grek lindi, roi dhe mbretëroi mbi fronet e të gjitha epokave të paskëtajme. Greqia e Platonit mundi pak e nga pak t’i çdukij influencat e tyre, të dbojë nga Falëtoria e Mendimit Perënditë e Barbarëvet, d.m.th. të organizojë Kaos-in, që gjendesh brenda në Unën e saj.
Nuk jam vrasës, jam student shqipëtar, vrava një tradhtar të Atdheut tim.
(Avni Rustemi)
User avatar
Adriana
Universe Member
Universe Member
Posts: 3201
Joined: Tue Jun 02, 2009 3:34 pm
Gender: Female
Location: Giethoorn (Nederland)

Re: “Si shkruanin paraardhësit”

#7

Post by Adriana »

Shënim i "Lirisë". Me kënaqësi të madhe po botojmë këtu poshtë një letër me shumë rëndësi drejtuar redaksisë së gazetës MONITEUR UNIVERSEL, të Parisit. Botuar në atë gazetë në Maj 1879, nga patrioti i Rilindjes Shqiptare, Abdyl Frashëri).

Epiri është dhe do mbetet shqiptar



Zotëri Redaktor!


Me habi pamë se gazeta e rëndësishme "Republique Française", e cila në polemikën e saj të zakonshme kurrë nuk devijon nga rregullat e modestisë, botoi disa pjesë të shkëputura nga Memorandumi i Lidhjes Shqiptare, dhe poshtëroi e bëri qesharake atdhetarët tanë.
Atij artikulli nuk i dhamë asnjë përgjigje, por "Republique Française", duke u rikthyer prapë në çështjen në fjalë, u orvat të tallë dy të dërguarit e Lidhjes Shqiptare. Një sjellje të tillë fare nuk e pritnim prej një gazetave që simpatizonte luftën e kombësive.
Franca qanë gjithmonë humbjen e krahinave të saj: banorët e Alsace e Lorraine rënkojnë kur kujtojnë privimin e kombësisë së tyre. Përse një gazetë franceze i gjen qesharakë shqiptarët, të cilët përpiqen të evitojnë rrezikun e një fatkeqsie të tillë? Nuk jemi savantë dhe as pretendojmë për të, por historinë e atdheut tonë e kemi studjuar dhe e dimë më mirë se kushdo tjetër.
Banorët e Epirit i quajnë "Pellazgë". Herodoti, Tucididi dhe Straboni dalin me konkluzionin se ky vend nuk ka qenë pjesë e Greqisë. Sipas Strabonit, Greqia nga veriu kufizohet prej Akarnanisë dhe Gjiut të Ambrakisë. Pasi gjeografia e lashtë greke nuk u vjen në ndihme grekërve të sotëm, po pyesim ata që kanë mendime të kundërta, se cila pjesë e Epirit është greke? Ai që pranon argumentet e sillogëve grekë do të besojë se Greqisë nuk i përket vetëm Shqipëria, por edhe Maqedonia, Thraka, Rumania, Azia e Vogël, sipas vendeve të Greqisë së Madhe, edhe Marseja e juaj!!! Epiri ka 650 mijë banorë. Sa janë vallë grekët që ndodhen në të dhe ku banojnë? Në Korçë? Në Berat? Në Gjirokastër? Apo në Çamëri? Ai që kalon nëpër këto vende takon vetëm epirotë shqiptarë, jo epirotë grekë. Do të sakrifikoheshin pra 650 mijë shqiptarë puro për të nginjur lakmitë e sillogëve grekë dhe lëvizjet artificiale të tyre… Sjellja e tanishme e Greqisë dëshmon se ajo ka ndërmend të imitojë Rusinë Cariste!!! Por kjo (Rusia) i përkrahë pretendimet e saj me anën e forcës, e cila për fat të mirë i mungon Greqisë. Sikur të ishin grekët aq të fortë sa tregohen!!! Që në fakt janë vetëm miq të zhurmës, Europa nuk do të kishte kurrë qetësi. Parimi i ngjashmërisë në gjuhë do të shpiente Greqinë shumë larg, por në rradhë të parë do të na jepej neve e drejta të kërkojmë nga grekët dyqind mijë shqiptarët që banojnë në një lagje të veçuar të Athinës të quajtur "Plakë", dhe krejt ishujt Hidra dhe Speca. Epiri është dhe do të mbetet gjthëmonë shqiptar, ashtu si e krijoi natyra dhe historia. Mëkat që qeveria greke shpenzon për sillogjet shuma të majme, të cilat mund t'i përdorte në mënyrë më të arsyeshme. Ajo përpiqet t'i zgjasi një ngatërrese, e cila s'ka për të mashtruar asnjë europian. Po të ngulë këmbë Greqia në aspiratat e lakmitë e saj të pangopura, të cilat i kundërvihen drejtësisë dhe të drejtës së kombeve, shqiptarët kanë nji vullnet të patundur që të mbrojnë atdheun e tyre deri në fund dhe janë betuar të mos lëshojnë asnjë pëllëmbë tokë por të vdesin për të po të jetë nevoja. Këtu manifestojmë mendimin e të gjithë bashkë-atdhetarëve tanë. Europa do të marrë përsipër përgjegjsinë e luftërave shkatërrimtare që do të inauguronte për aneksimin e shëmtuar të tokave tona nga Greqia. Shpresojmë, zoti redaktor, se do ta botoni përgjigjen tonë, gjë për të cilën dhe ju falënderojmë qysh më parë.
Jam fisnike e kam zemren gure,
si Shqiponja ne flamure.
Mburrem dhe jam krenare,
qe kam lindur Shqiptare.
Nga do qe te jem me ndjek fati,
se jam Shqiptare, shkurt hesapi !!


User avatar
Arbëri
Universe Member
Universe Member
Posts: 3821
Joined: Fri Nov 20, 2009 4:59 am
Gender: Male
Location: Maqedoni

Re: “Si shkruanin paraardhësit”

#8

Post by Arbëri »

Grekomania – Mihal Grameno

Image Dija është sot vegla më e shëndoshe e njerëzimit edhe e qytetërimit, se me dijen kanë harirë të ndryshojnë jo vetëm faqen e dheut po edhe naturën, se gjithë ç’na shohin sytë e na deëgjojnë veshët, janë të çpikurat e mendjes së njeriut. Gjithë me dijen harinë të xbutin kafshët e shpesët gjer në një shkallë, sa sot i sjellin njerëzimit ato më të mbëdhatë shërbime. Me dijen harinë gjithë kombet e dheut të qytetërohen, të përparojnë edhe të rojnë të lumturë në këtë botë. Prapë me dijen harinë të shpëtojnë njerëzimn’ nga reziku i vdekjes, duke gjetur mikrobet e tmeruarë të oftikës, kolerës, murtajës edhe gjithë sëmundjeve! Pra, kur çuditemi me këto të çpikura të dijes, nuku munt të mos qëndrojmë e të habitemi që qysh kjo ditë nuku mundi të gjenjë edhe mikrobne të grekomanisë?! Edhe megjithëqë kjo sëmundje ësht’ë re në Shqipëri, po, duke mos marë masa kundra saj, kishte zënë të përparojë e gadalë të rënjoset, edhe zot’i math e di sa thesare do të kishte, po të mos zgjoheshin e të kupëtonin reziknë e t’i gjenin një derman shqipëtarët këti mikrobi të tmeruarë. Grekomanija, është një sëmundje e rezikçime që shëmbëllen me gangrenën, të cilënë, po s’more masa të repta që në krye, je i dënuar për vdekje! Grekomanija është përhapur në krye, si shpëtimi tonë, grekomanija është përhapur, në krye, si copëtimi tonë edhe kësisoj nuku vërenin reziknë po përkundra e pushtonin, kur, tani 30 vjet, u çfaq faqezaj këjo sëmundje në Shqipëri. Mikrobet të grekomanisë këtu në Korçë, ku kanë qendrën, i prunë, jo korçarët po ca fanatikë pa ndjenja njeriu ose të shitur, nga Athina e Greqisë edhe kështu hodhë grindjen e zihjen midis vëllazërisë që kanë patur gjithë jetën korçarët. Shumë keq më vjen të përdor fjalë si «trathëtar» e «i shitur» edhe aqë më shumë për vëllezër shqipëtarë, po faji është i atyre, të cilët janë berë vegla e të huajve edhe armikët e kombit të tyre. Qysh munt ta nemëronj e quanj klikën ose kamarillën e Mitropolisë me Efrem Gjinin nga Elbasanin edhe Jani Dardhën me &-inë?1 Nukë se s’janë korçarë pa flas për këta, po këta janë shkakëtarë e gjithave ç’kanë ngjarë e ngjasën në Korçë. Qysh mundet njerës të mbaruarë në shkollat e larta të jenë kundra kombit tyre, përveç se janë të shitur? Një komp pret shërbime nga të këtillë njerës e jo intriga e armiqësi. Në thënçin se me këtë mënyrë duan t’i sjellin dobi kombit, këjo i lakuriqëson edhe më tepër që s’janë tjatër gjë përveç propagandistë të grekomanisë, se tjatër soj qysh munt të mbushin qëllimnë, kur kërkojnë të ndajnë orthodhoksët nga muhamedanët e nga katolikët? Po propaganda e tyre duket faqezaj që është pas programit të megali idhesë, që të na grekosin e të humbasim gjuhën e bukur tonë, si e panë që më s’mbeti lugë për grekërit në Bullgari, Rumani dhe Serbi. Mos muhamedanët u trazuan në punërat e kishës e të shkollavet të orthodhoksëvet? Përse atëherë, kur kishin e kanë qëllim të mirë, e ndaluanë lëçitjen e ungjillit edhe të tjerave që thuheshin shqip? E mallëkonin me katran gjith’ ata që kuxonin të thonë që janë shqipëtarë? Ç’ishin gjith’ ato amenda2 (geza)3 që u epnin fëmijës për çdo fjalë që thoshnin shqip? Zoti Efrem muntë më mirë të ndalonte Elbasanasit, të cilët lëçitnin edhe sot në kishrat shqip, a s’janë dhe ata orthodhoksë? Falje zotit, i cili s’na la të gjurmojmë këtë udhë të shtrembër e të njohim njëri-tjetrin. Mjerisht, gjenden akoma nga vëllezërit korçarë që gjyrmojnë këtë kamarille, edhe kjo është një turp i math! Është koha që të hapin sytë e të gjykojnë të drejtën për të mirën e mëmëdheut e të vëllazërisë, andaj bënj thirje duke lutur të hiqni dorë nga grekomanija e tjatrë sëmundje si kjo, që të mos lini emër të shkruar me katran. Sa për trathëtoret istorija do t’u ruajnë çpërblimnë që meritojnë!… «KORÇA», Korçë, nr. 11, 8 maj 1909. Autori: M.G. (Mihal Grameno).
“Nëse doni të zbuloni historinë para Krishtit dhe
shkencat e asaj kohe, duhet të studioni gjuhën shqipe !"
-----------------------------------------------------------------
Gottfried Wilhelm Leibniz - albanolog, matematicient, filozof gjerman
Post Reply

Return to “Figura kombetare”