Page 1 of 1

Petro Marko

Posted: Mon Aug 31, 2009 8:27 am
by Arta
Petro Marko lindi në fshatin Dhërmi të Himarës në vitin 1913 dhe vdiq në vitin 1989

U shkollua në vendlindje dhe në Vlorë. Pak kohë studioi në Athinë. Që kur ishte nxënës i shkollës tregtare në Vlorë (të cilën e kreu në vitin 1932) filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra.

Petro Marko ka një biografi nga më të pasurat dhe më të bujshmet në letërsinë shqiptare. Deri në vitin 1936 ai punoi në Tiranë si gazetar dhe po atë vit, në moshën 23 vjeçare u nis vullnetar në Luftën e Spanjës, si luftëtar në brigadat internacionale. Pas Luftës së Spanjës, gjatë kthimit për në Shqipëri, ai do të ndeshet dhe do të marrë pjesë në shumë beteja antifashiste nëpër Evropë. Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1940 do të burgoset nga italianët, që aso kohe e kishin pushtuar Shqipërinë dhe do të përfundojë në kampin e ishullit Ustika afër Palermos. Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin '44, Petro Marko do të marrë pjesë në rradhët e partizanëve italianë, duke i rënë kryq e tërthor Italisë, si luftëtar dhe si komandant me përvojë luftarake. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës "Bashkimi" në Tiranë, por shpejt do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të cilin Petro Markoja kishte luftuar nëpër Evropë dhe Shqipëri më se 10 vjet rrjesht. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t'i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë aso kohe nga jashtë kryesisht nga Beogradi.

Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që e kanë njohur nga afër Petro Markon e kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai e përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie. Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet "Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit", ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet '70 ai do të shkruajë romanin "Një emër në katër rrugë", ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm "Nata e Ustikës". Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë "Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit" në vitet '60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese, por përkundërazi për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet '40, '50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.

Krahas kësaj prirjeje të brendëshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore dhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.

Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triunfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendëshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij.

Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi - Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin "Nderi i Kombit".

(enciklopedia e lire)

Tituj të veprave

Hasta la vista (1958)

Qyteti i fundit (1960)

Një emër në katër rrugë

Ara në mal

Nata e Ustikës (1989)

Shpella e piratëve

Vepra autobiografike

Intervistë me vetvehten

Retë dhe gurët

Re: Petro Marko

Posted: Mon Aug 31, 2009 8:32 am
by Arta
Petro Marko: Vëlla shqiptar, mos i bëj varrin vetes

Nga Arkivat e Ministrisë së Jashtme të Italisë, një raport i fshehtë për shkrimtarin Petro Marko, i përfshirë në lëvizjen antifashiste nga Grënobli në Vlorë. Ndihma financiare e senatorit Kruja për Markon, raporti i mëkëmbësit të Mbretit në Shqipëri Françesko Jakomoni: Nuk u duhet zënë besë nacionalistëve ish-të mërguar. Në numrin e fundit të revistës "Hylli i Dritës", në pjesën "Arkivi i Hyllit" botohet "Dokumente të fashizmit rreth Mustafa Krujës". Janë dokumente nga Arkivi historik-diplomatik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, që i përkasin kohës së Luftës së Dytë Botnore.

Ato hedhin dritë prej këndvështrimit të fashizmit italian, mbi figurën e Mustafa Krujës, bie në sy mosbesimi i autoriteteve fashiste ndaj Krujës, si edhe aktivitetit i tij i fshehtë kundër fashizmit me dërgimin e Qazim Koculit në Vlorë për të organizuar një lëvizje anti-italiane, si në vitin 1920. Në këto dokumente duket edhe ndihma që Kruja i ka dhënë shkrimtarit Petro Marko. Ndërsa vetë Petro Markoja shkruan në kujtimet e tij se edhe Ernest Koliqi e kishte ndihmuar në Romë, kur gjendej i arrestuar në burgun e Regina Coeli-it dhe priste të pushkatohej tek Fosse Ardeatine.

Koliqi, - shkruan Markoja - hyri dorzanë pranë autoriteteve italiane, duke i siguruar ato se Petro Markoja është nji shkrimtar shqiptar që s'ka të bëjë me komunizmin. Menjiherë Koliqi dërgoi pranë drejtorisë së burgut sekretarin e tij Lin Shestani, për të përmbaruar lirimin e Petros.

Mëkambësia e përgjithshme e N.T. Mbretit Perandor në Shqipni
Mëkambsi i Përgjithshëm
Tiranë, 19 qershor 1940/XVIII

Shkëlqesës Zenone Benini
Zavêndës Sekretar Shteti për Çâshtjet Shqiptare
Romë
I dashtun Benini,

Mâ parë se me të çue nji raport të hollësishëm zyrtar mbi çâshtjen e rândësishme e delikate qi do të parashtroj mâ poshtë, dëshiroj me të dhânë menjiherë ndonji lajm të shkurtën.
Bâhet fjalë për nji përpjekje organizimi kryengritës qi u zbulue muejin e shkuem në Vlonë, në krye të të cilit âsht nji i ri intelektual shqiptar i kthyem para pak javësh nga Franca.

Emni i tij âsht Petro Marko e njifej prej kohësh nga senatori Mustafa Kruja. Në Francë ishte nji komunist i flaktë, saqi mori pjesë edhe në luftën e Spanjës nga ana e të kuqvet dhe janë gjetë, ndërmjet shkresave të tij, fotografi në të cilat del si kryetar i nji rreshti të rinjsh komunista në nji qytet francez.
Petro Marko ishte financue nëpërmjet të birit të Mustafa Krujës qi studjon në Grenobël, me 400 franga franceze në muej, të dhânuna nga vetë Kruja.

I kthyem në Shqipní në fund të marsit, ai pati biseda të gjata me senatorin Kruja, i cili i a paraqiti edhe Melonit, tue e bindë qi t'i japë nji ndihmë prej 1000 frangash nga fondet rezervë të Mëkambësisë Markos vetë, tue sigurue se âsht nji njeri në rrugën e nji pendimi të shpejtë rreth gjêndjes aktuale në Shqipní.

Meloni e plotësoi dëshirën e Krujës, por në të njâjtën kohë lajmëroi karabinierët e Vlonës për me ndjekë lëvizjet e Markos meqi ai kthehej në vêndin e tij n'atë krahinë.
Nga fundi i muejit u dukën aty-këtu në Vlonë dhe përreth fletushka të shkrueme me dorë, nji kopje të të cilave po t'a bashkangjis.
Tue marrë parasysh karakterin kryengritës të kësaj gjâje, karabinierët zhvilluen nji veprimtari të dêndun hetuese dhe zbuluen autorin, pikërisht në personin e Petro Markos, tue arrestue edhe 8 studenta në moshë mbi 18 vjeç, qi Marko i kishte bâ për vete dhe qi ishin zotue të kopjojshin e të shpërndajshin fletushkat.
Marko dhe shokët e tij u paditën më 10 qershor në Gjykatën Ushtarake të Tiranës, për veprën penale pasuese.
Nga pyetjet e bâme Markos, rezulton në thelb se senatori Kruja ishte nji mbrojtës i vërtetë i tij dhe i njifte ndjenjat dhe aspiratat e tij.
Avokati ushtarak, gjenerali Zingales, më pruni dje raportin e mshehtë mbi ecjen e procedurës, nga e cila del figura e dyshimtë e Krujës në të gjithë këtê çâshtje. Petro Marko në thelb pohon se nuk i ka mshehë kurrë ndjenjat e tij të vërteta mbi gjêndjen e sotme në Shqipní, pra nuk kuptohet se si Kruja ka garantue në nji farë mënyre praninë e tij në vênd deri n'atë pikë sa të shtyjë Mëkambësinë t'i japë nji ndihmë dhe t'i premtojë Petro Markos nji vênd delikat e të rândësishëm si ai i propagandës ndërmjet rinisë shqiptare jashtë apo të korrespondentit të "Tomorrit". Kuptimplote, mbi të gjitha, âsht thanja me të cilën Kruja kishte dashtë me e bindë Petro Markon me pranue gjêndjen e sotme si "rastësi". Avokati ushtarak më ka kërkue autorizimin për të marrë në pyetje senatorin Kruja dhe Këshilltarin e Shtetit Qazim Koculi, autorizim qi patjetër e dhashë.

Para këtij episodi do t'a quejsha të dobishme pezullimin e nji hymjeje të mundshme të Krujës në Qeveri, së paku deri në fund të hetuesisë. Episodi aktual tregon edhe nji herë sesa na duhet mos me u besue nacionalistave ish-të mërguem. Ata e kanë pranue gjêndjen vetëm sepse ishte kundër Zogut, por do të kishin dashtë nji zgjidhje krejt tjetër të gjânave shqiptare!

Tashti, përballë përparimit tonë të vazhdueshëm e t'pandalshëm në të gjithë sektorët e jetës shqiptare ata ndjehen shumë në vështirësi dhe do të dojshin ndonji shmangie për me lehtësue shtërngesën. Duhet të shpejtojmë ndërkaq me metodë, saktësi e ngulm proçesin e evolucionit në institucionet e në frymën e tyne dhe të mos i vêmë mêndjen këtyre vonestarëve qi nuk kanë shumë peshë në vênd.

Gjithë përshëndetjet e mija mâ të përzêmërta
I yti
Franco Jacomoni


Raport i mshehtë
Petro Marko, i mërguem më 1937 në Paris, ishte në lidhje me elementa anglezë, gjermanë, amerikanë, skandinavë etj. I paraqitun nga nji redaktor i gazetës jugosllave "Politika" mbrriti me shkue në Spanjë si korrespondent i qeverisë së kuqe. Kthehet prej andej në Paris e prej aty në Grenobël.

Bânte pjesë në shoqatën kombëtare shqiptare, në të cilën ekzistojshin primje republikane e monarkiste. Petro Marko ishte pjesëmarrës në lëvizjen republikane, në të cilën ishte përfaqësues Qazim Koculi, Këshilltar i sotëm i Shtetit në Tiranë. Senatori Mustafa Kruja, përfaqësues i shoqatës kombëtare shqiptare, e njifte shumë mirë Petro Markon.
Rrëzimi i regjimit të Zogut përbânte fazën paraprake të lëvizjes; atëhere kur rasti u paraqit i përshtatëshëm pjesëmarrësit në lëvizjen republikane nuk kundërshtuen ata të lëvizjes monarkiste.

Mbas bashkimit të Kunorave, Petro Marko mbeti në Francë, në Grenobël, ku mund të vazhdonte të ruente lidhjet i biri i senatorit Mustafa Kruja. I nxitun me u kthye në Shqipní ai kundërshtonte edhe sepse i trêmbej përndjekjes, tue marrë parasysh veprimtarinë e tij të shkueme në Spanjën e kuqe.

U sigurue n'atë drejtim nga djali i Mustafa Krujës, i cili, simbas bindjes së Petro Markos, vepronte n'emën e simbas udhzimeve të t'jatit. I kthyem në Shqipní në mars 1940, me mjete të dhânuna nga i biri i Mustafa Krujës, u paraqit tek ky në Tiranë.
Këtu ai shfaqte haptas pakënaqësinë e tij për sistemin qeverisës të ngritun dhe i pohonte senatorit Kruja se ndërhymja italiane ishte e dâmshme dhe paragjykonte lirinë dhe pavarësinë shqiptare. Ankohej për krijimin e gjindarmërisë me elementa italianë, praninë e shumë trupave italiane në tokën shqiptare, futjen në zyra dhe në administratën publike të elementave italianë etj.

Kruja mundohej t'a bindte se e gjithë kjo i detyrohej nji nevoje të rastit dhe këshillonte Petro Markon të mbante parasysh fjalimin e mbajtun në Tiranë, fjalim në të cilin kishte justifikue gjêndjen e kishte shpallë programin e ardhshëm.

Ai i tha Petro Markos, në mbyllje të bisedës se, me mbarimin e nevojave të rastit, tue u bâ ndërkaq shqiptarët t'aftë dhe në naltsinë e gjêndjes politike dhe administrative, do të mbeteshin të vetmit administratorë të gjâsë publike. Petro Marko pati, me ndërhymjen e Krujës, nji ndihmë të parë prej 1000 fr. Shq. dhe premtimin e nji sistemimi qi u propozua prej vete Markos: në sektorin e organizimit të të rinjve shqiptarë jashtë Shtetit, ose si korrespondent i gazetës "Tomorri" n'Itali, ose si zadhânës i zyrës së shtypit dhe propagandës.

Tue shkue për pushime pranë familjes, përpilon nji shpallje në Vlonë, e cila âsht n'aktet e proçesit. I arrestuem pohonte faktet dhe kundërshtonte disa pohime të z. Mustafa Kruja e të Qazim Koculit. Përsa i përket të parit, pohonte Petro Marko, nuk ishte e vërtetë ajo qi kishte thânë senatori Kruja në proçes-verbalin e 10 qershorit 1940, në kuptimin qi ai, Petro Marko, kishte tregue nji afrim me programin e tij politik dhe qi kishte deklarue se pranonte plotësisht gjêndjen aktuale. Përsa i përket z. Qazim Koculi tha se ishte i pasaktë pohimi i tij në proçes-verbalin e 10 qershorit, simbas të cilit, në lëvizjen kombtare shqiptare në Francë nuk bânte pjesë Petro Marko. Deklaroi se z. Qazim e njifte shumë mirë, aq mâ tepër se të dy bâjshin pjesë në lëvizjen republikane, nji nga drejtuesit e së cilës ishte vetë Koculi.

Avokati Mbretnor Ushtarak
Trakt i përpiluem prej Petro Markos. Shën. i Hyllit të Dritës

VËLLA SHQIPTAR!
Po të dërguan në luftë, ti për kë do të luftosh? Pa tjetër për armiqtë e tu, do të vritesh e zhdukesh për të zgjatur jetën e për të shtuar forcën e armikut tënd më të madh, që është Italia fashiste.
Vëlla shqiptar, mos lufto për Italinë, sepse i bën varrin vetes, prandaj mos lufto për atë, mos u vrit, sepse Shqipëria ka nevojë të madhe për bijtë e saj. Nesër do të vijë dita e luftës sonë kundra çdo armiku të huaj që kërkon të na mbajë skllevër.
Vëlla shqiptar, duaje shqipen, duaje Shqipërinë sot më shumë se kurrë e lutu fshehurazi në çfarëdo feje të kesh; fol fshehurazi kudo që të kesh besim, fol o vëlla, sepse është detyrë e shenjtë e jotja të thuash se nuk do të luftosh për hesap t'Italisë, por që do të luftosh nesër, kur të vijë dita e jonë e bekuar, si më 1920.

Mba parasysh se sot ke me vete gjithë popujt e se nuk je i vetëm.
Dije se kjo luftë do të çlirojë çdo popull.
Dije se Shqipëria sot ka bijtë e saj që punojnë ditë e natë, brënda e jashtë, për çlirimin e Atdheut tonë.
Prandaj sot mendohu mirë e mos i vër vesh premtimeve e fjalëve, që kanë për qëllim të të mashtrojnë e të të bëjnë të luftosh për madhështinë e armikut tënd, që është Italia fashiste.

Poshtë lufta!
Rroftë Shqipëria e lirë!
Rroftë paqja me lirinë dhe punën në të gjithë botën!
Çdo shqiptar e ka për detyrë të bëjë shumë kopje të kësaj shpalljeje e t'a shpërndajë fshehurazi tek vëllezërit e tjerë shqiptarë.
Burimi: Archivio storico diplomatico. Inventario serie affari politici. Fondo Gabinetto Albania 1938 - 1945. Busta n. 214

Re: Petro Marko

Posted: Wed Dec 07, 2011 11:55 am
by Stilian

Re: Petro Marko

Posted: Fri Jan 20, 2012 7:43 pm
by Stilian
Marko: Kishte korrespondenca me: rusë, amerikanë, italianë, gjermanë e francezë

Vladimir KARAJ

Nuk ka asnjë dyshim, që aiështë një nga njerëzit më të mëdhenj të letërsisë shqiptare. Me një jetë të vrullshme e plot të panjohura, Petro Marko, mbetet shkrimtari i madh, i luftës dhe i burgjeve. Por një njeri si Marko, nuk mund të kuptohet pa njohjet e mëdha. Fati e padyshim, pasioni i Markos për letërsinë, kanë bërë që ndërsa ishte ushtar në Spanjë të njihte ata, që ishin apo më vonë u bënë koka të letërsisë botërore. Të tillë si: Frederiko Garsia Lorka, apo Ernest Hemingueji. Takimet, letërkëmbimet e historitë, do të mbeteshin të panjohura për vite me radhë, pasi siç tregon e bija, Aranita Marko, "Babi nuk e kishte zakon të mburrej", por edhe sepse regjimi nuk e pati asnjëherë me sy të mirë shkrimtarin. Gazeta "Tirana Observer", boton sot një pjesë të historive dhe miqësive të mëdha të Markos. Në pjesën më të mirë të panjohura apo më mirë të papublikuara, ato mbajnë mbi vete ashtu si shkrimtari, një jetë plot peripeci. Vajza e Markos, tregon sot, se pjesa më e madhe e korrespondencave të tij me të mëdhenj si: Elia Ehrenburg, Heminguej apo edhe të tjerë shkrimtarë të njohur, që ishin bashkëluftëtarë të Markos në luftën e Spanjës, gjenden vetëm në kujtimet e të atit. Pjesa më e madhe e letrave të ruajtura me kujdes e të mbajtura në sirtarët e pakta të apartamentit të Markove, në bulevardin "Zogu I", janë zhdukur gjatë kontrolleve të shpeshta të Sigurimit të Shtetit, apo edhe nga ndërhyrje të tjera. Ato që kanë mbetur një mal i tërë letrash, kujtimesh, blloqesh me poezi, duan një punë voluminoze për t'u sjellë para lexuesve. Ndërsa shfletojmë ato që ka lënë pas, një prej penave më të njohura të Shqipërisë, gjejmë letra në gjermanisht, spanjisht, kujtime që kanë mbërritur nga Italia e libra që vijnë nga Kuba. "Këto janë ato që kanë shpëtuar, mund të ketë edhe të tjera, por është shumë e vështirë t'i gjesh", na tregon e bija. Ndërsa nxjerr njëra pas tjetrës nga disa kuti kartoni, letra të zverdhura nga koha, ajo na thotë se vetë ka parë dhe ka dëgjuar shumë për letërkëmbimet e babait, por pjesa më e madhe e këtyre letrave apo fotografive që lidhen me Markon, janë zhdukur në vite. Këtu, ajo tregon se kanë ndërhyrë kontrollet e shpeshta të sigurimit apo miq që i kanë marrë e nuk i kanë kthyer më. Ndërkohë, figura e shkrimtarit të "Hasta la Vistës", mbetet enigmatike, ndoshta jo për shkakun se ai ishte i tillë, por pasi atij, për vite me radhë ia mohuan të drejtën e botimit dhe po ashtu edhe të drejtën e korrespondencave me miqtë e luftës. Në një intervistë për "Tirana Observer", Aranita Marko rrëfen disa nga pjesët e panjohura të babait që edhe ajo vetë i ka zbuluar ndërsa rrëmonte në librat e blloqet e shumta, që ai ka lënë pas. Cilat ishin miqësitë e Markos, me shkrimtarët e mëdhenj: rusë, spanjollë, amerikanë, francezë, gjermanë, tentativat për të përkthyer jashtë librat e tij dhe përse nuk mundi të bëhej i njohur.
Ne mësuam, pasi folëm me studiuesen spanjolle, Marta Maria Garcia Suarez, se babai juaj ka pasur një sërë njohjesh me figura të mëdha të letërsisë botërore, a mund të na thoni cilat kanë qenë këto?
Po, është e vërtetë. Nga kujtimet, bisedat që kam dëgjuar nga im atë dhe kolegët e tij kam mësuar se në Spanjë, por edhe në Ustikë, ai ka takuar mjaft njerëz që ishin apo më vonë do të bëheshin të famshëm. Hemingueji është njëri prej tyre, por po ashtu, ai ka pasur komunikim me shkrimtarin gjerman, Ludvig Ren, edhe ky pjesëmarrës në luftën e Spanjës. Ka pasur kontakte dhe korrespondenca me shkrimtarin rus, Elia Ehrenburg, e shumë të tjerë.
Ju i keni ruajtur, a gjenden këto korrespondenca?
Një pjesë e mirë e tyre kanë humbur, pjesa tjetër duhet të ndodhet në materialet e pafundmë që ka lënë babai, por që për t'i gjetur duhet një punë voluminoze. Babai flet për to në kujtimet e tij të botuara së fundmi dhe në mjaft letra e blloqe, ku ka shënuar përshtypjet për personat që ka njohur, por që janë të papublikuara. Pak janë botuar, kryesisht në parathëniet e librave të babait.
Keni gjetur kohët e fundit ndonjë prej këtyre korrespondencave dhe për çfarë bëhet fjalë?
Ka disa. Kohët e fundit ndërsa rrëmoja në librat dhe dosjet që ka lënë babai, kam gjetur dy letra në gjermanisht që i dërgon një shkrimtar nga Republika Demokratike Gjermane, Gynter Felkel. Unë vetë nuk mund t'i kuptoj, por nëna ime di gjermanisht. Pak a shumë në dy letrat, flitet për miqësinë e tij me babanë. (Në të dy letrat flitet për mundësinë e botimit në gjermanisht të romanit "Hasta La Vista" dhe për lidhjen e Markos me Ludvik Ren. Sipas letrës, Ren i kishte shkruar Markos disa ditë më parë, ndërsa së bashku me Gynter ata do të bënin përpjekje për ta përkthyer veprën e Markos në gjermanisht. Të dy letrat janë të vitit 1959, një vit pasi libri ishte botuar në Shqipëri dhe në periudhën kur Shqipëria do të izolohej edhe nga bota lindore që përkrahte Bashkimin Sovjetik)
Ju përmendët më lart zhdukjen e këtyre korrespondencave, a mund të na e sqaroni sesi ka ndodhur?
Unë mund të them se pjesa më e madhe që ruhej në një bodrum, poshtë pallatit tonë, janë marrë pas arrestimit të parë të babait dhe pas arrestimit të dytë të tij dhe nuk dihet se ku kanë përfunduar. Një pjesë më pas kanë humbur, kur bodrumi ku ndodheshin iu dha dikujt tjetër për banim, pasi ai e zbrazi. Mund të ketë shumë foto që janë marrë nga miq e të afërm e që nuk janë kthyer më. Gjithashtu, ka edhe një sërë korrespondencash, që janë ruajtur e mund të ndodhen në letrat që ka lënë babai, por është e pamundur që ato të gjenden dhe duhet shumë punë për t'i nxjerrë në dritë. Unë për shembull mund t'ju tregoj se vetëm para pak kohësh, ndërsa rrëmoja në letrat dhe kujtimet e babit arrita të gjej dorëshkrimin e "Hasta La Vistës". Libri është i shkruar i gjithi me laps dhe unë nuk di çfarë të bëj për ta ruajtur. Fillimisht mendova të vendos çdo faqe në qeska plastike, por edhe ajo nuk besoj të jetë një mënyrë e mirë, pasi lapsi mund të fshihet, kështu që më ka mbetur e vetmja mënyrë që ta skanoj dhe ta ruaj në kompjuter.
Cila është vlera e këtij dorëshkrimi?
Gjatë studimeve që ka bërë Suarez, për babanë, ajo ka zbuluar se një nga të veçantat e tij është saktësia me të cilën ai përshkruan vendet dhe data apo edhe emrat e personave. Ndërkohë që në botimin e "Hasta La Vistës", ndodhej një emër i vetëm vendi që nuk përkonte me realitetin dhe që nuk gjendej. Pasi e verifikuam në dorëshkrim, kuptuam se ishte një gabim gjatë shtypjes. Gjithashtu, ne mendojmë se romani i botuar mund të ketë shumë ndryshime nga dorëshkrimi dhe do të përpiqemi që të bëjmë një botim më të plotë të tij.

Pasaporta

Emri Petro Marko
Vendlindja Dhërmi, Himarë
Vitlindja 25 nëntor 1915

Arsimi dhe jeta
1932 përfundon shkollën e mesme tregtare në Vlorë
1932-1933 punon si mësues në Dhuvia të Gjirokastrës
1933 gazetar në Tiranë në disa organe
1934-1936 studion në Greqi për Shkenca Politike
1936 boton revistën "ABC", e cila u mbyll pas numrit të 2-të
1936 internohet në Llogara për disa muaj
1936 largohet nga Shqipëria dhe bashkohet me vullnetarët e brigadës "Garibaldi" në Spanjë
1936-1938 boton së bashku me Skënder Luarasin "Vullnetari i Lirisë" në Spanjë
1938 largohet nga Spanja për në Francë
1939-1940 studion në Francë
1940, pasi është kthyer arrestohet dhe burgoset nga italianët
1941 dërgohet në Ustika në Itali
1943 pas zbarkimit të aleatëve është i lirë dhe bashkohet me partizanët italianë në Umbria
1944 arrestohet nga gjermanët dhe po atë vit kthehet në Shqipëri, ku bashkohet sërish me partizanët
1945-1947 punon si kryeredaktor i gazetës "Bashkimi"
1947-1950 burgoset si agjent i amerikanëve
1950-1952 është i papunë
1952-1957 punon si korrektor letrar
1957 mësues në teknikumin "8 Nëntori"
1973 i hiqet e drejta për botim
27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni

Çmime
1998 "Mjeshtri i Madh i Punës"
2000 "Penda e Artë"
2002 "Qytetar Nderi i Vlorës"
2003 "Nder i Kombit"

Librat

1929 boton poezinë e parë
1958 boton romanin "Hasta La Vista" ( Merr Çmimin e Republikës)
1959 boton "Horizont" vëllim me Poezi
1960 boton romanin "Qyteti i fundit", u kritikua dhe nuk u ribotua
1961 boton "Rrugë pa emra", vëllim me skica dhe tregime
1966 boton romanin "Stina e armëve"
1968 boton romanin "Ara në mal"
1972 boton romanin "Ultimatumi"
1964 boton romanin për fëmijë "Shpella e piratëve"
1967 boton tregimet "Urata, Dhia dhe Perëndia"
1969 boton romanin "Halimi"
1973 boton "Fantazma dhe plani 3+4"
1988 boton romanin për fëmijë "Griva"
1972 boton dramën "Guna mbi tela"
1973 boton "Miku i Martin Gjinit" (libri u sekuestrua dhe u asgjësua)
1974 boton "Poezi të zgjedhura" (libri u sekuestrua dhe u asgjësua)
1984 boton romanin "Të thjeshtët"
1989 boton romanin "Nata e Ustikës"
1996 botohen poezitë e përkthyera nga autorë hispanikë "Ku po shkon kalorës i vdekur"
2000 botohet jetëshkrimi "Intervistë me vetveten (Retë dhe Gurët)"
2001 botohet romani "Çuka e shtegtarit"
Së fundmi, botohen "Lejania", "Një natë dhe 2 agime", (romane) "Tregime të zgjedhura", "Dita që rrojta unë" (publicistikë), "Erë e Det"

Takimi me Frederiko Garsia Lorkën

Petro Marko kishte një idhull dhe padyshim ai ishte Frederiko Garsia Lorka. Poetin e madh spanjoll për vite me radhë, Marko e mbante mbi kokën e krevatit të tij dhe po ashtu, për vite me radhë, ai ka përkthyer mjaft pjesë të këtij gjiganti. Por, Marko ka pasur fatin ta takonte idhullin e tij. E gjithë kjo ndodh gjatë luftës së Spanjës, në vendin ku Marko, ishte për të luftuar. "Ka një kujtim në një libër të Frederiko Garsia Lorkës, në të cilën babai ka shkruar në spanjisht: "E kam njohur Lorkën në Poco Rubio të Albacetes në vjeshtë të vitit 1937". Libri ka ardhur nga Kuba", tregon Aranita Marko. Në hyrje të librit me kapakë të vjetër botim i shumë viteve më parë në spanjisht Marko, thotë se Lorka ishte idhulli i tij. "Unë mbaj mend, se babai e adhuronte Lorkën dhe në dhomën ku flinte, mbante gjithmonë një fotografi të madhe të tij", tregon vajza e shkrimtarit.


Takimi me Ernest Heminguejin

Mjafton të lexosh përshkrimin që Petro Marko i bën Ernest Heminguejit, që të krijosh portretin e shkrimtarit që do të merrte vite më vonë çmimin "Nobel". Me Heminguejin, ai është takuar për herë të parë në një konferencë në Spanjë, por të dy ata janë takuar edhe disa herë të tjera. Marko kujton se Hemingueji, ishte i armatosur deri në dhëmbë, ndërkohë që filmonte betejat e luftës civile, e me paratë që fitonte duke s**tur filmat, ndihmonte republikanët spanjollë. Ai kujton edhe një dialog të Ehrenburgur me Heminguejin. Ndërkohë, duket se dy shkrimtarët kanë komunikuar, gjatë kohës që Hemingueji ishte në Kubë. Nga këto komunikime, në kujtimet e Markos gjendet vetëm fakti se ai i ka dërguar librin "Hasta La Vista" dhe i ka shkruar se ishte i frymëzuar nga "Për kë bien kambanat", ndërsa Hemingueji nga ana tjetër i ka kthyer përgjigje "Kushdo që lufton për lirinë e njeriut, nuk mund të shkruajë veç letërsi të bukur".

Studiuesja spanjolle, 4 vjet studime për Markon

Ajo mësoi shqipen enkas për të përkthyer në spanjisht, "Hasta la Vistën" e Petro Markos. Për katër vjet me radhë ka studiuar dhe i është përkushtuar gjithçkaje që kishte lidhje me këtë të fundit dhe me historinë e tij në Spanjë. Në një intervistë për "Tirana Observer", Marta Maria Garcia Suarez, tregon punën e bërë për të botuar në Spanjë romanin e vullnetarit shqiptar, Petro Marko. Ajo gjithashtu, përmend se sa më shumë e ka studiuar këtë të fundit aq më shumë gjëra i është dashur të lexonte e të verifikonte, ndërsa sot është e bindur se gjithçka për të cilën flet Marko, ka ndodhur në të vërtetë. Profesoresha spanjolle nuk pranon të tregojë nëse ka gjetur ndonjë nga personazhet e "Hasta La Vistës" në vendin e saj, por pohon se ka kryer kërkime dhe se është më se e bindur që ata ekzistojnë. Ndërkohë që ajo nuk harron të përmendë edhe një sërë lidhjesh e njohjesh që Petro Marko, ka pasur me figura të shquara e të njohura, të luftës së Spanjës, përfshirë këtu një sërë shkrimtarësh e politikanësh të mëdhenj.