Page 1 of 1

Zylyftar Poda

Posted: Wed Jan 25, 2017 10:01 am
by Adriana
Foto: Gravurë e kapedanit të famshëm kolonjar, Zylyftar agë Poda, e cila gjendet në Muzeun e Stambollit. Kjo foto u soll në Shqipëri në fillimin e viteve ‘70 nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-leitnant, Petrit Dume.
Zylyftar Poda, lindi rreth vitit 1768, në fshatin Podë të Kolonjës, i cili ndodhet edhe sot në të dalë të qytetit të Ersekës, afër urës së Shalësit, në të djathtë të rrugës që të shpie në Leskovik. Një luftëtar i përmasave të mëdha. Zylyftar Poda ka një bust në Muzeun e famshëm të Luvrit në Paris, busti i cili nuk ishtë më shumë se 30 cm. E gjithë veprimtaria patriotike e Zylyftar Podës, luftërat dhe bëmat e tij, u përcollën në formë gojëdhënash dhe këngësh popullore folklorike ndër breza, duke ardhur deri në ditët tona....










Kënga e Zylyftar Podës, i cili u rrethua në kalat e ti në malet e Melesinës prej Mahmut Pashës në 1831-in:

Thanë, doli Rumelija,
Ngriti krye Shqipëria
Thanë,doli sadrazemi
Ngrihij, Shqyptarë, t‘vemi Zylyftari Podësë,
Dërgoj kartë Shkodrësë
Edhe Shkodra i dërgoj,
Manastir u ngrit e shkoj
Kush i dogji kullat Qarrit?
Rakip beu i Zylyftarit.
Zylyftar mustaqe-verdhë,
Prit nizamët se t‘u derdhë,
Të vinë, mirë, se të vinë,
Te pusi e kam Mersinë.
Rakip bej të ardh një kartë.
Mblidh asqer e kthehu prapë
Melesini mal i butë,
Rreth e rrotull me harbutë,
Melesini maja maja,
E rreh topi e kumbaraja.
Melesini i përpjetë,
I vete gjylja shigjetë.
Këjo kisha me një kamare,
Nizamët i shojti fare.
Kjo kisha me tri shkallë,
Rreth e rrotull me nizamë.
Mun te portë e Zylyftarit,
Varur kokë e bashnizamit.
Elmaz Xhemi me të vëllanë,
Për Zylyftar u vranë.
Burr‘o Elmaz Xhem, o burrë,
Më të shumtë me gurë,
Elmazi me kushurinë,
Mun te kisha se ç‘u shtrinë".
Këngë për Ismail bej Vlorën dhe
Zylyftar Podën
"Qaj moj Vlorë, qaj Kaninë,
Smaili shkoj në Janinë,
I dërguan bujurdinë,
Të piqet me Rumelinë,
Dolën Dervenit të prinë,
Tafil e Xhelili ynë,
Malo mos shko në Janinë,
Mos e beso Osmanllinë,
Se të kan ngritur pusinë,
Zylyftari dërgoi kartë:
Kthehu Ismail Bej prapë,...
Drekënë në Zharovinë,
Darkën brenda në Janinë,
U dhe selamn‘ e s‘ta prinë,
Smaili u ngjit në shkallë,
Me pashanë ball për ballë,
Dy kobure pas iu dhanë,
Smail be, o‘Smail be,
Miqësinë ku e le,
Kokën tende në hejbe..."







Postime të ngjashme për Zylyftar Podën në këtë forum:
Analizime mbi figuren e Ali Pashe Tepelenes
Kenge Tradicionale Polifonike te Jugut (Labe)

Re: Zylyftar Poda

Posted: Sun Jan 29, 2017 2:35 pm
by Adriana
Gazeta "Melesini" e viti 1930, që botohej në SHBA, në përkujtim të kryengritjes së viteve 1830-1831 (100-vjetorit të saj), nga komuniteti shqiptar i SHBA-së, në një artikull të botuar në gazetën e mësipërme të ËORCESTER, MASS në janar 1930, midis të tjerash shkruan:

"Në 1831 plasi një kryengritje në Leskovik dhe në qarkun e tij. Zylyftar Poda e bashkoi popullin, të Krishterë dhe Muhamedanë, dhe nisi luftën kundra Turqve për të fituar lirinë e Shqipërisë. Qeveria Turke dërgoi kundra këtij një ushtari të rregullshme. Përpjekjet e para u bënë në Qarr; po me që u thye atje, ardhi në Leskovik dhe u vendos në kishën e Shënjt Illi në majën e malit Melesin. Populli i qarkut dhe qytetit, pleq, gra dhe fomi, prisnin gorricat, u chponin vëra dhe i përdortej ushtria Shqipëtare në vënt të topave. Ksisoj lufta në Leskovik mbajti nëntë muaj. Më së fundi, me që nuk ardhi ndihmë, u munt dhe u dha në duart të Turqisë. Shokët e tij u hodhën në Malin Nemërchkë dhe atje luftuan për disa kohë. Leskoviku mbeti si kryeqytet i Shqipërisë për dy vite. Më 1913, Leskoviku ra në duart e Grekëve të cilët, më parë se të iknin, i vunë zjarrin. Kësisoj, Leskoviku mbeti prapë gërmadhë. Po me që klima është e mirë dhe ndenjtësit e qytetit dhe të fshatit janë të mirë, ka shpresë që Leskoviku të rritet prapë dhe të bëhet më i bukur se sa ish".





Nga: Mevlud Matraku / gazetakritika.net