Shqipëria, dashuria e re mesdhetare
[/size] “Përshtypjet që ne marrim gjatë gjithë kohës përmes takimeve me turistët shqiptarë, tregojnë se ne ende nuk e njohim Shqipërinë, ndërsa pas prezantimeve të promocioneve turistike, mahniten duke kërkuar të dinë më shumë...”, u shpreh Nada Kallçiu, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
E ndërsa shqiptarët, në një përqindje më të vogël se vitet e tjera pretendojnë të kalojnë pushimet jashtë shtetit, pa njohur ende mirë Shqipërinë, numri i vizitorëve të huaj, veçanërisht atyre mesdhetarë, duket se ka pasur një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Agjencia Kombëtare e Turizmit, si zbatuesja kryesore e politikës së qeverisë në fushën e turizmit për krijimin e produkteve turistike, ka kryer një studim të detajuar mbi ardhjen e turistëve të huaj në Shqipëri, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, nga janë përpunuar edhe të dhënat fillesatare.
Sipas këtij studimi, rezulton se gjatë periudhës janar-korrik 2009, ka pasur 991.306 vizitorë të huaj (19.072 janë vizitorë ditorë, ndërsa 972.234 kanë qenë turistë), nga 726.898 vizitorë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 36 % më shumë se një vit më parë.
Krahasuar me statistikat e vitit 2005, rritja e numrit të vizitorëve të huaj (të ndarë në 4 nënkategori) ka qenë afërsisht 2.6 herë më shumë. Numri më i madh i vizitorëve i përket shtetasve europianë.
Sipas statistikave, 37 % e vizitorëve që kanë hyrë gjatë periudhës janar-korrik 2009 në Shqipëri kanë qënë nga Kosova, 19 % maqedonas, 7 % malazezë, 6 % italianë, 5 % grekë, 3 % serbë, 4 % anglezë, 3 % gjermanë, etj