Guidë turistike/ Vlora është një ndër qytetet që ka gjithmonë çfarë t'iu ofrojë pushuesve. Gjatësia e vijës bregdetare, bukuria e bregdetit dhe llojshmëria e tij, larmia e mënyrave të akomodimit, ushqimi i mirë dhe i freskët, mundësia për të shfyrtëzuar jo vetëm plazhet, por edhe jetën e mbrëmjes dhe të natës, turizëm jo vetëm në bregdet, por edhe në mal, e bën Vlorën të ketë një ofertë turistike mjaft tërheqëse. Është interesante për t'u vizituar, por edhe vendi i duhur ku mund të kalosh disa ditë të këndshme çlodhjeje.
Uji i Ftohtë
Është një nga pikat më të populluara në verë në qytetin e Vlorës. Aty mund të bësh plazh, shëtitjen e pasdites, të shijosh perëndimin e diellit mbi det, por edhe jetën e natës. Preferohet për nga afërsia që ka me zonën e bregdetit, por edhe me qytetin. Përgjatë rrugës kryesore që çon nga Skela, në Ujë të Ftohtë ka një mori lokalesh, bare, restorante, piceri, si dhe hotele. Këtu ka shumë njësi të ndryshme tregtare. Zona spikat edhe për turizmin familjar. Shumë prej banorëve të zonës kanë krijuar kushte për pushuesit në verë, nëpërmjet dhënies me qera të dhomave apo apartamenteve. Ka prej tyre që kanë sistemuar tip viletash, ku mund të sistemohen disa familje plazhistësh. Në këtë lloj turizmi ka apartamente të tilla që ofrojnë kushte të ngjashme me ato të shtëpisë. Hapësirat jepen kryesisht për 15 ditë ose për një muaj në varësi të rezervimit. Çmimet për kalimin e një 15-ditëshi variojnë mesatarisht 35 000 - 40 000 lekë për 15 ditë (te qytetarët që kanë shtëpi pranë zonave bregdetare). Nata në hotele është 2000 - 5000 lekë, në varësi të hotelit, çmime këto që në periudha të tjera i gjen më lirë. Ka shërbim mjekësor, si dhe shërbime të policisë. Zona zakonisht ka furnizim me energji 24 orë. Po 24 orë këtu është për pjesën më të madhe të zonës edhe furnizimi me ujë. Një pjesë e mirë e bareve e picerive ndodhen buzë detit, çka i shton qëndrimit kënaqësinë e të shijuarit të panoramës. Në Ujë të Ftohtë ndodhen tri disko verore, ku kryesisht në fundjavë janë të ftuar dixhej (DJ) e këngëtarë të njohur apo balerina. Përgjatë javës në këto disko hyrja është e lirë, ndërsa të premteve e të shtunave është me pagesë. Pagesa varion nga 200-400 lekë, kjo e kushtëzuar nga dixhejët e ftuar apo balerinat. Ndërkohë, pijet variojnë 200 - 700 lekë, duke nisur nga pijet freskuese tek koktejet. Restorantet në këtë zonë ofrojnë kryesisht kuzhinë shqiptare, italiane e greke. Në to gjen prodhime peshku e mishi, por kryesisht i preferuar është peshku. Ka një sërë restorantesh, ku nuk ka çmime fikse, por variojnë nga kuzhina, si dhe nga cilësia e peshkut. Ndër varietetet e peshkut, ndër më të preferuarit është koce i detit. Nga një sërë restorantesh ai mban të fiksuar çmimin koce i cilësisë së parë, 3400 lekë/kg, ndërsa koce i cilësisë së dytë 1800 lekë/kg.
Plazhet
Zbarkimin e parë e gjen pranë Akademisë së Marinës. Aty plazhistët janë më tepër të ardhur, pasi për vendasit ai nuk bën pjesë në hartën e plazheve të preferuar. Por të akomoduar pranë zonës, pushues kryesisht nga qytete të ndryshme preferojnë të vendosen aty. Aktualisht plazhimi këtu është pak i dyshimtë. Specialistët thonë se është një zonë ku ka ndotje pasi është fare pranë portit të Vlorës, si dhe bëhet derdhja në det e kanalizimeve. Statistikat në vite zakonisht e rendisin ndër plazhet ku normat e ndotjes janë mbi normalen, ndërkohë që specialistë të kapitenerisë së Vlorës pohojnë se këto lloj zonash detare në afërsi të portit nuk janë të favorshme për plazhim.
Zona më e preferuar në Ujin e Ftohtë është plazhi publik. "Vlora, të ndihesh nr 1" fton në të duke renditur edhe një sërë aksesorësh që mund të shfrytëzohen. Çadrat janë falas. Ka roje bregdetare, pika ku mund të gjesh pije freskuese, akullore deri te koktejet. Në këtë plazh ka dushe, si dhe tualete. Plazhi është me rërë dhe bregu i cekët, çka premton kushte shumë të mira plazhimi për familjarët. Po kështu në pika të veçanta të tij ka lojëra ku mund të luajnë fëmijët.
Teksa kalon tunelin, plazhi që pason njihet "Plazhi te Vilat". Këtu nuk ka rërë, por gurë dhe det i thellë. Përreth ka gjelbërim. Këtë vit ai është reduktuar në sipërfaqe, pasi pjesa më e madhe e plazhit është përjashtuar duke u rrethuar nga një mur, sipërfaqe kjo që i ka kaluar Rezidencës Qeveritare. Plazhi është privat. Një çadër me shezlon këtu kushton 200-400 lekë
Eksplorim Kalaja- Jonufër- Radhimë - Orikum
Është ndër zonat më të veçanta për plazhim. Pak a shumë panorama të kujton deri plazhe ekzotike. Det kristal, ndërthurje shkëmbinjsh, si dhe një zonë që favorizon më së miri shëtitjet me varka e mjete të tjera të ujit. Këto zona janë të preferuara kryesisht nga të rinjtë. Plazhet nuk janë ranorë, por me bregdet gurë të ndërthurur me zhavor të imtë. Kështu vijojnë plazhi te Kalaja, Zhiron, për të zbritur në Jonufër, ose ndryshe i njohur në Vlorë, tek Aksionierja. Plazhe të tjerë shkëmborë ka edhe në zonën e Radhimës. Ata të gjithë i veçon uji i pastër. Kryesisht bregdeti është i dominuar nga lokalet, hotele, restorante, fast food, të cilët administrojnë edhe plazhet. Për të kaluar një ditë plazhi këtu çadra me dy shezlona varion nga 300 deri në 400 lekë të reja. Për të marrë me qira një varkë apo një pedalone çmimet shkojnë në 400 lekë/ora, ndërsa për të marrë një kanoe është 200 lekë/ora. Për amatorët e motorëve të ujit çmimet variojnë në 2500 lekë për 30 minuta. Në zonën e Jonufrës dhe Radhimës denduria e shtëpive me qira apo edhe hoteleve është më e madhe. Përgjatë kësaj zone ka edhe komplekse turistike, por edhe banesa karakteristike të tipit fshat turistik. Ata dallohen pasi janë punime me dru. Në plazhet e Radhimës e Jonufër apartamentet jepen 25 - 30 euro nata, ndërsa në hotele çmimi varion 40 - 50 euro nata. Gjithsesi, në këtë zonë sipas kushteve, mund të gjesh dhoma me çmime më të lira, për të cilat jepen ofertat për 15 ditë 40 000 lekë. Edhe në verë çmimet variojnë sipas stinëve. Në qershor çmimet janë më të lira, rreth 20 apo 30%, çka bën edhe diferencën me korrikun dhe gushtin. Këto u referohen klientëve 10 apo 15-ditorë. Për klientë të qëndrueshëm, të cilët rezervojnë vit pas viti, ruhen çmime stabël. Lokalet e zonës ofrojnë llojshmërinë e prodhimeve të detit, por ka edhe të tillë që kanë karakteristikë mishin e pjekur në hell. Dreka për 4 persona me prodhime deti mund të variojë nga 4 000 lekë të reja e sipër. Rruga që çon në këto pika është tërësisht e asfaltuar dhe distanca që kanë me qytetet e Vlorës dhe Orikumit është e shkurtër. Në rastet kur nuk ke automjet, mund të lëvizësh me furgonë, çmimi i të cilëve nga qyteti në Orikum është 100 lekë.
Llogoraja
Vlora ofron edhe turizmin malor. Pas një dite plazhi, dreka ose edhe pasditja mund të kalohet në Llogora. Pikë e cila është shumë e frekuentuar në dimër për shkak të borës dhe bukurisë së zonës, është po kaq e këndshme dhe në verë. Larg vapës dhe nën freskinë e pishave, në krahasim me qytetin temperatura ulet disa gradë. Qendra turistike që ndodhet në parkun kombëtar ndodhet në lartësinë 1000 m mbi nivelin e detit. Kompleksit turistik me kabinat tipike i janë shtuar dhe hotele të tjera të tipit alpin. Në ditët e sotme fshati turistik është zgjeruar me hotelet, qendrën turistike, baret e restorantet e shumta.
Mbërritja në Qafën e Llogarasë është dhe kontakti i mëpasshëm viziv me ujërat joniane, ku poshtë saj shtrihet deti Jon dhe rruga çon në bregdetin e Rivierës. Mjaft i veçantë është kompleksi turistik, brenda të cilit mund të shoqërohesh nga kaprollët, e të përfitosh të bësh foto me ta. Brenda tij apartamentet janë tërësisht me dru, duke iu përshtatur zonës pyjore ku edhe janë vendosur. Në hotele këtu duhet të paguash 3 500 - 5 000 lekë/nata. Ndërsa në apartamente 60 euro/nata. Në to ka komplekse sportive, pishina, suita. Në lokalet e zonës karakteristike është mishi i pjekur në hell ose brinjë të qengjit në skarë. Si gatim tradicional i krahinës serviret harapashi, që ka bazë të përbrendshmet e qengjit me miellin e misrit. Po kështu tipike, e cila në disa lokale serviret falas për klientët, është revania me mjaltë. Për të shkuar në Llogora duhet të kesh makinën tënde.
Zona e Bregut
Në Vlorë njihen si zona e Bregut. Përfshihen Palasë, Dhërmi, Ilias, Vuno, qyteti i Himarës, Pilur e Qeparo. Harta e tyre nis sa kalon qafën e Llogarasë. Duke zbritur drejt zonës bregdetare, teksa rruga zbret faqen e malit, plazhe të vegjël duken në vijën bregdetare që çon në zonat e Palasës dhe Dhërmiut. Kontaktet e para vizive me ujërat joniane, teksa kalon Llogaranë, janë plazhet te Rrugët e Bardha, zona tipike të plazheve të virgjëra, ku mund të futesh vetëm me makina të larta. Frekuentimet janë të pakta, për shkak të terrenit të vështirë që lidh me bregdetin. Rruga nacionale që lidh Llogaranë me Dhërmiun është e asfaltuar dhe vijon e tillë deri në Sarandë.
Dhërmiu
Është ndër më të frekuentuarit. Rruga nacionale e ndan fshatin nga plazhi. Plazhi i Dhërmiut është ndër më të mëdhenjtë e plazhit jonian. Në zonë ka shumë bare, restorante, apo edhe pika akomoduese. Bregdeti preferohet për pushime ditore dhe kryesisht qëndrim disaditor. Eksploratorët e botës nënujore apo të apasionuarit për të, mund të shijojnë zhytjet në ujin e pastër, ku thellësia joniane fillon që në breg.
Himara
Është një ndërthurje peisazhesh nga më interesantet. Rruga që çon në qytezë është tërësisht malore. Një pjesë e mirë e saj nuk ka asnjë kontakt me detin dhe sa afrohesh në Himarë rishfaqet sërish pamja e blusë së Jonit. Plazhet e Himarës janë një pikë ku mund të shijosh banjat e diellit në bregdetin e pastër, zhytjet në blunë e detit apo edhe shëtitjet me varka. Rezervimet për banesat nisin edhe një sezon më parë, kohë gjatë së cilës plazhistët, teksa shijojnë pushimet në këtë bregdet, bisedojnë me banorët edhe për një 10 ose 15 ditësh të dytë në sezonin e ardhshëm. Plazhet janë të preferuar për hapësirën e madhe që kanë. Janë me zhavor të imtë dhe gurë.
Në zonën e Himarës dhe Dhërmiut çmimet më të larta i kap muaji gusht. Në Himarë shumë prej dhomave që jepen në dispozicion janë të fiksuara te 40 - 45 mijë lekë për 15 ditë. Banorët sigurojnë kushte të mira fjetjeje, gatimi e tualete. Ka shtëpi që kanë krijuar edhe kushtet për ndenjien në qetësinë e një kopshti të gjelbëruar në oborret e tyre. Në Dhërmi banorët i japin ofertat duke iu referuar qëndrimit sipas netëve. Ambientet variojnë 35 - 55 euro nata. Në këto zona vera sjell dhe jetën e natës, ku ka disko në afërsi të bregdetit. E veçantë për zonat e bregdetit është se nëse ke planifikuar pushime për muajin gusht, duhet të rezervosh muaj më parë. Gushti është muaji që njeh fluksin më të madh.
Transportet në Vlorë
Urbani: Për të qarkulluar nëpër qytetin e Vlorës funksionon autobusi urban. Bileta kushton 30 lekë. Linja që ka më tepër ngarkesë, por edhe mjete të vendosura në dispozicion është ajo e Ujit të Ftohtë. Stacioni qendror është pranë hyrjes së qytetit, ndërkohë që pikë lidhëse për stacionet ende ka mbetur ai pranë xhamisë së qytetit. Linja të tjera janë ato që lidhin qendrën me Plazhin e Vjetër, linja e Unazës, Çole -Spital.
Furgonët: Për të shkuar në zonat e bregdetit tani në verë funksionojnë edhe furgonët. Duke qenë se stacioni i fundit i urbanit ndal këtë lloj transporti deri tek ish "Rrapi", furgonët marrin përsipër zgjatjen e itinerarit. Ata që s'kanë mjete në dispozicion mund të përdorin të tillë, ku me një vlerë prej 50 lekësh shkohet deri tek pika e parë në Jonufër dhe me 100 lekë deri në Orikum. Por, duke qenë se tarifat nuk janë fikse, mirë është që të diskutohet para se të shkohet në destinacion
Taksitë: Të përdorshme në sezonin veror janë edhe taksitë. Por të ardhurit që përdorin këtë shërbim nuk duhet të lënë pas dore kujdesin për tarifat. Mund të ndodhë që mosnjohja t'iu kushtojë shumë herë më tepër se vlera reale e një shërbimi të zakonshëm. Madje, taksitë përbëjnë edhe një nga zhgënjimet e pushuesve në Vlorë. Përcaktimi i çmimit përpara nisjes do të ishte një zgjidhje shumë e mirë për pushuesit e "druajtur". Trafiku mbetet një arsye shumë e fortë për drejtuesit për të përcaktuar tarifa shumë të larta. Në rastet e pajisjes me taksimetër, tarifat brenda qytetit janë 90 lekë/km dhe 60 lekë/km në zonat jashtë qytetit.
Automjetet me qira: Një mundësi tjetër për pushuesit janë edhe automjetet me qira. Vlera e tyre për përdorim ditor varion sipas markës së automjetit, duke filluar nga 35 euro në ditë.
Jeta artistike
Thuajse si një traditë në periudhën e verës në Vlorë zhvillohet festivali mesdhetar i isopolifonisë. Në këtë eveniment që zgjat disa ditë, pushuesit e ardhur në Vlorë kanë mundësinë që të shijojnë jo vetëm folkun, por edhe shumëllojshmërinë e ngjyrave që merr qyteti bregdetar, si dhe të përfshihen në atmosferën që pushton zona të veçanta ku janë festivalistët. Po në verë, trupa profesioniste e estradës së Vlorës planifikon shfaqje fundjavave. Po kështu kryesisht gjatë muajit gusht nga Bashkia e Vlorës mundësohen ardhje të grupeve e këngëtarëve të ndryshëm, të cilët interpretojnë në skena të hapura verore.
Diskot:
Hyrja me bileta është të premte të shtunë
Kur ka dixhej të njohur bileta kushton 300-400 lekë/person
Me dixhej vendas bileta kushton 200-300 lekë/person
Pijet variojnë nga 200 - 600,700 lekë (joalkoolike-kokteje)
Në plazhe private
Një shezlon kushton 200 lekë
Të marrësh një kanoe kushton 200 lekë/ora
Një Pedalone kushton 400 lekë/ora
Motorët e ujit kushtojnë rreth 5 000 lekë/ora
Uji i Ftohtë
Hapësirat jepen kryesisht për 15 ditë ose për një muaj në varësi të rezervimit.
Në apartamente 15-ditëshi varion 35 000 - 40 000 lekë për 15 ditë (te qytetarët që kanë shtëpi pranë zonave bregdetare).
Nata në hotele është 2000 - 5000 lekë, në varësi të hotelit
Shtëpitë me qira janë 40 euro/nata
Dhërmi-Himarë
Çmimet më të larta i kap muaji gusht.
Në Himarë dhomat që jepen në dispozicion janë të fiksuara te 40 - 45 mijë lekë për 15 ditë
Banorët sigurojnë kushte të mira fjetjeje, gatimi e tualete. Ka shtëpi që kanë krijuar edhe kushtet për ndenjien në qetësinë e një kopshti të gjelbëruar në oborret e tyre.
Në Dhërmi banorët i japin ofertat duke iu referuar qëndrimit sipas netëve. Ambientet variojnë 35 - 55 euro nata.