
Vlore, me pak pushues kete sezon turistik
Vlora ka joshur më pak pushues për këtë sezon turistik. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku ajo është vlerësuar si “mbretëresha” e turizmit, këtë vit qyteti gati është “braktisur” nga pushuesit vendas, por edhe ata të huaj. Për drejtorin e zyrës së turizmit në Bashkinë e Vlorës, Ilir Metaj, kjo ka ardhur nga problemet e shumta që shoqëruan sezonin turistik të këtij viti. Mungesa e infrastrukturës, energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, por edhe zgjedhjet legjislative në fund të qershorit, mendohet se kanë qenë faktorë në uljen e numrit të pushuesve. “Infrastruktura rrugore këtë sezon ka lënë mjaft për të dëshiruar. Hapja e rrugëve për shtrimin e tubacionit të ujit të pijshëm, ndonëse piku i sezonit turistik, kanë krijuar jo pak probleme në lëvizjen e pushuesve. Ndërkohë, problemet me furnizimin me ujë të pijshëm dhe sidomos me energji elektrike përgjatë gjithë zonës bregdetare, ka bërë që shumë prej pushuesve të ndërpresin pushimet dhe shumë të tjerë të pezullojnë prenotimet”, ka thënë për “Shqip” Metaj. Sipas tij, vendimi për mbylljen e diskove verore pas mesnate, ka ndikuar në uljen e frekuentimit të bregdetit vlonjat. “Për mua vendimi për kufizimin e orarit të diskove verore ka qenë si një shtetrrethim për frekuentuesit e jetës së natës, që gjatë sezonit turistik janë të shumtë në numër. Pa dashur të bëj politikë, dua të ngre shqetësimin se ajo që është më e keqja, është fakti se vendimi u vendos në mënyrë selektive. Çuditërisht në bashki të tjera si: Himarë apo Sarandë, nuk pati kufizime për frekuentuesit e jetës së natës”, ka shtuar më tej drejtori i zyrës së turizmit në Bashkinë e Vlorës. Ndërkohë, sipas tij, mbetet problem ligji i moratoriumeve të skafeve. “Ky është i katërti vit rresht që me këtë moratorium të famshëm të ndalimit të mjeteve lundruese të detit, ka penguar zhvillimin e turizmit. Nuk mund të goditen të gjithë ata persona që duan ta ushtrojnë këtë veprimtari për të shijuar resurset turistike që ofrojnë bregdetet tona ose turizmi me mjete detare me motor”, ka shtuar Metaj.
Sipas tij, zgjedhjet legjislative, të zhvilluara në pikun e sezonit turistik, pati mjaft ndikim jo vetëm në frekuentimin e bregdetit vlonjat, por të të gjithë vijës bregdetare të vendit.
“Fushata zgjedhore për mua si drejtues turistik në mes të sezonit është një pengesë e madhe. Për mendimin tim është një zgjedhje e gabuar të votohet në sezonin turistik, ku dihet se ne si një vend ballkanik jemi emocionalë ndaj zhvillimeve politike, sidomos zgjedhjeve legjislative. Një fushatë zgjedhore i ndrydh pushuesit si të huajt edhe ata shqiptarë”, ka nënvizuar Metaj.