Page 1 of 1

"Si ndërrova Nju Jorkun me Valbonën"

Posted: Mon Feb 21, 2011 4:57 pm
by Adriana
"Si ndërrova Nju Jorkun me Valbonën"




Një qytetare amerikane, e cila prej një viti e gjysmë është shndërruar në banoren e fundit të Valbonës, u vendos në qendër të fokusit të emisionit të pasdites në Top Channel.

Shumë pak prej shqiptarëve kanë patur rastin të shkojnë në Bajram Curri dhe aq më pak edhe 25 kilometra më tej nëpër male, në luginën e Valbonës.

Në këtë zonë, ku njerëzit jetojnë me ritmet natyrore të letargjisë së gjatë, vetvetiu të përshkon ideja e braktisjes dhe e emigrimit
Megjithatë, nuk është kështu për Catherine Bohne, e cila në mes të izolimit dhe ngricës së zonës, ka gjetur parajsën e kërkuar.

”Për herë të parë dëgjova për Shqipërine kur isha femijë. Udhëtoja me traget nga Brindizi në Korfuz dhe krejt papritur na shfaqet para syve një bregdet i mrekullueshëm dhe ndryshe nga brigjet që kishim vizituar.

Ishte jashtëzakonisht i qetë e pa levizje. Pyes tim atë dhe ai më tregon se kjo ishte Shqipëria, por askush nuk mund të shkonte atje”, nis të tregojë historinë e saj Catherine.

”Jeta ime në SHBA rrodhi krejt natyrshëm, sipas standartit amerikan të paktën, që do të thote punë shtatë ditë në javë.

Atje zotëroja një librari dhe përfitoja shpesh mundesinë për udhetime falas, por nuk e përdora kurrë mundësinë deri sa një miku im këmbënguli që të udhëtoja pasi kisha 10 vjet pa dale nga Nju Jork-u.

Vendi i parë që më erdhi ndërmend për të vizituar ishte pikërisht Shqipëria”.

Për Bohne, ai udhëtim nisi një eksperiencë jetësore në kufijte e idilikes. Catherine lexoi në internet për Valbonën dhe në verën e 2009-s erdhi për një javë në Shqipëri.

”Sapo mbërrita në Durres, taksisti gati sa nuk më birësoi, aq i sjellshem u tregua. Në fakt, nuk kisha asnjë plan apo rezervim se ku do të flija.

Kisha vetëm informacion se në Valbonë ishte një person me emrin Alfred, i cili kishte pritur udhëtarë dhe turistë.

Impakti i parë me këtë vend ishte shokues. Për herë të parë në jetën time ndieva një lidhje me tokën ku shkelja, ndihesha sikur kisha mbërritur në shtëpi”, tregon librashitësja njujorkeze.

Java e parë e saj mbaroi shpejt, por kthimi në SHBA nuk do të shenjonte më vazhdimin e jetës normale.

” Nuk mund të rrija pa menduar për Shqipërinë, duhet të kuptoni që ka një ndryshim shumë të madh kulturor mes Amerikës dhe Shqipërisë”, vazhdon amerikania.

”Pikë së pari duhet të kuptoni që në Nju Jork, të bësh një shëtitje në natyrë të hapur është e pamundur, çdo gjë është prone private, ka rrethime, tabela dhe të duket vetja si në kafaz.

E dyta, njerëzit në SHBA janë makineri pune dhe parash. Ka humbur çdo marrëdhënie njerëzore apo lidhje mes njerezve, madje edhe prinderit i shohin fëmijët si një detyrim për 18 vitet e para te jetës.

Munda të duroj deri në tetor të 2009-s dhe u riktheva për të kuptuar së çfarë doja nga jeta. Pa pritur, mes borës së parë e me gjithë mërzinë që mund të ketë kjo tokë gjatë dimrit, unë ndihesha mirë.

Shkova sërish në Nju Jork, morra të gjithë garderobën, mbylla librarinë dhe u transferova përfundimisht në Valbonë”.

Natyrshëm, lind pyetja se çfarë gjeti ajo kaq të mrekullueshme në zonën e thellë veriore, për të braktisur për të Nju Jorkun.

”Si fillim gjeta dashurinë, pasi ai personi me emrin Alfred doli të ishte një burrë shumë simpatik dhe jashtëzakonisht i dashur”, përgjigjet Catherine.

”Pastaj, këtu nuk është çdo gjë e përqendruar tek paraja. Bujaria e mikpritja që Alfredi dhe familja e tij kanë treguar ndaj meje pa bërë as edhe një pyetje ka qenë monumentale”.

Megjithatë, ajo thekson se nuk është se jeton e mbyllur në një manastir malor.

“Të shohësh këtë xhevahir, teksa nuk ka mundesi ta jetoje askush është mekat, keshtu që bashkë me Alfredin po përkujdesemi për këtë vend, që njerezit si unë, që duan t’a jetojnë natyrën, të mos mjaftohen vetëm me shikimin e maleve”.