[quoteem]Dorëheqja
Dorëheqja e rektorit të Universitetit të Vlorës: Nuk pranoj të marr leje te ministri për të dhënë mësim jashtë
Kolegë, studentë dhe dashamirës,
Sot kam dërguar dorëheqjen time si rektor te ministri M. Tafaj.
Në kushtet kur arsimi në Shqipëri po shkatërrohet në mënyrë të organizuar, kur çdo gjë në arsim kontrollohet nga një kryeministër dhe një ministër të cilët s’e kanë idenë dhe janë plotësisht amatorë në arsimin e lartë, unë kisha vetëm dy alternativa; ose heshtjen për hir të Universitetit të Vlorës, ose kundërshtimin e hapur publik. Kjo e dyta, të cilën unë kam kohë që e kam zgjedhur, ka dëmtuar Universitetin e Vlorës pa masë gjatë kësaj kohe. Në këto kushte besoj se është në të mirën e Universitetit që zëvendësrektori Zhupa të marrë drejtimin. Unë do të vazhdoj të jem edhe më aktiv se më parë në punët e Universitetit dhe në aktivitetet e tjera politike dhe sociale në Vlorë.
Stafi i UV-së është kontaktuar privatisht që javën që shkoi për këtë vendim.
Dorëheqja është e bashkangjitur dhe lexon si më poshtë:
___________
I nderuar zoti ministër,
në përgjigje të shkresës suaj të datës 9 nëntor 2010, me numër protokolli 6921/1 ju bëj me dije se:
* Asnjëherë nuk do ta ndërpres veprimtarinë time shkencore, mësimdhënëse, apo profesionale në institucionet jashtë Shqipërisë.
* Asnjëherë nuk kam ndërmend të kërkoj leje nga ju, pasi e konsideroj këtë fyerje të pozicionit tim si Rektor dhe cenim të autonomisë së universiteteve.
Mendoj se asnjëherë një rektor i zgjedhur me vota të lira nuk duhet të kërkojë leje nga një zyrtar i pazgjedhur. Mendoj se kjo është një mënyrë tjetër për të futur në kontrollin tuaj të plotë universitetet publike.
Duke qenë se filozofia ime mbi arsimin e lartë është totalisht e kundërt me filozofinë që keni ndjekur Ju dhe qeveria që ju përfaqësoni, duke qenë se ju dhe qeveria në mënyrë të ndërgjegjshme punoni kundër arsimit publik, duke e parë se ju dhe kjo qeveri në mënyrë sistematike keni mbështetur të paaftët, dhe duke pasur bindjen e plotë se arsimi në Shqipëri nuk do të rregullohet ndonjëherë me këtë qeveri, unë jap dorëheqjen e nga detyra e rektorit në Universitetin e Vlorës.
Të gjitha përgjegjësitë administrative kanë kaluar tek zv.rektori administrativ, dr. Eustrat Zhupa, i cili në rregulloren dhe statutin e Universitetit të Vlorës është personi i dytë në përgjegjësi pas Rektorit të Universitetit.
_______________________________
Tanush Shaska
Professor of Mathematics
https://sites.google.com/a/oakland.edu/shaska/
Virtus, Scientia, Veritas[/quoteem]
[quoteem]
Publikohet letra e hapur: Shefi iku për shkak të një studenti që nuk i rriti mesataren
Ngjarjet nuk kanë të sosur në Vlorë. Mbas situatës së nderë në Dukat, në qytet një tjetër diskutim i madh ka përfshirë Vlorën por edhe gjithë Shqipërinë. E-mail-e të postuar, diskutime, akuza, thirrje për ndihmë, denoncime por edhe publikime të një liste të gjatë “akumulimesh” nga studentë, pedagogë e dashamirës së arsimit. Dje paradite, rektori i Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali” ka dhënë dorëheqjen. Shkresën zyrtare e ka bërë publike në internet madje e ka dërguar te qindra e mijëra adresa elektronike. Rektorit Shaska i ka ardhur në majë të hundës me presionet, kontrollet e madje edhe me heqjen e së drejtës për të marrë rrogën, derisa nuk ka duruar më e ka shkruar të zezë mbi të bardhë të gjitha arsyet e largimit të tij nga posti i drejtuesit, administratorit të “Ismail Qemalit”. Në dokumentin zyrtar, ai i drejtohet me tone nënvlerësuese ministrit të Arsimit dhe Shkencës, duke mos pranuar kategorikisht ndryshimin në ligjin e arsimit të lartë, për të marrë leje te ministri në rast se rektori do të japë mësim në një universitet të huaj. Veç mosmarrjes së rrogës, rektori i Vlorës ka qenë nën trysninë dhe presionin e organeve të gjykatës dhe prokurorisë. Të gjitha këto evidentime janë bërë nga profesorë e studentë të universitetit, veç deklarimeve të Shaskës.
Letra e hapur
Në letrën e hapur të profesorëve të Universitetit të Vlorës thuhet se një gjykatës i ka shpallur luftë universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, duke përdorur për këtë strukturat shtetërore dhe organet gjyqësore ku ai vetë bën pjesë. “Kjo ka ndodhur sepse Universiteti i Vlorës nuk i ka njohur provimet që djali i tij ka dhënë në një shkollë private të panjohur, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kjo është dhe zanafi lla e kësaj lufte. Çështja ka shkuar deri në Gjykatën e Lartë, e cila me të drejtë ka pezulluar të gjitha veprimet që cenojnë universitetin tonë”, thuhet në letrën e hapur. Sipas profesorëve, paralelisht me këtë, gjykatësi ka vënë në lëvizje organet e prokurorisë që po persekutojnë dita- ditës stafi n e Universitetit me veprime abuzive, provokime dhe duke i penguar të bëjnë rregullisht detyrën e tyre. Të gjitha këto veprime arbitrare vënë në rrezik një institucion të arsimit të lartë, që mbrohet me ligj. Profesorët kanë deklaruar se këto vitet e fundit kanë qenë të shpeshta përplasjet e stafit pedagogjik të UV me njerëz që mbrojnë interesa të ulëta dhe janë kundër zhvillimit të arsimit të lartë në Shqipëri.
Dorëheqja
“Asnjëherë nuk do të ndërpresë veprimtarinë time shkencore, mësimdhënëse, apo profesionale në institucionet jashtë Shqipërisë. Asnjëherë nuk kam ndërmend të kërkoj leje nga ju, pasi e konsideroj këtë fyerje të pozicionit tim si rektor dhe cenim të autonomisë së universiteteve. Mendoj se asnjëherë një rektor i zgjedhur me vota të lira nuk duhet të kërkojë leje nga një zyrtar i pazgjedhur. Mendoj se kjo është një mënyrë tjetër për të futur në kontrollin tuaj të plotë universitetet publike”, thuhet në dokumentin e dorëheqjes së rektorit Shaska. Sipas tij, kjo qeveri në mënyrë sistematike, ka mbështetur të paaftët, duke pasur bindjen e plotë se arsimi në Shqipëri nuk do të rregullohet ndonjëherë me këtë qeveri.
Protestat
Edhe pse rektori Shaska ka deklaruar se tanimë nuk do të jetë në krye të universitetit dhe kompetencat i kanë kaluar zv.rektorit, studentët e profesorët kanë deklaruar se do të nisin protestat. Edhe tani, nëpërmjet medias elektronike deklaratat, akuzat, fyerjet por edhe diskutimi i largimit të rektorit Shaska është ende i nxehtë.
Sfond
Afro një vit më parë, në Universitetin e Vlorës, “Ismail Qemali”, u tha se nuk do të pranohej asnjë maturant që e ka mesataren nën 6. Në faqen zyrtare të këtij institucioni kishte dalë prej kohësh një lajmërim, ku thuhej që për të qenë pjesë e këtij universiteti të gjithë kandidatët duhet ta kishin mesataren e katër viteve të shkollës së mesme mbi 6.
Megjithëse Ministria e Arsimit dhe e Shkencës shpalli publikisht të hapur garën për të gjithë gjimnazistët që lënë bankat e shkollave të mesme, rektorati i Vlorës, Tanush Shaska, vendosi që për vitin akademik 2009-2010 të bënte seleksionime, duke kundërshtuar MASH-in.
“Asnjë student i çfarëdolloj dege qoftë, nuk do të pranohet me mesatare më të ulët se nota 6 , thuhej në lajmërimin e publikuar një vit më parë në faqen zyrtare të këtij institucioni.
Qëllimi i këtij vendimi ishte selektimi i studentëve që do të studionin për herë të parë gjatë vitit akademik 2009-2010, pra për të rritur cilësinë e universitetit. Mjaftoi ky argument që studentët e “prekur” nga ky fakt të ngriheshin në protesta të fuqishme, me pretendimin se po u mohohej e drejta për të ndjekur arsimin e lartë në këtë institucion. Protestat e tyre vijuan për disa javë me radhë, ndërsa pati edhe nga ata që u ngujuan në grevë urie, për të kundërshtuar vendimin e rektoratit.
Propozimi
Në mbrëmjen e datës 26 korrik 2008, në mbledhjen e radhës së senatit të universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, kryetari i senatit, Tanush Shaska, propozoi ndryshimin e emrit të universitetit nga “Universiteti Ismail Qemali i Vlorës” në “Universiteti i Vlorës”. Ky propozim ngjalli reagime të ndryshme si në media, tek studentët apo stafi akademik.
“Figura dhe vepra e Ismail Qemalit nuk nënvlerësohet nga fakti nëse një universitet ka ose jo emrin e tij. Ndoshta ne do të bënim më shumë për figurën e Ismail Qemalit sikur të siguronim disa fonde që disa prej studiuesve tanë, që po studiojnë fi gurën e tij, të fi nancohen nga shteti dhe universitetet”, ka thënë Shaska.
Dy vjet më parë, ai sqaroi se nuk duhet harruar që Vlora, Shqipëria janë ato me të cilat asnjë individ nuk mund të baraspeshohet. Sipas tij, fakti që u propozua ky ndryshim nuk do të thotë se po nëpërkëmbet emri dhe rëndësia e fi gurës së tij, sepse vetë historia e Vlorës është mijëravjeçare dhe asnjë individ nuk mund të jetë më i rëndësishëm se ky vetë qyteti.
LORINA MIXHA
SHPRESA MEZINI[/quoteem]
[quoteem]
Profesorët: Gjykatësi ka vënë në lëvizje organet e prokurorisë që po persekutojnë dita-ditës stafin
Me anë të kësaj letre informojmë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Kryeministrin, institucionet shtetërore, përfaqësitë e huaja në Republikën e Shqipërisë, organizatat e huaja, organet e shtypit dhe opinionin publik për një situatë të paparë ndonjëherë në historinë e institucioneve akademike në botë.
Një gjykatës i ka shpallur luftë universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, duke përdorur për këtë strukturat shtetërore dhe organet gjyqësore ku ai vetë bën pjesë. Kjo ka ndodhur sepse Universiteti i Vlorës nuk i ka njohur provimet që djali i tij ka dhënë në një shkollë private të panjohur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kjo është dhe zanafilla e kësaj lufte. Çështja ka shkuar deri në Gjykatën e Lartë, e cila me të drejtë ka pezulluar të gjitha veprimet që cenojnë universitetin tonë. Paralelisht me këtë, gjykatësi ka vënë në lëvizje organet e prokurorisë që po persekutojnë dita-ditës stafin e universitetit me veprime abuzive, provokime dhe duke i penguar të bëjnë rregullisht detyrën e tyre. Të gjitha këto veprime arbitrare vënë në rrezik një institucion të arsimit të lartë që mbrohet me ligj. Aktiviteti i prokurorisë po bëhet pengesë për ushtrimin normal të një funksioni publik dhe të një shërbimi për 10.000 studentë të Universitetit të Vlorës. Për hir të së vërtetës, Universiteti i Vlorës ka qenë vazhdimisht nën një presion të tillë dhe ky është një fakt publik i dokumentuar mirë. Këto vitet e fundit kanë qenë të shpeshta përplasjet e stafit pedagogjik të UV me njerëz që mbrojnë interesa të ulëta dhe janë kundër zhvillimit të arsimit të lartë në Shqipëri. Institucionet e Arsimit të Lartë mbrohen me ligj dhe nuk duhet të cenohen në asnjë mënyrë në forma të tilla abuzive dhe për interesa të padrejta të personave të caktuar, aq më keq nëse ata janë të veshur me pushtet. Ky është një precedent ogurzi, që mund të marrë përmasa më të mëdha dhe mund të përsëritet vazhdimisht për të mbytur me dhunë çdo përpjekje progresiste në zhvillimin e arsimit dhe në edukimin e brezit të ri. Stafi akademik i këtij Universiteti, si gjithnjë, është i vendosur të mos përkulet ndaj këtyre presioneve dhe të përdorë gjithë mjetet demokratike për të vendosur drejtësi dhe për të vazhduar punën për realizimin e misionit të tij të shenjtë. Nuk do të lejohet, në asnjë mënyrë cenimi personal i stafit të UV. Për këtë të gjithë janë të ndërgjegjshëm dhe e konsiderojnë si përparësi për veprimet e tyre në ditët e ardhshme.
...vijojnë firmat e 150 pedagogeve mbështetës të kësaj deklarate.[/quoteem]
Burimi:
http://www.gazeta-shqip.com/