Cërnilishtë, "maqedonasit" kundër "Ismail Qemalit"
Video :
http://alsat-m.tv/lajme/vendi/42850.html
Kthimi i emrit të vjetër të shkollës fillore Ismail Qemali në fshatin Cërnilishtë të komunës së Dollnenit në Prilep u bë mollë sherri për 17 nxënësit maqedonas të kësaj komune. Ata kanë refuzuar të vijojnë mësimin në shkollën që mban emrin e një personaliteti të historisë shqiptare, dhe nga 1 Shtatori kanë filluar me bojkot të mësimit. Kështu thotë drejtori i shkollës, Sevgani Ibrahimi, i cili shton se drejtoria nuk e ka ndërruar emrin e deritanishëm të shkollës që ka qenë “Petre Gligorov”, por vetëm që ia ka kthyer emrin që kjo shkollë e ka bartur që nga viti 1945, fakt që dëshmohet edhe përmes dokumenteve.
“Shkolla rajonale e fshatit Sekircë nuk filloi me procesin mësimor këtë fillim vit, ata e bojkotojnë mësimin për shkak të emrit të shkollës i cili emër ekziston prej vitit 2009 do të thotë është bërë rikthimi i emrit të vjetër të shkollës Ismail Qemali. Unë nga ata prind kërkojë që nxënësit të ulen në bankat shkollore dhe të fillojnë mësimin sepse humbës do të jenë ata, kështu që në bazë të ligjit për arsim, ne si shkollë por edhe inspektorati i ministrisë së arsimit do të marrim masa përkatës në bazë të ligjit”, kështu u shpreh Sevgani Ibrahimi, drejtor i Sh.F. ‘Ismail Qemali’, Cërnilisht-Dollnen.
Ndërkohë arsimtari i kësaj shkolle Rexhep Ibrahimi thotë se emri i shkollës nuk duhet të paraqesë pengesë për nxënësit maqedonas, pasi që nxënësit shqiptarë të këtij rajoni për 50 vite rresht kanë mësuar në shkolla shqipe me emra maqedonas.
“Emri i vjetër i shkollës është Ismail Qemali, do të thotë prej vitit 1945 e deri në vitin 1963 shkolla ka mbajt këtë emër mirëpo në atë kohë me ato bashkimet e paraleleve iu dha shkollës emri Petre Gligorovski, ashtu që 47 vite nxënësit tonë me atë emër punonin, edhe pse nuk iu pëlqente, mirëpo koha ishte e atillë dhe ne ishim pakicë me numër, pajtoheshim, qëllimi i jonë ishte që të arrijmë të arsimohemi”, tha Ibrahimi.
“Këta 17 nxënës që ju pengon ky emër...neve na ka penguar 50 vite e atyre u pengon, 2 ditë nuk mund të durojnë emrin tonë, mirëpo nuk kanë të drejtë të hidhërohen ata, sepse ne mendojmë se neve jemi ata që duhet të hidhërohemi me 350 nxënës sepse ata me 17 nxënës nuk kanë pse të hidhërohen”, kështu u shpreh një banorë i Cërnilishtes
Ndërkohë kamera e televizionit ALSAT u mundua të kontaktojë edhe me prindërit e nxënësve maqedonas për të mësuar nga afër arsyen e bojkotimit të mësimit. Por, edhe përkundër tentimit tonë, nuk deshi të prononcohet askush nga ta. Vetëm thanë se fëmijët e tyre dëshirojnë të shkollohen në shkollën fillore ‘Gjorqe Petrov’ të fshatit Ropotovë dhe jo në ‘Ismail Qemali’. Nga komuna e Dollnenit thonë se ata janë të gatshëm të ulen dhe të bisedojnë me të dyja palët, në mënyrë që problemi të tejkalohet sa më shpejt. Nga kjo komunë thonë se deri tek autoritetet nuk ka arritur asnjë ankesë me shkrim. Valmir Kuçi