
Nga Eduard Zaloshnja
Dy persona publikë me akses në informacione konfidenciale shtetërore, njëri në emisionin “Arena” të Roland Qafokut në Planet TV dhe tjetri në emisionin “Pesë Pyetje nga Babaramo” në News 24, deklaruan se disa ministra në qeveritë shqiptare të këtyre 20 vjetëve të fundit kanë qenë agjentë të Sigurimit të Shtetit ose të shërbimeve sekrete të shteteve fqinjë.
Luan Pobrati, ish-kryeinspektor i Kryeministrisë për SHISH-in, deklaroi në “Arena” se 4 ministra të jashtëm të 20 vjetëve të fundit kanë qenë shoqërues-përkthyes të Sigurimit të Shtetit. (Termi shoqërues-përkthyes ishte atëherë një eufemizëm për agjentët e sigurimit që shoqëronin të huajt e pakët që vizitonin Shqipërinë.) Pobrati nuk dha emra e as detaje që mund të identifikonin sadopak këta 4 ministra.
Kreshnik Spahiu, nënkryetari i KLD-së dhe udhëheqësi de facto i Aleancës Kuqezi, deklarioi në “Pesë Pyetje nga Babaramo” se në qeverinë aktuale dhe në qeveritë e mëparshme të këtyre 20 vjetëve disa ministra kanë qenë agjentë të shërbimeve sekrete të shteteve fqinjë. Edhe Spahiu nuk dha emra e as detaje që mund të identifikonin sadopak këta ministra-ish-agjentë.
Ka ardhur koha, në mos ka kaluar, që të ndahet shapi nga sheqeri. Dreqi e mori, kemi 20 vjet që dëgjojmë insinuata nga më të ndryshmet për këdo që është përfshirë në jetën publike në Shqipëri. Publikut shqiptar, ashtu si publikut të vendeve të tjera ish-komuniste, duhet t’i bëhet e ditur se kush ka qenë agjent i Sigurimit të Shtetit ose i shërbimeve sekrete të shteteve fqinjë!