Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka marrë vendim që të përmbyllet pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, ndërsa ka mbetur që deri në shtator të kryhen disa obligime, siç është përfshirja e disa ligjeve në këtë proces, ka thënë shefi i ICO-së Pieter Feith. Kurse nikoqiri i takimit, ministri i Jashtëm i Austrisë, Mihael Shpindeleger ka thënë se kjo paraqet një ditë historike për Kosovën.
"Nga dita e sotme, Kosovës po i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare, kurse mandati i ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare) pushon në shtator", ka thënë ministri austriak, Mihael Shpindeleger.
Ai ka shprehur kënaqësinë e tij se Vjena është vendi ku u hartua dhe aprovua Plani i Ahtisarit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe po në këtë qytet tash po vendoset fundi i mbikëqyrjes së kësaj pavarësie.
“Ne e dimë se Kosova do të ballafaqohet me shumë sfida dhe do të duhet të kryejë shumë detyra të shtëpisë, por e dimë po ashtu se ka bërë një punë të mrekullueshme këto vitet e fundit”, tha ministri austriak, duke shpresuar se Kosova një ditë do të jetë pjesë e strukturave të integruara të Evropës.
Në anën tjetër, shefi i ICO-së, Piter Feith ka deklaruar se Kosova ka bërë shumë përparime këto vitet e fundit.
Ndërsa ka lavdëruar përpjekjet për hapjen e Zyrës Administrative në veri, Feith ka inkurajuar institucionet e Kosovës që në ditët në vijim t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore- kushtetuese në mënyrë që të bëhet kalimi i kompetencave dhe përgjegjësive nga zyra e tij tek autoritetet vendase.
Nga Plani i Ahtisarit, sfidat e papërmbushura kanë mbetur në veri të Kosovës. Feith me këtë rast ka përmendur tri parime mbi të cilat do të gjendet zgjidhja politike për atë pjesë.
“Zgjidhja politike për veriun do të bazohet në tri parime: Nuk ka dhunë, nuk ka ndarje, pra veriu do të mbetet i Kosovës dhe parimi i tretë se veriu nuk do të mbetet konflikt i ngrirë”, ka thënë Feith.
Në anën tjetër kryeministri Hashim Thaçi tha se kjo paraqet një ditë historike për Kosovën për të cilën ai tha se meritat i ndajnë së bashku institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar.
Duke folur në takimin me GDN-së, Thaçi ka thënë se të gjithë kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, e cila e ka bërë Kosovën në shtet të respektuar në rajon dhe me gjerë.
“Unë e di se ende kemi punë për të bërë. Ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Ne duhet të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre. Për më tepër, ne duhet të forcojmë lidhjet ndërmjet grupeve etnike në Kosovë dhe të bëjmë tolerancën dhe respektin për kulturën e njëri tjetrit pjesë përbërëse të jetës së shtetit tonë. Në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare Civile ne kemi krijuar strukturat për përballjen me këto sfida dhe unë zotohem se jemi të përkushtuar që ta bëjmë Kosovën një rrëfim suksesi dhe shembull i zhvillimit, paqes dhe stabilitetit”, theksoi Thaçi.
Duke pasqyruar proceset që nga pas shpallja e pavarësisë së Kosovës, kryeministri theksoi se tani institucionet tona janë të gatshme të dalin nga ombrella e mbikëqyrjes dhe të përfshijnë parimet e Propozimit Gjithëpërfshirës në ligjet dhe Kushtetutën moderne, me qëllim që t’i shërbejnë kombit plotësisht të pavarur.
“Institucionet e Kosovës kanë punuar dhe janë duke punuar maksimalisht për të siguruar njohje të reja dhe dua ta shfrytëzoj këtë moment t’ju falënderoj për përkrahjen e palodhshme dhe të çmueshme që kanë dhënë përfaqësuesit e vendeve të cilat ju i përfaqësoni këtu. Institucionet e Republikës së Kosovës kanë vazhduar të konsolidohen sipas planit të paraparë dhe si rezultat tani janë të gatshme për të ushtruar të gjitha përgjegjësitë shtetërore”, vlerësoi kreu i ekzekutivit të Kosovës.
Ai siguroi se fryma e Planit të Ahtisaarit do të vazhdojë gjatë edhe pas përfundimit të mandatit të Zyrës Ndërkombëtare Civile.
“Një sfidë me të cilën vazhdojmë të ballafaqohemi është se si mund të zhvillojnë institucionet e Kosovës një marrëdhënie me komunitetin serb në veri. Në maj të këtij viti, ne kemi deklaruar qëllimin tonë që t’u afrohemi më afër qytetarëve tanë atje, duke marrë vendimin për hapjen e Zyrës Administrative të Mitrovicës Veriore”, u shpreh Thaçi, duke shtuar se qartazi, çështja e krimit të organizuar, kontrabandës, strukturave paralele dhe bllokadave në veri të Kosovës është sfidë që po përcjellë Kosovën.
“Bllokimi i lirisë së lëvizjes dhe mallrave nga kushdo qoftë është i papranueshëm. Me këtë rast dua t’i falënderoj KFOR-in dhe EULEX-in për punën e tyre, por ka mbetur edhe shumë për t’u bërë për të siguruar një mjedis ligjor dhe demokratik”, tha Thaçi.
Kreu i ekzekutivit duke folur për bisedimet me Serbinë, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojnë presionin ndaj Serbisë në këtë proces dhe që marrëveshjet e arritura të implementohen nga ana e Serbisë. /Telegrafi/