Tsitos : Grekët e mi dhe racizmi banal
Regjisori grek Filippos Tsitos tregon rreth filmit "Akademia e Platonit" i shfaqur në TIFF: një grek racist që më vonë kupton se është shqiptar. Ai ndalet edhe te problemet që po kalon kinemaja greke dhe qëndrimet e prera që po mbajnë artistët
Në konkurrim në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, është edhe "Akademia e Platonit" i shfaqur premierë dy net përpara. I pranishëm ishte regjisori grek Filippos Tsitos dhe aktori shqiptar Anastas Kozdine. Stavrosi (Antonis Kafetzopoulos), një dyqanxhi grek, bashkë me nënën e tij plakë Harikleian (Titika Sarigouli) bën një jetë të mërzitshme e boshe, në lagjen "Akademia e Platonit". Po ashtu edhe tre miqtë e tij dhe të vetmet argëtime mbeten lojërat me top, rrëmuja, birrat dhe kundrimi i punës së të tjerëve, kinezëve dhe shqiptarit Marenglen (Anastasis Kozdine). Sa herë që kalon aty, shqiptarin e identifikojnë me lehjen e qenit. Marengleni i lënë paksa në hije fillimisht, vetëm si shënjestër e të sharave dhe e fyerjes së grekëve krenarë, bëhet personazhi kyç që zbërthen ngjarjet, ndërlidhjet e tyre. Shqiptari e ndihmon Stavrosin të hedhë sytë në të kaluarën, sepse ky njeri provon një krizë identiteti. Kombësia e tij është greke, por origjina për të cilën nuk di asgjë, është shqiptare.
Një film i tillë, i cili me shfaqjen në Tiranë mendohej të nxiste njëfarë diskutimi për racizmin kundrejt shqiptarëve, u prit mirë nga publiku që e priti si të ishte komedi. Në këtë bisedë, regjisori tregon si u prit nga publiku grek "Akademia e Platonit", i vlerësuar me çmim në Festivalin e Filmit në Lokarno, Zvicrës. Përpos kësaj ai ndalet edhe tek Kinematografia greke dhe problemet që ka aktualisht, si dhe arsyet përse kineastët e "FOG"-ut, grupim në të cilin ai bën pjesë, bojkotuan Festivalin e Selanikut.
Z. Tsitos përse keni ndërtuar një film mbi këtë temë?
Nuk e zgjodha unë temën, ajo më zgjodhi mua. Nuk e kam zgjedhur këtë problematikë me qëllim. Të gjitha historitë e filmave që unë bëj kanë në qendër të tyre një burrë, në filmin tjetër do të jetë grua, i cili në një moment të jetës e gjen veten në udhëkryq. Personazhi shikon pas në jetën e tij dhe kupton se gjithçka që ka bërë deri në atë moment është e gabuar dhe tani i duhet të ndryshojë. Këtë gjë unë dua të tregoj nëpërmjet filmave të mi. Kjo ide është në mendjen time gjithë kohës dhe sa herë që jam duke menduar ndonjë subjekt për filmin, ose kur dëgjoj idetë të tjera, gjithmonë i krahasoj me të.
Grekët kundrejt shqiptarëve. Kjo që prezantoni ju është forma aktuale e racizmit në vendin tuaj?
Ideja e parë për personazhin e filmit, ishte për një turk. Ishte ideja e një mikut tim dhe mua m'u duk interesante. Por tani me turqit ne jemi më të afërt dhe po bëhemi miq. Jemi miq, pavarësisht politikave, kjo është tjetër gjë. Unë mendova që më e vështirë për personazhin e filmit do të ishte një grek racist që më vonë kupton se është shqiptar. Për këtë arsye unë e bëra shqiptar.
Ka qenë e vështirë ta "krijonit" lagjen e Akademisë së Platonit apo ajo ekziston ashtu siç ju e tregoni?
Njerëz të ulur përpara dyqaneve të tyre, duke mos bërë asgjë, mund t'i gjesh kudo në Greqi.
Mos doni të thoni se edhe racizmi në këto sheshe e rrugë është një fenomen rutinë?
Në Greqi nuk ekziston racizmi i dhunshëm. Nuk kemi grupe të cilët janë ekstremistë në shërbim të një ideologjie. Është një racizëm i zakonshëm, banal, janë njerëz që më tepër kanë frikë prej atij që është ndryshe. Kështu u përgjigjem atyre që më vënë në dukje: "Ke bërë një film për racizmin?"
Grekët janë mbrujtur me idenë se janë njerëzit më të mirë në botë. Me këtë ide ata janë ushqyer në familje, në shkollë. Po të kesh këto ide në mendje dhe nga ata tjetër të shohësh që "të huajt po vijnë", shkakton frikë. Një shqetësim që vjen nga të gjithë të huajt. Ka kategori të ndryshme, për shembull kinezët, pakistanezët, ose afrikanët të cilët janë duke krijuar komunitetet e tyre dhe në njëfarë mënyre janë jashtë jetës greke. Grekët vetëm i shohin, ata nuk marrin e japin me grekët. Kurse shqiptarët erdhën në Greqi dhe u bënë pjesë e jetës sonë. Ata i dhanë shtysë të madhe ekonomisë, sepse janë të shumtë në numër, sepse ata bëjnë punë të rënda që grekët nuk do t'i bënin. Grekët dhe shqiptarët janë martuar mes tyre, gjë që nuk ndodh, për shembull, me... kinezët.
Si e priti publiku grek filmin?
U pëlqye. Kishte shumë njerëz që donin ta shihnin filmin. Besoj se u pëlqye sepse nuk është një realizim didaktik, ai nuk u mëson njerëzve sesi duhet të jenë, ai thjesht tregon realitetin dhe nga ana tjetër, është treguar në një mënyrë të këndshme dhe ka shumë humor.
Z. Tsitos , si pjesë e FOG-ut, grupit të kineastëve grekë, mund të na thoni diçka për problemet që po kaloni këto kohë dhe si keni reaguar?
Si edhe shumë pjesë të tjera të jetës në Greqi, edhe kinematografia ka pjesën e saj të korruptuar, në financimin e projekteve, në distribucionin e filmave, çmimet që ndahen në festivale, etj.
Më konkretisht?
Po e filloj nga çmimet. Çmimet që shteti ka dhënë çdo vit për filmat kanë qenë të korruptuara, që do të thotë se njerëzit nuk votojnë në mënyrë demokratike. Ka qenë një vit që një film i mori të gjitha çmimet, gjë që është e pamundur. Gjithashtu, vitin e kaluar, në Festivalin e Selanikut, të gjitha çmimet i morën vetëm dy filma të cilët kishin të njëjtin producent. Kështu, këtë vit, të gjithë regjisorët i bojkotuan këto çmime. Kjo është njëra anë, por ka edhe probleme të tjera. Ligji i Kinematografisë ka nevojë për ndryshime. Ligji thotë që të gjithë televizionet duhet të japin 1.5% të përfitimeve të tyre për filmin. Ka 10 vite që kjo gjë nuk ndodh.
Tjetër problem është se Këshilli i projekteve nuk vendos mbi cilësinë e skenarit, por në sajë të preferencave. Për këto arsye do ta bojkotojmë festivalin çdo vit, derisa të përmirësohet ligji. Në këtë lëvizje të "FOG"-ut janë rreth 230 persona, producentë, regjisorë, skenaristë. Nuk ka kryetar, nuk ka këshilla, ne vendosim të gjithë së bashku.
Si kanë reaguar strukturat shtetërore?
Na ka lënë në pritje. Duan të shohin nëse jemi vërtet seriozë dhe nëse jemi të gjithë njerëz që punojmë për kinemanë. Aktualisht jemi duke bërë atë punë që duhet të bëjë shteti. Përveç bojkotit, një grup tjetër është duke punuar me ligjin.
Gjithashtu, ne po përpiqemi për një shkollë kinemaje. Në Greqi nuk kemi shkolla të veçanta arti, ato janë pjesë e universiteteve të tjera.
Po e mbyllim me përshtypjen që la dha Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë. Si është ajo?
Është si një atmosferë familjare, e ngrohtë. Nuk ka të bëjë me idenë "i madh", apo i vogël, ka të bëjë me ndjesinë që më jep.