Pas 4 vitesh, zëri i tenorit dëgjohet në Operën e vendlindjes në një recital për "Ditën e Evropës".
Një bisedë me Saimir Pirgun për koncertin e dashurisë dhe interpretimin vital, për bashkëpunimin me Jahon në Covent Garden dhe potencialin shqiptar në Evropë
"Mund të jesh i famshëm në të gjithë botën, por po nuk u mbështete nga vendi yt, është e kotë". Tenori Saimir Pirgu i foli me këto fjalë publikut që kishte mbushur tri katet e Teatrit të Operës dy net më parë në recitalin për "Ditën e Europës".
Duartrokitjet dhe bravot dukeshin pak krahasuar me atë botë të bukur ku të shpinte zëri i tenorit, një hapësirë me shumë ajër.
Sapo ishte kthyer nga skena prestigjioze e Covent Garden në Royal Opera House në Londër, ku interpretoi në "La Traviata" të Verdit, më 11 dhe 14 maj, përkrah sopranos shqiptare Ermonela Jaho. Niset sërish drejt Londrës, për të kënduar deri më 24 maj.
Pirgu u kthye pas 4 vjetësh me një program të larmishëm, një botë ariesh dashurie italiane dhe franceze dhe në mes një pjesë shqiptare e shkruar nga Prenk Jakova për kanunin dhe besën. Zë i fortë, melodioz si te "Idomeneo" e Moxartit, aria e Ferrendo-s nga "Cosi Fan Tutte" përsëri nga Moxart, romanca "Una Furtiva Lagrima" nga "L'elisir D'amore" e Donixetit, dy ariet e Verdit, "Macdaff" nga "Macbeth" dhe aria e Dukës te "Rigoletto". Mbrëmja u mbyll me tingujt e gëzueshëm të "La donna é mmobile". Për herë të fundit ai ka kënduar në Tiranë më 2006-ën, në "La Traviata".
Saimir Pirgu është 29 vjeç dhe jeton në Itali. Për jetën personale nguron të flasë në intervistën më poshtë. "Nuk i intereson askujt jeta ime private", thotë ai duke preferuar të flasë vetëm për artin, por edhe atë që e turbullon herë pas here: politika.
Saimir, të shohim akoma të shqetësuar për t'i lënë të gjithë të kënaqur edhe tani që koncerti ka mbaruar. Dhe maksimumin.
Më kujtohet një shprehje e një artisti të madh, Placido Domingo. Pas një suksesi në skenë, tha dy fjalë: "Çdo person që vjen dhe të uron është i rëndësishëm".
Kam "blerë" nga njerëzit që kam punuar deri tani, nga maestro Baudo, nga Domingo, nga i madhi Luciano Pavarotti, me të cilin kam qenë mik. Në moshë shumë të re kam "vjedhur" nga të gjithë këta njerëz më të mirën, për të bërë një hap më shumë sesa një tenor normal që këndon nëpër botë.
Kam dashur të jem i veçantë. Edhe programi i sotëm ka qenë i tillë. E hapa me "Idomeneon", një nga operat më të vështira dhe e mbylla me arie për dashurinë. Mbas një koncerti me 10 arie të këndosh prapë arien "La donna é mmobile", një nga ariet që të gjithë tenorët kanë frikë, nuk është pak. Sot me të vërtetë kam dhënë një provë që jam në rrugë të drejtë.
Je shprehur diku që publiku francez dhe italian është entuziast, anglezët më të disiplinuar. Po ai i vendit tënd?
Sonte kam ndjerë një kënaqësi të madhe. Në fund kryqëzova duart dhe bëra shenjën e shqiponjës. Është një nga gjestet që unë po bëj gjithmonë në çdo teatër ku po këndoj. Pavarotti merrte facoletën e bardhë, kurse unë po marr shkabën tonë. Kjo do të thotë se jam i nderuar që jam shqiptar. Do të mundohem deri në fund që arti im të ndihmojë sa më shumë këtë vend. E meriton.
Publiku shqiptar është ndër më të bukurit, më të ndjeshmit që unë kam parë deri më sot. E kisha provuar, por isha akoma në fillimet. Kam ardhur dhe jam i frymëzuar.
I ke treguar hapur ndjenjat atdhetare sonte. Këndove edhe një arie për besën nga Prenk Jakova.
Jemi një popull që kemi vuajtur shumë. Nuk mendoj që e meritojmë të vuajmë më. Shqiptarët kanë ecur nëpër botë. Është koha që politika të gjej rrugën e përbashkët. Këta individë, qoftë në Shqipëri, apo edhe jashtë shtetit, të ndihen krenarë që ka njerëz që mendojnë për ta, për vendin.
Është shumë e vështirë të bërit politikë në Shqipëri. Jemi një popull i vështirë, por 20 vjet tranzicion janë boll. Ka ardhur koha që shqiptarët të meritojnë atë pjesë të Europës ku bëjnë pjesë.
Jo larg skenës ku ti këndove ka njerëz që po sakrifikojnë prej dy javësh...
Nuk kuptoj një gjë. Nuk ka mundësi që shqiptari çdo gjë ta nxjerrë në rrugë. Ju lutem kjo është një gjë që nuk shtyhet më. Në rrugë dilet kundër një sistemi, kundër një sistemi diktatorial. Mbase do të jetë edhe kështu, por është një pyetje shumë politike dhe unë nuk bëj politikë.
Dua vetëm të gjendet rruga e përbashkët. Shqiptarët kanë nevojë për politikanët që t'i drejtojnë në rrugë të drejtë. Kemi vuajtur boll. Dua të theksoj edhe që artistët bëjnë art dhe ndihmojnë për emrin e Shqipërisë. Nuk ka artistë të majtë apo të djathtë, ka artistë.
Ti dhe koncert për "Ditën e Evropës", po të kthemi pas në kohë, kujtojmë se Europën ti e preke fillimisht si emigrant apo jo.
Kam ikur si student, emigrant. Nuk ka qenë e thjeshtë. Si të gjithë studentët e tjerë, edhe kam punuar që mos t'i bëhesha peshë familjes sime.
Nëse Saimiri është ky që është sot, është falë edukimit të një familjeje të shëndoshë. Nuk di sesa krenar do të jenë prindërit e mi për këtë mbrëmje të sotme. Tani do të shkoj në shtëpi dhe do të marr mendimet e tyre.
Repertori ishte larmishëm sonte, nga Moxart te Donixeti, Verdi. Ishte e vështirë?
Është një repertor relativisht i gjerë dhe i vështirë. Mund të them me siguri që sot kam kënduar pesë opera në një natë. Të them të drejtën, në pjesën e dytë të koncertit isha i shqetësuar, mendova që po lodhem. Skena e Teatrit të Operës fatkeqësisht nuk është skenë teatri, është skenë kongresesh. Dhe ne kur të kemi mbaruar me rrugët, do t'i kërkojmë atyre njerëzve që të kemi teatër.
Në Shqipëri sot është shpejt të kërkohet një teatër opera. Megjithëse, kur është bërë Lufta e Dytë Botërore, nuk po e them vendin, ai që u ndërtua i pari ishte Teatri i Operës. Kur ra tërmeti në Itali, u ndërtua Teatri i Operës.
Me gjithë problemet që ka Shqipëria, të flasësh për opera, është e pavend. Ne jemi martirë. Shpresoj që të gjitha institucionet kulturore, të mbështeten si nga maxhoranca, ashtu edhe nga opozita. Kanë nevojë shqiptarët. Nëpërmjet teatrit ne tregojmë diçka.
Ndihej në interpretimin artikulimi i qartë, zëri i fortë e melodioz dhe interpretimi vital. Si arrin t'i mbash në ekuilibër?
Është pak e vështirë, por siç thashë, kam vjedhur nga mjeshtrit. Nuk kam lindur i ditur, e kam mësuar në shkollë, kam mësuar në skenë. Ky zanat nuk mbaron së mësuari. Jam akoma tek A-ja dhe pretendoj të arrij tek gërma e fundit. Ky është vetëm fillimi.
Këto ditë dëgjuam për suksesin që patët me Ermonela Jahon në Covent Garden. Ishte hera e parë bashkë...
Ishte një bashkëpunim i përsosur. Gazetat dhe shtypi anglez kanë folur vërtetë shumë mirë. Është shumë i vështirë shtypi britanik, por "Traviatta"-ën tonë e quajtën si një nga më të mirat e kohëve të fundit, dhe kanë vlerësuar energjinë.
Çdo njeri në skenë e ka ndjerë. Kurse me Ermonelën nuk njihesha shumë mirë. Kemi bërë vetëm një shfaqje këtu. Ka qenë një energji që çdo njeri në skenë e ka kuptuar. Jam krenar që kam kënduar me Ermonela Jahon. Është një soprano e shkëlqyer.
Një natë ariesh të ndjera dashurie, që vetëm zëri nuk mjafton për t'i rrëfyer. A jeton kjo ndjenjë tek ti?
Jeta ime private nuk i intereson askujt. Mund të them që dashuria është ndjenja më e bukur që ekziston dhe po të mos jesh i dashuruar nuk këndon bukur.
A do të ketë një herë tjetër në Shqipëri?
Kur të vij herës tjetër do të këndoj në shqip, do të përgatitem më mirë dhe do të zgjedh materialet më të bukura që ka në shqip. Këtë radhë ishte shumë e shkurtër koha dhe nuk pata kohë që të zgjerohesha më. I detyrohem këtij publiku. Kam kënduar në gjithë gjuhët e botës. Dua të këndoj më shumë në shqip.
http://www.shekulli.com.al/2010/05/18/s ... ponja.html