Suli në fillim të vet
Mustafa Kruja | 08/06/2009
Njaty në vjetë 1650 erdhën prej Gardhiqit në Toskëní disa tuba barìsh të cilët, të shtrënguem prej pagesavet e të dhetavet të mëdhaja qi u lypte Osmanllija për me pague, ikën tuba mbas tubash e zûnë vênd mbi malet e nalta, qi janë bàll për bàll ishullit të Korfuzit, edhe e kanë emnin Çamërí.
Aty zunë vênd me gjith bagtí e gjâ të gjallë qi kishin edhe u sheshuen në Qafë, qi ishte nji katund gjith blerim, ndërmjet t'atyne maleve të vishtirshme e të nalta si me qênë nji kështjell.
Mbas disa kohe nisën me ardhë edhe të tjerë Shqiptarë prej tjera viseve të cilët, për me jetue nji jetë mâ të lirë, u bashkuen me ata të përparmshit, tue u sheshue ndër ato vênde malësore; e kështu mbas pak kohe u numrojshin nja njiqind vetë, të cilët jetojshin vëllaznisht në katund të rì, qi ata themeluen nën êmnin Suli, prej të cilit këta muerën êmnin.
Mbas disa vjetsh, tue u shtue njerzija e tue u themelue katunde tjera, Suli u bâ kryekatundi i të gjith atyne vêndeve të lira e qi ishte në zâ e i përmêndun ndër të gjitha ato krahina të Toskënís, si nji vênd i fortë e i pamarrshëm.
Âsht nji çudí e madhe tue mêndue, se si ata pak barij mujtën me u sheshue edhe me u forcue aty n'at vênd, ku vetëm shtasët e egra jetojshin, mjedis gjith atyne anmiqve aq të rrebtë e të mëdhaj; e kështu nji ditë ata me u bâ friga edhe mnera e të gjith atyne rretheve, sa me mërrîjtë me trimnìt e tyne me habitë botën, tue qitë burra trima aq të mëdhaj, qi bota nuk i pat qysh prej kohvet të motshme.
Si diftuem mâ nalt kur erdhën të parën herë ata Shqiptarë zunë vênd në Qafë. Mbas pak kohe, vëllazënt e tyne mysliman t'atyne rretheve, duket se filluen me i a u pasë smirë djelmvet të Gardhiqit për ato vênde të begatshme e ato bjeshkë të blera, qi ata zûn, prandej nisën me u keqë me ata e kështu filluen luftimet e ashpërta ndërmjet të tyne.
Suljotët luftuen nën prîsin e tyne Sulon, i cili ish i përmêndun gjithkah në zâ për trimnín e bujarín e tij. Djelmt e Gardhiqit, ase mâ mirë me thânë të Qafës, nuk u ligshtuen aspak, por si rrufeja i ràn anmikut ndër ato male edhe e thyen; aty n'at luftim mbet edhe Suloja.
Mbas gjaset, duket, se aty n'at vênd ku Suloja mbet u ngreh nji katund, i cili muer êmnin e tij, tue u bâ nji katund aq i fortë, sa me i a shkapërcye të gjith tjerve, e qi si për shumsí të njerzvet qi kishte, ashtu edhe për begatí, u bâ kryekatundi i të gjitha atyne katundeve.
Ky katund, i cili qe emnue Suli prej kapidanit të vet, qi mbet aty n'at vênd, u bâ ma vonë nji êmën i përgjithshëm për të gjith at parçní të vogël, tue shkëlqye me famë e me nder në të gjith botën. Prej t'ardhunit e Gardhiqasvet ndë Qafë e deri në themelimin e katundit Suli, nuk janë as pesë vjet ndërmjet.
Popullsija e Sulit u ndà me nji herë ashtu si populli i motshëm i Romës e i Greqís, ndër dý pjesë: Zotnìt, ata Suljotët e parë qi patën ardhë prej Gardhiqit, edhe vogjlija, ata Suljotë qi patën ardhë mâ mbrapa. Suljotët e parë qi ishin themeluesat e vêndit, ishin parija e Sulit, kurse ata qi erdhën mâ vonë qenë të thirrun Mbas-Suljotë.
Në pak kohë Suljotët u bânë zotnit e katër katundeve: Suli, Samoniva, Qafa e Aariku, të cilët qenë të quejtun me nji êmën të përgjithshëm.
Këto katër katunde ishin si me thânë të mbërthyem ndër ata shkâmbij të naltë, e shum e vishtirë ishte me i marrë, sepse vetëm nji grykë e ngushtë mjedis atyne maleve të nalta ishte e vetmja udhë qi mundej anmiku me hŷ mbrêndë.
Kjo udhë, e cila prej Pargës (tri orë larg) çonte për në Sul, kalonte nëpër disa llogore shkâmbijsh e currash, tue gjarpnue mjedis të pyjevet të shpeshta. Kohë mbas kohe u ngrehën mbi kët udhë të vishtirshme kështjella e kulla, për me mujtë e me i bâ ballë mâ mirë anmikut.
Përpara kullës së parë ishte katundi i Qafës; nja dy orë larg, malit përpjetë, ishte katundi i Sulit e mandej vishin njêni mbas tjetrit katundet e tjera Samoniva e Aariku, të gjitha këto mbi qafë të nji mali thik, maja e të cilit i kalon të gjitha majat e atyne maleve.
Këto katër katunde ishin të popullueme prej atyne Suljotve të parë qi patën ardhë në fillim (prej zotnivet, ase prej parìs), e gjithsejt numroheshin 5000 vetë, ndër të cilët vetëm kryevêndi Suli kishte gadi gjymsën (2500 vetë).
Suljotët e dytë ase Mbas-Suljotët jetojshin ndër shtatë katunde, të cilat së bashku thirreshin nën êmnin Shtatë Fshatra edhe hapeshin mbi nji fushë shum të begatshme.
Këta Suljotë të cilët, me kohë nisën edhe u shtuen, rrojshin mbi nji fushë shum të frytshme, nja pêsë orë larg rreth malit të Sulit, ndër 60 katunde, të cilat së bashku bâjshin 7500 vetë. Kështu Suljotët bâjshin së bashku nji popullsí 12500 vetësh.
Marrw nga revista "Agimi"
http://www.shekulli.com.al/2009/06/0...im-te-vet.html
Kete pjese e solla vetem per materialet qe permban dhe jo per te bere ndonje prapagande politike.