Reshat AVDIU,
i burgosur politik, njëherit edhe kryetar i
“Shoqatës së Muhaxhirëve të Preshevës”
KRYENGRITJET E SHQIPTARËVE NË PASHALLËKUN E VRAJËS-“BOZGUN” (1842-1844)
Kjo kishte shkaktuar indinjatë të thellë tek masat e gjëra të vegjëlisë shqiptare në kazanë e Preshevës dhe më gjerë. Mu për këtë arsye nipi i tij, djali i vëllait i Sali Shehut, Ymer Aga edhe ky nga Presheva, u bashkohet organizatorëve kryengritës siç ishin: Sahit Tolës dhe Selman Rogaçicës të cilët po përgatiteshin ta sulmonin Vrajën në çastin më të volitshëm të mundshëm me ndihmën dhe përkrahjen e kryengritësve nga “Ilirida” me në krye prijatarin Dervish Carën e Tetovës dhe trimat e tij.
Prej të gjithave që u thanë më lart, shihet qartë se popullata e këtyre vendeve në Shqipërinë e Vjetër Verilindore, “gjithmonë ka qenë gati me iu bashkua çdo lëvizje që ka qenë e drejtuar kundër sunduesve të tyre, e sidomos kundër shfrytëzuesit të pa ngopur siç ishte Hysen Pashai i Vrajës.” Kundër Hysen Vrajës dhe padrejtësive të tij, populli shpesh herë ankohej gjer në Stamboll tek sulltani, ankesat ndaj tij, ishin aq serioze dhe të argumentuara saqë ai vetë personalisht detyrohej të shkonte në Stamboll për t’u mbrojtur nga akuzat popullore. Dhe se të gjitha të bëmat e tij Pashai i Vrajës i mbulonte dhe i korruptonte me lira të kuqe turke dhe ryshfete tjera joshëse. Përveçse, shqiptarëve që ankoheshin në Stamboll për veprat e këqija të Hysen Pashait, ankoheshin edhe serbët karpatjan nga Vraja dhe rrethina e saj. Pas kthimit të një delegacioni apo deputacini të serbëve nga Stambolli për t’i përvetësuar ata, Hysen Pashai i Vrajës, i fton në zijafet të 35 vetat nga ai grup i të deleguarve. Dhe ua lejoi serbëve që ta ndërtonin kishën e tyre të re ortodokse dhe se ndërtimin e kësaj kishe, Hysen Pashai i Vrajës e kishte ndihmuar me 100.000 grosh dhe me material tjetër ndërtimor, si me tulla, tjegulla, gëlqere dhe hekur etj. Qarqet fanatike myslimane nga Vraja e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, ia zunë për të madhe këtë gjest qyqar të pashait të tyre dhe filluan t’i simpatizonin dhe t’u bashkoheshin edhe më tepër lëvizjes kryengritëse shqiptare në këtë anë të Shqipërisë së Vjetër Verilindore të Shën Konstandinit të Madh nga Naissusi.
Duke e refuzuar pagesën e taksave të larte, që i aplikonte reforma turke e Tanzimatit të Hatisherifit të Gjylhanes (1839), shqiptarët e Vrajës me rrethinën e saj, shpeshherë çoheshin në këmbë në formacione të vogla por Hysen Pashai i Vrajës i zinte organizatorët e këtyre togjeve të rebeluar dhe i varte ata. Tërë vitet duke filluar prej 1841 e gjer më 1844, ishin të vrullshme dhe jo të qeta për Pashallëkun e Vrajës të Hysen Pashait. “Disa historian dhe publicist të asaj kohe, këto kryengritje shqiptare i bëjnë të viteve 1842 dhe 1843, kurse disa tjerë të viteve 1841. Mirëpo, sipas burimeve të reja që u zbuluan konstatohet se këto me siguri janë zhvilluar në prill të vitit 1844.”
Para kryengritjeve në Pashallëkun e Vrajës, gjatë viteve 1841-1843, Kazanë e Preshevës, Kumanovës, Bujanocit dhe atë të Gjilanit, e kishin përfshirë kryengritjet e vrullshme kundër reformave të Tanzimatit të Hatisherifit të Gjylhanes (1839), këto kryengritje, ishin të drejtuara nën udhëheqjen e prijatarit Bajram Vaksincës, nga Kazaja e Kumanovës.
Sipas, shënimeve të Jovan Haxhi-Vasileviqit, Fejzë Tola (Sahit Tola i Gjati) nga Tërnoci, Ymer Presheva, Selman Rogaçica- Maloku, Selim Marku dhe Sheh Hysen-Presheva, i tubuan shqiptarët e Moravicës të Kazasë së Preshevës dhe ata të Karadakut të Gjilanit dhe me 16 gusht të vitit 1844 e sulmuan Vrajën. Kësaj radhe kryengritësit ishin të organizuar shumë mirë. Për këtë sulm të shqiptarëve Hysen Pashai i Vrajës kishte qenë në dijeni dhe se qysh më parë për t’u mbrojtur nga kryengritësit e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, kishte sjellë ushtar mercenar toskë nga ana e Çamerise, kryesisht nga Vilajeti i Janinës. Dhe se ushtrisë mercenare e cila kishte ardhur nga Janina, u printe Rushit Beu, ai do të përleshej, me kryengritësit shqiptarë te vreshtat e Bonoshevcës afër Vrajës. Kurse sipas shënimeve të Dr. A. Matkovskit, nga mesi i janarit i vitit 1844, rreth 3000-4000 kryengritës shqiptarë me në krye prijatarët: Dervish Carën e Tetovës, Selim Markun e Dibrës dhe Sulejman Tolën e Tërnocës, e kishin apeluar Hysen Pashain e Vrajës, që në afat prej 11 ditësh të largohej nga qyteti, se përndryshe luftëtarët shqiptarë, do të hynin dhunshëm në Vrajë dhe do ta shkatërronin atë. Meqenëse, edhe pas këtij kërcënimi Hysen Pashai vazhdonte edhe më tutje të mbetej në Vrajë, duke u bërë rezistencë kryengritësve-atëherë luftëtarët shqiptarë vendosën që në momentin më të volitshme për ata vetë, që ta sulmonin Vrajën, e Shqipërisë së Vjetër Verilindore.
Një mbrëmje shkurti më 1844, Hysen Pashai i Vrajës, e kishte dërguar një aradhe mercenarësh të ardhur nga Toskëria, që t’i sulmonte kryengritësit shqiptarë të cilët, ishin pozicionuar rreth e përqark Vrajës. Në luftimet e sipërme, që u zhvilluan, atë natë u vra Selim Marku, pas vrasjes së tij, në bazë të urdhrit të Dervish Carës, komandën e ekspeditës shqiptare për marrjen dhe pushtimin e Vrajës, ishte emërtuar si prijatar Sulejman Tola (Sahit Tola i Gjati) nga Tërnoci, ai përshkruhej të ishte burrë i gjatë dhe sypatrembur.
Dita, ditës nizamët, e Hysen Pashait nga Vraja, kalonin në anën e kryengritësve dhe në këtë mënyrë lëvizja shqiptare masivizohej gjithnjë e më tepër, me kryengritës të rijë shqiptarë të ardhur, edhe nga trojet etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore si nga: Nishi, Kurshumlia, Prokupja, Dobrovojska, Leskoci, Vraja, Bujanoci, Presheva, Kumanova, Gjilani, Shkupi, Tetova, Dibra dhe Gostivari, një ditë e kishin arritur shifrën, prej 15.000 nizamëve shqiptarë. Me në krye prijatarët; Sahit Tolën, Selman Rogaçicën dhe Ymer Preshevën, kryengritësit shqiptarë atëbotë, ishin nisur nga fshati Tërnoc afër Bujanocit dhe i sulmojnë ushtarët mercenarë të Hysen Pashait të Vrajës. Me malima dhe havana, rrihej atëbotë Vraja, nga çdo cep dhe bregore e saj e afërt, ndërsa të 15.000 mazapët (ushtarët) shqiptarë te Zoti i Madhërishëm, gjithmonë ispat e bënin trimërinë e tyre. Mes 3 dhe 6 prillit 1844, kryengritësit shqiptarë, hynë triumfalisht në qytet dhe e pushtojnë Vrajën. Për marrjen e Vrajës nga ana e luftëtarëve shqiptarë kështu shprehen disa burime arkivale serbe AS, MID; “në prill të atij viti (1844-vër. R. A), 15.000 shqiptarë “gjeg” (gegë) nga vendet; Dobrovoj, Leskoc, Vrajë, Kumanovë, Gjilan, Shkup, Tetovë, Gostivar bënë aktin e dhunshëm të rrëzimit të Hysen Pashait të Vrajës. Sipas po të këtyre burimeve arkivale, kryengritësit shqiptarë ishin bërë zotë të situatës në vendet e lartpërmendura për arsye të masivitetit të kryengritjes, atyre askush nuk kishte çka tu bënte, pa ardhur ushtria e rregullt perandorake, pra sipas të njëjtave burimeve arkivale të zëna ngoje, kryengritësit paraqitnin forcë të madhe rezistence.”[1]
Hysen Pashai i Vrajës i plagosur u mënjanua nga kryengritja nëpër fshatrat e Pçinjës, ku do të shkonte në Qypërli, prej nga shkruante mauzar pas mauzari (porosi pas porosie), duke lutur dhe vajtuar për ndihmë nga Stambolli. Edhe këngëtori i eposit popullor i “Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, në vargjet dhe ritmin e gradacionit epiko-liriko-legjendar e kishte derdhur tërë artin e tij shpirtëror prej artistit të krenarisë kombëtare. Duke e kënduar dhe lavdëruar, sakrificën sublime të prijatarëve të kësaj kryengritje të Vrajës, ai në gradacion trimërie këtë rast e ngritë dhe i këndon Dervish Carë-Tetovës dhe Ymer Sheh-Preshevës dhe të 15.000 nizamëve-redifëve shqiptarë, që luftonin me topa dhe mortaja nëpër llogoret e luftës plot gjak dhe me plotë kufoma të ushtarëve të vrarë nga dyja palët e hasëmuara shqiptare. Edhe bajraqet e luftës me stemën e huaj ishin rënduar nga gjaku shqiptar, ishin përzhitur dhe djegur nga flakët e luftës vëlla-vrasëse dhe nuk nguleshin dot mbi tokën e zhuritur, ndër llogoret e Luftës së Vrajës të Shqipërisë së Vjetër Verilindore. Aty nuk dihej se kush këndë po e vret dhe po ia merr shpirtin dhe kokën si trofe lufte, se kështu i kishin mësuar të huajt invador dhe besimet e tyre fetare. Porse, një gjë dihej dhe ishte e sigurt, se nga të dyja anët, derdhej rrëke gjaku i pastër shqiptarë, për interesat e të mëdhenjve.
Shehë Ymeri ia qet tymin,
O ju vëllezër vrajali,
Edhe k’tu i thojnë Shqypni
Kjo Tetovë fjalë ka çue.
T’i Preshevë n’kambë m’u çue!
Hysen Pashën me rrethue,
T’gjallë prej Vraje mos me lishue.
Ushtarët e Ymer Pashë-Llatasit, njëherë e kishin rrethuar fshatin dhe tek më vonë, ishin futur në të, ku do t’i arrestonin 93 burra më të njohur, ndërsa historiani serb nga Vraja, Dr. J. Haxhi-Vasileviqi, do të shënonte mes tjerash për këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së lavdishme të shqiptarëve në këtë pjesë të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, kështu: “Për dy ditë dhe dy net rresht ushtrisë si tij, Omer Pashai i kishte dhënë autorizim të bënin çfarë të donin në Tërnocë, ata nuk i kishin kursyer as edhe fëmijët e gjinisë femërore. Së bashku me 93 tërnocas për në Stamboll duarlidhur për në internim ishin dërguar edhe 200 kryengritës tjerë.”[2]
Pas shuarjes së kryengritjes shqiptare në Pashallëkun e Vrajës-Bozgun, padishahu turk i fton të arrestuarit gjegjësisht prijatarët e lëvizjes Bozgun të Vrajës në “Ak Sarajet” e tija në Stamboll si: Selman Rogaçicën Sahit Tolën nga Tërnoca dhe Ymer Shehë-Preshevën. Kinse për bisedime për përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve nëpër trojet e tyre etnike në Shqipërinë e Vjetër Verilindore dhe atë duke e përfshirë periudhën që nga reformat e Tanzimatit të Hatisherifit të Gjylhanes të 1839 dhe gjer më 1844, kur edhe ishte shuar lëvizjet e vrullshme shqiptare në Pashallëkun e Vrajës.
Dinaku dhe gjakpirësi Hysen Pashai i Vrajës, edhe këtë herë nuk kishte ngurruar si zakonisht të derdhte si edhe herëve tjera florinj të pakursyer, për t’ia arritur qëllimit të tij djallëzore sa herë që i vinte puna pisk nga kundërshtarët e tij në Pashallëkun e Vrajës. Ai këtë gjithmonë e bënte për ti eliminuar dhe asgjësuar krerët e rebeluar të lëvizjes shqiptare. Edhe padishahu i Portës së Lartë të Stambollit, këtë herë e kishte luajtur mjaft mirë lojën e tij të ndytë dhe dinake. Ai i kishte dërguar emisarët e tij për t’i marr nga internimi krerët e lëvizjes kaçake shqiptare “Bozgun” të Vrajës,për në sarajet e tij të bardha atje në Stamboll kinse për“bisedime”. Por, sipas emisarëve (sejmenëve) të padishahut, jepej të kuptohej dhe supozohej se sulltani ndaj tyre, nuk kishte asgjë të keqe, me të gjitha ato se çfarë kishte ndodhur me ta, në atë pjesë të Rumelisë turke. Para, se t’i fillonin “bisedimet” padishahu i Portës së Lartë, të gjithë pjesëmarrësve shqiptarë të atij mexhlisi ua kishte përgatitur nga një kafe me farmak (helm). Selman Rogaçica-Maloku, i pari e kishte hetuar tradhtinë e padishahut nga Stambolli, ndaj tij dhe shokëve të tjerë kryengritës. Se çdo njëri nga ata, posa e provonte ta pinte vetëm se një gllënjkë (hurbë) të vetme nga kafeja e helmuar, binte i vdekur për tokë si pula pa krye, siç thotë popullata jonë në këtë pjesë të Shqipërisë së Vjetër Verilindore në Preshevë e Bujanoc. Selman Rogaçica-Maloku kishte qenë kraharor gjerë me plot leshra, e zbërthen jakën e këmishës dhe kur nuk e vëren në një moment sulltani turk, duke e çuar filxhanin me farmak nga goja e derdhë mbi kraharorin e tij, prej leshatakut. Siç kishte treguar ai vet në popull, pas asaj ngjarje të kobshme, unë vërtet pak u dogja, nga kafeja e nxehtë, ama shpëtova nga vdekja e sigurt.
Lëvizjet kaçake të shqiptarëve në këto anë të Shqipërisë etnike, kura-kurës nuk pushuan për një shtet dhe independencë nga invaduesit e shumtë të huaj të ardhur në këtë tokë dhe nën qiell të Arbrit, atje prapa Karpateve dhe Uraleve të Rusisë në fillim dhe tek më vonë nga invadorët mongol të Azisë. Shpirti i Arbrit, kura-kurës nuk do të vdesë së luftuari, për një Shqipëri as të vogël dhe as të madhe, për atë Shqipëri të përpjekjeve dhe të ëndrrave të patriotëve shqiptarë. Që kufijtë e saj të jen të para Traktatit të Shën Stefanit të 3 marsit 1878 dhe të Kongresit të Berlinit të 13 korrikut 1878. Herët a vonë, deshën apo nuk deshën të tjerët Shqipëria, do të bëhet Shqipëri dhe se stërnipërit dhe stërmbesat e Gjergj Kastriotit, prapë do të bëhen zot i territoreve të tyre të okupuara, padrejtësisht të Shqipërisë së Vjetër Verilindore në Arnaullëkun e Nishit. Ku edhe Shtatorja e kryetrim tonë të madh Skënderbeut, tek atëherë do ta gjejë vendin e tij të merituar aty mbi kalanë Faranore të Nishit të mbretit të Ilirisë-Bind të Naissusit. Nuk ishte edhe rastësi e zakonshme, që Gjergj Kastrioti ynë, e kishte braktisur ushtrinë e Perandorisë Osmane, më 1443 dhe ishte kthyer përgjithmonë në Krujën tonë legjendare, mu nga Nishi. Në bazë të gojëdhënave popullore në këtë pjesë të Shqipërisë, flitet sot dhe kësaj dite se qytetit të Nishit, emri i paska mbetur prej se kur mbahet mend, prej kohës së Skënderbeut, se ai i paska rreshtuar asqerët e tij shqiptarë, para se të nisej për në Krujë dhe i paska komanduar shqip; nish-dysh-nish.
Vazhdon ..