"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460

Fashistë dhe nazistë

Këtu mund të flisni mbi historinë tonë duke sjellë fakte historike për ndriçimin e asaj pjese të historisë mbi të cilen ka rënë harresa e kohës dhe e njerëzve.

Moderators: Arbëri, Strokulli

Post Reply
Phoenix
Supreme Member
Supreme Member
Posts: 476
Joined: Thu Sep 24, 2009 3:12 am
Gender: Male

Fashistë dhe nazistë

#1

Post by Phoenix » Sat Nov 29, 2014 2:30 am

[quoteemAurel Plasari]“VENDIMET” QË E FTUAN PUSHTIMIN DHE FASHISTIZIMIN E SHQIPËRISË


“VENDIM I:

Na të nënshkruemit.
Tue besue se përfaqësojmë vullnetin e shumicës së madhe të popullit shqiptar, e tue e quejtun veten përgjegjës moralisht për fatin e tij;
Të deciduem mos me kursye asnji mundim e fli për t’a shpëtue nga rreziqet qi i kërcnohen jetës së tij politike, ekonomike, shoqnore e morale dhe nga të zezat qi e kanë plakosun;
Të bindum se rânja e burimi i gjithë këtyne rreziqeve e të zezave âsht regjimi i ferrit, i mjerimit, i turpit e i tadhtís qi ka ngrehun ka mâ se 14 vjet Ahmet Zogu;
Të bindun gjithashtu nga provat e këtyre 15 vjetve të fundit, si dhe nga situata ndërkombëtare qi kemi sod para sysh e nga pozita gjeografike e vendit t’onë, se vetëm tue u pështetun në përkrahjen e Qeverís Fashiste mund t’a shpëtojmë na popullin t’onë nga nji regjim qi âsht burimi dhe mbetet gjithnji shkaku i të gjitha të zezavet; se vetëm me ndihmën e Italís, qi âsht e vetmja Fuqi e Madhe drejt për së drejti e interesueme në Shqipní, mund të sigurohet të mbëkambunit ekonomik dhe përparimi qytenuer i vendit t’onë; se vetëm një miqsí e ngushtë e leale me Italín Fashiste mund t’i favorizojë aspiratat t’ona kombëtare simbas formës se re të Konferencës së Mynikut e të politikës së Boshtit Romë-Berlin; se vetëm tue ndjekun rrymën e ksaj politike nëpër nji miqsi të ngushtë e leale me Italín do të mundet kombi i ynë i vogël, qi s’ka ndonji pështetje tjetër të vërtetë e të fortë, t’a ruej pavarsín e vet dhe tansín toksore;
Vendosim qi të kërkojmë nji princ nga gjaku i Savojës për mbret të Shqiptarvet e themelues të dinastís s’ardhshme për monarkín t’onë.
Nënshkruem:
M. Kruja – Q. Koculi – A. Klissura”.

* * *

“VENDIM II:
Tue marrë para sysh nevojën e domosdoshme të popullit shqiptar për nji qeverrí të fortë e të drejtë, të drejtë ndaj popullin mbarë si edhe ndaj elementat qi e përbajnë e ndaj individit pa asnji privilegjë elementash e klasash;
Tue pasun gjithashtu para sysh provat e shkueme të vendi t’onë ndën regjimet e ndryshme e shëmbullat e sa popujve të tjerë rreth e rrotull nesh dhe mâ larg;
Vëndosim themelimin e nji regjimi autoritar të pështetun në nji parti të vetme kombtare-popullore, e cila të përmbledhë në gjinin e vet të gjithë Shqiptarët e ndershëm qi pranojnë këtë systemë qeverrije.
Nënshkruem:
M. Kruja – Q. Koculi – A. Klissura”.
Nga: Mustafa Kruja, 12 Prill – rreth kësaj date, në: Roja kombëtare, e martë 13 prill 1943-XXI.


Image
Image
Image
Burimi: https://www.facebook.com/aurel.plasari.12?fref=ts[/quoteem]

[quoteemAurel Plasari]KUR ISHIM FASHISTË, REVOLUCIONARË DHE ANTIHEBREJ


Tre “artikuj” (nene) nga Statuti i Partisë Kombëtare Fashiste Shqiptare, Tiranë 26.6.942 :
ART. I
Partija Kombëtare Fashiste Shqiptare është një milici civile në shërbim të Shtetit Fashist, në urdhërat e DUCE-s i cili jep drejtimet.
ART. II
Partija Kombëtare Fashiste Shqiptare është e vetmja Parti në Shqipëri.
ART. VII
Nuk mund të shkruhen në P.K.F.Sh. nënshtetasit shqiptarë me që janë prej race hebraike.
ART. VIII
Fashisti në kohën e pranimit në P.K.F.Sh. betohet në duart e Sekretarit Politik të Fashit dhe nënshkruen formulën. Formula është kjo:
“BETOHEM TË KRYEJ URDHËNAT E DUCE-s, KRIJUES I PERANDORISË, DHE T’I SHËRBEJ ME GJITHË FUQITË E MIJA DHE, NË KJOFT NEVOJA, ME GJAKUN TIM ÇËSHTJES S’ATDHEUT DHE REVOLUCIONIT FASHIST”.
* * *
Kam zgjedhur këto nene për të vënë re dy fakte shumë të rënda:
1) Anëtarët e kësaj partie “kombëtare” i betoheshin DUCE-s, pra Mussolinit, Kryeministrit të Italisë fashiste, dhe
2) Përjashtoheshin nga jeta publike hebrenjtë duke qenë se anëtarësia në PKFSh ishte kusht për çfarëdolloj nëpunësie.
E interpretojnë po kështu edhe vetë italianët:
“Il PFA perseguiva la formazione politica degli albanesi; l’espulsione dal Partito, come la non iscrizione, determinava la messa al bando dalla vita pubblica. Altri provvedimenti delineano un quadro persecutorio nei confronti della comunità israelitica come, per esempio, l’art. 7 dello statuto del PFA dove si vietava l’ammissione al partito per gli «appartenenti a razza ebraica» che venivano così esclusi dalla partecipazione alla vita pubblica, per la quale era infatti indispensabile, in base agli artt. 42 e 45 dello stesso statuto, l’iscrizione al Partito”.
Pra ishin hapat e parë për implementimin e “Ligjeve raciale” edhe në Shqipëri.
© Aurel Plasari

Image
Image[/quoteem]

[quoteemAurel Plasari]KUR SHQIPËRIA U SHPALLTE LUFTË “DEMOKRACIVE PLUTOKRATIKE DHE REAKSIONARE TË PERËNDIMIT” ! PËR TË MOS HARRUAR...


Italia fashiste u shpalli luftë Britanisë së madhe dhe Francës më 10 qershor 1940, po 10 qershori është edhe data që mban Dekreti mbretëror Nr. 194, i cili në Nenin 1 njoftonte: “Mbretnia e Shqipnís njihet e hyeme në luftë me ato shtete me të cilët Mbretnia e Italís ka me qenë në luftë” (Fletorja zyrtare, nr. 93, datë 10.06.1940). Duke llogaritur “bashkimin personal” të Shqipërisë me Italinë fashiste dhe ofrimin e kurorës së Shqipërisë “Madhërisë së Tij Viktori Emanuel III Mbret i Italisë dhe Perandor i Etiopisë për Madhërinë e Tij dhe për Pasuesit e Tij”, nëpërmjet vendimit e së ashtuquajturës Asamble Kushtetuese Shqiptare të 12 prillit 1939, Shqipëria përfshihej ipso facto në luftë me “demokracitë plutokratikun dhe reaksionare të Perëndimit”, në këtë rast Britaninë e Madhe dhe Francën, prej vetë Dekreti Nr. 194.
Mirëpo regjimi kuisling i Tiranës nuk u mjaftua me një situatë iso facto. Më 15 qershor mblidhej në Tiranë “Këshilli i Epërm Fashist Korporativ”, sikurse quhej Parlamenti i Shqipërisë nën fashizëm, dhe e ratifikonte Dekretin e mësipërm duke e shndërruar atë në Ligjin shqiptar të datës 14 korrik 1940.
Faqja e parë e gazetës “ToMori” (M-ja e madhe në titull shenjon Mussolinin) e shoqëronte lajmin me fjalimet përkatëse të Këshillit: votimi kishte rezultuar “i njëzëshëm”, ndërsa mbledhja ishte zhvilluar me “nji ton enthusiazmi të nxehtë që kulminoi me nji shfaqje të flakët bese”. Në sallën e mbledhjes - ajo që sot shërben si “teatër kukullash” - spikasnin me praninë e tyre: Senatori M.M.-K, Ambasadori D., Ministri i Shtetit A., Komandanti i Aeronautikës, Komandanti Epror i Karabinierëve, Komandanti Ushtarak Detar, Komandanti i Mbrojtjes Tokësore, Kryeministri me Ministrin Sekretar të Partisë Fashiste Shqiptare dhe Ministrat e tjerë, Sekretari i Përgjithshëm i Mëkëmbësisë dhe Inspektor i Partisë Nacional-Fashiste pranë Partisë Fashiste Shqiptare, Këshilltari A. L. Federal i Elbasanit (për këtë shënohet që është ndër vullnetarët e parë në Milicinë Fashiste Shqiptare), Federali i Korçës G. D. etj. “të veshur me divizën e lavdishme të Milicisë Fashiste”. Një krah të lozhave e kishte zënë Kryekonsulli i Gjermanisë me “nji grup të dendun pjesëtarësh të kolektivitetit gjerman banues në Shqipní, që ishin të mveshun me uniforma të Këmishave të Murrme të Nacional-Socializmit”.
Argumentet e dhëna në fjalimet për të përligjur luftën kundër Britanisë së Madhe tingëllojnë sot të ngjashme me tezat që u rrek t’u impononte shqiptarëve libri “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. T.T.: “Anglia na mbajti këtu oficjerë me rroga fantastike, qi i paguente ky popull i shkretë, gjoja për me na organizue gjindarmërín, por ata bajshin vetëm spiuní, kontrabandë dhe intriga...”. Këshilltari N.B. gjithë patetikë: “Prej kasollës ma të lanun të malësinavet t’ona e deri ke pallatet ministerjale, prej fëmisë qi fillon të marrë mend e shise e deri ke plaku i thimë, prej të vorfnit a pasanikut, prej analfabetit e intelektualit, prej bujkut a pronarit, populli shqiptar i lidhun tok, po e ndinë çastin historik e për te asht gati për çdo therori! Nën Kunorën e Savojës e mbas urdhënavet të Duçes, gati, përpara e ngadhnim!”. Tjetri Këshilltar Q.N. nuk mbetej mbrapa për nga patetika: “Dita 10 Qershuer asht pra për Kombin shqiptar nji ditë historike e shënueme me shumë randësi, siç asht me randësi shumë të madhe për historín e Këshillit t’Epërm Fashist Korporativ Shqiptar dita e sotshme, në të cilën kthejmë në ligjë dekretin Mbretënuer me të cilin na konfirmojmë qenjen në luftë t’adheut t’onë bashkë me Italín Imperjale të Duçes dhe krah për krah me Gjermanin e madh Hitlerin”. Mjerisht as një intelektual i prerjes europiane, si V.K., nuk do ta përmbante servilizmin në fjalimin e tij të mbushur me historizma: “Kështu vdes Roma, vdesim dhe ne. Ngjallet Roma, ngjallemi dhe ne. Përparon Roma, përparojmë dhe ne. Ngjitet lart Roma, ngjitemi lart dhe ne. Për historinë shqiptare 7 Prilli është një datë vëndimtare: një datë në të cilën edhe Shqipëria nis të ngjitet prapë lart, bashkë me Romën e Re, me Romën e Mussolinit, për në fate të ra të lavdishme të ndritura”.
Mbledhje të tilla do të përsëriteshin me hyrjen në Luftë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mandej me rastin e agresionit nazist kundër Bashkimit Sovjetik.
Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm (14 shator 1943 - 4 nëntor 1943), i formuar nën pushtimin e ri ushtarak të Reich-ut të Tretë, duke shpallur “pavarësinë e Shqipërisë” njoftoi edhe tërheqjen e këtyre shpalljeve të luftës. Por kjo tërheqje juridikisht e pati vlerën nul, sepse ishte fjala për një kinse-“pavarësi relative”, të cilën në nivel ndërkombëtar nuk e njohu askush, as edhe aleatët e vetë Boshtit nazi-fashist: as Hungaria, as Kroacia e Pavelićit, as Rumania a gjeneralit Antonescu, as Bullgaria, as “Republika Sociale” e Mussolinit etj. Edhe vetë Gjermania naziste “e njohu” shumë vonë, qershor ose korrik 1944, pra kur Luftës i dihej fundi dhe nuk kishte më kurrfarë vlere një njohje e tillë unike. Kongresi i Përmetit (24-28 maj 1944) u shpreh edhe ai se nuk i njihte këto “shpallje lufte” të qeverive kuislinge. Por në atë kohë as këtë kongres nuk e njohu askush ndërkombëtarisht.
Në dy vëllimet e dokumenteve të Konferencës së Njëzetenjë Kombeve (Paris 1945-1946) është befasuese të lexosh se me sa egërsi janë vërsulur disa shtete kundër Shqipërisë (Greqia e para) me synimin për ta përfshirë në listën e “vendeve agresore”, çfarë do ta kishte ndëshkuar me humbje territoresh dhe/ose dëmshpërblime. Shqipëria nuk u përfshi në atë listë duke qenë se në atë konferencë, sikurse tanimë dihet, nuk u thirr ndonjë qeveri kuislinge e Tiranës, por qeveria e dalë nga Lufta Nacional-Çlirimtare. E përkrahur nga Koalicioni Antifashist anglo-sovjeto-amerikan, ajo ia doli të ruante sovranitetin e shtetit shqiptar brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të vitit 1913, pa u ndëshkuar, siç u ndëshkuan vendet e tjera aleate të Boshtit nazi-fashist, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Finlanda etj., me dëmshpërblime po që po, por me humbje territoresh gjithashtu.
© Aurel Plasari

Image
Image[/quoteem]


[quoteemAurel Plasari]KUR ISHIM ME HITLER-in...



Lidhja e Dytë e Prizrenit nga “Shqipëria e pavarur” i kërkon armatim dhe pajisje ushtarake Heinrich Himmler-it, Reichsführer i Schutzstaffel (trupave SS):
Kryetari i Komitetit Qendror
Të Lidhjes së Dytë të Prizrenit
për mbrojtjen e Kosovës.
SS-FHA
Kabineti i Reichführer-it-SS
Drejtoria e Arkivave
Nr. 61/1
Prizren, më 29 mars 1944
Shkëlqesia juaj,
Komiteti qendror i Lidhjes së Dytë shqiptare të Prizrenit më ka kërkuar t’i parashtroj vëmendjes së lartë e dashamirësisë së Shkëlqesisë Suaj çështjet si vijojnë:
1. Militarizimi i Kosovës dhe i rajonit shqiptar të çliruar në proteksionin gjerman.
Komiteti qendror i Lidhjes së Dytë shqiptare ndjek me vëmendje këtë fazë plot pasiguri, në të cilën është kredhur problemi shqiptar në varësi të kushteve të sotme të luftës, dhe në marrëveshje të plotë me qeverinë dhe me popullin ka vendosur të kryejë militarizimin e Kosovës dhe të të gjitha viseve shqiptare që, falë heroizmit të ushtrisë gjermane, iu bashkëngjitën më 1941 Shqipërisë. Në këtë mënyrë, për sa u takon ballafaqimeve të ardhshme, liria aq e pritur e popullit shqiptar do të ishte siguruar përkrah Reich-ut gjerman.
Ka tri kushte fillestare që duhen përmbushur në mënyrë që militarizmi të mund të kryhet:
1. Armatim ushtarak modern, si edhe pajisje korrekte.
2. Bashkëngjitje e një numri oficerësh dhe nënoficerësh për të organizuar, stërvitur dhe komanduar trupat në disa njësi të kësaj ushtrie.
3. Ratifikim, për arsye strategjike, i kufijve aktualë me Malin e Zi dhe Serbinë.
As shteti shqiptar dhe as populli shqiptar nuk janë në gjendje, edhe duke përfshirë mjetet e mbledhura nga Lidhja, të përmbushin këto tri kushte fillestare. Shqipëria nuk ka kurrfarë industrie armatimi dhe shteti shqiptar është shumë i varfër që të mundë të përballojë shpenzime armatimi dhe pajisjeje.
Lidhja e Dytë e Prizrenit përshëndet planet për të formuar një divizion SS të përbërë nga populli shqiptar, parashikuar për prillin e këtij viti. Por ky formacion do të duhej të përmblidhte vetëm një pjesë fare të vogël të 120.000-150.000 burrave të Kosovës të aftë për të luftuar.
Për ç’i takon kufirit të përkohshëm me Malin e Zi dhe me Serbinë, që më 1941 u përcaktua nga Reich-u gjerman dhe nga Italia, ai e ka lënë Kosovën në një gjendje kritike jo thjesht nga pikëpamja ngushtësisht strategjike, por edhe nga një pikëpamje kombëtare dhe historike. Me kufijtë aktualë është shumë e vështirë të mbrosh Kosovën dhe Shqipërinë nga një sulm serbo-malazez, si gjatë konfliktit ashtu edhe në të ardhmen.
[...]
Shkëlqesia Juaj,
Komiteti qendror i Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit më ka kërkuar t’Ju drejtohem dhe t’Ju bëj me dije se vetëm Shkëlqesia Juaj është në gjendje, me ndihmën e Lidhjes II shqiptare, të lejojë formimin e kësaj ushtrie, që do të jetë e aftë nga çdo pikëpamje të sigurojë kufirin e Kosovës dhe të viseve të çliruara.
Me shpresën që do të marrim, si për Reich-un edhe për Shqipërinë, një përgjigje pozitive, Ju lutem të pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime të lartë.
Kryetari i Lidhjes II Shqiptare të Prizrenit
për mbrojtjen e Kosovës
Bedri Pejani
(Politisches Archiv des Auswärtigen Amtes, Handakten Staatsekretär Albanien, Bd. 1, H. Lammers-i i përcjell H. Himmler-it letrën e Kryetarit të Lidhjes II Shqiptare të Prizrenit, 1 maj 1944, Nr. 2924 D.).
* * *
Më realist i Dërguari i Posaçëm i Reich-ut Hermann Neubacher, që e quante kryetarin e Lidhjes në fjalë “njeri jo normal”:
Nga Treni i posaçëm Westfalia, 5 maj 1944
Telegram Nr. 864
Rezervat
I dërguari i Posaçëm për Juglindjen Konsullatës së Përgjithshme në Tiranë
Gjithashtu edhe për Fitzthum-in.
Bedri Pejani, në cilësinë e kryetarit të Lidhjes së Dytë Kombëtare të Prizrenit, i ka dërguar një shkresë të gjatë Führer-it, në të cilën mes të tjerash lut që t’i mundësohet armatosja e 150.000 vullnetarëve, me anë të të cilëve do të mundë malazezët dhe serbët. Atë shkresë unë e kam cilësuar si joserioze dhe kam tërhequr vërejtjen që Bedri Pejani nuk është njeri normal [...] Kujtoj që Bedri Pejani, me çmendurinë e tij, do të ishte në gjendje që t’u përgatiste serbëve një Natë të Kristaleve (Kristallnacht) ose, si një Skënderbe i dytë, me turmën e armatosur të kalonte kufirin. Bedri Pejanit mund t’i thuhet si përgjigje për letrën e tij që ai do të mund të kryente detyrën e vet po t’i jepte përkrahje në çdo mënyrë Reichsführer-it SS gjatë rekrutimit të vullnetarëve. Mendoj se në këtë mënyrë, nëpërmjet njerëzish të stërvitur mirë, ne do të mund të siguronim më së miri përdorimin e armëve gjermane. Ju lus që menjëherë të më informoni për rëndësinë dhe veprimtarinë aktuale të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Neubacher.
(Politisches Archiv des Auswärtigen Amtes, Handakten Staatsekretär Albanien, Bd. 1, Neubacher-i telegram i shifruar Konsullatës së Përgjithshme në Tiranë, 5.5.1944, Nr. 864.)
© A. Plasari[/quoteem]


[quoteemA. Plasari]POROSIA E FUNDIT POPUJVE TË BALLKANIT, 14 SHTATOR 1944

Gjen. Sir Maitland Wilson, Komandant Suprem i Forcave Aleate ne Mesdhe:
“Ushtritë e Kombeve të Bashkuem po përparojnë në të gjithë ballet e luftës. Gjermanët po smrapsen an’ e kand drejt kufive të tyne. Për së shpejti të gjithë kombet e Evropës, si edhe ata të Ballkanit, do të çlirohen.
Na ka ra në vesh se disa persona dhe organizata politike në Ballkan janë tue i ndihmue Gjermanve që të shpëtojnë. Gjithashtu këta persona dhe këto organizata janë tue pengue patriotët në kryemjen e detyrës së tyne ndaj Atdheut.
Këto veprime, pa dyshim, i shërbejnë drejt për së drejti anmikut Gjerman. Aleatët nuk do të kenë aspak mëshirë për këta persona dhe organizata politike që iu japin ndihmë Gjermanve. Kjo luftë për së shpejti ka me marrë fund dhe, ditën që ka me mbarue, ju sigurojmë se cilado qoftë kombësia e tyne, fajtorët kanë me marrë dënimin e meritueshëm.
Në qoftë se në Ballkan ndodhen persona ose organizata të cillët në të kaluemen kanë qenë informue keq, dhe gabimisht kanë punue në dam t’interesave Aleate, tash lypset të kthehen në rrugë të mbarë para e të jetë tepër vonë.
Dita për likuidimin e llogarive me Gjermanët dhe me ata që i ndihmojnë Gjermanve asht te pragu i derës.
Mbanie mend mirë këtë porosi t’onë të fundit.”
Nga: “Mundimi”, botim i Shtabit Aleat të Mesdheut,14 shtator 1944.

Image
Image[/quoteem]

[quoteemAurel Plasari]NJË DËSHMI E GJALLË PËR BETEJËN E TIRANËS

Aleksandër Xhuvani i shkruan Sotir Koleas:
“Tiranë, 30 / XII / 1944

I dashun z. Kolea,
Letrën t’ande të shkrueme më 13 gusht të këtij viti, si përgjigjje të disa pyetjeve që të kijshem bâ, e mora e të falem nderës. Që atëherë deri para nji jave e kemi çue këtu shumë keq, me brenga e me frikë e trishtime prej luftës që ja ndisshin partizanët tue u-futë natën në rrethet e qytetit e tue mësymë rojat gjermane e të gjindarmëvet të qeverisë. Kërciste mitralozi, bombat e topi me të shtimë tmerrin, herë-herë edhe ditën rrifeshin me top prej gjermanëvet rrethet e kodrat e qytetit e katundet për afër, ku qëndrojshin partizanët. Por që prej 30 të muejit që shkoi deri më 17 të këtij, kur u-lirue Tirana, për 19 ditë rresht kemi hekë të zezën e ullinit. Gjithë këto ditë kemi qenë nën tmerrin e luftës që bâhej brenda në qytet. Njerëzija zbrazshin shtëpijat n’ato vise ku vlonte pushka dhe ikshin me kalamâj e me plaçka ne krahë, ku të mundshin larg zonës së përleshjes e ku mund të gjejshin strehë, tue u-futë nëpër bodrume e tue u-grumbullue nëpër shtëpija, të forta kinse e të godituna me çimento, për të shpëtue nga rreziku i bombardimevet. Edhe unë e lashë shtëpinë ke Pazar i ri afër postës ku rrijshe e vojta ke im nip Lipja, larg e përtej rrugës Bamit. Prej gjymsës së kësaj rruge e teposhtë dhe anëvet, pazari, bulevard Zogu e Mussolini, ishin gjermanët, përpjetë kësaj rruge e anëvet, mali Dajtit e tërma, ishin në dorë të partizanëvet, që futeshin gjithënji më mbrenda tue luftue. Gjermanët prej visevet të tyne , prej kodravet të Fuat Beut, kishës Shën Prokopit s’pushojshin tue bombardue me mortaja këtë pjesën tjetër të qytetit e rrethet, ku kishin zanë vend partizanët. Prej këtij bombardimi u-prishën e u-dogjën sa e sa shtëpija e u-vranë shumë njerëz. Mortajat bijshin ku të mundshin e njerëzija rrijshin strukë nëpër bodrumet e shtëpijat me tmerr të madh. Unë nuk u-fsheha n’asnji bodrum gjatë kësaj kohe, po rrijshem në shtëpi të t’im nipi, që s’ishte aspak e fortë, dhe i tërhiqshe gjumë natën, kur krisshin bombardimet e kur njerëzija gdhinte pa gjumë. Ditën, kur nuk ndihej bombardim, dilte gjindja nëpër rrugat, por me të krisë topi ikshin e futeshin nëpër shtëpijat. Për ushqim kemi hekë keq.
Po në gjithë këtë kohë partizanët kanë luftue me trimni të madhe. Nuk ka luftue ndonji herë shqiptari, thomi, me kaqë heroizëm pa iu trembë syni asfare. I shifshim nëpër rrugat partizanët, mâ të shumtit djelm të rij e goca (për të parën herë pashë goca si ushtare) t’armatosun me mitraloza e me bomba, që shkojshin e zijshin vend për të luftue me buzë në gaz e pa të keq fare. Sidomos natën kërciste topi e mitralozi, se natën u-vërsuleshin partizanët gjermanëvet, që kishin zanë vend nëpër bulevardet, Tiranën e re e rrugavet. Kundrejt Bashkisë, aty ke shadërvani, gjermanët kishin ndërtue qysh me kohë nji fortesëz me mitraloza të randë që bombardonte bulevardin Zog e anëvet e s’lijshin partizanët me u-futë kollaj. Gjithashtu edhe ke Xhamija vjetër kishin ngrefë nji fortesëz që lante gjithë rrugën e 28 Nandorit. Veç këtyneve gjermanët kishin edhe nja katër tankse, që hidheshin nëpër rrugat tue shtimë. Këta t’anët kishin vetëm pushkë, mitraloza e bomba dore. Mbas disa ditësh sollën nja dy tre topa antitanksesh. Por punën e banë jo armët e tyne, por trimnija e tyne e pashoqe. Me fuqit’ e tyne (ishin nja 1500 e ca gjithsejt) e kishin rrethue gjithë Tiranën dhe tue luftue shkojshin gjithënji tue e ngushtue rrethin. U vërviteshin gjermanëve mu në pusijat dhe me bombat i shkulnin nga vendet. Ata që u-ndodhën atyne anëvet ku luftojshin partizanët (sikur u-ndodh në shtëpi të vet nga rruga e Elbasanit i ati i Leonidhë Dushës, pasticierit, e më tregonte pastaj) kallzojshin mrekulli për trimnin’ e partizanëvet që nuk u-bante bef syni, por u hidheshin gjermanëvet mu në pusí mbrenda, dihet edhe vriteshin e plagoseshin. Me ketë trimni ua muerën gjermanëvet topat nëpër kodrat e Fuat Beut dhe i shkulën nga viset e folet’ e tyne ku kishin zanë vend e luftojshin, si nga legatat amerikane, rumune e greke e nga Tirana e re. U vërviteshin tanksevet tue u hudhë bomba e shishe me benzinë e pastaj edhe me top antitanks. E kështu pak nga pak i nxuerën gjermanët nga pritat e tyne e i shtrënguen shumë sish të dorëzohen. Të mërkurën më 15 të këtij gjermanët të rrethuem e pa shpresë shpëtimi (se nji fuqi e madhe që u-nis nga Elbasani për t’u ardhë në ndihmë u-shpartallue rrugës prej partizanëvet e prej mitralimit t’aeroplanëvet e s’mundi me hy në Tiranë) i vunë zjarrin bulevardit Mussolini për të marrë shpagim e për të çelë rrugë që t’ikshin. Në këtë mes gjermanët kanë bâ mizori e barbarizma që nuk dëftohen me gojë. Dogjën nja 56 shtëpi gjatë atij bulevardi, me gjithë laçkë e plaçkë, e në disa shtëpi dogjën edhe njerëzit mbrenda. Hynin nëpër shtëpijat e bodrumet e vritshin gra, kalamaj e burra, ç’të shifshin. Hynë deri brenda në kishë katolike të Jesuitëvet, që âsht goditë e re para tri vjetësh, dhe vranë aty mbrenda 13 vetë, plagosën edhe priftin. Vranë Xhafer Krastën, të vëllan’ e Myrtaza Krastës, i dogjën shtëpinë me laçkë e plaçkë dhe e qitën fëminë në mes rrugëvet si pika. Doktor Hobdari, që e ka shtëpinë atej, u pagoi ushtarëve gjermanë që i hynë mbrenda 340 napolona ari, për të shpëtue tre djelmt e tij që dojshin me i therë përpara tij. E shumë të tjera mizori e gjaksi banë gjermanët. Më thoshte njani që i kishte numrue se gjermanët kishin vramë 303 vetë, që i kishte diktue ai, veç të tjerëvet që s’i dinte ai.
Por, veç këtij bulevardi, gjermanët plaçkitën e dogjën, gjatë atyne 19 ditëve e netëve të luftës, shumë dyqane në Pazar me gjithë mallin mbrenda. Gjithë pazari i vjetër u-dogj e u-plaçkit, gjithë tregtarët, me dyqane e me mall, të rrugës 28 Nandori, Gjinali, Begeja, etj. Bâhet hesap se dami i gjithë âsht nji miliard. Tirana u-damtue shumë. Xhamija e Sulejman Pashës u-dogj, aty ku ishte fortini i gjermanëvet. Xhamija tjetër ke sahati shpëtoi, vetëm minarja nalt u-damtue. Pazari i Tiranës duket i shkretë!
Të premten, më 17 të këtij, mbas nji sulmi të përgjithshëm që banë natën e s’ejtes, partizanët tue marrë fortesëzën e Bashkisë, gjermanët u-thyen fare dhe Tirana u-lirue. Kur duelëm në mëngjes, të premten, nëpër rrugët, pamë Tiranën sikur i kish ramë zjarri, gërmadha, të vinte vaja!
Gjatë ditëvet të luftimit, në zonën ku luftojshin partizanët, dilte në dy ditë nji herë nji buletin që kallëzonte luftën nëpër rrugat e shtëpijat. Mbas buletinit të fundit u-vranë gjithsejt 127 partizanë dhe u-plagosën 250, nga të cilët vdiqën disa. Por heroizmi e trimnija e djelmëvet të Shqipnisë ato ditë nuk dëftohet më gojë.
[...]
Ndër ballistë e zogistë që u-zunë e u-burgosën âsht edhe Mysineja [Kokalari]. Por kemi bâ hapat, dhe mbas amnestisë që shpalli qeverija, do ta lëshojnë së shpejti. Për Lefin [Nosi] nuk dihet se ku ka shkue. Iku bashkë me të tjerë të dielën, më 29 të muejit që shkoi, disa thonë për Shkodër, disa për Itali.
Të fala me mall
A. Xhuvani”.
Image
Image

Image
Image[/quoteem]

[quoteemAurel Plasari]NJË KONKLUZION PËR FITOREN

Reginald Hibbert:
“Partizanët luftuan me trimëri dhe efikasitet kundër gjermanëve më 1944. Kjo ishte ajo që kërkonin Aleatët në atë kohë. Këtë ndihmoi SOE që të arrihej në Shqipëri. Nga ana ushtarake kjo nuk ishte ndonjë gjë e madhe në perspektivën e Luftës në tërësi, por gjatë Luftës kishte vlerë edhe çdo gjë e vogël. Vendi i huaj që kontribuoi më shumë për komunistizimin e Shqipërisë nuk ka qenë Britania, por Gjermania. Kur makina luftarake shkatërrimtare gjermane u shkatërrua më në fund vetë, ishte komunizmi që mbeti prapa, i cili mori komandën mbi rrënimin e Shqipërisë. Ishte Hitleri dhe jo Winston Churchill-i, që e solli komunizmin në Europën Lindore, ishin krerët nacionalistë shqiptarë, që e flakën tej shansin e tyre për të luajtur një rol në Shqipërinë e mbasluftës me ngurrimin e tyre për të luajtur një rol në luftën kundër pushtuesit gjerman. Mund të diskutohet se ishte ca si shumë t’u kërkohej atyre që të rrezikonin duke shkatërruar strukturën e tyre sociale dhe vetveten me anë të kundërshtimit të vendosur kundër gjermanëve. Porse, në qoftë se ata nuk mund ta bënin veten që të merrnin përsipër këtë rrezik, edhe Britania në rrethanat e vitit 1944 nuk mund të parandalonte që ata t’i përlante dallga komuniste”.
Nga: Albania’s National Struggle. The bitter Victory, London & New York 1991.
Image
(Reginald Hibbert shërbeu në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore si oficer i Shërbimit të fshehët informativ britanik prej dhjetorit 1943. Mbas Luftës kreu detyra të rëndësishme diplomatike duke u pensionuar më 1982 si ambasador i Britanisë së Madhe në Francë.)[/quoteem]

Post Reply

Return to “Historia e Shqiperise”