Xherdan Shaqiri me origjinë nga Gjilani, i lindur në 1991, është shqiptari i Kosovës që i ka bërë më së shumti dëm imazhit të Shqipërisë, me plagët e rreme në gjoksin dhe qafën e tij që demonstroi në përfundim të ndeshjes së futbollit Zvicër-Shqipëri, që u luajt në Lucernë të Zvicrës në 11 shtator 2012. Që para se të niste ndeshja Zvicër-Shqipëri e luajtur në Lucernë, në 11 shtator 2012, u duk qartë se kamerat televizive zvicerane qenë të fokusuara për të gjetur detaje që do të vërtetonin dramën e paralajmëruar në media që ditë para ndeshjes, pra se ndaj lojtarëve zviceranë me kombësi shqiptare do të ushtrohej dhunë psikologjike nga ana e shikuesve shqiptarë në shkallët e stadiumit dhe nga ana e lojtarëve të Shqipërisë në fushë. Kështu që duket shumë e habitshme që kamerat televizive zvicerane nuk e fiksuan dhe nuk e shfaqën live momentin kur Shaqiri u mësy me thonj duke iu shkaktuar ajo çjerrje që duket si prej kthetrash dragoni. Ky veprim iu atribua lojtarit të Shqipërisë, Ansi Agolli, thjesht për faktin se ai pati disa duele me Shaqirin gjatë lojës, por nuk mundën të japin pamjet televizive për këtë. Në faqen zyrtare online të FIFA-s u shfaq një foto e një dueli mes Ansi Agollit dhe Shaqirit gjatë ndeshjes, por në këtë foto Agolli i kishte të dy duart pas shpinës së Shaqirit, të ulura poshtë. Në faqen zyrtare online të skuadrës nacionale zvicerane u shfaq një video prej 10 minutash mbi ndeshjen Zvicër-Shqipëri, me pamje televizive të zgjedhura, nga të gjitha këndet, por kurrgjë mbi momentin e çjerrjes së Shaqirit. Në faqen zyrtare online të Federatës së Futbollit të Zvicrës u dhanë foto dhe video mbi ndeshjen por asgjë që të tregonte momentin e çjerrjes së Shaqirit.
A mund të mendohet se kamerat televizive që mbulonin ndeshjen dhe mjediset e tjera të stadiumit, do ta kishin lënë që t’ u ikte momentin e çjerrjes së Shaqirit? Nëse Shaqiri do të ishte mësyrë në fushë, këtë gjë me siguri që do ta kishim parë live në të gjitha pozicionet e mundshme, falë kujdesit të atyre që bënin mbulimin televiziv të ndeshjes. Gjyqtari rumun i ndeshjes, nuk mund të mos e shikonte (ai vetë ose asistentët e tij) dorën që do t’ i kishte shkaktuar çjerrjet Shaqirit. Dhe gjyqtari rumun do të kishte larguar me karton të kuq një lojtar të Shqipërisë. Atëherë kur dhe si u lëndu Shaqiri, ashtu që befasisht na u shfaq në fund të ndeshjes me qafën dhe gjoksin e çjerrë, a thua se pati luftuar me dragonin e Lucernës? “Nuk ishte një mace apo diçka e ngjashme, por një futbollist”, tha Shaqiri pas ndeshjes, kur u pyet nga media zvicerane për plagët. Sigurisht se nuk ishte një mace. Nënkuptimi i fjalëve të tij ishte se çjerrjet dragoniane ia bënë lojtarët e Shqipërisë. Por megjithëse ndeshja u luajt në Zvicër, nën një mbulim të shumëfishtë televiziv, nga ana e zviceranëve, zviceranët dështuan që të paraqesin pamjet televizive të krimit. Për fatin tonë të mirë, them të ne shqiptarëve, dhe për fatin e keq tuajin dhe të atyre që qëndrojnë pas tij në këtë histori, ndeshja luhej në Zvicër dhe jo në Shqipëri. Ndryshe me siguri që media zvicerane tani do të na kishte akuzuar ne shqiptarët se fshehëm pamjet televizive të agresionit ndaj Shaqirit.
Merret vesh, çjerrjet në qafën dhe gjoksin e Shaqirit, qenë një spektakël që nuk mund të përjashtohej nga mbulimi televiziv live zviceran nëse do të qenë bërë vërtet nga dora e një lojtari të Shqipërisë. Fakti që nuk e pamë skenën e çjerrjes së Shaqirit gjatë ndeshjes, tregon se nuk ka qenë dora e një lojtari të Shqipërisë që e bëri atë. Atëherë kush e ka çjerrë Shaqirin? Dragoni i Lucernës? Them kështu se qyteti i Lucernës është i famshëm për dragonin që besohej se jetonte në Malin Pilatus përballë Lucernës, dhe që quhet ndryshe edhe Mali i Dragonit. Ky dragon mitologjik i Lucernës është personazh i njohur në të famshmin Fasnacht, karnavalin e përvitshëm të Lucernës, aq tërheqës për turistët. Xherdani vija-vija hyri në foklorin e Lucernës, dhe me siguri që do të jetë përsonazh i përjetshëm i Fasnacht.
Nëse Shaqiri do të ishte çjerrë në fushë, zviceranët e kujdesshëm nuk do t’ ju kishin lënë pa ia bërë trajtimin mjekësor spektakolar. Pasiqë të na i demonstronin nga shumë kënde në ekran sulmin ndaj Shaqirit zviceranët do t’ i lidhnin Shaqirit në qafë një gjerdan, apo xherdan nëse doni me fasha, si viktimat e vampirëve në filmat horror. Si na paska ndodhur kështu me Shaqirin e adhuruar nga zviceranët? Zvicerani Dick Marty, autor i raportit me trillime për shtëpinë e verdhë të UÇK në Mat të Shqipërisë bënte kinse habitej që në një fshat të Matit në Shqipëri gjente në fillim të shekullit XXI sende të thjeshta mjekimi, që gjenden rëndom në vendbanime të izoluara larg spitaleve. Për Dick Marty, një familje katundare shqiptare nuk mund të ketë as garza, as shiringa, për të bërë një gjilpërë të thjeshtë, nga dora e një infermieri shëtitës katundi. Nëse gjendet qoftë edhe një send i tillë, atëherë kjo është provë se shtëpia ku është gjetur, ka qenë klinikë klandestine për nxjerrje organesh njerëzore. Bukur, por si ndodhi që në mes të Lucernës, në Zvicër, Shaqiri, idhulli i Zvicrës, u la pa u mjekuar, në momentin që supozohet se u keqtrajtua nga një dorë që dukej se kishte qëllim që t’ ia shkulte organet nga trupi? Kur në stolin zviceran rrinin të gatshëm mjekë dhe infermierë? Merret vesh, Shaqiri nuk kishte nevojë për një mjek, për një doktor, se ai pati asistencën e një witch doctor, siç quheshin në Europën mesjetare ata mjekë që zbulonin dhe ndëshkonin shtrigat dhe shtriganët. Në këtë rast shtriga që gjuhej ishte Shqipëria, kombi shqiptar.
Shkurt, Shaqiri u bë aktor i një skenari gjuetie shtrigash, të vendosur brenda ndeshjes së futbollit, si “mise en abyme” (a story within a story), siç quhet në letërsi dhe kinematografi. Në letërsi quhet kështu një histori e cila gjendet brenda historisë kryesore të një libri, filmi.
Xherdan Shaqiri pranoi të përdoret në një skenar antishqiptar, krejt si Dick Marty. “Mjekët”, e specializuar në Fasnacht të Lucernës, sajuan çjerrjet e Shaqirit, të cilat ai i shfaqi para kamerave në momentin e përcaktuar sipas skenarit. Dhe Shaqiri me çjerrjet dragoniane në trup u bë lajm në median botërore. Televizionet e Beogradit, Moskës, Minskut (Bjellorusisë), Athinës, Erevanit (Armenisë) u kujdesën veçanërisht që t’ iu bëhet me dije shikuesve me fjalë kumti që Shaqiri dha me pamjen e tij. Nuk është ironi e vogël që ideatorët e kësaj historie nuk bënë gjë tjetër veçse ricikluan një histori të vjetër të propagandës antishqiptare serbe. Shaqiri, që ka lindur në 1991 nuk e di, por ndoshta e di babai i tij dhe ai mund t’ ia tregojë, se si në fund të viteve tetëdhjetë, në Serbi, me rastin e emetimit nga televizioni i Beogradit të filmit serial horror “A nightmare on Elm Street” nisi të qarkullonte një fletëpalosje antishqiptare. Ajo përmbante fotot kinse të dorës së një shqiptari që dhunonte serbët duke imituar personazhin kryesor të filmit, Freddy Krueger, i cili kishte një dorë metalike me kthetra të gjata që shkaktonin lëndime si ato që pamë në qafën dhe gjoksin e Shaqirit. Por ky “Krueger” shqiptar nuk u gjet kurrë dhe serbët e braktisën shpejt këtë ide se e kuptuan që dukej e pabesueshme. Tash na doli Xherdan Shaqiri nga Gjilani si viktimë e “Freddy Krueger” shqiptar, por për këtë ashtu si dhe në rastin serb nuk ka prova. Me këtë histori mund të bëhet edhe një film horror me titull “A nightmare on Swissporarena” (emri i stadiumit të Lucernës). Shaqiri mund të luajë rolin kryesor, vetveten.
FIFA dhe UEFA nuk kanë qenë të buta ndaj Shqipërisë dhe nëse do të kishte prova të çjerrjes së Shaqirit nga një lojtar i Shqipërisë, atëherë ky dhe Shqipëria do të qenë dënuar rëndë. Por FIFA heshti se bëhej fjalë për një ndeshje të televizionuar hollësisht dhe katërcipërisht, ku nuk doli asnjë provë televizive e dhunës ndaj Shaqirit. Ata të cilët përdorën Shaqirin donin që t’ i jepnin botës një kumt, domethënë se bota nuk duhet të habitet kur dëgjon se shqiptarët kanë bërë ato që thotë Dick Marty se ja çka i bënë Xherdan Shaqirit.
Të parët të duhet t’ i kërkonin shpjegim Shaqirit mbi çjerrjet që demonstroi para kamerave, duhet të qenë kolegët e tij shqiptarë të skuadrës zvicerane: Valon Behrami, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi. Ata heshtën, se e dinin të vërtetën. Me atë që bëri Shaqiri në momentet pas përfundimit të ndeshjes në Lucernë, tregoi se patën të drejtë tifozët shqiptarë në stadium, të cilët e shanë dhe e fyen atë dhe kolegët e tij gjatë krejt ndeshjes, si tradhtarë. Shaqiri është prova se nuk ka rrugë të mesme mes përkushtimit ndaj kombit dhe atdheut nga njëra anë dhe tradhtisë nga ana tjetër. Shaqiri na tregoi se në rastin e vendeve të vogla si Shqipëria dhe të kombeve të vegjël si kombi ynë, nuk mund të luash kundër vendit tënd nën flamurin e një vendi tjetër dhe të ruash dinjitetin si shqiptar, se tekefundit do të të kërkojnë dhe do të detyrojnë, në mënyra që i di Shaqiri, që ta poshtërosh atdheun dhe kombin tënd. Shaqiri zgjodhi joshqiptarinë dhe kjo e çoi kah antishqiptaria. E njëjta gjë vlen dhe për kolegët e tij, Valonin, Granitin, Blerimin, Admirin, të cilët e dinë të vërtetën e Shaqiritpor heshtën. Heshtja e tyre është heshtje prej tradhtarësh.
Xherdani horror vija-vija është një çelës për të zbuluar forcat që qëndrojnë pas skenarit horror të Dick Marty dhe pas librit detraktues ndaj Skënderbeut, të Oliver Jens Schmitt, të financuar nga qeveria zvicerane. Zvicra, shteti për flamurin e të cilit luajtën kundër Shqipërisë Shaqiri dhe kolegët e tij ka financuar librin “Skënderbeu” të “historianit” zviceran Oliver Jens Schmitt, të botuar në 2008, ku Skënderbeu paraqitet si gjakmarrës tribal dhe hajdut dhish, i cili për më tepër nuk është as shqiptar, por sllav. Libri i Oliver Jens Schmitt mban shënimin: “Përkthimi dhe botimi i këtij libri u bënë të mundur falë ndihmës së Fondit të Bashkëpunimit Zviceran- Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim”. Kjo është një agjenci qeveritare zvicerane, çka do të thotë se përgjegjëse për këtë libër që dhunon simbolet nacionale shqiptare është qeveria zvicerane, jo thjesht individi Oliver Jens Schmitt. Është e vërtetë se kjo agjenci qeveritare zvicerane sponsorizon shumë libra, por çështja është: A ka sponsorizuar kjo agjenci një historian zviceran që të ketë shkruar një libër të ngjashëm, çmitizues, për një ekuivalentin serb të Skënderbeut, Lazarin? Jo. Standardi i dyfishtë është tepër domethënës. Qëllimi është që të privohen shqiptarët nga Skënderbeu. Pa Skënderbeun shqiptarët janë një turmë pa identitet, që mund të zhbëhen lehtë. Zvicra, e cila e konsideroka si problem të sajin dekonstruktimin e atyre që i quan mite historike të Shqipërisë (A thua se Skënderbeu është si Akili apo Hektori- qënie mitologjike dhe jo një person historik që i përket kohës historike) në të njëjtën kohë punon për të ndërtuar mite antishqiptare. Një mit i tillë është miti i Xherdan Shaqirit, me qafën e çjerrë. Mes Xherdanit horror, raportit të Dick Marty dhe librit të Schmitt për Skënderbeun ka një lidhje të qartë. Zvicra që financoi dekonstruktimin e mitit të Skënderbeut, na krijoi mitin horror të Xherdan Shaqirit, si viktimë e sadistëve shqiptarë, si dhe mitin “Dick Marty” të shtëpisë së verdhë horror të shkuljes së organeve, në Shqipëri. Teori konspiracioni, mund të thuhet. Por çka duhet thënë kur qeveria zvicerane financon shkrimin e historisë së Shqipërisë të shekullit XV si teori konspiracioni asfare të besueshme?! Zvicra, pasiqë financoi një libër ku thuhet se Skënderbeu nuk është shqiptar por serb, tashmë sajoi dhe Xherdanin vija-vija për t’ i thënë botës se ata të cilët janë bashkëkombas të atij që e bëri këtë gjë, nuk mund ta kenë të vetin Skënderbeun.
Me ato çjerrje të sajuara në trupin e tij Shaqiri shkruajti në lëkurën e tij epigramin e Historisë për vetveten, që është: Xherdani vija-vija është Dick Marty, Antishqiptaria!
/Kastriot Myftaraj
