Në organizim të Shoqatës së Gruas Shqiptare në Kroaci “Mbretëresha Teuta” dhe revistës së gruas “Iliria”, nën drejtimin e kryeredaktores së saj dhe regjisores së mirënjohur shqiptare në Kroaci, Shenida Bilalli, të shtunën, më 5 tetor, do të bëhet promovimi i “Fjalorit të folmes së arbneshëve të Zarës” i autorit arbëresh Dr. Kruno Krstiq, i përkthyer edhe në gjuhën standarde shqipe nga Mehmet Latifi.Sipas paralajmërimit, fjalën kryesore për këtë libër-fjalor, do mbajë Akademik prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqi, një nga recensentët e Fjalorit, si dhe do të lexohet mesazhi i prof. Dr. Nebi Dervishit-recensentit tjetër të tij. Një fjalë rasti, siç raporton INA, do ta ketë edhe autori i përkthimit, si dhe Lebit Murtishi, në emër të Unionit Gjithëshqiptar “Vëllazërimi Ynë”, me seli në Tetovë, të cilët e bënë të mundur botimin e fjalorit.
Pritet pjesëmarrja e personaliteteve të jetës shoqërore, kulturore, arsimore e politike sidomos të arbëreshëve dhe shqiptarëve që jetojnë e veprojnë në Zagreb.
Në pjesën artistike, për të pranishmit, do të prezantohet aktori shqiptar me origjinë nga Struga, që jeton dhe vepron gati gjysmë shekulli në SHBA, Pajazit Murtishi, i mirënjohur opinionit artdashës shqiptar me monodramën e autorit Lebit Murtishi, “Unë jam Adem Jashari”.
Fjalori i të folmes së arbëreshëve të Zarës, siç shprehet në një intervistë Akademiku Aleksandër Stipçeviqi, “Gjya e rujtun 300 vjet”, është botuar në Shtëpinë botuese “Tringa Design” në Tetovë, në afro 320 faqe, përmban një numër të madh fjalësh, fjali dhe shprehje të të folmes së arbëreshëve të Zarës, duke ruajtur në masë të madhe origjinalitetin burimor të fjalës shqipe.
Një ditë më vonë, pra të dielën, më 6 tetor, në Bibliotekën e Qytetit të Zarës, dega në Arbënesh, ky libër-fjalor do të prezantohet dhe promovohet në zemrën e Arbëneshit në Zarë, në organizim të Shoqatës së Arbëreshëve të Zarës, kryesuar nga Enio Grdoviq.
Në promovimin në Arbënesh të Zarës, pos autorit të librit-fjalorit, Lebit Murtishit dhe mesazhit të prof. Dr. Nebi Dervishit, po ashtu do të flasë Akademik prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqi, prof. Dr. Josip Lisac-një nga dialektologët më të njohur jo vetëm në Kroaci, Klaudio Stipçeviq, që do të flasë në gjuhën arbëreshe, ndërsa Pajazit Murtishi do të paraqitet me një pjesë skenike; monolog ose poezi me motive kombëtare, por do të ketë edhe surpriza të tjera gjatë promovimit.


