Shkaterrimi i gjuhes Shqipe
Posted: Fri Apr 09, 2010 3:14 pm
"Ministrat e Arsimit e flasin shëmtuar gjuhën shqipe"
Dino Kaja
BERAT -Shtatëdhjetë për qind e nxënësve e shkruajnë keq gjuhën shqipe. Kjo vjen jo vetëm për faj të mësuesve, por edhe të imitimit që nxënësit u bëjnë personave publikë, të cilët duke e shqiptuar keq gjuhën shqipe, e 'vrasin' atë". Kështu është shprehur dje Llazar Fype, mësues në gjimnazin "Bab Dud Karbunara", në qytetin e Beratit. I laureuar në vitet 1982 dhe 1986 me çmimin "Naim Frashëri" dhe urdhrin "Naim Frashëri" Klasi III, si dhe disa çmime të tjera, mësuesi i gjuhë-letërsisë dhe publicisti (me një eksperiencë 40-vjeçare në arsim), thotë se po rrënohet gjuha shqipe. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Fype tregon se e shikon të keqen jo vetëm te tekstet shkollore që botohen jashtë standardit dhe çdo norme drejtshkrimore, por edhe te modeli i keq që u jepet nxënësve nga përdorimi i shëmtuar i gjuhës amtare nga politikanët dhe drejtuesit e tjerë të institucioneve shtetërore. Sipas Llazar Fypes, politikanët dhe shtetarët, për të kompensuar boshllëkun e dijes, por edhe nga servilizmi ndaj të huajve, e zëvendësojnë gjuhën e bukur shqipe me të folurin shumë keq të gjuhës së huaj. Ndërkohë, mësuesi beratas pohon se ka dhe nga Ministra Arsimi që e flasin shëmtuar gjuhën shqipe.
Si mësohet gjuha shqipe sot në shkolla dhe si përdoret ajo në institucionet shtetërore?
Ka një normë të detyrueshme për institucionet shtetërore dhe shkollat, të cilat i detyrojnë këto institucione me vendim qeverie, që të përdorin gjuhën e njësuar standarde, letrare, kombëtare shqipe. Hyrja e alterteksteve është gjë e bukur, por po të shikosh a zbatohen normat gjuhësore shqipe, është për të vënë duart në kokë. P.sh., në një tekst të viteve të IV "Histori Arti", nuk zbatohet kërkesa e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që emrat e huaj të mos shkruhen në anglisht apo frëngjisht, por të shkruhen sikundër shqiptohen në shqip. Shpesh herë nuk zbatohen edhe rregullat më elementare. Në këto tekste alternative ka raste që ndahet gabim fjala në fund të rreshtit; në vend që të jetë rrokja që kërkon domosdoshmërisht një zanore, del rrokja pa zanore dhe kjo është për të vënë duart në kokë. Në rrethe të ngushta mësuesish dhe intelektualësh, ky problem diskutohet dhe ngrihet si alarm, por asgjëkund nuk ka rregulla që të zbatohet me rreptësi shkrimi i gjuhës shqipe.
Në vitin 1972 u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Sa janë zbatuar normat që u sanksionuan prej tij?
Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 sanksionoi norma të cilat nuk u trajtuan në planin politik, pavarësisht se dikush do t'i trajtojë si të tilla. Në qoftë se diktatori në tubimet shkencore, si "Zeus" që e hiqte veten do të thoshte fjalën e fundit, sepse ai ishte maja dhe elita e dijes në Shqipëri, unë do t'u thosha të shikoni filmimet e kohës, shikoni shtypin e kohës. Ai ka hyrë dhe ka dalë si hije në seancën e fundit të Kongresit dhe nuk ka pasur asnjë ndikim dhe nuk ka folur asnjë fjalë, pasi ky Kongres ishte punë akademikësh dhe profesorësh. Në atë Kongres kanë folur dhe kanë diskutuar lektorët e gjuhës shqipe, Prof. Eqrem Çabej, Selman Riza, Shaban Demiraj, akademikët nga Kosova: Rexhep Qose, Idriz Ajeti, Hajrulla Gorani si dhe shumë albanologë të shquar nga e gjithë bota. Nga nëntori i vitit 1972 deri në 31 dhjetor të vitit 1990, gjuha shqipe përdorej me rreptësinë më të madhe. Unë do t'u jap një shembull vetjak. Në vitin 1983 kishte dalë nga shtypi libri im me vjersha dhe poema "Fyelli dhe pushka". Në këtë libër, fjala "Shota" ishte e shkruar me "s" të vogël dhe jo të madhe dhe për këtë gabim u grisën 2 mijë faqe libri dhe u çua prapë për t'u shtypur në ndërmarrjen poligrafike. Sot nuk do t'ia dijë kush për gabimet që bëhen as në librat shkollorë.
Ju mendoni se Enver Hoxha nuk ka pasur ndikim në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972?
Në mënyrë absolute, jo. Atje kanë qenë sovranë, akademikët, gjuhëtarët, shkrimtarët si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Lasgush Poradeci etj, personalitete të njohura, të cilat e kanë firmosur dhe zbatuar drejtshkrimin e gjuhës shqipe në mënyrë korrekte. Ndryshe nga ne, në Kosovë vëmë re se personat publikë që nga viti 1967 e këtej e flasin gjuhën e njësuar në mënyrë tepër korrekte, po kështu edhe e shkruajnë. Shumë kombe që nuk e kanë gjuhën standarde punojnë me shekuj për ta pasur atë, ndërsa ne e kemi këtë pasuri dhe kërkojmë ta shkatërrojmë. Kjo është e çuditshme! Në një tubim shkencor që është bërë në vitet 1996-1997 u kërkua nga disa që të mënjanohej arritja e Kongresit të vitit 1972. Në emër të Presidencës ka përshëndetur akademiku, gjuhëtari, profesori Kolec Topalli dhe ka deklaruar se: "Gjuha letrare kombëtare shqipe është një nga arritjet më të mëdha të gjuhësisë shqiptare".
Si ju duket përdorimi jokorrekt i gjuhës shqipe sot nga politikanë, shtetarë apo drejtues të tjerë të institucioneve në vend?
Përdorimi i shqipes nga politikanët tanë është tmerrësisht shqetësues. Dikush flet në dialektin tosk dhe tjetri në dialektin geg në mes të Parlamentit, pa e vrarë mendjen fare për të respektuar gjuhën standarde. Dikush nga parlamentarët nga Jugu, në vend të fjalës "tjetër" thotë "tjatër". Deputeti nga Veriu thotë "tuj mendue", në vend "duke menduar". Ajo që të rebelon më shumë është një farë inferioriteti i formimit të tyre kulturor. Kërkojnë që të prezantohen përpara publikut me fjalë të huaja, në vend që të përdorin fjalën e bukur shqipe për t'i lënë të kuptojë publikut që gjoja ka dije dhe kulturë. Përse duhet të përdoren fjalët frëngjisht, anglisht apo italisht, kur ato shprehen mjaft bukur në gjuhën shqipe? A mos nuk di gjuhë të huaja shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, që kur mori çmimin "Princi i Asturjas" foli vetëm shqip?! Në qoftë se rilindësit tanë ngrinin zërin për ta ruajtur shqipen nga orientalizmat, sot po vuajmë të njëjtin fenomen, por këtë radhë po e godasim atë duke përdorur gjuhët oksidentale. Në qoftë se në kohën e bejtexhinjve shqipja ngatërrohej me turqizmat, arabizmat apo persianizmat, sot shqipja po zëvendësohet dhe rrezikohet nga gjuha angleze, franceze apo italiane.
Ju jeni një mësues gjuhë-letërsie me eksperiencë të gjatë në punë. Cili është vlerësimi juaj i të mësuarit të gjuhës shqipe në shkollat tona?
E keqja qëndron në faktin se ende shqiptarët nuk drejtshqiptojnë fjalën shqipe sipas standardeve, nuk e drejtshkruajnë sipas standardeve. Ka mësues, por edhe ministra arsimi që shprehen duke thënë "qëllimi jonë", dhe jo "qëllimi ynë". Nëse një nxënës do të shprehet "nëna ynë, vajza ynë", të gjithë do të qeshnin. Pse të mos ulërasim kur të njëjtin gabim na e thonë mësuesit apo ndonjë ministër Arsimi? Pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, të gjithë mësuesit e gjuhës shqipe dhanë provim dhe të gjithë mësuesit e tjerë ju nënshtruan kursit drejtshkrimor. Gjykoj se ministria, në kuadrin e reformimit të shkollës sonë, duhet ta shikojë problemin e drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit të gjuhës shqipe me përparësi. Të paktën nëpër shkolla të shqiptohet dhe shkruhet drejt gjuha shqipe, pasi vëmë re se edhe regjistri i shkollës shkruhet me gabime. Është për të ardhur keq që nxënësit e shkollës ku unë punoj, por edhe të shkollave të tjera (sipas bisedave që kam bërë me kolegët), nuk e shkruajnë mirë gjuhën shqipe. Kjo vjen jo vetëm për faj të mësuesve, por edhe të imitimit që nxënësit u bëjnë personave publikë, të cilët duke e shqiptuar keq gjuhën shqipe, e "vrasin" atë. Unë them me bindje se, jo vetëm në shkollat e Beratit, por edhe në shkollat e tjera, nga bisedat që kam bërë me kolegët në rrethet e tjera, rezulton se vetëm rreth 30 % e nxënësve e shkruajnë mirë gjuhën shqipe dhe 70% e tyre e shkruajnë me gabime të mëdha.
Si mund të zgjidhet ky problem?
Në radhë të parë duhet të zbatohen me rreptësi rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, jo vetëm për tekstet e gjuhës e letërsisë, por të të gjitha lëndëve, si kimi, matematikë, fizikë, etj. Gjithashtu, edhe mësuesit duhet të jenë më kërkues në drejtim të zbatimit të normave standarde të gjuhës shqipe. Një dëm të madh po u sjell nxënësve edhe përdorimi dhe marrja e materialeve të gatshëm nga interneti. Ky është gabim i mësuesve, që në vend t'u kërkojnë nxënësve të tyre mësimin e librave shkollorë, u kërkojnë atyre që ato t'i gjejnë nëpërmjet internetit.