
Le të kalojmë pak tek krijimtaria juaj. Ajo është kryesisht e lidhur për fëmijët dhe të rinjtë?
Meqenëse isha mësues, meqë i kam dashur gjithmonë dhe i dua fëmijët, edhe pse si nxënës në Normale dhe student në Beograd kam shkruar prozë për të rritur, më ka marrë rrjedha dhe jam përkushtuar prozës për fëmijë, e më vonë fillova të shkruaj edhe poezi për fëmijë.
Kam bërë tregime, romane, përmbledhje për fëmijë dhe të rinj dhe besoj që kam dhënë kontribut në letërsi, sepse letërsinë në Kosovë, e pse jo edhe letërsinë shqipe e kam begatuar me temën aq deficitare, por aq joshëse, detin dhe jetën në bregdet.
Kur jemi te deti, ajo që e bashkon të gjithë krijimtarinë tuaj është pikërisht motivi detar?
Temë qendrore e krijimtarisë sime është deti, sepse unë kam lindur këtu në breg të detit, sepse shkrim-leximin e kam mësuar duke vizatuar me cokla në ranën e lagun, sepse këngën e kam mësuar nga valët e detit dhe shkaktari më i madh për të gjithë këtë ka qenë nostalgjia për vendlindjen, për detin. E deti është një dashuri e madhe, dashuri e pafund dhe mall për vendlindjen.
Megjithatë, ju nuk keni shkruar vetëm për fëmijët e Ulqinit?
Po, është e vërtetë. Unë kam shkruar edhe për fëmijët e Kosovës sepse duke jetuar në Kosovë, duke e parë represionin e tmerrshëm mbi popullin dhe fëmijët e Kosovës, është shumë e logjikshme që ndjenjat më kanë shtyer që ta kallëzoj në prozë ose në poezi atë dhunë që ushtrohej mbi fëmijët shqiptarë në Kosovë.
Duke u shkolluar dhe duke punuar dhe jetuar larg Ulqinit, Ulqinin e kam pasur gjithmonë në zemër, në shpirt dhe ka dashur Zoti që të kthehem në Ulqin dhe t'i përkushtohem detit, detarisë, detarëve, peshkatarëve, ulqinakëve, të cilët aq shumë i dua. Kështu kam bërë librat për detarët dhe peshkatarët e Ulqinit.
Kohës së fundit keni botuar vëllimet monografike "Deti, detarët e Ulqinit" dhe "Detarë, peshkatarë ulqinakë", por besoj që cikli juaj i librave kushtuar detarëve dhe peshkatarëve ulqinakë nuk përfundon me kaq?
Gati kam kryer librin "Detarë, dokumente, gjurmë" që është pjesë e tretë e një kompleti monografik për detarët dhe peshkatarët e Ulqinit. Në këtë vëllim dalin në dritë dokumente të rralla, të vjetra, të panjohura, të shkruara madje edhe turqisht. Jap portrete të familjeve detare dhe të detarëve, të cilët nuk janë më. Në këtë mënyrë ata privohen nga harresa.
Përveç këtij libri, keni edhe ndonjë libër tjetër të gatshëm për botim?
Kam kryer po ashtu një glosar, fjalorth të detarisë, të fjalëve të rralla e të harruara të së folmes së Ulqinit. Nga redaktorja, leksikologja Shefkije Islamaj në recension është vlerësuar si një kontribut me rëndësi për pasurimin e fjalorit të ri të gjuhës shqipe i cili është në përgatitje. Kjo më gëzon, sepse, ndonëse jam munduar më se 40 vjet që kur isha student, e paskam bërë një punë të dobishme në fjalorin, glosarin e së folmes së Ulqinit.
Kam bërë edhe një antologji të këngës, baladës, legjendës me mitin e detit dhe të këngëve më të përzgjedhura të Kongresit të Berlinit nga folklori popullor shqiptar në Mal të Zi. Jam po ashtu në gjysëm të udhës të bëj një libër për ahengun popullor shqiptar të Ulqinit. Dashtë Zoti të botohen. Në këtë mënyrë, mendoj që vendlindjes i kam dhënë një kontribut aq sa kam ditur dhe kam mundur.|[/col]
______________________________
Hajro Ulqinaku. Ka lindur me 3 maj të vitit 1938 në lagjen Rana të Ulqinit. ''Kur lexon e studion veprën e Ulqinakut shikon se deti është parë gjithnjë si sfond i ngjarjeve që shtjellohen aq bukur rreth tij dhe për të. Deti është parë me fytyrë njeriu, me trup njeriu, me gjykim njeriu. Deti është parë në dualitetin njerëzor: me të mirat dhe të këqijat e tij, është parë në bunacën, qetësinë, por edhe në burën, tallazitjen e egër të tij. Pra, një det jetësor që zgjidh nyjet dhe dilemat, një det filozof e plak i urtë, një det që të rri gjithnjë afër, por herë-herë të ikën edhe larg, një det që fsheh misteret, por gjithmonë të dhuron edhe koralet e ndritshme''. ''Grekët e lashtë e kanë lënë një thënie “Në det lëshohen plot ujra të turbullta, por ai përsëri ngelet i pastër…”. I tillë është Hajro Ulqinaku, i cili i shtyrë nga magjia e detit flet me gjuhën e fëmijës duke mbetur i çiltër''.
Libra publicistikë dhe shkencorë: 'Deti, detarët e Ulqinit', 'Detarë, peshkatarë, ulqinakë', Detaria, detarë, dokumente', 'Libri për Ulqinin dhe ulqinakët', 'Glosar, fjalorth i detarisë i të folmes së Ulqinit'. - 'Poetët për Ulqinin - Ulqin ti det', 'Thesar popullor', 'Ulqin, ti kala'.
Libra për fëmij: Fëmijët e detit, Margaritarët e zez, Çelësi i artë, Kolovajza e florinjtë e Hënës, Mbrëmje pulëbardhash, Fëmijëria në bregdet, Gjiri i Shpresës, Ligji i detit, Kënga e Detit, Ani, Beni, Bukuria e detit, Panorama e detit, Thesari i piratëve, Pëllumbat në antenë, Barka me vela, Limani i Qetësisë, Ishulli i Gjelbër, Barka me visare.

