Aksidentet, eksperti Koxha: Policia pa plan veprimi, Berisha nxiton në inagurime
Ish drejtori i qarkullimit rrugor Berti Koxha fajëson strukturat e policisë për numrin e madh të aksidenteve rrugore të cilat muajin e kaluar arritën bilancin e një lufte. Koxha thotë se policia nuk po menaxhon dot situatën e krijuar superlëvizja e automjeteve në këtë sezon veror, ndërsa kritikon kryeministrin Berisha se është nxituar në inagurimin e rrugëve të pa përfunduara dhe pa sinjalisitikë. Version multimedial i ketij lajmi
TIRANE- Me një bilanc prej afro 50 të vdekur dhe mbi 60 të plagosur, muaji korrik cilësohet si fatal për sigurinë e jetës në rrugët shqiptare. Ish drejtori i qarkullimit rrugor Berti Koxha fajëson mungesën e sinjalistikës por mbi të gjitha mungesën e një plani veprimi nga policia, si shkaqet e këtij bilanci tragjik.
“Unë mendoj që këtë vit, policisë së shtetit, policisë rrugore i ka dalë krejtësisht nga dora, puna dhe menaxhimi i situatës të sezonit turistik. Ndoshta ka influencuar edhe përfshirja e strukturave të policisë në procesin zgjedhor. Mund të jetë një nga arsyet por kur bëhet fjalë për ruajtjen e jetës së njerëzve në rrugë nga aksidentet , për kontrollin e zbatimit të ligjit nuk duhet të anashkalohen detyrimet kryesore” thekson Koxha.
Shkaqet për situatën e rëndë, sipas drejtorit të Qendrës për Studime të Sigurisë rrugore janë 100% të strukturave shtetërore. Sipas tij, që prej vitit 2006 nuk mblidhet Komiteti Ndërministror i Sigurisë Rrugore, i cili në bazë të ligjit duhet të takohet cdo 3 muaj.
Koxha është kritik edhe ndaj kryeministrit Berisha dhe inaugurimeve që ai po bën në rrugët që nuk kanë përfunduar me të gjithë elementët e duhur.
“Nuk jam dakord kurrsesi me inaugurimet e akseve rrugore, edhe nga vetë kryeministri në rrugë krejtësisht të papërfunduar dhe pa asnjë lloj sinjalistike. Shembulli që jep kryeministri i vendit duke inauguruar rrugë të tilla , mua më bën të mendoj që situata nuk është kapur me seriozitetin e duhur” tha Koxha.
Rritja e numrit të emigrantëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe brenda saj, gjatë muajve të verës, nuk shihet nga eksperti i qarkullimit rrugor si shkak që favorizon aksidentet. Edhe këtu ai sheh paaftësinë e policisë për të menaxhuar një situatë me superlëvizje të automjeteve.
“Nuk ju heq asnjë presje sinjalistikës, edukatës rrugore, gjendjes së mjeteve, por në situatën kur kemi të bëjmë me një fluks të shtuar , kur kemi të bëjmë me një sezon që është i ngarkuar për shkak të ardhjes së emigrantëve dhe të turistëve duhet të ketë një menaxhim ndryshë, i cili nuk ka ndodhur për fat të keq” shtoi ish shefi i qarkullimit rrugor. (e.n/News24/BalkanWeb)


