Page 1 of 1

Pse u kalua në heshtje kërcënimi i Ramës për Ben Blushin?

Posted: Tue Sep 08, 2009 4:16 pm
by Tomorr
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, Edvini iu hakërrye rivalit Blushi se ende s’e kishte njohur mirë se kush ishte e ç’ishte në gjendje t’i bënte, por kërcënimi kaloi me vëmendje të kufizuar në faqet e medias, e një ditë më vonë u zhduk fare prej tyre.
Rama ka zbuluar para deputetëve fytyrën e vet të vërtetë parapolitike, por historia e lidhjeve kriminale që e përfshijnë kryebashkiakun detyron opinionin publik dhe agjencitë e specializuara të përqendrohen në rrezikun që i kanoset PS-së, nga një njeri që është mësuar t’i zgjidhë punët jashtë ligjeve e rregullave. Në formimin marksist të Ramës, tashmë ka ardhur koha e likuidimeve të plota, por këto “zëra nga lart” të të dëshpëruarit në selinë e PS-së nuk duhen lënë të vihen në zbatim
Mbledhja e ashpër e Grupit Parlamentar Socialist, e cila sanksionoi edhe bojkotin, që zu fill mbrëmjen e djeshme, me çeljen e legjislaturës, pati si kulm të vetin kërcënimin e drejtpërdrejtë me jetë që Edvini i bëri Ben Blushit, rivalit të tij kryesor për marrjen e lidershipit të PS-së. Kërcënimi u publikua me drojë e brishtësi nga mediat ditën e parë, ndërkohë që u trajtua më pas si një nxehje gjakrash, për t’u zhveshur krejt nga kuptimi politik veç dy ditë më vonë...
Por në fakt e vërteta është kokëfortë dhe konfirmon gjendjen e nderë në të cilën ndodhet aktualisht Partia Socialiste. Me ndërhyrjen e pilotuar të Rudina Seserit, e cila sulmoi drejtpërdrejt dhe me emër Ben Blushin, ky i fundit u detyrua të kontribuonte në zbulimin e palëve nën konflikt, dhe si në një lojë psikologjike të thjeshtë, Edvini është zbuluar krejtësisht, teksa i është hakërryer rivalit të tij se s’mund të prekej deputetja Rudina Seseri. Blushi i përgjigjet flakë për flakë se kush ishte ai që ndërhynte ashtu (meqenëse nuk është as deputet), por Rama ka përgjigjen e al Kapones në majë të gjuhës, teksa i kërcënohet: “Ti nuk e di se kush jam... Do ta mësosh se ç’mund të të bëj...”.
Ç’mund t’i bëjë Edi Rama Ben Blushit? Ta përjashtojë nga partia? T’i nxjerrë gorillat që e shoqërojnë që ta dëmtojë fizikisht? Apo edhe më tej akoma?
Këto pyetje nuk i ka shtruar aty për aty Pandeli Majko, i cili, gjithashtu i pilotuar nga Edvini, ka ndërhyrë për të ndërprerë mbledhjen, e cila pas pesë minutash pushimi, ka rinisur me vendimin (e padiskutuar) se PS ka vendosur për bojkot. Vendimi është pritur me hosana nga Gramoz Ruçi e Namik Dokle, ndërkohë që Ben Blushi ende s’është e qartë a e ka kuptuar çka dashur të thotë Edvini me atë kërcënimin?
Jemi kthyer tek parapolitika e intimidimit fizik, por këtë shtrat të vjetër të situatës media e pilotuar e së majtës preferoi që ta kapërcente me një citim periferik ditën e parë, për ta fshirë në ditët e mëtejshme. Vetë Blushi duket se ka vlerësuar se s’ishte në interesin e tij që ta artikulonte një tezë që mund ta nxirrte politikisht të pazotin, ndërkohë që vetë Rudina Seseri u ripilotua për të disatën herë, për të përmendur në media se debati i saj me Blushin kish qenë “thelbësor e parimor”.
Këtyre pallavrave merret me mend se s’u beson askush, por mbetet në qendër të skenës kërcënimi i drejtpërdrejtë i Edvinit për Ben Blushin... është i njëjti njeri që ështën akuzuar nga lideri i mazhorancës aktuale për lidhje të drejtpërdrejtë e të shkurtër me bandën “hakmarrja për drejtësi”, ndërkohë që kohët e fundit, Edvinit i janë përmendur nga ana e partisë më të madhe në mazhorancë lidhjet e shkurtra me bandën e frikshme të Rrugës së Kavajës. Të tjera koneksione kriminale e kanë lidhur kryetarin mandatprerë të Partisë Socialiste dhe kryetarin me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës me një skemë të gjerë mafioze që e ka shndërruar një pjesë të rëndësishme të industrisë së ndërtimit në Tiranë në një biznes malavitoz, që e vendos atë në qendër të të gjithë strukturës.
Krejt ky background kriminal rretherrotull kryetarit mandatprerë të PS-së dhe kreut me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës, detyrojnë opinionin publik si dhe agjencitë e specializuara që ta marrin shumë seriozisht kërcënimin me jetë që Edvini i ka bërë rivalit Blushi në mbledhjen e grupit parlamentar. Kur kjo ndodh me një rival direkt, merret me mend shkalla e “ndëshkimit” për kundërshtarë të një profili më të ulët. Dhe ç’është më e keqja, vëmendja e “specialistëve” do rritur, edhe për shkak se një dorë e komanduar e neutralizoi krejt qendrimin mediatik ndaj këtij incidenti, dorëheqje që s’ka se si të mos na çojë tek Edvini, censori i vërtetë i medias dhe i fjalës së lirë.


Pjesë nga biseda që inkriminon kreun e PS-së

Rudina Seseri: Unë mbështes plotësisht idenë e Edi Ramës për të bojkotuar parlamentin. Ky është mendimi im për këtë çështje, dhe kjo është çështje e jo vitin kur unë kam hyrë në PS, çështje me të cilën merret ndonjë tjetër këtu, si puna e Benit...
Ben Blushi: Më fal për cilin Ben e ke fjalën?
Rudina Seseri: Për Ben Blushin!
Ben Blushi: Dëgjo këtu moj budallaqe. Mos guxo më, të lakosh emrin tim. Po s’ke faj ti. Fajin e ka ky (Edi Rama) që e mbushi partinë me budallenj si puna jote.
Edi Rama: Unë nuk të lejoj të fyesh deputeten e as deputetë të tjerë të partisë. Më kuptove?
Ben Blushi -Ramës: Po ti kush je që flet ashtu?...
Edi Rama: Unë të thash nuk të lejoj. Ti nuk e di se kush jam... Do ta mësosh se ç’mund të të bëj...

Re: Pse u kalua në heshtje kërcënimi i Ramës për Ben Blushin?

Posted: Tue Sep 08, 2009 4:24 pm
by Sally
Tomorr, ne temen Debatet e PS-te me PS-te, e kam vendosur sot kete artikull -hahaha-