Page 1 of 1

Kosove: zgjedhjet per pushtet 15 nentor 2009

Posted: Sun Nov 08, 2009 9:13 am
by Adriana
1.450.000 shtetas kosovare me 15 nentor te ketij viti do te kene rastin qe te zgjedhin kryetaret e komunave dhe anetaret e kuvendeve komunale ne 38 komuna.
Keto zgjedhje jane te parat qe organizohen ne Republiken e Kosoves,pas shpalljes se pavaresise se saj me 17.2.2008.
Gjithashtu,jane te parat zgjedhje sipas legjislacionit kosovar dhe ne organizim te strukturave vendore,pushtetit kosovar.




Ja si mendon Levizja "VETVENDOSJE" per zgjedhjet e 15 nentorit 2009


MOS VOTO. Zgjedh përnjëmend.

Këtë fundjavë, në familjet e disa aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s po qëndrojnë 14 aktivistë të Lëvizjes MJAFT! nga Shqipëria. Sot, ata morën pjesë në të gjitha aktivitetet që Lëvizja VETËVENDOSJE! i organizoi në kuadër të fushatës për bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Një grup aktivistësh nga Prishtina iu bashkuan Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Pejë ku u prezentua Qurani me kravatë si simbol i asaj që është e përbashkëta e kandidatëve që po garojnë. “Gjersa politikanët na i dramatizojnë dallimet midis tyre, Qurani është e përbashkëta e tyre. Qurani si një trullan që fryhet.” – tha aktivisti Zgjim Hyseni. Mijëra fletushka në të cilat tregoheshin arsyet pse nuk duhet votuar iu shpërndanë pejanëve.

Një tjetër grup aktivistësh shkruan “MOS VOTO” në billboard-at e KQZ-së në Prishtinë, ndërkaq disa të tjerë me sprej e shabllon e shkruan nëpër muret e qytetit dhe të pushtetit parullën:

Unë votoj
Ti voton
Ai/Ajo voton
Ne votojmë
Ju votoni

Ata përfitojnë

Në orën 14:00, në Sheshin ‘Nëna Tereze’ në Prishtinë, u prezentuan katër posterë të mëdhenj të ngjitur në një prizëm. Njëri poster shpjegonte se votimi është votim për Quranin, tjetri se votimi është votim për komunat e reja me shumicë serbe, posteri i tretë në mënyrë figurative tregonte se ky votim lokal në Kosovë është çmontim territorial i Kosovës, kurse posteri i katërt, përmbante një vizatim të madh në të cilin fletëvotimi (i qytetarit) shndërrohej në para (për politikanët) porsa të përfundonte brenda kutisë së votimit.

Pasdite, aktivistët e VETËVENDOSJE!-s dhe MJAFT!-it, nëpër semaforë, në dritën e kuqe që sinjalizon ndaljen, vendosën stickers-at me mbishkrimin “MOS VOTO”.

Lëvizja VETËVENDOSJE!




Po Ju si mendoni: duhet votuar?!

Re: Kosove: zgjedhjet per pushtet 15 nentor 2009

Posted: Sun Nov 08, 2009 9:49 am
by Adriana
Albin Kurti: Çasti i demokracisë



"Demokracia është qeverisje e popullit, nga populli, për popullin - me theks të veçantë te qeverisja."




Kutia e votimit është një vend ku qytetari takohet me sistemin. Aty ai provon ta zgjedh kandidatin nga i cili dëshiron të përfaqësohet. Nuk dihet nëse qytetarit do t'i plotësohet kjo dëshirë. Dhe nuk dihet se për kë ka votuar ai. Mirëpo, dihet që gjithsesi me atë rast ai e ka legjitimuar sistemin nga ana e tij dhe ia ka plotësuar këtë dëshirë sistemit. Kur kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gabimisht thoshte që votimi është obligim kushtetues (dhe jo një e drejtë që fundja mund të mos shfrytëzohet), ai vetëm sa po e shprehte këtë dëshirë të sistemit për t'u legjitimuar. Në një vend si puna e Kosovës ku ka rregullisht votime për parti por asnjëherë nuk ka referendum për asnjë çështje (si privatizimi, decentralizimi, Kushtetuta, flamuri, himni etj.), votimi patjetër degradon në legjitimim.

Mosvotimi në Kosovë nuk është as indiferencë e as pasivitet. (Paramendojeni po të kishim referendum për integrim në NATO apo BE se çfarë do ta kishim pjesëmarrjen e qytetarëve me atë rast.) Njerëzit te ne nuk votojnë sepse ndjehen të mashtruar nga i gjithë ky sistem që i pasuron politikanët e i varfëron qytetarët. Jashtë çështjeve të ekonomisë dhe të sovranitetit (për të cilat nuk po zgjedh paraprakisht qytetari), demokracia është veçse demokraci formale (e cila e ka për qejf legjitimimin posteriori nga qytetari). Gjersa po e shesin Kosovën si resurs (përmes privatizimit neoliberal) dhe si territor (përmes decentralizimit mbi baza etnike), tash e ftojnë qytetarin të zgjedh! Qytetari nuk po ftohet të zgjedh kurrfarë të ardhme, por po ftohet që t'ia jep aminin së kaluarës, avazit të vjetër.

Përfshirja formale e qytetarit është manipulim me qytetarin. Edhe në këto zgjedhje, të pasurit (që janë pakicë) po i kërkojnë votat e të varfërve (që janë shumicë), në mënyrë që të pasurohen edhe më shumë. Asnjë nga kandidatët që po garojnë nuk është i papunë në Kosovë ku papunësia është 60%. Asnjë kandidat nuk është i varfër në Kosovë ku 40% jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Asnjë kandidat nuk është nga shtresa tejet e varfër dhe e uritur, në Kosovë ku 18% jetojnë me më pak se një dollar në ditë. Partitë politike po i harxhojnë miliona euro në fushata bajate. Ato kërkojnë votat e qytetarëve shumica e të cilëve janë ose të varfër, ose të papunë, e zakonisht të dyja këto. Por, partitë nuk u japin të holla të varfërve e të papunëve dhe nuk investojnë në ta e për ta. Partitë duan që qytetarëve të cilëve ua kanë marrë mirëqenien dhe perspektivën, tash t'ua marrin edhe votën. Votat e qytetarëve shndërrohen në para për politikanët. Më shumë vota, më shumë para. Më shumë para, më shumë vota. Për edhe më shumë para.

Por, nga bisedat e shumta me qytetarë të ndryshëm, jam bindur se edhe ata pak që do të votojnë dhe legjitimojnë këtë sistem, nuk besojnë në të. Më parë besojnë në përfitimet e drejtpërdrejta që mund t'i nxjerrin nga sistemi i këtillë. Një numër i konsiderueshëm i votuesve kosovarë e kanë kuptuar tërë lojën dhe orvaten të nxjerrin përfitime nga kjo lojë. Nëse e ndihmon në fushatë filan partinë dhe në fund e voton kandidatin e saj, kjo mund të të shpërblehet pastaj me ndonjë vend pune që ta ofrojnë si shpagim për angazhimin militant, ose edhe me ndonjë tender komunal a qeveritar. Madje, nuk është e thënë që të keshë kompani tënden për të fituar tender. Tenderi ta krijon edhe kompaninë që duhet ta fitojë atë tender. Lojaliteti partiak e bën të realizueshme edhe të paimagjinueshmen. Këta votues nuk konsiderojnë që demokracia kosovare ua përmison gjendjen të gjithëve ose shumicës, e mandej rrjedhimisht edhe atyre, por ata janë të bindur që demokracia jonë edhe ashtu e avancon vetëm një pakicë, dhe është mirë që të shtyhen për të zhvatur diçka edhe këta. Shteti tashmë është privatizuar, shteti është uzurpuar e po vjedhet, dhe çfarëdo vjedhje nga të tjerët është veçse vjedhje e plaçkës së hajnave, besojnë këta. Kësisoj, shumica e asaj pakice që voton, këtë e bën meqë përfiton direkt nga pjesëmarrja në proces: e ka ndonjë të afërm ose shok që kandidon dhe andaj shpreson në përfitim për vete, ose, megjithatë, i konvenon materialisht kjo situata aktuale në të cilën sado-kudo është duke u pasuruar (anipse ankohet gjithë ditën shumë më tepër sesa ata që janë të varfër).

Po mirë, nëse nuk mund të identifikojmë ndonjë parti, institucion apo procedurë në Kosovë për të cilën do të mund të themi se është njëmend demokratike, a ka ndonjë interval kohor demokratik në Kosovë? Pra, nëse s'paskemi demokraci në hapësirë dhe në strukturë, a kemi demokraci në kohë? Po, ama fare shkurtimisht. Demokracia në Kosovë është fotografi. Demokracia është çast. Nuk është e vërtetë se demokraci kemi vetëm një ditë në katër vjet, pra atë ditë kur qytetarët votojnë. As ajo ditë s'duket kaq mirë. Qytetarët e Kosovës kanë demokraci vetëm një sekondë në katër vjet (apo aq shpesh sa kemi zgjedhje) - në momentin kur qytetari që voton e ka fletën e votimit përgjysmë brenda kutisë së votimit dhe ende nuk e ka lëshuar atë. Një sekondë më herët, s'ka demokraci: qytetari votues paradoksalisht e ka mundësinë e kontrollit të pushtetit që s'është edhe kontroll i pushtetit. Një sekondë më vonë pushteti tashmë është shumë larg prej qytetarit, ai i ka dalur dore atij sikurse fleta e votimit: kandidatët që do të fitojnë në fund i ndan një humnerë e tërë prej qytetarëve - humnerë izoluese materiale dhe institucionale. Me paratë që kanë, ata do të jetojnë në një botë tjetër; e, nëse vendosin të zbresin në botën e qytetarit, atëherë këtë e bëjnë duke qenë në makina të blinduara e të rrethuar me truproje, plotësisht të izoluar me këto prej qytetarit. Pushtetari gjithmonë bëhet i paarritshëm. Pushtetari është i paarritshëm. Të gjithë e kemi parë se si kur vetë kandidatët votojnë, ata e mbajnë pezull fletëvotimin që të kapen sa më gjatë nga aparatet fotografike të gazetarëve. Thuajse pavetëdijshëm dëshirojnë ta zgjasin sekondën e demokracisë. Thuajse pavetëdijshëm na e zbulojnë të vërtetën: demokracia është çast, demokracia është fotografi.

http://www.youtube.com/watch?v=Vs9JAS_s_mI Secila fushatë dhe secila parti po na e konfirmon që partitë politike në Kosovë janë thelbësisht demobilizuese. Ato i thonë qytetarit: ti rri, dhe unë ta sjell rrymën, ujin, vendin e punës, parkun, kanalizimin etj. I premtojnë mospunë qytetarit, e inkurajojnë atë të mbetet spektator, sepse e cilësojnë qytetarin si një dembel injorant, të reduktueshëm në dembelinë e tij injorante. Politikanë të sinqertë dhe të vërtetë janë vetëm ata që u thonë qytetarëve se nuk mund t'ua përmbushin premtimet pa u bërë aktivë edhe vetë qytetarët. Pra, një demokraci ku qytetari është pjesëmarrës e jo spektator i cili pret ta përfaqësojnë. Me një qytetar spektator dhe pasiv nuk ecet para. E, me politikanë që e duan dhe i mirëmbajnë qytetarët pasivë në tribina, ecet veçse mbrapa.

Pa një rizgjim shoqëror e kombëtar, i cili do të na shpiejë drejt situatës ku politikanët i frikësohen qytetarëve e jo anasjelltas siç është rasti tani, demokracia do të jetë sundim mbi popullin, e jo sundim i popullit. Me këso zgjedhjesh, me këto zgjedhje lokale, nuk zgjidhet asgjë. Ato janë pjesë e problemit.

Re: Kosove: zgjedhjet per pushtet 15 nentor 2009

Posted: Sun Nov 08, 2009 10:06 am
by Adriana
Bexhet Pacolli:Ku bashkohem dhe ku ndahem me Albin Kurtin




Fushata zgjedhore po vazhdon dhe njëherë tjetër kam rastin e trishtuar të konstatoj se opinioni publik i Kosovës, politika qendrore e saj po vazhdon të injorojë temat e mëdha me të cilat duhet të merremi. Pak ditë më parë ju drejtova këtij opinioni me ftesën dhe propozimin që në kushtet e krizës ekonomike që ndihet sidoqoftë në Kosovë të gjejmë rrugë e forma për të gjallëruar ekonominë, nëpërmjet rishikimit të procesit të privatizimeve. Sot më duket e udhës të flas për një çështje tjetër gjithaq të rëndësishme.

Vetëm pak ditë më parë, njeri nga figurat më të shquara të shoqërisë civile kosovare, Albin Kurti shtroi para nesh shqetësimin për demarkacionin e kufijve me Malin e Zi. Shqetësimi i tij është pjesë e një aktiviteti të dendur që zoti Kurti, një përfaqësues i palëkundur i "ndërgjegjes kritike" të shoqërisë sonë, vazhdon të kryejë në Kosovë. Gjithmonë kam admiruar shqetësimin që qëndron mbrapa iniciativave të tij, anipse jo gjithmonë kam qenë dakord me rrugët që ai dhe Lëvizja e tij ka ndjekur për të realizuar përfshirjen e publikut në këto shqetësime. Kam menduar se çdo lëvizje kombëtare, shtetformuese ka nevojë për dy krahë, të pëllumbave dhe të skifterëve që duhet të bashkëpunojnë me njeri tjetrin dhe në këtë kuptim gjithnjë kam qenë i vëmendshëm për atë që ai ka bërë dhe ka thënë. Edhe pse mund të mos jem dakord me përfundimet e tij, nuk kam dyshim se ai niset nga qëllime të mira. Një vend normal si ky që ne duam të ndërtojmë ka nevojë për zëra të tillë, të artikuluar qartë, të pakorruptueshëm nga veset e pushtetit dhe për këtë i jam mirënjohës atij dhe aktivistëve të tij. Në lidhje me aktivitetin e tij të fundit, qoftë për çështjen e kufirit, qoftë për çështjen e bojkotit të zgjedhjeve megjithatë do të doja të thoja dhe unë pikëpamjet e mia.


Në lidhje me kufirin

E ndoqa me vëmendje parashtrimin e tij dhe të aktivistëve të tij që kishin shkuar në terren dhe kishin bërë verifikimet e duhura të atyre që ai i quan si shmangiet e ardhshme të kufirit midis dy vendeve. Mu duk punë serioze, ashtu siç mu duk gjithaq serioze dhe vërejtja e tij se problemet më të mëdha po na krijohen prej Marrëveshjes së Kumanovës, ku ushtarakët serbë kanë arritur të "kontrabandojnë" një hartë me pasaktësi të mëdha qoftë në kufirin me Maqedoninë, qoftë në kufirin me Malin e Zi. Diçka e ngjashme me litarin e amanetit të vdekurit që u vendos mbi varrin e tij dhe ku pengoheshin të gjallët.

Nuk kam kompetencë prej eksperti për të thënë sot se nga cila anë qëndron e vërteta. Me njohuritë që kam për ligjin, jam i prirur të besoj se Marrëveshja Ahtisaari, Aneksi 8, neni 3, paragrafi 2 në pjesën për kufirin, i ka dhënë një zgjidhje të drejtë çështjes së kufijve të Kosovës. Ajo i referohet përkufizimit të këtij kufiri të bërë në 31 dhjetor 1988, i cili edhe sipas Vetëvendosjes quhet përkufizim i kënaqshëm i vijës sonë kufitare.

Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë probleme në lidhje me kufirin. Për këtë arsye unë në cilësinë e kryetarit të AKR-së, kërkoj që shoqëria jonë, mediat, politika, parlamenti, të zhvillojë një diskutim serioz ku të ftohen dhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes. Nuk ka çështje më të rëndësishme për një shtet të ri sesa të përkufizojë hapësirën e mbijetesës së tij kombëtare, të shtrirjes së autoritetit të tij shtetëror, të hapësirës ku do të gjallojë jeta ekonomike e qytetarëve të tij. Asnjë problem nuk duhet të krijohet me fqinjët që mund të na shqetësojë, sot, nesër dhe në të ardhmen. Kosova dhe kështu është mjaft e vogël për t'i falur fqinjëve të saj territore, qoftë dhe prona të qytetarëve pa angazhuar dhe qytetarwt qw mendojnw si Albin Kurti. Askush nuk ka toka të tepërta: prona është e shenjtë dhe atdheu është dhe prona. E imja, e qytetarit nga Peja, apo nga cilado zonë qoftë nëpër tërë Kosovën.


Në lidhje me bojkotin.

Aktivistët e Vetëvendosjes po lëvizin në këtë javë thelbësore për cilësinë e zgjedhjeve tona duke bërë thirrje për bojkotin e tyre, pasi sipas Vetëvendosjes "ti voton, por ata përfitojnë".

Edhe njëherë më duhet të pohoj se jam plotësisht dakord me vërejtjet që kjo Lëvizje adreson për klasën tonë politike në pushtet. Idetë e shprehura prej meje në një editorial të fundit për fazën ku ka hyrë Kosova rezonojnë me kritikat e Vetëvendosjes. Shumë prej politikanëve në pushtet, por jo të gjithë sigurisht, janë duke dëftyer në këtë fazë të zhvillimit të Kosovës shumë vese tipike pushteti. Duke u mburrur me një të kaluar që na përket të gjithëve, ata nuk po merren me qytetarin, por me përfitime personale. Në përgjithësi në shoqërinë tonë dhe mes të rinjve veçanërisht ndihet njëlloj skepticizmi prej 6 votimeve në 9 vjet të lirisë; ndihet njëlloj zhgënjimi nga politika e këtyre 10 vjetëve, dhe thirrjet për të bojkotuar zgjedhjet duan ta mbajnë larg rininë nga politika e ditës që vjen prej qeverisë. Por vini re: nga politika e qeverisë! Ne nuk jemi qeveria, ne nuk jemi bërë pis prej qeverisjes!

Unë jam plotësisht dakord me Albinin për atë se sa pak është bërë në pikëpamje të zhvillimit ekonomik në Kosovë në këto vite. Po s'jam dakord në lidhje me atë sesa është bërë për shtetësinë e Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Ndaj mendoj se të gjithë këto kritika të Albinit nuk janë arsye të mjafta për të na shtyrë ne, për të shtyrë të rinjtë tanë të mos votojnë. Mos vallë mendoni se 30% të qytetarëve që dolën në votim në zgjedhjet e fundit kanë të drejtë të vendosin për ne të gjithë, pra për 100% të popullsisë?
A ju duket normale që sot të rinjtë thirren të mos votojnë? Nuk votojnë, thotë Kurti, apo nuk duhet të votojnë sepse nuk ju pëlqen dhe nuk duhet t'i pëlqejë politika..
Këtyre të rinjve unë u them: vërtet doni ta lini fatin tuaj në duart e atyre që nuk ju pëlqejnë?
E kuptoj që është zbavitëse të thuash se politika nuk më pëlqen. Është snobizëm. Por është luks i tepruar për Kosovën tonë. Një kosovar nuk mund të sillet si një amerikan i pasur, megjithëse dhe amerikanët po shkojnë gjithnjë e më shumë në votime. Pjesëmarrja në votime kudo në perëndim po rritet! Këto janë votimet e para të Kosovës si shtet dhe duhet të sillemi si miqtë tanë amerikanë që sfiduan të ftohtin dhe zgjodhën presidentin e tyre. Duhet të sillemi si qytetarë të përgjegjshëm që marrin në dorë fatin e tyre dhe e zgjedhin vetë pushtetin.

Por le të marrim për të vërtetë thirrjen e Kurtit dhe të pranojmë se askush nuk del në votime.
Ç ndodh? Ose do të kemi qeverisje ilegjitime, ose nuk do të kemi qeverisje fare. Ju duket perspektivë e drejtë kjo?
Jo, në asnjë mënyrë. Kjo do të ishte thirrje për anarki, do të ishte thirrje që Kosova të qeverisej nga anarkia. E kuptoja deri diku thirrjen për bojkot, kur ne qeveriseshim më së shumti prej ndërkombëtarëve, por sot po votojmë për organet e pushtetit lokal. Për më shumë rrugë, ndihmë sociale, punësim, kanalizime, tregje, shkolla të mira për të cilat sot, në Kosovën e pavarur vendosim vetë.

Dhe një vërejtje tjetër. Kudo, zgjedhjet lokale shërbejnë për të sjellë në pushtet, për të formuar një klasë të re administratorësh që bëhen gati për qeverisjen qendrore. Ne nuk kemi traditë në qeverisje, ne jemi një republikë e re.
Mos vallë nuk duhet ta krijojmë këtë klasë administratorësh derisa Vetëvendosja të shndërrohet në parti politike?
Kush do të na qeverisë deri atëherë?
Të këqinjtë për të cilët flet Vetëvendosja?
Jo, ndaj unë bëj thirrje për të votuar më të mirët.
Nuk po ju bëj thirrje të votoni domosdoshmërisht për ne të AKR-së, megjithëse ne po i ofrojmë veçanërisht në këto zgjedhje, një klasë të re administratorësh dhe manaxherësh lokalë. Teknicienë, afaristë, profesorë, që nuk janë të përlyer me politikën.
Unë ju them thjesht: votoni për më të mirët!



Bexhet Pacolli: Biznesmen / President i Partise AKR ne Kosove

Re: Kosove: zgjedhjet per pushtet 15 nentor 2009

Posted: Sun Nov 15, 2009 10:24 am
by Sally
Kosovë, kanë nisur sot votimet lokale

Në Kosovë kanë nisur sot zgjedhjet lokale, të cilat do të zhvillohen në 36 komuna të vendit. Mbi 1.5 milionë shqiptarë të Kosovës, do të mund të zgjedhin krerët lokalë dhe këshilltarët e komunave.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07.00 dhe do të mbyllen në orën 19.00, ndërsa gjatë orëve të mbrëmjes do të priten dhe rezultatet e para.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se votimet do të do të zhvillohen në 12 rajone zgjedhore në 36 komuna, 3 prej të cilave të me shumicë serbe, të krijuara këtë verë në bazë të planit të decentralizimit, përkatësisht Graçanica, Kllokoti dhe në Ranilluga.

Gjithsej në këtë garë zgjedhore janë regjistruar 74 subjekte politike, 34 prej të cilave shqiptare, 22 serbe, 7 boshnjake, 4 turke, nga dy ashkalinje dhe të Malit të Zi, një e egjiptasve, goranëve dhe romëve. Nuk dihet ende nëse serbët do t’i bojkotojnë plotësisht votimet, pasi ata janë ndodhur nën presionin e Beogradit për të mos marrë pjesë, ndërsa autoritetet vendore serbe dhe shqiptare si dhe ato perëndimore u kanë kërkuar që të votojnë në zgjedhjet e 15 nëntorit.

Këto zgjedhje do të vëzhgohen nga vëzhgues vendës dhe të huaj. Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka angazhuar rreth 2,400 vëzhgues. KQZ-ja nga ana tjetër ka akredituar mbi 21,300 vëzhgues.



5 mijë policë të angazhuar për zgjedhjet

Policia e Kosovës ka angazhuar mbi 5 mijë policë për të siguruar mbarëvajtjen e procesti zgjedhor.
Forcat e rendit do të sigurojnë të gjitha depot, të gjitha vendet ku do të jetë materiali sensitiv, do të sigurohen nga policia.

“Nuk do të lejohet lëvizje e materialeve dhe fletëvotimeve pa prezencën e policisë. Po ashtu, po ofrojmë siguri për të gjithë ata që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë”, ka deklaruar dje Granit Fetahu, drejtor i policisë për planifikim dhe zhvillim pranë departamentit të rendit publik.

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it thonë se nuk kanë plane të veçanta operative për ditën e zgjedhjeve. “

Re: Kosove: zgjedhjet per pushtet 15 nentor 2009

Posted: Sun Nov 15, 2009 6:45 pm
by qiellikaltër
Adriana wrote:Bexhet Pacolli:Ku bashkohem dhe ku ndahem me Albin Kurtin
PACOLLI I NDARË - SKIZOFRENIA POLITIKE E TIJ!

Shkruan: Visar Ymeri - Prishtinë, 10. 11. 2009

Në shkrimin e tij Pacolli flet për atë që na bashkon. Për ta diskutuar këtë gjë janë të domosdoshme disa parakushte. Njëri prej tyre, që njëkohësisht është edhe më i rëndësishmi, është sinqeriteti. Për të qenë të sigurt nëse bashkohemi diku, duhet t’i besojmë Pacollit. Prandaj nuk po e diskutojmë këtë fare. Të mos humbim energji me kërkimin e parakushteve. Se Pacollit i mungon sinqeriteti edhe kur flet për ato që na ndajnë. Ai thotë se ndahemi në pozicionin tonë karshi zgjedhjeve të cilat ne kemi thirrur të bojkotohen, e në të cilat Pacolli është duke marrë pjesë, pra edhe duke kërkuar pjesëmarrje sa më masive.

Mirëpo kjo nuk është gjëja e vetme ku ne ndahemi me Pacollin. Ai qëllimisht i harroi gjërat tjera të rëndësishme ku ndahemi. Në jemi kategorikisht kundër Planit të Ahtisaarit si frymë dhe përmbajtje. Pacolli e përqafon atë. Ne i kundërshtojmë fuqishëm dhe aktivisht 6 Pikat e Ban Ki-moon-it. Pacolli ka dalë publikisht në mbrojtje të tyre, madje duke i quajtur si jo edhe aq të këqija (për dallim prej perceptimit të tyre si një imponim nga jashtë).

Ne jemi kundër pushtetit ekzekutiv të ndërkombëtarëve në Kosovë, i përcjellë me imunitetin nga ligji dhe mungesën e llogaridhënies që këto kanë, në formën e ICO-së dhe EULEX-it. Pacolli i pranon këto, në tërësi, pa i problematizuar, dhe pa u ‘ndarë’ në asgjë me ta. Ne i kemi kundërshtuar, dhe jemi mbajtur në burg për këtë kundërshtim, Protokollet e EULEX-it me Serbinë. Pacolli prapë i ka pranuar këto Protokolle, madje pa e pyetur askush (se duke qenë në ‘opozitë’ ai ka mundur thjesht të hesht për Protokollet).

Ne jemi kundër këtij decentralizimi mbi baza etnike që e ndan Kosovën si territor, institucione (gjyqësi, polici, arsim, shëndetësi) dhe resurse (ujë). Pacolli e përkrah këtë decentralizim (edhe) përmes pjesëmarrjes në këto zgjedhje lokale. Ne jemi kundër procesit të privatizimit të zbatuar në Kosovë, dhe kundër shitjes së ndërmarrjeve publike të Kosovës. Pacollit kjo nuk i pengon. Asnjëra nga këto.

Por i pengojmë ne - thirrja jonë për bojkot. Se kjo na qenka për Pacollin thirrje për anarki. Pra nëse bojkotohen zgjedhjet, do të kemi anarki, që nënkupton se dalja në zgjedhje e eviton anarkinë, që po ashtu nënkupton se tash nuk kemi anarki. Por anarkinë e kemi pikërisht tash. Anarki përfundi diktaturës që po mirëmbahet me këto zgjedhje lokale që shërbejnë si ventil për koalicionin qeveritar qendror.

Në vend se të vazhdohet të krijohet masa kritike kundër tendencës totalitariste qeveritare dhe asaj paternaliste të ndërkombëtarëve, po shpërqendrohen energjitë drejt çështjeve komunale. A nuk është anarkiste gjendja politike sot: partitë në koalicion na paraqiten njëkohësisht sikur armiqtë më të mëdhenj politik, opozita (Pacolli) duket më e afërt me pozitën (PDK) se sa vet pozita (LDK), kurse Kryeministri premton miliona euro në fushatë sikur të ishin paratë e veta e jo publike

Pacolli thotë që mosdalja në zgjedhje e vazhdon këtë pushtet, kur pikërisht dalja në këto zgjedhje është vazhdim i këtij pushteti në aspektin praktik (vazhdimin e jetës së pushtetit qendror) si dhe në aspektin teorik (vazhdimin e këtij pushteti si frymë). Pra kur Pacolli na akuzon neve për një lloj ndikimi anësor që thirrja jonë për bojkot do ta ketë (vazhdimin e pushtetit), vetëm ia ndërron vendet agjentëve pjesëmarrës në këtë të vërtetë - se jo bojkoti por pikërisht pjesëmarrja në zgjedhje e vazhdon këtë pushtet. Pra pikërisht vazhdimin e pushtetit të të këqijve, kategorimizim ky i cili Pacolli e quan tonin dhe nga i cili me perfiditet e përjashton veten.

· Por pse po flet Pacolli tash për këto gjëra?

Për vota. Pacolli po bën fushatë. Dhe në këtë është duke i shënjestruar ata qytetarë (që ai, dhe të tjerët si ai, i shohin vetëm si votues) të cilët pajtohen me Lëvizjen VETËVENDOSJE!,mirëpo mund ta kenë ndonjë rezervë të vogël. E ne u themi edhe atyre MOS VOTONI! E këtë thirrje ia bëjmë edhe Pacollit.

Bojkotoje veten për t’i kundërshtuar këto procese të dëmshme. Kështu Pacolli bëhet i sinqertë. Dhe vetëm kështu bashkohet.

Re: Kosove: zgjedhjet per pushtet 15 nentor 2009

Posted: Sun Nov 15, 2009 7:15 pm
by Aleksandër
15 arsye për të mos dalë në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë vlerëson se gjenden plot 15 arsye që shqiptarët e shtetit më të ri të mos dalin për votime këtë të dielë në zgjedhjet vendore.
Sipas Lëvizjes, fakti që për secilat palë zgjedhje qytetarët i janë përgjigjur përherë e më pak thirrjes së politikanëve për të votuar për ta, tregon se populli i Kosovës e ka kuptuar gjithnjë e më shumë kotësinë e zgjedhjeve pas të cilave mbetet sistemi i njëjtë politik.

Ky vetëdijësim gjithnjë e më i madh, shprehet Vetëvendosje, është lajm i mirë dhe shpresdhënës për ndryshimet e ardhshme.

Pikërisht nisur nga ky fakt, në kuadër të ngritjes së mëtutjeshme të kësaj vetëdijeje qytetare, Lëvizja Vetëvendosje djet organizoi një aksion simbolik.

Në sheshin Nëna Tereze të kryeqytetit u vendos një pano e madhe në të cilën janë listuar 15 arsye substanciale pse nuk duhet të dilet në këto zgjedhje lokale.

Aktivisti Glauk Konjufca tha se pavarësisht kandidatëve garues, dalja në këto zgjedhje e legjitimon formalisht decentralizimin, pra ndarjen etnike të Kosovës.

Zgjedhje, do ti legjitimojnë strukturat paralele të Serbisë në 23 komuna të Kosovës në të cilat Serbia ka mbajtur zgjedhje më 2008. Kurse përmbajtësisht, pavarësisht që kanë emra të ndryshëm, secili prej tyre kontrollohet nga kryetarët e tyre partiakë. Kosova, pra, është problem qendror, u shpreh Konjufca/

Populli i Kosovës, tha më tej Konjufca, - nuk mund ta mënjanojë të keqen, duke e zgjedhur një të keqe më të vogël. Ai duhet të përgatitet që masivisht ta kundërshtojë elitën politike, ashtu siç ka ndodhur nëpër të gjitha vendet e Evropës Juglindore. Në fund, aktivisti Konjufca, shtoi se Kush voton, i bjen pishmon, por pas disa javësh.

Në përfundim të aktivitetit, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar me listim, edhe 15 arsyet që sipas saj, nuk duhet shkuar në zgjedhje:
Vota më 15 nëntor nuk është zgjedhje.

Ajo është pranim i zgjedhjes së tjetërkujt.

Ajo është pranim i...

... krijimit të entitetit serb brenda Kosovës

... ndarjes etnike të Kosovës

... vazhdimit të pushtetit të strukturave paralele
... legalizimit të ndërhyrjes politike të Serbisë në Kosovë

... humbjes së një pjese të resurseve tona ujore
... sistemit të ndarë arsimor
... sistemit të ndarë shëndetësor
... policisë etnikisht të ndarë
... gjyqësisë etnikisht të ndarë

... moslejimit të kthimit të shqiptarëve në veri

... vazhdimit të pushtetit aktual qendror

... mosmbrojtjes së kufijve të Kosovës

... privatizimit të shërbimeve publike

... pasurimit të politikanëve

... varfërimit tonë të vazhdueshëm

Mos e prano zgjedhjen e tyre

Më 15 nëntor MOS VOTO!

Zgjedh përnjëmend!

http://www.infoarkiv.com/media/artikull ... e-zgjedhje

Re: Kosove: zgjedhjet per pushtet 15 nentor 2009

Posted: Tue Nov 17, 2009 4:41 pm
by Sally



KQZ shpall rezultatet preliminare



Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar në mbrëmje të së hënës rezultatet e para preliminare. Kryetarja Nesrin Lushta nuk ka dhënë përqindjet e fituara nga partitë politike në nivel vendi, duke thënë se ato do të bëhen publike ditëve në vijim. Por ka dhënë rezultatet paraprake të fituara nga kandidatët nëpër komunat e Kosovës. Rezultatet paraprake janë këto:


Prishtinë:Isa Mustafa nga LDK 56.6 %, Vegim Gashi nga AKR 22.2 %, Astrit Salihu nga PDK 11.9 %, Besnik Tahiri nga AAK 5.4 %, Rexhep Osmani nga ADK 0.6 %, Sadri Ramabaja nga PSD 0.9 %, Ramadan Beqiri nga KOHA 1.1 %, Selvete Ismajli nga PS 0.2 %, Daut Maloku nga PGJK 0.2 %.

Drenas: Nexhat Demaku nga PDK 89.9 % dhe Halil Kuliqi nga AAK 10.1 %.

Deçan: Tahir Kuçi nga PSD 3.7 %, Mehmet Bojka nga LDK 18.8 %, Ismet Hulaj nga LDD 3.7 %, Musë Mushkolaj nga PDK 6.2 % dhe Rasim Selmanaj nga AAK 67.7 %.

Gjakovë: Palë Lekaj nga AAK 52.8 %l, Mimoza Kusari-Lila nga AKR 40.7 %, LDK me Fehmi Vulën 4.5 %, Shahin Roka nga PSD 0.1 % dhe Ilir Bytyqi nga PDK 1,9 %.

Gjilan:Qemajl Mustafa nga PDK 38.4 %, Fatmir Rexhepi nga LDK 27.6 %, Ahmet Isufi nga AAK 13.7 %, Jashar Ramadani nga LDD 9.3 %, Omer Daku nga AKR 8 % etj.

Dragash: Halim Shemsidini nga LDK 37.2 %, Salim Jenuzi nga PDK 39.7 %, Qasip Kushiq nga Koalicioni Vakat 12.9 %, Burim Piraj nga AAK 7 %, AKR me Fatim Tefiku 3.1 %.

Istog: Fadil Ferati nga LDK 47.8 %, Naim Imeri nga AAK 21.4 %, Idriz Blakaj nga PDK 17.2 %, Rifat Osmanaj nga LDD 12.1 %, Gojart Lubeniqi nga AKR 0.9 % dhe Afrim Sadikaj nga PSD 0.6 %.

Kaçanik: Xhabir Zharku nga PDK 48.3 %, Tahir Qaka nga AAK 26.7 %, Lulzim Dema nga LDK 15.9 %, Afrim Loku nga AKR 9 % dhe Naim Mustafa 0.1 %.

Klinë: Sokol Bashota nga PDK 37.1 %, Enver Berisha nga AAK 32.2 %, Fadil Gashi nga LDK 21.4 %, Zenun Zeqa nga LDD 4.3 %, Pjetër Coli nga PSHDK 2.8 % dhe Ibish Rraci, PSD 0.7 % dhe Adem Gashi 0.6 %.

Fushë Kosovë: Burim Berisha nga LDK 57.2 %, Ahmet Krasniqi nga PDK 24.8 %, Hasan Magjuni nga AKR 7.8 %, Ismajl Muharremi nga AAK 4.3 %, Ahmet Grajçevci nga PSD 2.2 %, Radoman Dodoroviç nga CDS 2.4 % dhe Bajram Isla 1.2 %.

Kamenicë: Begzad Sinani nga PDK 33.3 %, Shaip Surdulli nga LDK 21.7 %, Ramadan Basha nga AKR 21.2 %, Lulzim Leci nga AAK 19 %, Nexhmije Kallaba nga LDD 4.8 %.

Mitrovicë: Avni Kastrati nga PDK 39.4 %, Nexhmedin Spahiu nga AKR 22.9 %, Hysni Ahmeti nga AAK 15.5 % dhe Mursel Ibrahimi nga LDK 19.8 %.

Leposaviq: Ardita Hasani nga AAK 100 %.

Lipjan: Shukri Buja nga PDK 45.9 %, Imri Ahmeti nga LDK 36.8 %, Banush Bytyqi nga AKR 13 %, Xhevat Olluri nga AAK 2.8 % dhe Naser Bytyqi nga PSD 1.5 %.

Novobërdë: Bajrush Ymeri nga LDK 44.8 %, Ramush Mehmeti nga AKR 10.6 %, Svetisllav Ivanoviç nga KL-Za Bolju 8.8 %, Radovan Denic nga SNSD 11 %, Srdan Jovanovic nga LSL 7.7 %, Gafurr Mustafa nga PDK 10.2 %, Avdullah Gashi nga AAK 6.5 % dhe Sadik Makolli nga PSK 0.4 %.

Obiliq: Haki Mjekiqi nga PDK 32.3 %, Enver Gashi nga AAK 22.3 %, Shukri Klinaku nga LB 14 %, Mehmet Krasniqi nga LDK 24.5 %, Sejdi Halimi nga PEK 0.2 %, Sanije Grajcevci nga PSD 0.7 % dhe Aziz Bici 2.1 %.

Rahovec:Qazim Qeska nga PDK 35.6 %, Ibrahim Kryeziu nga LDK 22.9 %, Islam Gashi nga AAK 19.1 %, rexhep Oruqi nga AKR 13.7 %, Lulzim Krasniqi nga PSD 0.5 % dhe Sali Hoti nga LIB 8.3 %.

Pejë: Ali Berisha nga AAK 43.4 %, Elmi Berisha nga LDD 16 %, Ilhami Gashi nga PDK 14 %, Agim Bërdyna nga LDK 13 %, Gazmend Muhaxheri nga ORA 10.3 %, Ramiz Libusha nga PSD 1.6 % dhe Adem Gorani nga PD 1.9 %.

Podujevë: Agim Veliu nga LDK 50.2 %, Muhamet Latifi nga PDK 30.1 %, Ismet Abdullahu nga AAK 11.8 %, Ejup Visoka nga IQ 4.4 %, Tefik Durmishi nga PSK 0.3 % dhe Imer Hajdini nga PD 2.5 %.

Prizren: Ramadan Muja nga PDK 31.2 %, Hanefi Muharremi nga LDK 30.3 %, Bislim Zyrapi nga AAK 6.1 %, Shem Kabashi nga PD 4 % dhe Oruq Karadolami nga NDS 2.8 % etj.

Skenderaj: Sami Lushtaku nga PDK 85 %, Fadil Geci 10.5 %, Habit Haziri nga PGJK 1.6 %, Rushit Haliti nga AAK 1.7 %, Liridon Hoti nga PSK 1.1 %.

Shtime: Naim Ismajli nga PDK 51.6 %, Ismajl Hasani nga LDK 25.4 %, Enver Ademi nga LDD 14.1 %, Halil Halili nga PSD 5.2 % dhe Hetem Pajaziti nga AAK 3.7 %.

Shtërpce:Bratisllav Nikolic nga SLS 36.9 %, Beqir Fejzullahu nga PDK 25.8 %, Ali Halimi nga PSK 18.4 %, Tefik Islami nga LDD 8.2 %, Predrag Gërbic nga ZZSZ 4.3 % etj dhe Fadil Halimi nga AAK 2.5 %.

Suharekë: Blerim Kuqi nga AAK 34.3 %, Ramë Vata nga PDK 32.2 %, Sali Asllani nga LDK 31.2 %, Muhamet Bajraktari 1.7 % dhe Adem Kadolli nga PSK 0.6 %.

Ferizaj: Bajrush Xhemajli nga PDK 50.5 %, Naim Fehrati nga AKR 16.2 %, Milazim Haliti nga LDD 16 %, Faik Grainca nga LDK 11.5 %, Fadil Rexhepi nga PSK 0.8 %, Rrahim Sadiku nga AAK 4.5 % dhe Ekrem Mustafa nga PSD 0.6 %.

Viti: Nexhmedin Arifi nga PDK 30.5 %, Sokol Haliti nga LDD 32.3 %, Gani Ismajli nga PSK 0.8 %, Enver Rrustemi nga AAK 21.7 %, Musa Misini nga LDK 14.7 %.

Vushtri: Bajram Mulaku nga PDK 48.4 %, Muharrem Shabani nga AAK 26.7 %, Halil Kuqi nga LDD 4.4 %, Ibush Jonuzi nga LDK 19.9 % dhe Emin Qerkezi nga PSD 0.6 %.

Zubin Potok: Naser Ferizi nga PDK 53.4 % dhe Fatmir Karimani nga AAK 46.6 %.

Zveçan:Semi Kelmendi nga AAK 100 %.

Malishevë: Isni Kilaj nga PDK 48.2 %, Jonuz Kastrati nga lDK 31.7 %, Gani Krasniqi 16 %, Gani Zogaj nga AAK 1.8 % dhe Alban Kastrati nga AKR 2.2 %.

Junik: Agron Kuqi nga AAK 49.5 %, Tahir Isufaj nga LDK 33.1 %, Shpëtim Gacaferri nga LDD 10. 6 %, Niman Tofaj nga PDK 5.8 % dhe Ali Kastrati nga AKR 1.1 %.

Mamushë: Arif Bytyq nga KDPT 80.9 %, Mehmet Mazrek nga AKR 11.4 % dhe Berzad Morina nga PDK 7.7 %.

Hani i Elezit: Mehmet Ballashi nga PDK 36.6 %, Rufki Suma 44.2 %, Musafer Danjani nga LDK 14 % dhe Mendu Vlashi nga AAK 5.2 %.

Graçanicë:Bojan Stojanovic nga SLS 61.8 %, Nebojsha Peric nga Vidovdan 12.2 % dhe Momcillo Trajkovic SPOT 12 % etj.

Ranillug: Gradimir Nikic nga GIZOR 70.4 %, Perica Andelkovic nga CKMC 29.6 %.

Kllokot: Sasha Mirkovic nga SLS 100 %

Re: Kosove: zgjedhjet per pushtet 15 nentor 2009

Posted: Tue Nov 17, 2009 4:43 pm
by Sally
Protestë e mijëra qyetetarëve të Gjakovës




Aleanca Kosova e Re, e vlerëson protestën e sotme të qytetarëve të Gjakovës, si thirrje demokratike për drejtësi dhe respektim të votës së lirë
Në një komunikatë për media të Aleancës Kosova e Re, thuhet se mijëra qyetetarë të komunës së Gjakovës kanë protestuar sot, me iniciativën kundër manipulimit të votave dhe tjetërsimit të vullnetit të votuesve në këtë komunë. Kjo thirrje e qytetarëve të Gjakovës është thirrje e shpresës për vetdijësim edhe në qytete të tjera të Kosovës, duke e parë se imazhi i këtyre zgjedhjeve është dëmtuar me manipulimin e votave në Gjakovë dhe Viti, gjë që shton dyshimin për manipulime edhe ne komuna të tjera si Prishtina Kamenca dhe Kaqaniku, thuhet në komunikatë.

AKR nuk mund të pajtohet me vlerësimin e insitucioneve, se këto zgjedhje u zhvilluan në frymë të lirë dhe demokratike. Faktet flasin ndyrshe. Institucionet përgjegjëse të shtetit tone, nuk mund të injorojnë videot ku shihet mbushja e kutive nga komisionerë të partive të ndryshme. Raportet e policisë për kërcënime me armë dhe votimet në emër të atyre që nuk janë në këtë jetë, apo që jetojnë jashtë Kosovës, thuhet në komunikatën e Aleancës Kosova e Re.

Presidenti dhe gjithë përfaqësuesit e lartë të shtetit duhet të distancohen nga interesat e ngushta partiake dhe të vlerësojnë drejtë këtë proces zgjedhor, në mënyrë që të mund të përmirësojmë gabimet që janë bërë. Prandaj ata nuk mund të pretendojnë se jemi shtet demorkatik në qoftë se heshtet përballë këtyre manipulimeve.

Gjakova është fillimi i ndryshimeve që duhet të ndodhin domosdoshmërisht në Kosovë. Ndryshime që kanë të bëjnë me respektimin e votës së lirë të qytetarëve. Ne nuk do të pranojmë asnjëherë keqpërdorimin e votave si diqka të mirë, por do ta luftojmë me të gjitha format demokratike cënimin dhe shkeljen e vullnetit të qytetarëve, thuhet në komunikatën e Aleancës Kosova e Re.

Kjo parti iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të kundërshtojnë fuqishëm, tendencën e institucioneve qendrore për të mjegulluar këtë proces, duke mbuluar të verteta të dhimshme të manipulimit të votave.

AKR vlerëson, se asnjë process tjetër në Kosovë, nuk mund të jetë më i rëndësishëm se sa leximi i drejtë i vullnetit të qytetarëve të Kosovës.

Aleanca Kosova e Re, kërkon nga Institucionet e Kosovës dhe nga KZAP ja, që të marrin masa të menjëhershme, për zbardhjen e së vërtetës në Gjakovë dhe në secilën komunë tjetër, ku ka pasur keqpërdorime të votave. Ne e mbështesim fuqishëm protestën e sotme ne Gjakovë, duke e vlerësuar demorkatike dhe të qytetëruar, si thirrje paqësore për drejtësi.