Hapja e kutive, opozita nis protestën maratonë
Posted: Fri Nov 20, 2009 4:47 pm

TIRANE-
Leskaj: Sot Shqipëria sundohet, nuk qeveriset
Në protestën që ka më shumë se një orë që po mbahet përpara kryeministrisë ka folur edhe deputetja e Partisë Socialiste Valentina Leskaj.
Leskaj nuk ka humbur kohë të kërkojë hapjen e kutive të 28 qershorit.
“Arsyeja që prej 4 muajsh na mban peng që prej 28 qershorit është mbyllur në kutitë që po mban peng Berisha”
Sipas Leskaj, sot po protestohet për një kauz të madhe dhe jo për një kauz personale, protestohet për ti dhënë fund sundimit të kësaj qeverie.
“Shqipërisë i mungon e drejta e votës, jemi ketu për një kauz të madhe jo personale, kjo është e drejta e qytetarisë që ju e keni denoncuar në cdo qytet, në emër të lirisë dhe demokracisë, për ti dhënë fund sundimit të Sali Berishës. Shqipëria nuk qeveriset por sunddohet, por ne jemi të vedosur ti shkojmë deri në fund kauzës tonë”, thotë Leskaj.
Deputetja Leskaj ka akuzuar këtë qeveri për shkallën e lartë të korrupsionit duke u renditur në vendin e fundit në rajon.
“Kjo qeveri e ka lënë Shqipërinë në vendin e fundit në rajon, në vendin më të korruptuar në rajon.Kjo qeveri po na jep prova se është futur në një rrugë pa kthim”, thotë Leskaj.
Sipas saj ndryshimi fillon “me hapjen e kutive, për të mposhtur diktaturën e frikës, të korrupsionit, për ti kthyer shqiptarëve shtetin e së drejtës”. Në përfundim të fjalës së saj Leskaj theksoi se nuk do të futen në parlament pa u zbardhur e vërteta.
Milo: Po nëpërkëmbet demokracia
Në fjalën e tij Kryetari i PDS-së, Paskal Milo në protestën e hapjes së kutive ka thënë që duhet ti jepet fund antishtetit, pasi vendi ka nevojë për zgjidhje të krizës. Kjo sipas Milos është kauza për të cilën protestohet sot, për shtetin demokratik.
“Kauza jonë është e rëndësishme, nuk ka të bëjë me emrat e kandidatëve që iu mohua e drejta për të na përfaqësuar në Parlament. Thelbi është tek demokracia e dhunuar dhe e nëpërkëmbur, ku shqiptarët kanë mungesa të lirisë, për të votuar të lirë, për të administruar vullnetin në kutitë e votimit”, shprehet Milo
Milo thekson se, demokracia nuk ka mundur kurre te adoptohet në realitetin shqiptar. Ai ndalet të komentoje edhe vlerësimet e ndërkombëtarëve.
“Ambasadoret e BE shprehën keqardhjen për shkallën e korrupsionit. Por do të bënin më mirë që të mos raportojnë realitetin shqiptar duke mos rrumbullakosur gjysmë të vërtetat”, përfundon Milo.
Ndoka: Nuk tërhiqemi pa ndëshkuar politikisht hajdutët e votës
Kreu i demokristianëve Nard Ndoka i cili për herë të parë i bashkohet protestave të PS për hapjen e kutive të votimit, ndonëse kishte shprehur mbështetjen e partisë së tij për këto protesta, theksoi përpara qytetarëve të pranishëm në protesën e sotme se PDK ka provuar me fakte vjedhjen e 11 mijë votave nga ata që ai i quajti “mafia e Sali Berishës”.
“PDK u bashkua me protestën e opozitës pasi provoi me fakte se vota e qytetarëve është vjedhur nga mafia e Sali Berishës e cila ka vjedhur më shumë se 11 mijë vota” theksoi Ndoka ndërsa i bëri thirrje prokurorisë të hetojë në varësi të fakteve të depozituara nga republikanët, të cilat sipas tij janë të mjaftueshme për të vërtetuar vjedhjen e votave.
“Faktet tona i depozituam në Prokurori, por për shkak të presionit të qeverisë, hetimi ende nuk ka nisur” u shpreh Ndoka.
Kreu i PDK theksoi se partia që ai drejton nuk do të tërhiqet pa ndëshkuar politikisht hajdutët e votave, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të protestojnë qetësisht.
“Mos përdorimi i dhunës është arma më e mirë që simbolizon protestën. Ju ftoj të protestojmë qetësisht” tha Ndoka.
Dule: Vullneti politik mbahet i ngujuar në kuti
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule theksoi se vendi qeveriset nga një njeri që nuk mund ta cojë Shqipërinë në Bashkimin Europian për shkak se sic tha ai “në Bruksel nuk shkohet me vullnet politik të ngujuar në kutitë e votimit”.
Dule theksoi se drejt BE-së shkohet vetëm me transparencë, demokraci e institucione të konsoliduara.
Ruci: Hapni kutitë sot, se nesër do jetë vonë
Ashtu sic ishte paralajmëruar, protesta e Partisë Socialiste përpara Kryeministrisë, u hap nga deputeti Gramoz Ruci. Në fjalën e tij Ruci bëri me dije se, fillimi I kësaj proteste është vetëm fillimi i një qëllimi final kundër hajdutëve të mëdhenj të votës së lirë. Ruci ka përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit në këtë protestë.
“Përshëndes këtë barrikadë të madhe njerzore e cila ngrihet ndaj hajdutëve të mëdhenj të shtetit”, tha Ruci.
Në fjalën e tij Ruci theksoi se Shqipëria nuk meriton të qeveriset nga një njeri si Sali Berisha. Pasi ai është i etur për para dhe pushtet edhe pse deklaron se ka në pronësi vetëm një apartament.
“Nesër do të jemi edhe më shumë, jemi bashkë dhe mendojmë në një mënyrë. Shqipëria nuk meriton të qeveriset nga banda e Sali Berishës, ai për para dhe pushtet është i gatshëm të djegë gjithë Shqipërinë. Ai që thotë se ka në pronësi vetëm një apartament e ka futur vendin në një tunel pa shpresë për të ardhmen”, thekson Ruci.
Ruci i ka bërë edhe njëherë thirrje Berishës të hapë kutitë e votimit se nesër do të jetë vonë.
“Ai këron të bëhet zot i votave të shqiptarëve. Ju votoni thotë ai se votat tuja i mbaj unë, ne i themi atij hap kutitë e votimit bëje sot, hapi kutitë se nesër do jetë vonë”!
Ruci shpreh se Berisha e ka djegur këtë vend 12 vjet më parë dhe po tenton edhe sot pas 12 të mbajë peng votat.
“Sot ketu 4 muaj pas proves se krimit electoral vota juaj eshte ende ne ate kuti.
Jemi në udhën e lirisë sonë, për të zgjedhur, për të drejtën e votës sonë, do ti themi jo sundimtarit të fundit në pushtet, atij që na vrau votën”
Ruci e ka mbyllur fjalën e tij duke iu kërkuar ndjesë kryeqytetasve për të vetmin incident të shkaktuar, atë të bllokimit të trafikut.
“Kërkoj ndjesë për një detaj. kërkoj ndjesë për problemet me trafikun, por me lejoni të them së asnjë sakrificë nuk është e tepërt. Kjo shërben për ti dhënë fund trafikut të votave, trafikut të dinjitetit”, përfundon Ruci.
Protestuesit mbërrijnë përpara kryeministrisë
Turma me qytetarët që i janë bashkuar protestës së madhe të opozitës në sheshin Skënderbej, e udhëhequr nga kryetari e deputetët e Partisë Socialiste dhe krerët e partive të tjera që janë solidarizuar me kërkesat e PS për transparencën e zgjedhjeve. Turma nën sloganet “Dua të shoh votën time” apo “Ku është vota ime” sapo ka mbërritur në sheshin përpara kryeministrisë, ndërsa i gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me njerëz.
Ndërkohë ashtu sic pritej edhe deputetët e “Qëndrimit ndryshe në PS” i janë bashkuar protestës pasi ata janë shprehur pro kërkesave për hapjen e kutive të votimit ndonëse kundërshtojnë bojkotin e parlamentit.
PS ka treguar kështu se është e bashkuar kur bëhet fjalë për transparencën e zgjedhjeve.
Opozita do të ngrejë zërin përmes protestës 3 ditore për ti hapur rrugën transprencës së zgjedhjeve.
Hapja e kutive, opozita nis protestën maratonë
Nis protesta maratonë e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Ashtu sic ishte parashikuar, tubimi ka nisur në orën 16:00 në sheshin Skënderbej, për të vazhduar më pas marshimin drejt bulevardit përpara kryeministrisë.
Opozita ka vendosur të ngrejë cadra në mes të bulevardit prej ku protestuesit do të qëndrojnë për tre ditë rresht përpara kryeministrisë.
Mësohet se deputetët socialistë janë të organizuar për të qëndruar nga 20 deputetë në 3 netët që do të vazhdojë protesta. Kryesocialisti pritet të qëndrojë në cadra gjatë natës së sotme.
Pranë cadrave që do të ngrihen përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”do të vendoset në mikrofon që do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë kohës, prej nga oratorë të ndryshëm do të japin mesazhet e tyre.
Socialistët theksojnë se do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre nëse Berisha nuk lejon hapjen e kutive të votimit. PS bën të ditur se protesta e sotme është vetëm fillimi, pas kësaj socialistët do të shpallin qeverinë të paligjshme dhe do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme.
Leja për protestën është siguruar lehtë nga policia dhe nuk ka pasur ndonjë kundërshtim lidhur me afatin 3-ditor. Por, kundërshtimi i drejtuesve të policisë mësohet që të ketë qenë për vendosjen e çadrave në mes të bulevardit, para Kryeministrisë, aty ku do të qëndrojnë edhe njerëzit me orë të tejzgjatura. Organizatorët socialistë thonë se janë marrë të gjitha masat që protesta të jetë paqësore.