
Prizren, 24 korrik – Marrëveshja e nënshkruar mes ministrive të Arsimit të Kosovës dhe të Shqipërisë për bashkëpunim arsimor dhe shkencor, në mars të këtij viti, pritet të nisë të jetësohet në shtator të këtij viti.
Fillimisht me përdorimin e abetareve nga autorët e vendeve përkatëse, një angazhim që synon të nxisë përfarimin e teksteve mësimore mes dy shteteve. Ministri i Arsimit i Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe homologu i tij nga Shqipëria, Myqerem Tafaj, janë dakorduar për këtë hap gjatë takimit të zhvilluar sot në Prevallë të Prizrenit, ku kanë diskutuar edhe çështjet tjera që lidhen me përparimin e sistemeve arsimore të dyja vendeve dhe shkëmbimin e përvojave në nivel akademik.
Ministri Hoxhaj ka bërë të ditur se nga viti i ardhshëm shkollor disa abetare nga Republika e Shqipërisë do të përdoren në Republikën e Kosovës, sikurse që edhe abetarja e vetme që e ka Kosova do të përdoret në disa shkolla të Shqipërisë, si fazë provuese.
"Në bazë të punës që është bërë deri më tash mendojmë se vitin e ardhshëm mund të pilotohet përdorimi i disa abetareve dhe i disa teksteve tjera në shkollat tona. Por në të njëjtën kohë edhe në shkollat e Shqipërisë do të përdoren tekstet tona shkollore, me qëllim të testimit të idesë se çka nënkupton shkëmbimi dhe përafrimi i teksteve mësimore. Mandej do të bëhet një analizë, do të nxirret një bilanc sa i përket përafrimit të teksteve dhe programeve gjatë viteve të ardhshme", ka thënë Hoxhaj pas takimit të zhvilluar me ministrin e Shqipërisë, Tafaj.
Hoxhaj ka sqaruar se përafrimi i teksteve shkollore është një standard global që duhet aplikuar edhe në vendet e rajonit, sidomos duke marrë për bazë pikat e përbashkëta që ka Kosova dhe Shqipëria. "Kosova dhe Shqipëria kanë një hapësirë të përbashkët kulturore dhe gjuhësore, një traditë të bashkëpunimit dhe të gjitha këto duhet t’i shërbejnë ngritjes së cilësisë në institucionet tona fillore, të mesme, por edhe të larta... Prandaj, abetaret do të përdoren nga një shtatori i këtij viti në formën e testimit apo pilotimit të idesë", ka deklaruar Hoxhaj.
Ndërsa ministri i Arsimit të Shqipërisë, Myqerem Tafaj, ka theksuar se mbështet vënien në jetë të këtij projekti, sikur që do të ofrojë përkrahje edhe për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha aspektet që lidhen me fushën e arsimit.
"Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona të parreshtura për të përafruar zhvillimet tona në arsim në të gjitha drejtimet, për të gjitha objektivat kryesore.
Hapësira është shumë e madhe dhe ne do të ndikojmë tek institucionet e arsimit dhe do t’i mbështesim edhe financiarisht që të intensifikojnë bashkëpunimin me institucionet homologe të Republikës së Kosovës", është shprehur Tafaj.
Ai ka shprehur bindjen se të dyja vendet janë në rrugë të mirë të intensifikimit të bashkëpunimit dhe të marrëvëshjes së nënshkruar muaj më parë për bashkëpunim
arsimor dhe shkencor. "Unë e mbështes shkëmbimin e teksteve, gjë të cilën e kemi në marrëveshje. Kjo tregon qartë se ne këto tekste synojmë që t’i sjellim në shkollat e Kosovës ashtu si edhe tekstet e autorëve të Kosovës në shkollat e Shqipërisë", është shprehur ministri Tafaj, duke potencuar edhe punën e grupeve punuese në përafrim të programeve mësimore, lëvizje të nxënësve dhe binjakëzim të shkollave.
Dy ministrat më 8 mars të këtij viti patën nënshkruar marrëveshje bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës, me të cilën synohej harmonizimi i programeve mësimore, teksteve shkollore në nivelin fillor, të mesëm dhe të lartë, me qëllim të përafrimit të sistemeve dhe institucioneve arsimore e shkencore të dyja shteteve.
Pos diskutimit të kësaj çështjeje, ministrat gjatë takimit kanë folur edhe për reformën e kurikulumit të ri, zhvillimin profesional të mësimdhënësve, bashkëpunimin mes universiteteve e bashkëpunimin shkencor. Në këtë rrafsh, ministri Tafaj ka shprehur bindjen se hapja e Universitetit në Prizren paraqet një mundësi të mirë për rritjen e bashkëpunimit në nivelin
akademik.
"Përvoja jonë në Shqipëri ka treguar se hapja e universiteteve madje edhe e filialeve është një rrugë shumë efektive për rritjen e pjesëmarrjes në arsim, për rritjen e nivelit arsimor por edhe zhvillimin e qyteteve dhe rajonit. Hapjen e Universitetit të Prizrenit e konsideroj si sihariq të madh, jo vetëm për të rinjtë po edhe për zhvillimin e rajonit ngase tani jemi dy orë larg nga Tirana dhe ne kemi mundësi për ta mbështetur këtë institucion me profesorët tanë", ka thënë Tafaj, duke shprehur bindjen se në të ardhmen gjithnjë e më shumë studentë do të vijnë nga Shqipëria për të studiuar në Kosovë.
Ndërkaq ministri Hoxhaj ka pohuar se ka pasur interesim të studentëve shqiptarë për t'u regjistruar në universitetin e ri publik dhe njëkohësisht ka bërë të ditur se ata do të kenë trajtimin e njëjtë sikur studentët e Kosovës. "Në vizionin tonë Prizreni është qytet i rëndësishëm ekonomik, kulturor por edhe universitar mes Tiranës, Shkodrës e Prishtinës. Prandaj çdo student nga Shqipëria është i mirëseardhur.
Universiteti i Prizrenit nuk i takon vetëm Republikës së Kosovës, por është edhe i Shqipërisë dhe i të gjithë grupeve
tjera etnike që ekzistojnë në Ballkan, meqë mësimi në të do të zhvillohet edhe gjuhën turke e boshnjake", ka përfunduar Hoxhaj.
Vizita e ministrit Tafaj në Kosovë do të vijojë edhe të dielën me takimet në Prizren.
