TIRANE-Shqipëria blu do të qëndrojë dhe në targat e makinave. Qeveria merr vendimin për të ndryshuar modelin e targës, duke i zhveshur emblemën e flamurit kombëtar me ngjyrë të kuqe dhe shqiponjën e zezë.
Në vendimin e djeshëm qeveria e djathte, këtë emblemë e ka kthyer nga të kuqe, në blu. “Stema zyrtare (emblema), të cilën duhet të mbajnë në të majtë targat e çdo tipi, paraqet sfondin me ngjyrën e flamurit të BE-së, blu, mbi të cilin vendoset shqiponja dhe simboli ‘Al’ me ngjyrë të bardhë. Në të djathtë të targës opsionale, sfondi me ngjyrën e flamurit të BE-së, blu, mbi të cilin vendoset viti i parë i regjistrimit në Republikën e Shqipërisë (brenda një rrethi të bardhë) dhe shenja e ndarjes administrative me ngjyrë të bardhë”, thuhet në vendimin e qeverisë. Të gjitha llojet e targave do të kenë këtë stemë në makinat e tyre në të ardhmen. Më parë targa ka qenë e konfiguruar me stemën kuqezi të shqiponjës, gërmat e qyteteve dhe katër shifra dhe një gërmë. Tashmë nga rikonfigurimi i ri i targës do të jetë stema me sfond blu, shqiponja e bardhë dhe simboli i shtetit, “Al” (Albania) po me ngjyrë të bardhë. Ndërkohë që stema e Republikës së Shqipërisë është e përcaktuar dhe me Kushtetutë e me ligj.
Këtë lloj të ri targash do ta mbajnë të gjitha tipet e makinave që nga ato shtetërore, private, të misionit diplomatik, taksive dhe të policisë.

