Tronditje dhe pikëllim - të paktën 19 të vdekur gjatë Loveparade në Duisburg
Parada e sivjetshme e dashurisë u shoqërua të shtunën (24.7.) nga një tragjedi e paparë: disa të rinj u ngjitën në disa shkallë dhe ranë nga lartësia. Si pasojë humbën jetën të paktën 19 dhe u lënduan 340 njerëz
Në orët e vona të së shtunës mbrëma Parada e Dashurisë po vazhdonte ende. Nga altoparlantët e mëdhenj të vendosur në hapësirat e stacionit të dikurshëm hekurudhor të mallrave në qytetin Duisburg dëgjohej ende muzika techno, disa mijëra njerëz po vallëzonin dhe vazhdonin festën e tyre. Ndërkohë që disa helikopterë shpëtimtarë po silleshin në ajër mbi vendin ku kishte ndodhur tragjedia, siç duket shumë prej pjesëmarrësve në paradë nuk e kishin kuptuar ende se çfarë kishte ndodhur. Në mënyrë që të evitohet ndonjë panik masiv i mundshëm organizatorët vendosën që të mos ndërpresin menjëherë paradën. Wolfgang Rabe, drejtues i shtabit të krizës në qytetin e Duisburgut sqaroi se:
"Pas peshimit të të gjitha aspekteve të sigurisë shtabi i krizës së qytetit vendosi që të mos ndërpresë menjëherë aktivitetin. Ne deshëm që kjo shfaqje të mbarojë në qetësi dhe kështu të evitonim edhe ndonjë panik tjetër të mundshëm. Ne ndërpremë edhe trafikun urban në drejtim të qytetit Duisburg në mënyrë që të pengojmë dyndjen e mëtejshme të vizitorëve."
Ndërkohë janë dhënë hollësi të reja për shkaqet e katastrofës. Sipas njohurive të fundit shkaktare e tragjedisë në të cilën humbën jetën 19 vizitorë të paradës nuk ka qenë siç supozohej në fillim paniku i shkaktuar në një tunel. Djemtë dhe vajzat janë ngjitur në disa shkallë të ngushta urgjence dhe në një skelë për altoparlantët dhe kanë rënë nga lartësia. Ata kishin provuar që të arrijnë më shpejt në hapësirat ku po zhvillohej parada.
"Rreth orës 17.14 para hyrjes së tunelit, pra jo në tunel brenda ka ndodhur një rast tragjik. Viktimat humbën jetën pasi që janë ngjitur në disa shkallë të ngushta urgjence për të kaluar pengesat e murit të tunelit", njoftoi Rabe.
Me tronditje dhe pikëllim reaguan politikanët ndaj ngjarjeve gjatë Paradës së Dashurisë në Duisburg. Në të njëjtën kohë u kërkua një sqarim pa rezerva i arsyeve. Kancelarja Angela Merkel i shprehu të afërmve të viktimave ngushëllimet e saj. Presidenti Christian Wulff tha se shpresonte që të afërmit e të plagosurve të marrin shpejt ndihmë. Kryeministrja e landit të Renanisë Veriore - Vestfalisë, Hannelore Kraft, tha se i gjithë vendi mban zi për të rinjtë dhe të rejat që donin të festonin paqësisht dhe që humbën jetën gjatë dramës së llahtarshme.
"U trondita shumë. Janë kaq shumë të rinj sot që gjenden rrugës për tek aktiviteti. Jam pjesëmarrëse në dhimbje me të afërmit dhe me ata që ishin të pranishëm dhe që me siguri nuk arrijnë ta përpunojnë ngjarjen e tmerrshme", tha Kraft.
Kryetari i bashkisë së Duisburgut Adolf Sauerland deklaroi se një festë gëzueshme ishte kthyer në një nga tragjeditë më të mëdha të historisë së re të qytetit. Organizatorët iu shprehën në faqen e internetit ngushëllimet e tyre të afërmve.
Ekipet e emergjencës në Duisburg provuan të shtunën në mbrëmje që t'i japin fund paradës pa ndonjë incident tjetër. Ato kishin hapur të gjitha daljet emergjente të hapësirave ku zhvillohej parada. Policia ka hapur menjëherë një linjë telefonike për pjesëtarët e familjeve dhe miqtë e vizitorëve të paradës.