
Padang është qyteti më i goditur, ndërkohë që autoritetet kanë dhënë alarmin për një cunami rajonal, por nuk dihet ende nëse ka viktima nga tërmeti.
"Qindra shtëpi janë shembur, shumë vatra zjarri janë shkaktuar dhe ndërkohë disa ura janë rrëzuar. Banorët janë përfshirë nga paniku, pasi tubacionet e ujit janë shkatërruar duke shkaktuar përmbytjen e rrugëve", tha për agjencinë Reuters një dëshmitar nga vendi i ngjarjes.
Indonezia është e vendosur në një rrip me aktivitet shumë të lartë sizmik, që njihet si "Unaza e Zjarrtë e Paqësorit". Instituti Gjeologjik Amerikan përcaktoi fuqinë e tërmetit në 7.9 ballë të shkallës Rihter.

Padang, kryeqendra e provincës indoneziane të Sumatras Perëndimore, ndodhet në një nga zonat me aktivitetin më të lartë sizmik të botës.
Një tërmet me fuqi 9.15 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër afro 600 kilometra nga Padangu, shkaktoi një cunami shkatërrimtar në vitin 2004, ku të paktën 232 mijë persona humbën jetën në provincën indoneziane Aceh, Tajlandë, Sri Lanka, Indi dhe vende të tjera përgjatë Oqeanit Indian.