Po troket një vit tejet i vështirë për Prokuroren e Përgjithshme, zonjën Ina Rama e bashkë me të edhe për Drejtësinë
shqiptare.Drejt zyrës së saj janë vërsulur e po vërshojnë tashmë dhjetra padi politikanësh të lartë, duke nisur nga padia e kryetarit të opozitës për Kryeministrin e deri ajo më e fundit, e prefektit të Tiranës për kryetarin e Bashkisë, njëkohësisht edhe kryetar i opozitës. Edhe pushteti lokal ka filluar të hedhë në gjyq pushtetin qëndror...Nuk di nëse edhe policitë, ajo ndërtimore me atë të shtetit janë në gjyq të ndërsjellë...Padira, padira, përditë padira në vend të kartolinave për Vitin e Ri! E sigurt është se në zyrën e Kryeprokurores “flenë” dosje të vjetra e të reja, dosje dhe akuza të depozituara muajt e fundit nga ministra dhe deputetë, nga viktima dhe qytetarë, nga politikanë dhe institucione të lartë, siç janë çështjet madhore: Gërdeci, rruga Durrës-Kukës, Basha, Mediu, Fazlliçi, Tajvani, Kakomeja, kutitë e zgjedhjeve, marrëveshja e kufirit detar me Greqinë, etj. etj.
Nuk ka ditë të mos dëgjojmë nga një padi të re e cila, para se të shkojë te Ina Rama, më së pari shfaqet dhe recitohet nëpër ekrane me ngjyresa dhe maja të mprehta politike...Të gjithë oratorët e metingjeve, të gjitha zëdhënëset e partive, deputetët e rinj, karrieristët e rinj, zyrtarët e rinj, zullumqarët e paduruar e të panginjur, pasi japin prova besnikërie me shpifje, akuza e sharrje, më në fund edhe ata janë të detyruar t’i drejtohen Prokurorisë së Përgjithshme, zonjës Ina Rama, e cila, sipas tyre, duhet të japë urgjentisht drejtësi, duke ndëshkuar sa më shpejt dhe sa më ashpër armikun (e klasës) të kryetarit të tyre!
Përroi i politikës tashmë ka dalë nga institucionet, nga Kuvendi, nga komisionet kuvendore, nga marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet e partive, nga organet e zgjedhura e të pavaruara; ajo është hedhur e tëra në rrugë, e, nga sheshet e metingjeve, nga deklaratat e zëdhënëseve, nga podiumet dhe nga ekranet, politika niset e shkon përherë e më tepër “në drejtim të paditur”; por tanimë ky përrua që merr përpara gjithë “katundin” tonë të madh, Shqipërinë, pasi na përmbyt me kuç e me maç, më në fund e gjen rrugëdaljen: akuzat dhe shpifjet dhe arkivohen në zyrën e Prokurores së Përgjithshme, zonjës Ina Rama!
Kësisoj Prokuroria e Përgjithshme duket sikur, për hir të “respektimit të ligjit dhe Kushtetutës”, është vënë e po vihet në pozitën e një lavazhi kombëtar, të një organi suprem, i cili me gjasme dhe më në fund do të ndajë shapin nga sheqeri në këtë vend, duke u vetëvendosur mbi politikën, mbi krerët e lartë të politikës, mbi qeveritarët, mbi kryeministrin, mbi kryetarin e opozitës, mbi ministrat dhe deputetët e akuzuar, pra edhe mbi Kuvendin...Sipas kësaj logjike duket sikur është vetëm Prokuroria e Përgjithshme ai mekanizëm çudibërës e magjik që do të shkulë nga rrënjët tentakulat mafiozo-puniste e do të sjellë (ose jo) Drejtësinë e munguar në shoqëri!...
Por a është e mundur kjo?
***
Tashmë është bërë e qartë se politika e pret dhe e kërkon zgjidhjen e lëmshit që ka kolokrepsur vetë, prej gati njëzet vjetësh, nga vullneti dhe nga përkushtimi në detyrë i zonjës Ina Rama...Me një gjuhë më metaforike, Rozafën që shëmb ditën politika, natën duhet ta ndreqë e gjithëpushtetshmja dhe e devotëshmja Ina Rama. Kjo lipset të jetë shpëtimtarja jonë e vetme në këto ditë të qametit mediatik kur njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit, po gomarin kush e kullot? Tekefundit kjo do të thotë që mes heshtave dhe helmeve të kryeministrit dhe të kryetarit të opozitës duhet të vihet kryeprokurorja e cila u dashka të sillet si një burrneshë e paparë, një Shotë, një Zhan d’Arkë, n’daç edhe një Silvia Konti e cila, në emër të ligjit, më shumë edhe se një arbitër ndërkombëtar, do të shpallë para shqiptarëve se njëri nga dy krerët kryesorë është fajtor e tjetri i pafajshëm, se njëri qënkësh i korruptuar deri në grykë dhe tjetri i ndershëm, se, më në fund, njëri duhet të dënohet e tjetri të shfajësohet...
Kjo situatë paradoksale duket sikur pritet me padurim nga politika e ditës, nga krerët e saj që betohen e stërbetohen natë e ditë për një demokraci të vërtetë, për një Drejtësi dhe shtet ligjor...Kjo përshtypje e rremë, edhe për do kohë, do të vazhdojë të mbajë të mbërthyer për gryke jo vetëm politikëbërjen, por edhe opinionin tonë publik, sidomos militantët partiakë, për t’i çuar këta të fundit bashkë me qytetarët e thjeshtë deri në një asfiksi të plotë morale, kur të gjithë të quhen të baltosur, njëlloj të poshtër e njëlloj të korruptuar, situatë kjo e një kolapsi të pashëmbullt, pas së cilës domosdoshmërisht do të lipset të kryhet një “amnisti morale” e përgjithshme! Pra, o të mbytemi të gjithë në të njëtin pus, o të lahemi e shpëlahemi të gjithë nga mëkatet! Domethënë të amnistohen e të falen edhe ata që janë kriminelë, edhe ata që janë viktima, edhe ata që kanë mbetur me gisht në gojë, edhe ata që janë bërë miliarderë, edhe hajduti edhe i vjedhuri...Por kjo është e pamundur!
E meqë është e pamundur (mesa duket edhe për këtë shkak ne na lanë të fundit për vizat), gjasat janë që të na mbajnë edhe në muajt e ardhshëm përsëri pas dere, larg mureve të BE-së, duke vënë si shkak mungesën e Drejtësisë e të luftës antikorrupsion...Dhe atëhere automatikisht do të dalë se fajin nuk e kanë krerët e lartë të politikës, po e ka Prokuroria e Përgjithshme e konkretisht Ina Rama që nuk e ka luftuar krimin dhe korrupsionin sa dhe si duhet, pasi edhe ajo ka fjetur mbi dosjet e krimit, pasi ata, -krerët tanë të politikës-, ia kanë kërkuar këtë me aq këmbëngulje, duke çuar edhe vetë me dhjetra padi për njëritjetrin!
Ja ku fle lepuri! Është e qartë, në derën e Prokurorisë e të Ina Ramës nuk shkohet për të çuar padi kundër njëritjetrit, por për të çuar një alibi më shumë, dmth për të larë duart dhe fytyrën, duke u mbrojtur nëpërmjet sulmit....Ndaj Ina Rama do të bëhet koka e turkut, njëlloj si pararendësit e saj...Sepse politika, pasi të lajë sërish duart e saj të pista në legenin e prokurorisë së Përgjithshme do të dalë nëpër ekrane të na thotë: e shihni, o shqiptarë, se kush e ka fajin që ne na mbyti korrupsioni?A jemi ne që e çuam padinë për Berishën në Prokurori? A e paditëm ne të tjerët Edi Ramën? Pse asnjë syresh nuk është dënuar?
***
Jo Ina Rama, po edhe Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve të vijë këtu, do ta ketë të pamundur të zgjojë nga gjumi “dosjet që flenë”...Sepse prapa kryetarëve të partive që kanë akuzuar njëritjetrin me një “gjuhë lufte” të paskrupullt, janë dy partitë e mëdha, është një taborr i pamatë skifterësh, shtetarësh, deputetësh,zëdhën ësish,analistësh, sipërmarrësish, militantësh, të cilët mezi presin të futen në betejë për të dhënë prova besnikërie e që, duke mbrojtur kryetarin përkatës, ata e dijnë se kësisoj do të mbrojnë edhe veten, edhe interesin vetiak, edhe postin e privilegjet...Ndaj një palë syresh do të lëvdojë kryeprokuroren (nëse ndodh çudia që ajo të veprojë), kurse pala e humbur do ta quajë vegël, të shitur, të blerë, të korruptuar, etj, etj...Pra, edhe veprimi, edhe mosveprimi do ta fundosë edhe më tepër Ina Ramën në ditët që vijnë... Duke qënë kësisoj e paralizuar nga politika, meqë në zyrën e saj, si fantazma e Dankos vërtiten hijet e kryeprokurorëve të shkarkuar me bujë e akuza të papërballueshme, edhe Prokurores së Përgjithshme, zonjës Ina Rama, në fakt i janë dhënë vetëm çelësat e kashtës në dorë, çelësa që do të shërbejnë për t’u bërë edhe ajo kurbani i radhës, njëlloj si pararendësit e saj...
Ndonëse ambasadori amerikan në Tiranë tha se ajo ka “shansin të hyjë në histori”, për t’i dhënë mbështetje dhe kurajë, Ina Rama u sulmua që në ditët e para pikërisht nga ata që e përzgjodhën dhe e emëruan...Ajo u paralajmërua, njëlloj si veprojnë qarqet mafioze, se, nëse do të guxojë të prekë ato dosje të mallkuara, do të jetë një Sallaku femër! Por nuk ka shqiptar që nuk e di se dosjet e rrezikshme që mbajnë emrin e Berishës, të familjes apo të bashkëpunëtorëve të tij, Ina Rama nuk i prek dot! As nuk i hap dhe as nuk i mbyll dot “dosjet e mëdha të shekullit”...Nuk i hap se nuk ka kurajë, integritet dhe guxim të mjaftueshëm. Nuk e bën dot këtë hap “historik” se nuk do që të pësojë të njëjtin fat me atë të pararendësve të saj. Nuk e bën se ka frikë nga e nesërmja që mund t’i bëhet pis...Nuk e bën se nuk mbështetje ligjore. Nuk e bën se e di fort mirë se ç’fund e pret ende pa e nisur dosjen hetimore në gjykatë. Nuk e bën se e di që gjykatat “e pavarura” do ta hedhin në erë (si e hodhën, qoftë edhe me “procedura”)...Nuk e bën edhe se nuk ka njerëz, vartës, prokurorë të guximshëm që do të pranojnë “të hidhen në zjarr” bashkë me të...Nuk e bën se nuk ka jo grua, po as burrë në këtë shoqëri të traumatizuar, që të guxojë të përballet jo në gjyq, po edhe nëpër ekrane me Sali Berishën! Nuk e bën se të gjithë pararendësit e saj kanë dështuar dhe janë përzënë me bisht në shalë...Nuk e bën dot se, edhe pse duket si zyrtari i lartë që ka më shumë imunitet se kushdo, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë është në të vërtetë njeriu më i pambrojtur, më me pak imunitet e bash për këtë arsye frika është edhe më e madhe!
Të gjitha këto e të tjera si këto janë, besoj, arsye të mjaftueshme që të bëjnë të kuptosh se e gjithë loja me padira që po bëhet me Ina Ramën, është një tjetër manovër e shëmtuar dhe e ndyrë e parisë së Tiranës me Drejtësinë shqiptare! Të gjithë të paditur, të gjithë të akuzuar, të gjithë të baltosur! Por i fituar do të dalë nga kjo llumhane ai që ka më shumë pushtet dhe para! Ja përse tek nuk është bërë e nuk bëhet dot një Reformë e qënësishme në Drejtësi: sepse krerët e politikës duan të mbajnë dhe të kenë monopolin mbi organet e Drejtësisë, mbi të gjitha nivelet e gjykatave bashkë me Prokurorinë; sepse e dijnë fort mirë se vetëm me këtë krye-monopol mund të ruajnë për një kohë të gjatë të gjitha monololet e tjera, ato në ekonomi, në pushtet, në pasuri, në prona, në media, në parti, në ndershmëri, në poste dhe, pse jo, edhe në histori!
Prandaj nuk ka armë më të rrezikshme e më shkatërrimtare se vrasja e paralajmëruar e Drejtësisë!
Prandaj tek ne Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ngjan më shumë me një viktimë të radhës, se sa si njeriu qëndror i akuzës, si mbrojtës i të Drejtës!
Prandaj, të vjen të ulurish: po ç’keni, o udhëheqës të lavdishëm me Ina Ramën, pse i bini më kot në qafë? Ajo “vetëm kos po ha”...Kështu ju përgjigj gruaja jevgut kur ky vuri re se mes famijëve ishte edhe një bojnd....-Po ky i kujt është o gru që nuk më ngjet?...-E ç’ke me të, - ju përgjegj e shoqja,- ky i shkreti vetëm kos po ha....”
"Moreover, you scorned our people, and compared the Albanese to sheep, and according to your custom think of us with insults. Nor have you shown yourself to have any knowledge of my race. Our elders were Epirotes, where this Pirro came from, whose force could scarcely support the Romans. This Pirro, who Taranto and many other places of Italy held back with armies. I do not have to speak for the Epiroti. They are very much stronger men than your Tarantini, a species of wet men who are born only to fish. If you want to say that Albania is part of Macedonia I would concede that a lot more of our ancestors were nobles who went as far as India under Alexander the Great and defeated all those peoples with incredible difficulty. From those men come these who you called sheep. But the nature of things is not changed. Why do your men run away in the faces of sheep?"
Letter from Skanderbeg to the Prince of Taranto ▬ Skanderbeg, October 31 1460
Barrë e rëndë për zonjën Ina Rama
Moderator: bardus
- DrCia
- Junior Member
- Posts: 4
- Joined: Tue Dec 29, 2009 7:14 pm
- Gender: Male