Page 1 of 1

Arrestohet këngëtarja Liljana Kondakçi

Posted: Sat Apr 03, 2010 8:02 pm
by Adriana
Interpoli italian arreston në Greqi këngëtaren Liljana Kondakçi
02-04-2010

SELANIK -Mediat greke bëjnë të ditur se është arrestuar sot në Selanik, për llogari të autoriteteve italiane, këngëtarja shqiptare Liljana Kondakçi.


Referuar burimeve policore mësohet se Interpol Roma e kishte shpallur person në kërkim 58 vjeçaren shqiptare, pasi është provuar se ajo është pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës.


Ajo u kap një vit më parë me 3 kg drogë në Itali, por deklaroi në polici se nuk dinte çfarë përmbante pakoja, pasi ia kishin bërë dhuratë. Fillimisht ajo u lirua por më pas, hetimet e prokurorëve italianë provuan se Kondakçi, që thirrej nga banda "la mama", ishte pjesëtare e rrjetit.


Pritet që e arrestuara t'i dorëzohet në ditët në vijim autoriteteve italiane. Sipas policisë greke, ajo ishte strehuar në Selanik që nga problemet e fundit me drejtësinë.

Re: Arrestohet këngëtarja Liljana Kondakçi

Posted: Sat Apr 03, 2010 8:09 pm
by Adriana
Lexoni këtu shkrimin e botuar në gazeten "Shekulli", me date 1 nëntor 2008, për implikimin e Kondakçiut në bandën e drogës.



Kondakçi, "mamaja" e bandës së drogës


ITALI- Policia italiane shkatërron një bandë italo-shqiptare të trafikut të drogës, të lidhur ngushtë me organizatën mafioze "Ndrageta". Sipas mediave italiane, operacioni policor është zhvilluar mëngjesin e djeshëm në zonën e Kalabrisë, ku janë arrestuar 20 persona, ndërsa janë prerë edhe disa urdhër-arreste të tjera. Mësohet se heroina mbërrinte në Itali nëpërmjet Shqipërisë, për t'u shpërndarë më pas në veri të vendit apo edhe në tregun evropian të narkotrafikut. Mediat raportojnë se organizata e shkatërruar gjatë operacionit të koduar "Shkodër" përbëhej nga italianë, shqiptarë dhe rumunë, të cilët kryenin aktivitetin e tyre në bashkëpunim të ngushtë me mafian "Ndrageta". Në krye të kësaj organizate ishte italiani Saverio Magliaro, 58 vjeç, i cilësuar nga hetuesit italianë si bosi i trafiqeve të lëndëve narkotike në Itali.


Policia italiane, gjatë hetimeve të saj, ka zbuluar se Savero Magliaro e siguronte heroinën por edhe hashashin nga familja Smajli nga Shkodra. Asnjë sasi droge që mbrërrintenga Shqipëria, nuk mund të futej në tregun kalabrez pa kaluar më parë nga Altomonte. Magliari, sipas akuzës, ishte dominuesi i tregut narkotik në bregdetin verior të Kalabrisë. Sipas hetimeve të kryera, të cilave u referohen mediat italiane, familja Smajlisiguronte çdo lloj droge, që nga heroina deri tek marijuana, pa qenë nevoja që ndonjëri prej anëtarëve të saj të shkonte në Itali. Për transportimin e drogës drejt brigjeve italiane, kjo familje përdorte korrierët. Sipas agjencisë së lajmeve, ANSA, njëra prej korriereve të drogës drejt Italisë është edhe këngëtarja e njohur shqiptare, Liliana Kondakçi, e cila dyshohet se është pjesë e një rrjeti të trafikut. Duke cituar përgjimet telefonike të kryera nga grupi hetimor, agjencia e lajmeve ANSA ka shtuar se këngëtarja Kondakçi njihej nga anëtarët e tjerë të bandës me emrin e koduar "La mamma".

Nga burimet e mësipërme mediatike mësohet se policia italiane ka prerë një tjetër urdhër-arrest për këngëtaren Liljana Kondakçiu, duke e akuzuar atë për trafik droge, por këngëtarja ka mohuar dje akuzat për median. Këngëtarja 56-vjeçare është arrestuar më parë në Itali, në vitin 2006, pak pasi kishte mbërritur nga Shqipëria në Bari. Përgjimet telefonike nga ana e policisë italiane të cilave u referohet agjencia italiane e lajmeve ANSA dëshmojnë se Liljana Kondakçi është njohur mes anëtarëve të grupit si "mamaja" apo "këngëtarja". Nga të njëjtat burime mësohet se këngëtarja shqiptare ka përdorur popullaritetin e saj për t'u shpëtuar kontrolleve të policisë në Shqipëri. Hetimet lidhur me bandën e mësipërme po drejtohen tani nga gjykatësit e Katanzaros, të cilët po tentojnë të zbulojnë të gjithë personat e implikuar në këtë rrjet të trafikut të drogës.

SHQIPTARËT E AKUZUAR

Liljana Kondakçi, 56-vjeç, me pseudonimin "La mamma"

Bashkim Kubazecaj, 32 vjeç, nga Shkodra, me pseudonimin "flokëgjati"

Luan Kubazecaj, 35 vjeç, banues në Trebisace

Albert Mesiti, 28 vjeç, me pseudonimin "Marko"

Elvis Metvelaj, 24 vjeç, banues në Trebisace

Rodon Rexhepi, 28 vjeç

Fisnik Smajli, 35 vjeç, me pseudonimin "tullaci"

Sajmir Ujkaj, 33 vjeç

Gential Ulqini, 25 vjeç, banues në Trebisaçe

Gentian Hamzaraj, 30 vjeç



Kondakçi: Jam në Tiranë, s'kam probleme me drogën



TIRANË- "Lajmi për drogën nuk është i vërtetë. Unë nuk kam më probleme me drejtësinë italiane". Kështu është shprehur dje për televizionin "News 24" këngëtarja Liljana Kondakçi, për të cilën policia italiane mendohet se ka prerë një tjetër fletë arresti. "Për momentin ndodhem në Tiranë dhe nuk jam ndaluar për drogë. S'kam probleme me drejtësinë italiane. Lajmi se për mua është prerë një urdhër arresti nuk është i vërtetë. Ky lajm është sqaruar para dy vitesh e gjysmë më parë. Tani unë nuk e kuptoj se përse del, pasi unë kam dalë si zonjë, me të gjithë rregullat e duhura dhe procedurat italine. Në Shqipëri qëndroj prej më shumë se 2 vitesh. Nuk e di se për çfarë hetimesh bëhet fjalë, përderisa unë kam dalë e rregullt dhe e pafajshme, unë jam në rregull dhe nuk kam pasur arsye të mendoj se do të vazhdojnë hetimet",-ka pohuar në reagimin e saj këngëtarja 56-vjeçare. E pyetur se pse emri i saj ndodhet në listën e personave të implikuar, Kondakçiu nuk ka ditur t'i japë shpjegim."Edhe unë nuk e di atë. Po përpiqem ta zgjidh këtë. Nuk e di pse emri im figuron në listën e të implikuarve në trafikun e drogës. Atë letër që disponoj unë e kamdhe me vulë, ku thuhet që unë nuk hetohem më. Po gjithsesi do ta ndjek vetë këtë punë dhe sigurisht që do ta çoj deri në fund. Unë e mohoj faktin e implikimit në trafikun e drogës",- përfundoi këngëtarja Liljana Kondakçi.