Page 1 of 1

Artikuj nga Maqedonia

Posted: Sat May 08, 2010 4:24 pm
by Socio
Rropatje për një identitet dhe histori të imagjinuar e të dëmshme për vendasit
Termi Maqedoni në kuptimin e sotëm paraqet vetëm një emër territori, i cili shtrihet 70 % në Greqi dhe 30 % në shtetin e ri qe mban këtë emër.
Por, përsa i përket popullit të saj, ai sot është një përzierje prej shqiptarësh, bullgarësh, sllavësh maqedonas, serbësh, turqish, vëllehësh (aromunësh), romësh (jevgjish), boshnjakësh, torbeshësh, yrikësh në juglindje të Maqedonisë dhe që flasin një dialekt të turqishtes e të tjerësh që në numër janë më pak.
Pra, kjo është Mqedonia shumetnike, një realitet që i ka rrënjët thellë në historinë e këtij vendi antik.
Sipas historianit grek Strabonit, gjeografikisht vendi i sotëm i Maqedonisë, para se të quhej me këtë emër, është quajtur Emadhia me kuptimin e fjalës shqipe “e madhja” dhe është populluar një pjesë prej ilirëve dhe epirotëve, kurse pjesa tjetër më e madhe e saj është banuar prej maqedonasve (antikë), thrakasve e botëve të ardhur nga Kreta, që kishin origjinë pellazge, jo greke. Fjala “botë” ka kuptimin e fjalëve shqipe “tokë, dhe-u”.
Vlen të theksojmë se ilirët, thrakasit, maqedonasit, epirotët dhe botët janë degë të trungut të moçëm pellazg. Kurse grekët vijnë aty më vonë e përzihen me pellazgët.
Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, është i njohur nga bota e krishterë si pris i Emadhisë. Edhe Venediku e quan Skënderbeun pris të Emadhisë. Në shkrimet dhe mbishkrimet kishtare, si dhe në afreskat dhe figurat që i kushtohen Skënderbeut në shumë kisha të historisë së asaj kohe Skënderbeu njihet, diku si mbret i Emadhisë, diku si mbret i Maqedonisë.
Gjurmë të emrit Emadhi gjejmë sot edhe në toponiminë shqiptare te apelativi Mat-i, lat. Ematis, lumë dhe krahinë në Shqipëri dhe lumi Matka (Mat+ka) afër Shkupit, që janë tema fjalësh të një rrënje shqipe.
Gjithashtu sipas historianit Straboni, Emadhia quhet më vonë me emrin e sotëm të Maqedonisë sipas emrit Makedon që mbante prisi i një fisi luftarak të Emadhisë.
Nga Straboni mësojmë edhe atë se “Maqedonasit dhe Epirotët lehtë bashkëjetojnë, meqë kanë gjuhë, tradita, doke, zakone dhe veshje, kostume të shkurtra, dmth. fustanella, të ngjashme”.
Megjithatë, të gjithë popujt që jetojnë sot në Maqedoni janë një kategori gjeografike pavarësisht nga etnogjeneza e tyre, gjuha, raca, kombi, feja, lëvizjet dhe shtegtimet e tyre territoriale brenda dhe jashtë vendit të sotëm ku jetojnë. Ata kanë këtu edhe autoktoninë e tyre, edhe traditën, edhe etnokulturën e vet, dhe aty ku jetojnë mund ta ndërtojnë e ta zhvillojnë edhe identitetin dhe historinë e tyre kombëtare, duke u mbështetur gjithmonë në fakte dhe argumente shkencore, pa dëmtuar interesat dhe vlerat nacionale e kulturore të njëri-tjetrit.
Vështruar nga ky aspekt, brenda sllavëve maqedonas sot ka një konfuzion në shprehjen dhe ndërtimin e identitetit dhe të historisë së tyre, duke mos ditur as vetë ata se kush janë dhe çka janë. Varësisht nga rrymat proserbe dhe probullgare që veprojnë në Maqedoni, disa thonë se janë sllavë, kurse disa të tjerë ngulin këmbë se janë maqedonas të vjetër.
Prejardhja sllave e të quajturve maqedonas mbështetet në fakte dhe argumente disiplinash të shumta e të ndryshme të historisë dhe të shkencës botërore, dhe kjo është e vërteta e pamohueshme lidhur me etnogjenezën e tyre e që përkrahet kryesisht nga rryma proserbe.
Ndërkaq, pretendimet e sllavëve të Maqedonisë, sidomos të rrymës probullgare, se kanë prejardhje nga maqedonasit antikë, janë të rrejshme dhe imagjinare, ngase nuk mbështeten në asnjë fakt dhe argument të historisë dhe të shkencës botërore.
Si pasojë e këtyre dy rrymave proserbe (LSDM) dhe probullgare (VMRO-DPMNE), ato kur vijnë në pushtet e ndërrojnë jo vetëm Qeverinë, por edhe etnitetin e tyre, duke thënë njëra palë se janë sllavomaqedonas, e tjetra se janë nipat e Aleksandrit të Madh.
Këta sllavë që nga shekujt VI-VII pas Krishtit, kur erdhën në Maqedoni, asgjë nuk morën nga maqedonasit e vjetër, sepse nuk i gjetën dot aty, ata prej kohësh ishin shuar, si dhe grekët e vjetër. Në këtë kohë në Maqedoninë antike ishte krijuar një realitet i ri banorësh, aty tashmë ishin në një anë grekët dhe më anën tjetër fiset ilire që paraqitnin një rezultat shkrirjesh (simbioze) të tyre me maqedonasit e vjetër.
Prandaj, ne shqiptarët sot në Maqedoni e më gjerë mund të themi lirisht se jemi më maqedonas se çdo kush tjetër në Maqedoni, se maqedonasit kanë qenë shumë të afërt me ilirët, sidomos me epirotët, pra degë të një trungu të përbashkët gjenetikisht, që dëshmon edhe bashkëpunimi i ngushtë shoqëror midis tyre, si në paqe, ashtu edhe në luftë, duke përfshirë këtu edhe nipin e epirotëve, Lekën e Madh, si mbret i Maqedonisë dhe pris i një ushtrie të madhe prej maqedonasish, ilirësh dhe grekësh, princeshën epirote dhe mbretëreshën e Maqedonisë, Olimpia, si dhe nënën e mbretit maqedonas, Filipit, që ishte ilire.
Sllavët e Maqedonisë kur depërtuan në këto vise, ata erdhën si fise nomade barinjsh dhe bënin një jetë shumë primitive baritore. Ata kopjuan e mësuan shumë gjëra të vlefshme për jetë e jetesë nga tradita dhe kultura ilire e greke, siç ishin blegtoria, bujqësia, detaria, zanatet dhe artizanatet e njohuri të tjera.
Kjo shënohet edhe nga historiani F.Shevil në librin “Ballkani”, i cili thotë se “pasi sllavët ishin një popull me nivel të ulët kulturor” ata vuanin vazhdimisht nga ky kompleks që i shtyri historikisht ta ngrenë veten me dituritë e huaja dhe me përvetësimin e personaliteteve të njohura të popujve të tjerë.
Pikërisht kjo është arsyeja pse “sllavët e kanë quajtur çdo gjë greke si sllave” dhe i përvetësuan edhe vëllezërit grekë Metodi dhe Kostandini, që pas priftërimit u quajt Kiril, duke i marrë prej atëherë e deri më sot si apostuj sllavë, të cilët me qëllim të ngritjes kulturore dhe fetare të sllavëve themeluan alfabetin, letërsinë dhe kishën ortodokse sllave me të gjitha shërbesat e saj fetare.
Pra, duke qenë në një gjendje injorance dhe prapambeturie të madhe të kohës, sllavët e kishin turp të deklaroheshin si të tillë, prandaj paraqiteshin si grekë, si ilirë e shumë shekuj më vonë edhe si maqedonas të vjetër. Thjesht ata distancoheshin prej çdo gjëje sllave dhe identifikoheshin me vlera të huaja, duke e ngritur veten me kulturë, me histori, me gjeografi e me personalitete të shquara të popujve të tjerë që për pasojë ky realitet historik po na përsëritet sot te elementi sllav në Maqedoni.
Kjo është një kohë e fundit e shekullit IX, viti 870, kur mbretëria pagane e bullgarëve u kthye në një shtet të krishterë dhe kur sllavët e Maqedonisë njiheshin para botës me këtë emër dhe fe, kurse gjuha e tyre është një dialekt i bullgarishtes së Anavardarit të Poshtëm.
Në këtë kohë e deri në shekullin XIX sllavët e Maqedonisë as që flisnin për ndonjë popull, histori, gjuhë e identitet tjetër përveç atij bullgar dhe etnokulturës e etnogjenezës së tij.
Që nga fillimi i shekullit XIX, kryesisht në Maqedoninë e Pirinit, por deridiku edhe në atë të Vardarit e të Egjeut fillojnë lëvizjet e sllavëve, të shqiptarëve e të vëllehëve për liri dhe pavarësi nga robëria e huaj osmane, të cilat pasuan me disa kryengritje kundër Perandorisë turke, me Ilindenin, me Republikën e Krushevës, dhe ku u dalluan si luftëtarë e si udhëheqës shumë shqiptarë, sllavë, vëllehë e të tjerë.
Përsa u përket sllavëve, ata edhe në këtë kohë e kanë mbrojtur me fanatizëm prejardhjen e tyre sllave dhe në këtë drejtim ka pasur një unitet të fortë ndër ta.
Në këtë kohë një pjesë e madhe e tyre distancohen nga emërtimi bullgar i tyre dhe fillojnë të quhen maqedonas, sipas emrit të vendit ku banonin.
Gjatë Mbretërisë serbe, kroate dhe sllovene Maqedonia u quajt Serbi Jugore dhe sllavët maqedonas merreshin si pakicë bullgare aty.
Kjo mbretëri jugosllave kolonizoi trojet shqiptare me malazezë dhe serbë për ta mbizotëruar elementin shqiptar nga ai sllav, dhe si pasojë e kësaj sot në Maqedoni ndeshim rivalitetin e rrymave të njohura proserbe dhe probullgare.
Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore më 1945, udhëheqësit jugosllavë, sidomos Titoja, me një dekret politik formuan në mënyrë artificiale në trojet shqiptare Republikën Socialiste të Maqedonisë si pjesë përbërëse të Federatës Jugosllave.
Të mos harrojmë se në këtë luftë për çlirimin e Maqedonisë kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën heroikisht të gjithë popujt e saj, ku mijëra shqiptarë ranë dëshmorë për liri dhe pavarësi të këtij vendi. Megjithatë, gjaku i tyre nuk u bë dritë për bashkatdhetarët e vet. Shqiptarët mbetën në një gjendje edhe më të rëndë kombëtare nga ajo që vuajtën bashkë me sllavët maqedonas e të tjerët nën okupimin serbomadh, dhe kjo fatkeqësi për çudi, edhe sot në pluralizëm e demokraci po i ngulfat ata, jo nga pushteti serb, por nga ultranacionalistët sllavomaqedonas.


Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë kohës së sistemit komunist jugosllav, sllavët e Maqedonisë u rreshtuan nën flamurin e prejardhjes së tyre sllave, duke brohoritur me krenari se “Ne jemi vëllezër sllavë!”, dhe kjo lavdi vërehej në literaturën shkollore dhe në mbarë historiografinë e tyre.
Me rënien e monizmit komunist dhe lindjen e pluralizmit demokratik udhëheqësit politikë sllavomaqedonas filluan të manipulojnë mjaft me etnogjenezën e tyre për interesa politike, ekonomike, karrieriste etj.
Kur kishin interes me Lindjen, botën ortodokse, ata deklaroheshin se janë sllavë; ndërsa kur i shihnin interesat te Perëndimi, ata thoshin se janë maqedonas të vjetër, dhe kjo po vazhdon në njëfarë dore edhe sot.
Në këtë kontekst, duhet shikuar edhe raporti mes popullit sllavomaqedonas dhe udhëheqësve të tij shtetërorë dhe politikë, të cilët janë aktivë dhe ushtrojnë ndikim të madh tek ai në përcaktimin e identitetit të tij.
Mesa shihet nga një realitet objektiv, masa popullore sllavemaqedonase duket se është më e vetëdijshme në zgjedhjen e identitetit sesa politikanët e saj të njërit apo të tjetrit tabor të luftës për fitoren e identitetit.
Populli sllavomaqedonas dhe pjesa më e madhe e intelegjencies së tij janë më unike dhe përkrahin realitetin shkencor për gjuhën, për etnokulturën dhe përgjithësisht për origjinën sllave të tij.
Megjithatë, ka mjaft individë dhe intelektualë, ndoshta nën ndikimin e politikës ditore, që flasin e shkruajnë se janë maqedonas të vjetër.
Identiteti i një populli legjitimohet me gjuhën dhe historinë e tij, mbështetet në dokumentet nacionale, e jo të deklaratave të politikanëve. Kjo vlen jo vetëm për sllavët në Maqedoni, por edhe për popujt e tjerë aty.
Shqiptarët, siç u tha, kanë shumë gjëra të përbashkëta me maqedonasit antikë, megjithatë, ata nuk thonë se janë maqedonas antikë, sepse kanë rrugën e identitetit të tyre që i çon nëpërmjet emrave alban, arban e shqiptar deri te ilirët.
Vëllehët (aromunët) kanë identitetin e vet që i lidh me gjuhën, historinë dhe kulturën e tyre rumune nga Dacia e lashtë që u pushtua nga romakët.
Sllavët në Bullgari morën emrin e vendit, sllavizuan gjuhën e kulturën e fiseve mongole, nga të cilat u pushtuan, nuk thanë se janë tatarë, por mbetën në etnogjenezën e tyre sllave.
Të dhënat më të reja të shkencës botërore flasin se në shkrimet e persishtes klasike i gjejmë emrat serboi dhe horvatoi, dhe kjo mund të jetë një provë e mjaftueshme se serbët dhe kroatët mund të kenë ardhur prej këndej në Ballkan si fise aziatike e të jenë shkrirë këtu me sllavë, të cilët morën pastaj emrin e tyre, por ata kurrë s’e kanë thënë këtë se janë persianë dhe gjuha e tyre ardhka nga persishtja. Jo! Ata pranojnë realitetin e tyre historik të etnosit sllav.
Edhe fiset mongole selxhukët nga Azia, të quajtura osmanli nga emri i të parit të tyre, erdhën në Ballkan dhe këtu u quajtën turk-turq, ndonëse morën emër të ri, ata kurrë nuk hoqën dorë nga identiteti i tyre osman dhe gjuha e tyre osmane, osmanishtja, e njohur sot si turqishtja e vjetër “eskityrçe”.
Yrikët janë fis aziatik i trungut selxhuk që me pushtimin e Pernadorisë Osmane të viseve të Ballkanit ata u vendosën në vise të ndryshme të Maqedonisë Juglindore, kryesisht në rrethinat e qyteteve të Shtipit, të Strumicës, të Gjevgjelisë, në Furkë, Bogdancë dhe Dojran. Para Luftës se Dytë Botërore ata arrinin një numër deri dyqind mijë sish. Mirëpo, pastaj krerët ultranacionalistë sllavomaqedonas me mjete të ndryshme presioni e dhune i detyruan të shpërngulen për Turqi.
Si rrjedhojë e një politike të këtillë shfarosëse edhe ndaj yrikëve, ata sot në këto vise nuk kanë mbetur më shumë se 20-30 mijë veta.
Edhe yrikët këtu po ndërtojnë identitetin e tyre nacional me gjuhë dhe histori të përbashkët me turqit.
Jevgjit e varianteve të ndryshme të etnogjenezës së tyre, si ata të përkatësisë fetare myslimane, ashtu edhe ata të fesë se krishterë, po ndihen si romë nga gjuha dhe historia ë tyre e lashtë dhe po e ndërtojnë sot këtë identitet.
Po kështu edhe boshnjakët dhe torbeshët po e ndërtojnë sot identitetin e vet, duke filluar nga një zanafillë e tyre e hershme ilire-sllave dhe me një ndërthurrje të mëvonshme të elementeve të besimit islam. Torbeshët madje po ndihen sot jo vetëm fetarisht, por edhe kombëtarisht si turq.
Pra, në këto vise të Ballkanit sasia e madhe e sllavëve dhe feja e përbashkët kanë pasur ndikim të madh te vendasit, madje më e madhe ka qenë influenca sllave sesa ajo fetare, dhe kjo mund të shihet edhe në viset ilire në Kroaci, Dalmaci, Bosnë e Slloveni, të cilat edhe u sllavizuan nga sllavët, edhe u islamizuan nga turqit, dhe gjurmët e tyre i ndeshim sot kryesisht të boshnjakët dhe te torbeshët si një produkt ilir-sllav-turk.
Edhe sllavët në Maqedoni kanë të drejtë ta krijojnë identitetin e vet dhe të deklarohen ashtu siç dëshirojnë për etnogjenezën e tyre, të konstruktohen në maqedonas antikë, nëse kjo pranohet e nuk kontestohet nga shkenca botërore dhe nuk dëmton identitetet e popujve të tjerë të gjallë ose të vdekur.
Shkenca universale sllavët në Maqedoni i radhit në grupin e popujve sllavë të jugut, gjuhën, historinë, traditën dhe kulturën e tyre materiale e shpirtërore i lidh me të kaluarën bullgare dhe pjesërisht serbe kohët e fundit.
Megjithatë, ky realitet sllav në Maqedoni nuk u pëlqen disa politikanëve dhe kuazintelektualëve sllavomaqedonas dhe për arsye të tyre nacionaliste e dëshirojnë identitetin e maqedonasve antikë, duke kërkuar aty lavdinë e tyre, ta ngrenë individualitetin e qenies së vet të kompleksuar dhe të zbukurohen para botës si korbi me pendlat e thëllëzës. Për ta identifikimi i falsifikuar me maqedonasit antikë është bërë një obsesion i dëmshëm jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për Ballkanin e jashtë tij.
Prandaj, ata duan që nga ky popull me një histori të lashtë e madhështore ta grabitin e ta uzurpojnë çdo gjë të tyre, emrin, flamurin, Lekën e Madh, Filipin II e të tjera e të tjera dhe me emrat e bustat e tyre nominojnë e ndryshojnë vendin, dhe kështu mashtrojnë veten me ëndrrat e një jete iracionale, fantastike dhe magjinare të një populli të idealizuar që ka ekzistuar me mijëra vjet para tyre e që nuk e lidh asgjë me këta sllavë.
Këto rropatje të elitës politike e kulturore, madje edhe akademike, të sllavëve maqedonas për ta veshur popullin e vet me identitetin e maqedonasve antikë e dëmtojnë shumë këtë popull historik, dhe pa dyshim se shkenca botërore një gjë të këtillë nuk do ta pranojë asnjëherë dhe do ta kontestojë përherë.
Pretendimet e këtilla të krerëve sllavomaqedonas për ta përvetësuar identitetin historik, gjeografik dhe kulturor të maqedonasve antikë, kanë shkaktuar sot konfliktin e njohur politik mes shtetit grek dhe atij sllavomaqedonas.
Ideologët sllavomaqedonas për një identitet të imagjinuar dhe në dëm të popujve të tjerë në Maqedoni, me synim të sllavomaqedonizimit të tyre, veprojnë sipas modelit të grekëve të rinj se kush është grek, ai duhet të jetë doemos edhe ortodoks dhe anasjelltas.
Një politikë e këtillë raciste po zbatohet prej disa dekadash edhe në Maqedoni se kush është ortodoks, ai duhet të jetë edhe sllavomaqedonas, dhe kush është sllavomaqedonas, ai është edhe ortodoks. Kjo simbolikë, që fjala ortodoks të bëhet sinonim i kompozitës sllavomaqedonas, ka qëllim fashist që nëpërmjet fesë ortodokse, përkatësisht të ndonjë varianti gjuhësor sllav, të formohet një popull i ri sllavomaqedonas nga një konglomerat popujsh me përbërje të ndryshme etnike.
Si pasojë e kësaj politike shkombtarizuese popujt jogrekë në Greqi dhe ata josllavë në Maqedoni, të cilët u identifikuan me fe ortodokse, u asimiluan në grekë dhe në sllavomaqedonas.
Këtë fat pësuan edhe shqiptarët ortodoksë të Greqisë dhe shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë, siç po ndodh sot edhe me shqiptarët e Rekës së Gostivarit.
Konkretisht shteti sllavomaqedonas të gjithë ata popuj që i përkasin konfesionit të krishterë, të ritit ortodoks, pa dallim kombi e gjuhe, oficialisht i regjistron dhe i trajton si sllavomaqedonas, siç janë bullgarët, serbët, vëllehët, një pjesë e shqiptarëve dhe e romëve (jevgjit), si dhe të tjerët.
Derisa Greqia i përzuri nga vendi i vet të gjithë myslimanët grekë dhe jogrekë, në Maqedoni ata popuj që i përkasin konfesionit islam e që shprehen në një të folme, dialekt ose gjuhë sllave, politika oficiale i regjistron dhe i trajton si myslimanë sllavomaqedonas (makedonski muslimani), edhe pse ata nuk janë dhe nuk ndihen si të tillë, siç janë boshnjakët, torbeshët e të tjerët.
Në të dyja këto raste kemi të bëjmë me një gjenocid të tipit klasik që shteti ushtron në vazhdimësi mbi qytetarët e vet për t’i shkombëtarizuar në sllavomaqedonas, duke mohuar plotësisht identitetin e tyre, dhe kjo është një racizëm modern që tejkalon çdo normë dhe të drejtë universale të njeriut për t’u deklaruar lirisht se cilit popull dhe identitet nacional i takon.
Në vazhdën e kësaj politike shoviniste sllavemaqedonase ky shtet favorizon dhe investon moralisht, financiarisht dhe materialisht në zhvillimin dhe afirmimin e ortodoksizmit e të sllavomaqedonizimit në Maqedoni, duke ngritur çdokund kisha, kryqe, pirgje këmbarash dhe mbishkrime qirilike me qëllime të caktuara politike që t’i japë mbarë vendit një dukje të krishterë dhe kështu për të lënë përshtypjen te të huajt se këtu jetojnë vetëm sllavomaqedonasit, përkatësisht ortodoksët.
Ky është një diskriminim i madh shtetëror që mohon ekzistencën e popujve të tjerë dhe afirmimin e identiteteve, të gjuhëve, të feve dhe të kulturave të tyre nacionale.
Realiteti objektiv në Maqedoni është krejt tjetër nga ai që propagandon politika zyrtare e shtetit sllavomaqedonas. Realisht sot në Maqedoni mbi 60 % e qytetarëve nuk i përkasin fesë ortodokse, por feve të tjera, sidomos asaj islame dhe mbi 70 % e banorëve nuk janë sllavomaqedonas, por popuj të tjerë, siç janë shqiptarët mbi 40 %, romët, torbeshët, boshnjakët, vëllehët, turqit, serbët, bullgarët e të tjerë.
Kjo politikë hegjemoniste e një shteti unitarist për një komb, një gjuhë dhe një fe duhet të kundërshtohet fuqishëm nga përfaqësuesit politikë, shkencorë, kulturorë e fetarë të shqiptarëve, romëve, vëllehëve, boshnjakëve, torbeshëve, turqve, serbëve, bullgarëve e të tjerëve, sepse kërcënon sistematikisht asimilimin e këtyre popujve në sllavomaqedonas, si dhe asgjësimin ose largimin e tyre nga Maqedonia me anë mjetesh dhe metodash të ndryshme raciste.
Meqë këta nëntë popuj që jetojnë sot në maqedoni janë jo vetëm një kategori gjeografike, por edhe historike, kanë një kontinuitet dhe autoktoni në kohë dhe hapësirë, bashkë e kanë ndërtuar dhe po e mbajnë gjallë këtë vend dhe shtet, atëherë pse nuk janë të gjithë të barabartë me komb, gjuhë dhe fe?! Pse të mos njihen zyrtarisht identitetet e të gjithëve, kombi, gjuha dhe feja?! Pse ta durojnë dominimin e sllavëve maqedonas mbi vete me vite?!
Është absurde për shkencën dhe qytetërimin modern, kur sllavomaqedonasit thonë irealisht se janë maqedonas të vjetër dhe këtë ua mohojnë të tjerëve që të thonë edhe ata se janë pasardhësit e maqedonasve antikë!!
Sipas kësaj logjike të politikës sllavomaqedonase del se të gjithë këta popuj e kanë prejardhjen e tyre nga maqedonasit antikë.
Ky parim i bën të barabarta edhe gjuhët e tyre me sllavomaqedonishten, dhe jo kjo të jetë superiore e ato inferiore, kjo zyrtare e ato private.
Përkitazi me këtë, mund të përmendim edhe një paradoks tjetër se si ky shtet diskriminues torbeshët dhe boshnjakët i quan dhe i regjistron në librat e amzës si myslimanë sllavomaqedonas (makedonski muslimani) dhe sipas kësaj politike destruktive edhe popujt e tjerë në Maqedoni duhej të quheshin kështu: shqiptarët, romët dhe turqit si myslimanë ose ortodoksë sllavomaqedonas, kurse vëllehët, serbët dhe bullgarët si ortodoksë sllavomaqedonas, dhe nga kjo të gjitha gjuhët e tyre duhet të jenë zyrtare si sllavomaqedonishtja.
Me tendencë asimilimi, nuk mungojnë as deklaratat politike të elitës zyrtare të këtij shteti që këtyre popujve t’u japë përkatësinë sllavomaqedonase, duke i quajtur si shqiptarë, romë, vëllehë, turq, goranë (torbeshë) sllavomaqedonas, përkatësisht (makedonski albanci, romi, vlasi, turci, gorani, sërbi i bullgari).
Por në këta defterë politikë si do të quheshin e do të shkruheshin vetë sllavët maqedonas? Sigurisht, se jo ortodoksë ose pravosllavë (sllav) maqedonas, por sllovomaqedonas (makedonski slloveni).
Nga kjo shihet qartë se Maqedonia s’është gjë tjetër veçse një term gjeografik dhe entitet (përbërje) politik i një shteti racist që si i tillë nuk mund të jetë funksional në një kohë supermoderne dhe në një vend evropian me popuj të ngritur kombëtarisht, ndaj dhe ai është i destinuar të vdesë për të jetuar të gjithë në liri dhe pavarësi.

Prof. Dr Fadil Sulejmani - botuar ne revisten 'KOHA'

Re: Artikuj nga Maqedonia

Posted: Sat May 08, 2010 7:57 pm
by alfeko sukaraku
maqedonia ka qene nje pjese e ilirikut edhe ka folur gjuhen pellazgo yllire.pranohet shkencerisht se ne vitet 400 p e s erdhi per here te pare gjuha greke ne maqedoni edhe si gjuha e shkollimit oborrtar...kjo gjuhe nuk u fole kurre nga populli perpara shek 19 ...si rrjedhoj e kurves se motit qe kerkonte indentitetin e vete neper perralla me greke.

Re: Artikuj nga Maqedonia

Posted: Sat May 08, 2010 8:15 pm
by Arbëri
alfeko sukaraku wrote:maqedonia ka qene nje pjese e ilirikut edhe ka folur gjuhen pellazgo yllire.pranohet shkencerisht se ne vitet 400 p e s erdhi per here te pare gjuha greke ne maqedoni edhe si gjuha e shkollimit oborrtar...kjo gjuhe nuk u fole kurre nga populli perpara shek 19 ...si rrjedhoj e kurves se motit qe kerkonte indentitetin e vete neper perralla me greke.
Njëjtë është edhe sot këndej nga kjo pjesa e Sllavëve , vetëm se këtu nga shekulli 21 filluan ta kërkoj identitetin e tyre :mrgreen:

Po hyre në forumet Sllave derman , edhe ti lexosh se shka shkruajn , të garantoj që të kapë sëmundja e GANGRENËS -lol-

Re: Artikuj nga Maqedonia

Posted: Sun May 09, 2010 3:09 pm
by Socio
Image
'MO' është një lojë politike
Marrëveshja e Ohrit dhe lufta e fabrikuar e vitit 2001 janë lojëra politike që patën dhe kanë për qëllim t’i pengojnë nevojat e vërteta të shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare, duke i mbuluar ato me kërkesa të rrejshme për më shumë të drejta ose për të drejta të barabarta me maqedonasit.
Prandaj, shqiptarët u mashtruan, sepse harruan se aty ku s’ka demokraci, s’ka as liri dhe as barazi. Nuk t’i jepë të drejtat dhe liritë ai që t’i ka marrë me forcë dhe pastaj t’i ka zyrtarizuar ato me ligje diskriminuese kundër teje. Nuk ka luftë të mirëfilltë dhe fitore, aty ku ka tradhti dhe nuk ka marrëveshje korrekte dhe të suksesshme, aty ku ka mosbesim, frikë dhe urrejtje.
Valltarët e këtyre lojërave që i amortizuan dhe i bënë të dështojnë përpjekjet e shqiptarëve për një jetë të lirë e të pavarur janë faktori maqedonas, ndërkombëtar dhe ai shqiptar ushtarak dhe civil.
Në fakt shqiptarët në Maqedoni në mars të vitit 2001 i rrokën armët për liri dhe pavarësi të tyre, por MO i çarmatosi dhe këtë ideal të lartë kombëtar dhe ëndërr shekullore ua varrosi thellë në shpirtin e plagosur të jetës së tyre skllavërore.
Gjithçka u shua, u dorëzua lufta, armët, luftëtarët e lirisë, populli, vendi, kapitali i tij; çdo gjë ra poshtë, nderi, krenaria dhe lavdia e tij, dhe sot le ta dijë çdokush se shqiptarët nuk e humbën luftën, por e dorëzuan, e dorëzuan në këmbë, turp historik për ne!
Kjo s’ka ndodhur asnjëherë dhe në asnjë vend në luftërat nacionalçlirimtare të botës. Pra, çka do të thoshin të parët tanë, se bijtë e tyre u mashtruan apo u frikësuan, se deshën më shumë lirinë apo robërinë, interesin dhe pushtetin apo ishin të padijshëm dhe naivë?!
Që në fillim kur nisi ky konflikt apo luftë e armatosur u pa menjëherë se ajo ishte e falsifikuar, e kontrolluar dhe e dirigjuar prej forcave të errëta antishqiptare, të cilat nuk e lejuan që ajo të përhapej në të gjitha trojet shqiptare në Maqedoni si një luftë e përgjithshme nacionalçlirimtare e tyre, por e kufizuan kryesisht në dy zona të ngushta malore rreth Tetovës e Kumanovës, ku ushtarët mbaheshin të izoluar e të bllokuar si në kampe përqëndrimi.
Ishte luftë pa beteja dhe aksione luftarake, me përjashtim të ndonjë sulmi të vogël apo vendosje të ndonjë pusie që bëhej sporadikisht prej ndonjë grupi ushtarësh të pakënaqur ndaj kreut të tyre që nuk i lejonte të zhvillojnë luftime.
Edhe ky fakt fliste qartë se ekzistonte një plan i favorshëm për maqedonasit e i dëmshëm për shqiptarët që ideali, dëshira dhe nevojat e vërteta të shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare të pengoheshin, duke i mbuluar ato me kërkesa të rrejshme për demokraci, për më shumë të drejta ose për të drejta të barabarta të tyre me maqedonasit.
Kjo luftë, pra, nuk ishte më tepër sesa një lojë politike e faktorit maqedonas, ndërkombëtar dhe atij shqiptar ushtarak e civil që kishte për qëllim t’i mashtrojë shqiptarët për të mbetur aty ku ishin dhe si e tillë ajo që në start dështoi aty ku filloi.
Megjithatë, pasojat e saj ishin të mëdha, u vranë shumë ushtarë e civilë, si dhe u dëmtua rëndë pasuria e këtyre vendeve, si në objekte ndërtimore, ashtu edhe në bujqësi, blegtori e sfera të tjera ekonomike.
Njerëzit sot janë në konfuzion se pse u bë kjo luftë, çfarë qëllimesh pati ajo; kush përfitoi e kush humbi më shumë nga ajo?! Prindërit e dëshmorëve pyesin se pse u vranë djemtë e tyre, motrat për vëllezërit dhe gratë për burrat?! Për liri!, dhe kjo është e vërtetë. Por, ku është liria?! Lirinë nuk e panë, as ata që vdiqën, as ata që mbetën gjallë.
Dikush mund të thotë sot për vete se është i lirë, siç thoshin dikur udhëheqësit politikë shqiptarë të Kosovës nën sundimin serb, por populli shqiptar në Maqedoni nuk është i lirë. Këtë e di mbarë bota se kush është i lirë këtu e kush është rob.
Shqiptarët nuk fituan asgjë nga kjo luftë, as liri, as demokraci, as barazi. Ata mbetën në një gjëndje edhe më të vështirë nacionale, kulturore, arsimore, ekonomike dhe sociale.
Populli nuk di se çka është kjo MO, nëse ka diçka në të, pse nuk po zbatohet kjo, çka po ndodh sot me shqiptarët në Maqedoni, që janë lidhur qorrazi mëse një dekadë pas saj dhe nuk e shohin se ajo është vetëm një kapak politik që ka mbyllur një luftë të rrejshme me kërkesa të shprazëta që nuk plotësojnë dot nevojat e tyre nacionale.
Marrëveshja e Ohrit nuk e zgjidhi dhe nuk është ajo që do ta zgjidhë ndonjëherë problemin kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni, dëshirën dhe të drejtën e tyre të lindur për një jetë të lirë dhe të pavarur në atdheun e vet shekullor.
Kjo është një marrëveshje politike që pati për qëllim ta mbyllë luftën dhe t’i mposhtë përfundimisht shqiptarët dhe idealet e tyre për liri, duke vendosur mbi ta një kontroll të plotë politik dhe regjim të rreptë ushtarak, policor e gjyqësor, dhe si rrjedhojë e kësaj dhe përkundër premtimeve për amnesti, nisi menjëherë fushata e egër kundër shqiptarëve, duke i trajtuar ata në përgjithësi si robër lufte dhe në veçanti filluan ndjekjet, persekutimet, arrestimet, burgosjet, dënimet dhe vrasjet e ushtarëve të lirisë dhe të komandantëve të çetave të tyre, të cilat po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
MO nuk i bëri dhe kurrë nuk do t’i bëjë të barabartë shqiptarët me maqedonasit, sepse kërkesat e luftës së shqiptarëve nuk ishin liria dhe pavarësia e tyre, prishja e shtetit dhe ndarja e tyre nga maqedonasit, por të drejtat universale, për më shumë të drejta ose për të drejta të njëjta si maqedonasit, duke dashur kështu që prapë të mbeten me ata njerëz, kundër të cilëve nisën luftën, me atë shtet, me atë Qeveri, me atë sistem antishqiptar.
Kjo ishte jo vetëm çudia, absurditeti e paradoksi ynë më i madh, por edhe tragjedia e fatit të shqiptarëve në Maqedoni. Nuk kërkohen të drejtat nga i padrejti, por kërkohet ndarje prej tij. Ndaj edhe gjendja e shqiptarëve prapë s’ka ndryshuar, ata mbetën edhe më tej pjesë e këtij shteti që me dekada i ka diskriminuar dhe urrejtur, nuk i ka njohur, përkundrazi, i ka trajtuar si të huaj në vendin e vet, si pjesëtarë të një populli tjetër jashtë Maqedonisë.

Madje as realizimi i kërkesave për të drejta më të mëdha nuk u kushtëzuan me asgjë nga ana e kreut të luftës, qoftë edhe me dorëzimin e armëve!
Përkundrazi, armët u dorëzuan pa asnjë kusht, madje ironia arriti kulmin kur u kërkua edhe amnesti, sikur shqiptarët të ishin fajtorë pse kanë ngritur krye për çlirimin e tyre nga sundimi i huaj.
Luftëtarët e lirisë nuk i morën armët për t’i dorëzuar dhe nuk e nisën luftën për të kërkuar falje nga ata që vazhdimisht na kanë vrarë për gjuhën, shkollën, universitetin dhe abetaren shqipe! Amnesti kërkohet vetëm për kriminelët, jo për luftëtarët e lirisë.
Kur ti ngre dorë mbi dikë, kris pushkë kundër tij, nuk mund të jetosh më prapë me të. Ti edhe sikur ta duash, ai s’të do. Përkundrazi, ai të urren, tërbohet kur ta dëgjon zërin dhe emrin e jo më të të shohë, aq më pak të të japë barazi e liri.
Prandaj, prej armikut mos kërko as mëshirë, as lëmoshë, as lutje e as falje, sepse nuk i dhimbësesh dhe nuk ta falë as të drejtën, as lirinë, as jetën. Ai të do vetëm si skllav që të punosh natë e ditë për të, e ai të jetojë prej mundit, djersës dhe punës sate.
Marrëveshja e Ohrit nuk është marrëveshje e fitores, por e kapitulimit të shqiptarëve me vetëdëshirë, të cilët humbën, u dorëzuan vullnetarisht, kurse maqedonasit dolën fitimtarë dhe ata sot na drejtojnë e na dirigjojnë, na komandojnë e na i diktojnë kushtet e jetës sonë, të cilat jo që nuk u përmirësuan, por u përkeqësuan edhe më fort nga ato të djeshmet.
Romakët e thoshin një fjali të urtë, të cilën grekët e vjetër e kishin shkruar në hyrje të fushës së lojërave olimpike që garuesve t’ua tërheqin vërejtjen për fitore: “Vdis, mos u dorëzo!”
MO i la shqiptarët në një gjendje edhe më të rëndë, robër të tipit klasik me Kushtetutë, norma dhe ligje diskriminuese moderne.
Shqiptarët mbetën me status të minoritetit, si qytetarë të rendit të dytë nën sundimin e një shteti të huaj unitarist, që njeh vetëm një nacion, një gjuhë dhe një fe.
Shqiptarët dhe gjuha shqipe edhe pas një dekade vjetësh nuk u zyrtarizuan dhe nuk u bë përfaqësimi i tyre i barabartë në institucionet e sistemit dhe në fusha të jetës dhe të punës, ndonëse ata realisht përbëjnë mbi 40% të numrit të përgjithshëm të popullatës në Maqedoni.
Sa për ilustrim se si duhet të funksionojë demokracia konsesuale në një vend, mjafton të përmendim vetëm shtetin e Kosovës, ku turqit në Prizren janë vetëm 5% dhe gjuha turke është zyrtare aty, e barabartë me shqipen, kurse serbët në Kosovë përbëjnë vetëm 3% të popullatës së përgjithshme të këtij vendi, dhe gjuha serbe këtu është gjuhë zyrtare, plotësisht e barabartë me gjuhën shqipe; flamuri serb figuron çdokund në këtë vend, madje ai shihet edhe në kishën e tyre.
Përkitazi me këtë, vlen të përmendim edhe disa vende të tjera demokratike të botës se si e kanë zgjidhur çështjen kombëtare të shumetnisë së tyre, siç janë Zvicra, Belgjika, Kuebeku në Kanada e të tjera.
Pas përfundimit të luftërave nacionalçlirimtare, të luftërave për liri dhe pavarësi të popujve dhe të vendeve, bëhen marrëveshje për formimin e shteteve, të republikave, të federatave dhe të konfederatave, ose për ndarje popujsh e vendesh.
Mirëpo, marrëveshje, si kjo e Ohrit, pas dorëzimit të armëve dhe të luftëtarëve të lirisë për më shumë të drejta qytetare që kërkon nga ai të cilit parës ia ktheve pushkën e tash i lutesh, i puthesh, i përulesh, s’ka, nuk njeh deri më tash historia botërore, meqë ai që të ka mundur dhe që ta ka frikën nuk t’i jepë.
Në rastin konkret, kërkesat e shqiptarëve në MO për të drejta më të mëdha ose të barabarta me maqedonasit nuk po realizohen nga shteti maqedonas.
Shqiptarët kanë mbetur prapë nën mëshirën e atij sistemi të mëparshëm politik maqedonas, të nënshtruar dhe të diskriminuar në të gjitha sferat e jetës.
Besimi është gjëja kryesore për një shtet a shoqëri njerëzore që të funksionojë si duhet. Çdo marrëveshje bazohet në besimin mes palëve dhe nëse s’ka besim mes tyre, ajo është kot, figurative, dhe si e tillë nuk realizohet.
Shqiptarët, jo që e kanë humbur, por asnjëherë s’kanë pasur besim tek institucionet juridike dhe autoritetet maqedonase.
Pra, në çka mbështetet MO, çka e forcon atë dhe kush e garanton realizimin e saj?
Kushtetuta, ligjet të cilat historikisht që nga Mbretëria jugosllave kanë qenë të këqija, diskriminuese për shqiptarët!
Edhe sikur të ndërrojnë këto ligje dhe sistemi shtypës ndaj shqiptarëve, nuk ndërrohen njerëzit që i kanë përpiluar ato, bindjet dhe paragjykimet, urrejtja dhe armiqësia e tyre kundrejt nesh. Aty ku ka urrejtje, s’ka besim. Urrejtja kundër shqiptarëve është mbjellë në vazhdimësi dhe në mënyrë institucionale të rinia dhe te popullata sllavemaqedonase nga krerët dhe institucionet e tyre fetare, politike dhe edukuese-arsimore, duke filluar nga çerdhet e fëmijëve e deri te Akademia e Shkencave dhe e Arteve maqedonase.
Nuk mund të pritet më shumë nga MO, edhe ajo pak gjë aty nuk u realizua, për shkak se faktori politik maqedonas që ishte para marrëveshjes mbeti i njëjti edhe pas saj, pra, nuk u ndërrua. Por, edhe sikur të ndërrohej, nuk do të jepte asnjë rezultat pozitiv, sepse problemi qëndron te urrejtja e masës sllavemaqedonase ndaj shqiptarëve, prej nga lindin, edukohen dhe formohen si antishqiptarë udhëheqësit e saj.
Propaganda e fortë e sllavëve maqedonas kundër shqiptarëve mund të vërehet edhe te emri shqiptar, të cilin ata e thonë me përbuzje shiftari, duke dashur kështu t’i nënçmojnë, t’i ofendojnë e t’i ulin si qytetarë inferiorë, dhe nga ky vështrim ata krijojnë mendimin dhe ndjenjën negative për ta dhe si të tillë asnjëherë nuk i pranojnë si të barabartë me veten e tyre.
Në këtë frymë shoviniste rriten e veprojnë edhe politikanët të djeshëm, të sotëm e të ardhshëm maqedonas. Ajo që piqet, s’mund të hiqet.
Ata aspak nuk duan ta shohin shqiptarin në tokën që e konsiderojnë si të veten, ndaj dhe i përdorin të gjitha mjetet dhe mënyrat makiaveliste për të na zvogëluar e larguar nga Maqedonia.
Mirëpo, pasi nuk munden këtë qëllim armiqësor ta realizojnë shpejt dhe në tërësi, ata bëjnë plane dhe strategji që me presion të vazhdueshëm dhe me veprime të dhunshme sistematike ta pengojnë përparimin dhe zhvillimin tonë normal kombëtar.
Faktori shqiptar nuk ishte unik dhe i vendosur për t’i çuar gjërat deri në fund me çdo kusht dhe çmim. Kreu ushtarak jepte deklarata publike se ne i dorëzojmë armët, pavarësisht se si do të vendosë Parlamenti, do të japë më shumë apo më pak të drejta, dhe kështu pa asnjë kusht ia dorrëzuan këtij institucioni të diskriminimit burimor maqedonas edhe fatin e shqiptarëve.
Ndërsa, kreu politik civil i tallte luftëtarët e lirisë si të dëshpëruarit e malit, dhe se populli shqiptar ndodhej midis dy zjarresh të luftës, të armiqve nga mali, UÇK-ja, dhe nga qyteti e fusha sllavomaqedonasit.
Ndërkaq, faktori ndërkombëtar duke parë këtë luhatje dhe përçarje të përfaqësuesve ushtarakë dhe politikë shqiptarë për një vendimmarrje në interes të popullit të vet, ia mbajti anën palës maqedonase, shtetit, strukturave të tij legale, duke menduar se shqiptarëve si pakicë mund t’u jepen edhe pak të drejta.
Të huajve nuk u pengon vuajtja e shqiptarëve dhe padrejtësia që u bëhet atyre, por vetëm çka mund të sjellin ato, luftë apo paqe e stabilitet që kufijtë të funksionojnë, të jenë të hapur për qarkullimin e lirë të mallrave, të biznesit.
Shqiptarët nuk janë faktor i barabartë me maqedonasit. Lojërat politike të MO po mbajnë peng zhvillimin e tyre kombëtar.
Koha po shkon përpara, kurse ata po ngelin prapa si rrjedhim i diskriminimit të tyre ligjor. Derisa populli është keq, partitë politike në pushtet po thonë se janë mirë dhe se do ta vazhdojnë bashkëjetesën me Qeverinë dhe nuk do të heqin dorë asnjëherë nga e bekuara MO. Shteti vazhdon të mbjellë frikë e panikë te shqiptarët dhe urrejtje te maqedonasit.
Shqiptarët sa më shumë do të jenë të përfaqësuar në institucionet e sistemit; sa më shumë do të ngrihen, do të emancipohen e do të përparojnë në pikëpamje intelektuale, profesionale, shkencore, kulturore, politike, ekonomike, juridike e në sfera të tjera të jetës e të punës aq më shumë shtohet urrejtja dhe armiqësia e maqedonasve ndaj tyre.
Vizibiliteti i një zhvillimi dhe përparimi të duhur i shqiptarëve në Maqedoni nuk është i mirëpritur nga maqedonasit, të cilët nga frika se kështu si njerëz të shkolluar mund t’u dalin nga dora e shfrytëzimit, ata aktivizohen dhe organizohen nga ana e shtetit dhe veprojnë kundër nesh me mjete dhe mënyra të ndryshme, madje duke përdorur edhe dhunën, me qëllim që të na kërcënojnë e frikësojnë për t’u larguar nga atdheu ynë në Maqedoni, siç janë edhe rastet e fundit Sopoti, Brodeci, Nerezi e të tjera, si dhe ndjekjet e arrestimet policore dhe gjykimet politike e drastike të shqiptarëve.
Shteti kështu ka vepruar edhe me popullatën yrike turke në Maqedoninë juglindore, të cilën e detyruan me dhunë që prej trojeve të saj të shpërngulet për Turqi.
Shqiptarët dhe maqedonasit dallojnë si nata me ditën mes tyre, ka mosdurim dhe urrejtje të madhe, edhe pse ata jetojnë në një vend, faktikisht ata janë të ndarë dhe ky problem nuk mund të zgjidhet me barazi, sepse pala superiore maqedonase kurrë nuk do ta pranojë një status të barabartë me shqiptarët, por zgjidhja e vetme e mundshme dhe fatlume është ndarja prej njëri-tjetrit me apo pa federalizim.
Ndarja, republika ose federalizimi është e domosdoshme për shqiptarët, nëse duan ata të jetojnë e të mbeten gjallë në trojet autoktone në Maqedoni.
Shqiptarët duhet të bëjnë një plan dhe program të zhvillimit të tyre kombëtar, një platformë të përbashkët të veprimit dhe të mendimit demokratik për mbrojtjen e tyre, për një të ardhme të sigurt, të lirë e të pavarur.
Nuk mund të shkohet edhe më tej me kërkesa të lypësit pak nga pak e hap pas hapi ose me marrëveshje për më shumë të drejta që kurrë nuk dhanë fryte të duhura, nuk mund të jetojmë e të prosperojmë me ligjet diskriminuese të një shteti unitarist që pengojnë e ngulfatin çdo gjë shqiptare.
Ne vetë duhet ta ndërtojmë jetën tonë nacionale, politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore, të ngremë institucionet tona përkatëse, duke filluar prej zgjedhjeve të lira e demokratike e deri te formimi i një republike shqiptare në Maqedoni, duke e zgjidhur kështu njëherë e përgjithmonë problemin historik mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Prof. Dr. Fadil Sulejmani botuar ne revisten KOSOVA SOT