Page 1 of 1

Në 'Bathoren' e Sarandës, ku s'tremben nga asnjë 'Bojaxhi'

Posted: Fri Jul 09, 2010 8:19 am
by elikranon
Në 'Bathoren' e Sarandës, ku s'tremben nga asnjë 'Bojaxhi'
Ermir Hoxha | 09/07/2010 |

Ajo që ka ndodhur javë më parë në Ksamil, vështirë të ndodhë në skajin tjetër, cepin verior të Sarandës, në të ashtuquajturin "Baba Rexhep", zyrtarisht lagjja nr.4 e Sarandës. Për këtë, garant janë dy burra: Erbab Stroka, kryeplaku i zones, dhe Zano Çulli, sekretar i tij dhe njeriu që mban gjithnjë lidhjet me ligjin, shtetin e pushtetin për ta bërë - siç i thonë, - gjumin e qetë, nga ndonjë ruspë që mund t`iu vijë befas për t'ua prishur lumturinë e jetës së re. Zanoja të tregon pa përtesë një vandak dokumentesh: leje ndërtimi, fatura pagesash toke në shtet, studime terreni, zone etj., për të treguar se nuk ndërtohet kuturu. Zanoja dhe Erbabi, njëri nga Progonati e tjetri nga Golemi i Kurveleshit të Gjirokastrës, janë ndër të parët që iu ngjitën faqes së kodrës në periferi të Sarandës, për ta bërë atë "pjellore si dhe fushat", me ndërtime të reja, duke i paraprirë epokës së re post-'90, me ndryshime të ethshme demografike. Ata lanë fshatrat e tyre pas shpërbërjes së kooperativave, për t`u ngulitur pranë detit, në një zonë kullotash jo krejt të panjohura. Erbabi thotë se e njihte zonën dhe para '90-s dhe se që aherë vërtitej një ide për shpërngulje në nivel fshati.


Fillimet e "Baba Rexhepit"
Figura e Baba Rexhepit, e këtij personaliteti bektashi të Detroitit, i arratisur pas '45-s nga Shqipëria, nuk ka asnjë lidhje direkte me lagjen e re në veri të Sarandës, te zona e varrezave. Por sipas Zenos, ngaqë të ardhurit janë më së shumti bektashinj, e panë të arsyeshme ta pagëzojnë vendbanimin e ri me emrin "Baba Rexhep". Ama paradoksalisht, lagja e re, një "bathore", gjykuar me standardet e shenjimit të fenomenit të lëvizjes së lirë në variantin shqiptar, quhet dhe si lagjja B-13. Kjo, ngase diku në Paris ekzistoka një lagje me këtë simbol, karakteristikë e së cilës është rebelimi, tregimi i muskujve të forcës apo kokëshkretësia. B-13, është ana gdhë e lagjes së re, përfaqësuar nga një zhgan adoleshentësh e të rinjsh të hurit e të litarit, të cilët gjenerojnë probleme e akte joqytetare, nëse përdorim gjuhën e kryeplakut, Erbabit. Sipas tij, kjo vjen dhe për shkak të karaktetit të labit, duke iu referuar kodit të nderit se "po nuk vodhe, nuk të jepet nuse!". Këtë shpjegim, ai e servir me humor, pasi vetë krenohet me djemtë e tij të shkolluar e shembull edukate. "Por pyll pa derra nuk ka", e kjo është fjalia që e zgjidh ngërçin në fjalë. Këtë e pohon dhe Zenoja, i cili po ashtu krenohet me djalin e vajzën, të cilët i studiojnë në Tiranë për gjuhë të huaj e diplomaci, e i mëshon faktit se pjesa më e madhe të rinjve të "Baba Rexhepit" janë të shkolluar. Zenos i dedikohet ngulja e hurit për herë të parë në këtë Eldorado të Sarandës. Ai të tregon ish-banesën e parë të lagjes së re, strehën ku futi kokën për herë të parë aty nga '92-shi, një tip kasolleje-shtëpi, me gurë, hunj e kallama. Ajo ka fituar trajtat e një muzeu të rrallë dhe Zenoja shpreh veneracion kur ta shpjegon se si u ndërtua. I vetëm atëbotë, në gjithë atë faqe kodre, për disa kohë ai ka vuajtur vulën e budallait prej shumë sarandiotëve që e kanë parë si jashtëtokësor, ndërkohë që siç tregon, vetëm greku Petro, ish-pronar i një kompanie inertesh aty afër, i ka dalë në mbrojtje, duke e quajtur... burrë të mençur. Zeno Çulli të jep vërtet përshtypjen e një burri të mençur; i pashëm, i sjellshëm, komunikues, mikpritës e plot marifet, vital e punëtor, ai flet me shumë pasion për lagjen e re të Sarandës. Sipas tij dhe kryeplakut Erbab Stroka, mes banorëve nuk ka pasur kurrë asnjë sherr; aty nuk ka vjedhje apo mbivendosje pronash, e shtëpitë e ndërtuara bartin era djersë balli: në emigracion apo aty, me punë të ndryshme. Ashtu si Zenoja, por i lashtë në atë zonë, mbahet dhe Kastriot Lala nga Kuçi, i cili pat ardhur aty 20 vite më parë, me një gomar, një sustë krevati e një dollap buke, për t`u bërë më pas një banor i zakonshëm, me shtëpi e katandi. Me një të hedhur vështrimin në faqë të kodrës, kurorës së saj, has porsi çiban allasoj shtëpish në formë kasolleje, që përbëjnë fillesa ngulmimesh, që transformohen vit pas viti në shtëpi e vila. Tani "Baba Rexhepi" ka 300 shtëpi. Ardhjet nuk janë pakësuar, por janë bërë më të studiuara, sipas Zenos. E rëndësishme për të është raporti i rregullt me ligjin e shtetin. E për këtë, ai mbetet njeriu i përshtatshëm që merr përsipër rregullimin e "letrave" për këdo... në mënyrë që aty mos ketë vend për asnjë "Bojaxhi", përveçse si mik.


"Golems" në vend të "çeçenë"
Banorët e "Baba Rexhepit", pa dyshim që janë parë vëngër gjithë këto vite nga denbabadenasit e Sarandës; ama kanë shpëtuar pa llagap. Aty nuk njihet shpotitja e njohur pezhorative, stampuar me pahir, si vulë e murrme në ballin e çdo veriori të zbritur në pellgun Tiranë-Durrës. Ata njihen thjesht si golems, thjesht ngaqë një pjesë e mirë e të ardhurve janë nga Golemi i Kurveleshit. Por 60 për qind janë nga fshatrat e Tepelenës e kryesisht Progonati. Tepelena dominon dhe në Ksamil e për këtë arsye, ish-deputeti i Sarandës e njëherësh ish-i burgosuri në Bençë të Tepelenës, Fatos Nano, ka dhënë këtë shpjegim në një televizion lokal të Përmetit, për arsyet e largimit të tij nga deputet i Tepelenës në kandidat për deputet i Sarandës, në zgjedhjet e 2005-s: "Unë nuk jam larguar nga Tepelena: Tepelena shkoi në Sarandë e unë shkova pas Tepelenës!"


"Dule" e "Idrizi", miq në "Baba Rexhep"
Po. Aty janë bërë bashkë greku Petro e çami Skënder. Ky i fundit është problemi më i madh i zonës, ngase zotëron një gurore mu në zemër të lagjes ku e "hedh në erë" rregullisht me shpërthime minash, siç e do puna. Në qeverisjen e socialistëve ka ndodhur mrekullia për ca ditë, kur është mbyllur gurorja. Por më pas ajo ka filluar sërish dhe sot punon me kapacitet të plotë! Atë e drejtonin dikur dy ortakë pra, njëri grek e tjetri çam, një rast tipik se si paraja shuan nganjëherë çdo vlim nacionalist. E për të mbetur te nacionalizmi, Erbabi e Zenoja të thonë se ishin ata, pra banorët e ardhur të "Baba Rexhepit", të cilët ndryshuan raportet nacionale, në jetën publike dhe në administratën e qytetin. Prej tyre, këmbëngulin ata, minoriteti nuk është më mazhorancë në Sarandë.
Epilog
Zenoja ka dëshirë të të sajdise për ta vëzhguar imtësisht "Baba Rexhepin" në krye të të cilit feks një teqe e ndërtuar nga Baba Sadiku. Ashpërsinë e rrugëve të pashtruara, pluhurit, vapës dhe terrenit të sakatuar nga "etja për jetë", e zbut disi deti aty pranë me një valëzim të lehtë e melankonik. Zenoja është optimist se e ardhmja e zonës do të jetë kah bukuria që shtrihet atje poshtë... në Jon!