
FAZLLIÇ, "MIK I SINQERTE" I SHQIPTARVE...
Elira Çanga
Nuk ishte dhe aq e leverdisshme zbritja e guximshme në aerodromin e Braçit e avionit të Damir Fazliçit, këshilltar i kryeministrit shqiptar, Sali Berisha dhe ish-kryeministrit boshnjak, Ethem Biçakçiç si dhe partner biznesi i Hrvoje Petrac, i përfshirë në një sërë skandalesh në Bosnje, Shqipëri dhe Serbi". Me një tis ironie, gazeta kroate "Vijesti" shkruante dje se ky aksident e ktheu menjëherë vëmendjen te biznesmeni i dyshimtë, me të cilin lidhen shumë afera korruptive në vendet e Ballkanit. Gazeta thekson se menjëherë pas aksidentit të avionit që doli jashtë pistës e mori flakë, Fazliç bashkë me avokatin nga Beogradi, John Zogoviç hipën në bordin e jahtit "Nina" të Vojin Lazareviç, një malazezi nga Kotori, pronar i "Rudnap", që për vite me radhë i ka shitur energji me çmim të lartë Kroacisë dhe që është tashmë subjekt i një hetimi. "Nëse nuk do të kishte ndodhur aksidenti i avionit të tipit "Cessna" të kompanisë ajrore serbe, "Prince Aviation", ndoshta kurrë nuk do të kishim mësuar se ku i kalojnë pushimet këta lloj biznesmenësh në Kroaci", thekson gazeta. Aferat e Fazliç Historia e Damir Fazliç është e mbushur me skandale, akuza dhe arrestime për çështje korrupsioni, por edhe vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiç. I lindur në Vishegrad të Serbisë, nip i Jovica Stanishiç - kreu i shërbimit famëkeq sekret të kohës së Millosheviçit - Fazliç ka nënshtetësi britanike. Një sërë aferash e lidhin atë me prokurorinë në Sarajevë, ndërsa ai është arrestuar dhe marrë në pyetje lidhur me vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Djindjiç. Partneri i tij Hrvoje Petrac qëndronte i fshehur bashkë me gruan e tij, Alice, ndërsa disa kohë më parë themeloi kompaninë me qendër në Sarajevë. Fazliç është përfshirë në biznese të dyshimta që kanë lidhje me pajisjen e shkollave shqiptare me mjete të teknologjisë. Autoritetet italiane konfiskuan një dërgesë të tillë kompjuterash në fillim të vitit të kaluar, të cilët ishin mallra kontrabandë. "Fazliç ka organizuar takime mes Berishës dhe Lazareviç për të siguruar mbështetje për fitimin e tenderave të energjisë", shkruan gazeta kroate. Sipas saj, Fazliç iu prezantua dje policisë kroate si një qytetar britanik, president i kompanisë "Atlantic Energy" në Uashington. E sa i përket energjisë, ai patjetër ka gjetur gjuhën e përbashkët me malazezin Lazareviç, dikur këshilltar i presidentit Filip Vujanoviç dhe kryeministrit Milo Gjukanoviç. Lazareviç ka siguruar kontrata të majme në fushën e energjisë, por Kroacia nuk është tregu i vetëm i tij. Biznesi në Shqipëri Edhe në tregun shqiptar, "Rudnap"-i i Lazareviçit është kthyer në një lojtar kryesor sidomos në momentin e tenderit për energjinë, ku kjo kompani garoi përballë italianes AEM. Në zbulimin e një partneri të tillë strategjik nga pala shqiptare ka luajtur rolin e tij Fazliç, që në pesë vitet e fundit ka qenë dora e djathtë e kryeministrit Berisha. Kontrata u nënshkrua në një takim sekret mes Berishës dhe Lazareviçit, shkruan gazeta "Vijesti". Dyshohet se ishte një tender për të cilin ishte rënë dakord më parë, pasi oferta e "Rudnap" ishte më e lirë se ajo italiane, me shtatë euro. Lazareviç është një biznesmen që ka nxjerrë përfitime nga luftërat në Ballkan. Media ka shkruar se ai është përfshirë në kontrabandë nafte dhe cigaresh, si dhe ka financiar ish-kreun e Beretave të Kuqe, Zhjelko Raznatoviç, i quajtur ndryshe Arkan, ultranacionalistin serb Vojisllav Sheshel dhe liderin serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç. Shërbimi sekret amerikan CIA si dhe ai gjerman BDN, po hetojnë tashmë rolin e kompanisë "Rudnap" në bashkëpunimin e Millosheviçit me Libinë dhe Iranin, vë në dukje gazeta "Vijesti".

