19 dhjetor të këtij viti qytetarët shqiptarë do festojnë hapin e parë të tyre drejt integrimit të Bashkimit Evropian, duke përfituar liberalizimin e vizave me zonën e listës së bardhë të “Schengenit”. Pas përpjekjesh disa vjeçare, progresi i qeverisë “Berisha” më në fund po shpërblehet me një gëzim të madhërishëm për të gjithë qytetarët shqiptarë, të rinj dhe të reja, të rritur apo edhe të moshuar. Verdikti vjen nga Parlamenti Evropian, atje ku raporti i ekspertëve të BE-së në Këshillin e Sigurisë rreth misionit faktmbledhës që zhvilluan në Shqipëri në muajin korrik, për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, flet me nota tërësisht pozitive dhe për një progres të prekshëm, sipasojë e punës voluminoze të autoriteteve shqiptare. Me rikthimin e axhendës së ngjeshur politike, pas pushimeve një mujore, Parlamenti Evropian jep lajmin e mirë për shqiptarët: “Procesi i vizave hyri në fazën e konfirmimit”. Edhe personat më skeptikë janë ndërgjegjësuar tashmë, qofshin ata shqiptarë apo dhe evropianë, se liberalizimi i vizave është fakt i kryer dhe se qytetarët shqiptarë e meritojnë plotësisht lëvizjen e lirë në vendet e bllokut 27 anëtarësh. Komisionerët pohuan para anëtarëve të Parlamentit Evropian, se Shqipëria vlerësohet përmes një raporti pozitiv, ku vërehet progresi i bërë me 3 kriteret shtesë, të cilat iu komunikuan autoriteteve shqiptare në pranverë të këtij viti. Raporti final do të dorëzohet në Komisionin e Drejtësisë dhe Lirive Civile më 12 shtator. Eurodeputetët i kërkuan Komisionit Evropian kryerjen e raportit brenda datës 13 shtator. Raporti i cili vëren progresin e shënuar, është konsideruar nga eurodeputetja Tanja Fajon, si momenti i duhur për t’i dhënë Shqipërisë vendimin e vizave.
“Meqë raporti është pozitiv nuk ka asnjë arsye për të zvarritur procesin e vizave”- u shpreh sot, Fajon. Ajo kërkoi vullnet të plotë të Bashkimit Evropian, për të mbajtur premtimin që i është dhënë qytetarëve shqiptarë për lëvizjen e lirë në Schengen brenda vitit 2010-të. Ky qëndrim është mbështetur nga të majtë dhe të djathtë, përfshirë edhe ekstremistët. Zyrtarët e BE, pranuan më në fund se Shqipëria ka ecur shumë në drejtim të vizave. Gjatë muajit korrik ekspertët e BE-së vizituan Shqipërinë në një misionin faktmbledhës dhe sot ata paraqitën raportin e tyre pozitiv përpara Këshillit të Sigurisë. Raportuesit flasin se “rezultatet e misionit na lejojnë të themi se progres i mirë është bërë dhe të dy vendet duhen përgëzuar për përmbushjen e kritereve”. “KE do ta ndajë këtë Raport në mes të Shtatorit me Parlamentin Evropian dhe me vendet anëtare”- citojnë ekspertët. Këshilli dhe Parlamenti Evropian thanë më herët se me t’u plotësuar kushtet, nuk ka më arsye për vonesa të mëtejshme. Tani jemi në këtë pozicion. Duhet ta shtyjmë axhendën e ngjeshur sepse u kemi premtuar qytetarëve. Këtu luhet kredibiliteti i BE-së dhe duhet finalizuar procesi sa më shpejt”- ishte qëndrimi i ekspertëve të Komisionit Evropian, të cilët panë nga afër plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave Shqipëri-BE, ndërsa sot raportuan rreth plotësimit të kritereve.
Në përfundim zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian tërhoqën vërejtjen se duhet të gjendet një mekanizëm për të përfshirë edhe Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.
Afati kohor: Vendimi për vizat hyn në fuqi para pushimeve të fundvitit
Raporti në tërësi flet për një pozitivitet. Java e dytë e shtatorit do të jetë edhe java faktorizuese për vendimin. Vendimi pritet të merret në tetor ose në javën e parë të nëntorit. E sigurt është që shqiptarët do të udhëtojnë pa viza brenda datës 19 dhjetor, e cila do jetë edhe dita e parë që shqiptarët do pajisen me vizat “Schengen”, për të udhëtuar të lirë në të gjithë zonën e listës së bardhë të Bashkimit Evropian.
Seanca
Në parlamentin Evropian u mblodh sot Komiteti për Çështjet e Brendshme (LIBE),
ku janë prezantuar rezultatet e misionit të fundit faktmbledhës për liberalizimin e vizave të Komisionit Evropian. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian u shprehën se në 25 Maj, KE identifikoi disa çështje ende të pambyllura. Këto kritere u adresuan nga të dy vendet gjatë muajit korrik. KE po përgatit një raport të bazuar mbi raportimet e ekspertëve të vendeve anëtare dhe nga burime të tjera. Ky Raport pritet të finalizohet në mes të shtatorit.
Përmbledhja e fakteve të raportuesve të Komisionit Evropian
-Për sa i përket strategjisë për kthimin, progres i mirë është bërë, plani i veprimit është adoptuar në qershor 2010, dhe janë themeluar mekanizmat për promovimin e masave të riintegrimit si psh regjistrimi, banimi, punësimi. Këto përpjekje duhet të vazhdojnë në këtë drejtim.
-Për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, autoritetet shqiptare kanë bërë progres të mirë. Kapacitetet administrative janë forcuar dhe masat janë marrë për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar.
-Për sa i përket korrupsionit, përpjekjet janë intensifikuar.
-Në çështjen e aseteve kriminale, burimet njerëzore janë rritur dhe hetimi i aseteve ka filluar si rezultat i ligjit anti mafia. Agjencitë po bashkëpunojnë me policinë dhe prokurorinë.
Debatet në PE
Tanja Fajon
Duket që progres i mirë është bërë në të dy vendet dhe jam e sigurt se të dy vendet kanë investuar shumë. Me sa kuptoj, Raportet do të jenë pozitive dhe do të finalizohen pas 2 javësh. Nuk shoh arsye për vonesa të mëtejshme. Ky ka qenë një proces tekni, dhe i tillë duhet të mbetet. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhen trajtuar njëlloj dhe qytetarët e këtyre vendeve mezi po presin të udhëtojnë në hapësirën e BE-së. Vitin që kaloi, vendimi u mor para Krishtlindjeve për tre vendet. Këtë radhë endë nuk kemi një datë, dhe për këtë arsye nuk ka trajtim të njëjtë. Ndaj duhet caktuar data.
Heidje Buss“
Duke filluar me Shqipërinë. Shqipëria ka bërë hapa pozitivë lidhur me strategjinë dhe planin e aksionit për riintegrimin e të riatdhesuarve, që mbulojnë strehimin, ushqimin dhe punësimin e të riatdhesuarve dhe ne inkurajojmë vazhdimin e zbatimit të tyre. Lidhur me forcimin e kapacitetit dhe zbatimin e ligjeve për krimin e organizuar dhe korrupsionin, autoritetet shqiptare po vazhdojnë të shënojnë një progres të mirë. Lidhur me luftën kundër korrupsionit është evidentuar një performancë e mirë e bashkëpunimit midis hallkave të policisë dhe të prokurorisë. Shqipëria ka bërë po ashtu progres lidhur me kriterin e tretë të asetet kriminale”.
Simon Bussutil
“Ne shpresojmë dhe po kuptojmë sot, se konfirmimi pas dy javësh do të jetë një konfirmim pozitiv. Atëherë ne si Parti Popullore jemi të gatshëm që të mbështesim procesin e liberalizimit të vizave për dy vendet”.
Judith Sargentini
Përsa kohë kriteret janë kryer, është koha për ne që të japim këtë liri qarkullimi. Përfundimisht shqiptarët meritojnë udhëtimin pa viza në vendet tona, sipas marrëveshjes së “Schengenit”




