http://www.balkanweb.com/kryesore/1/kth ... 45567.html
"Përmeti" mbyll derën e Greqisë, zgjidhet situata në Kakavijë, por jo në KapshticëKAKAVIJE- Kthime masive të shqiptarëve në dy pikat kufitare me Greqinë, kanë ndodhur gjatë ditës së sotme në doganën e Kakavijës në Gjirokastër dhe Kapshticës në Korçë,
Mësohet se pala greke iu përmend shqiptarëve konfliktin e ditëve të fundit në ‘Përmet’ mes kishës ortodokse e Bashkisë së këtij qyteti, ndërsa për t’i kthyer, sipas gazetarëve tanë ne vendgjarje, përdor si justifikim sasinë e parave që qytetarët duhet të kenë me vete.
Mësohet se në pikën kufitare të Kakavijës një polic grek ka dalë në zonën neutrale dhe kthen mjetet me targa shqiptare. Ndërsa lejohen të kalojnë në kufi vetëm ata qytetarë që kanë leje qëndrimi e karta greke. Duke u nisur nga kjo situatë, drejtori i policisë kufitare në Kakavijë Admir Abrija ka kërkuar takim me homologun e tij grek.
Në një komunikim telefonik për NEWS 24, zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Genti Mullai sqaroi se situata e krijuar atje është kaotike, ndërsa shtoi se deri më tani janë kthyer nga policia greke mbi 100 shtetas shqiptarë.
Mullai sqaroi se fillimisht policia ka përdorur si justifikim mungesën e të ardhurave të mjaftueshme monetare, ndërsa më pas kanë përmendur edhe çështjen e Përmetit. Mësohet se qytetarëve në Kakavijë iu kërkojnë të kenë me vete 3000 euro.
E njëjta situatë raportohet edhe nga pika kufitare e Kapshticës. Që në orët e para të mëngjesit qytetarët shqiptarë janë kthyer masivisht në kufi.
Mësohet se policia greke iu kërkon të kenë me vete mbi 1500 euro, ndërsa iu përmend shqiptarëve edhe konfliktin e ‘Përmetit’. Situatën e krijuar atje policia greke e justifikon situatën me shumën monetare.
Në një prononcim për NEWS 24 emigranët shprehen se, “Nuk lejohet të kalojë asnjë person me pasaportë shqiptare. Na përmendet ngjarja e Përmetit dhe na kthejnë”.
Qytetarët akuzojnë ndërkaq shtetin shqiptar për indiferencë në zgjidhjen e këtij problemi.
ORA 15:00-KAPSHTICË VIJON KTHIMI MASIV, POLICIA GREKE U PËRMEND SHQIPTARËVE PËRMETIN
Ndërsa pika e Kakavijës duke se e gjeti zgjidhjen, vijojnë kthimet masive në pikën kufitare në Kapshticë.
Drejtori i Kufirit, Ylber Zyberi kërkon takim urgjent me palën greke. Kjo për shkak të situatës kritike që po zhvillohet në këtë pikë doganore. Sipas të dhënave nga Kapshtica, policia greke u kërkon të kenë mbi 1 500 euro me vete, ndërsa u përmend se këtë situatë e kanë si taksë për Kishën e Përmetit. Policia greke e justifikon situatën me shumën monetare.
Ora 14:30-KONSULLI GREK NË GJIROKASTËR ZHBLLOKON SITUATËN NË KAKAVIJË
Pas kthimit të ndërsjellë që po u bëhej udhëtarëve shqiptarë dhe grekë nga palët kufitare përkatëse, situata ka marrë zgjidhje nga konsulli grek në Gjirokastër.
Pasi ka telefonuar drejtorin e Kufirit në Kakavijë, konsulli i ka bërë të ditur se: “nga momenti që flasim nuk do të ketë asnjë problem me shqiptarët”.
Konsulli ka sqaruar se kalimi do të bëhet thjesht me pasaporta biometrike kundrejt asnjë kërkese tjetër shtesë, sic janë eurot etj.
“Shpresojmë që e njëjta gjë të ndodhë dhe me grekët nga ana e palës shqiptarë”.
ORA 14:00-KAKAVIJË, PALA SHQIPTARE KTHEN NJË AUTOBUS ME 50 GREKË
Vijon të mbetet kaotike situata në Kakavijë. Pala shqiptare duke zbatuar marrëdhëniet e reciprocitetit të vendosura sot ka kthyer në pikën kufitare të Kakavijës një autobus me 50 grekë. Aktualisht në pikën kufitare presin 500 shqiptarë të kalojnë kufirin.
ZYBERI: EDHE NË KAPSHTICË GREKËVE DO U KËRKOJMË TË NJËJTAR GJËRA SI SHQIPTARËVE
Në një komunikim për NEWS 24 drejtori i Kufirit të Qarkut Korcë, Ylber Zyberi shprehet se edhe në këtë pikë do vendosen marrëdhëniet e reciprocitetit me shtetin fqinjë Greqinë.
“Do jemi rigorozë me shtetasit grekë. Do zbatojmë kriteret ligjore, do kërkojmë garanci në vlera monetare. Do kërkojmë prenotimet e hoteleve ku do qëndrojnë, pra me pak fjalë ato gjëra që u kërkohen dhe shqiptarëve”, tha ai.
KAKAVIJË, POLICIA VENDOS MARRËDHËNIE RECIPROCITETI ME GREQINË
Autoritetet kufitare të Kakavijës, kanë urdhëruar vendosjen e marrëdhënieve të reciprocitetit me shtetin fqinjë Greqinë, pas kthimeve masive të shqiptarëve në kufi.
Mësohet se autoritetet kanë urdhëruar që të mos lejohen të kalojnë shtetasit grekë nëse s’justifikojnë kalimin.
Për këtë urdhër është vënë në dijeni edhe pala greke, ndërkohë që deri më tani janë ndaluar 4 grekë të hyjnë në Shqipëri.
KTHIMET DJE
Ndërsa dje, emigrantët shqiptarë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës kanë denoncuar dje për NEWS 24, presionet e palës greke dhe kthimet në kufi duke përdorur si shkak largimin e kishës ortodokse në Përmet nga ambientet e Pallatit të Kulturës.
"Na kthyen. Kemi dy ditë këtu. Na kërkuan 1.500 euro dhe pastaj na thanë na morët Kishën e Përmetit. Na ofenduan mbi të gjitha. Ju jeni gomerë, ne nuk ju pranojmë më në vendin tonë. Nuk shkelni më, këto na thanë. Ishin shumë te egër dhe na kthyen mbrapsht. Kemi ardhur dy herë. Pala greke na shajnë, na ofendojnë, na kërkojnë lekë. Na thanë nuk do hynë më këtu për shkak të ngjarjes së Përmetit", - u shprehën emigrantët në prononcimet e tyre të dhëna dje për gazetaren e NEWS 24, Enkelejda Skënderasi.
Po dje, pala greke ndaloi për rreth 1 orë grupin e xhirimit të NEWS 24, dhe fshiu pamjet filmike të regjistruara në tokë neutrale.
(d.b/m.a/BalkanWeb)