Komunistët paralajmërojnë...

Komunistët (PPSH-së Riorganizuar) kanë paralajmëruar me zë të lartë se pas rrëzimit të “Obeliskut të Demokracisë” në Kavajë, radhën do ta ketë busti i Ahmet Zogut, dhe më pas në qendër të Tiranës do të vendosim bustin i Enver Hoxhës.
Muharrem Xhafa
Sekretari i parë i PPSH, Muharrem Xhafa, në një prononcim për gazetën “Sot”, deklaroi se busti i Zogut duhet të rrëzohet pasi ai është një figurë historike që përbën tradhti kombëtare. “Obelisku nuk duhej të ishte ndërtuar, dhe si ndërtesë, ishte një gjë shumë e shëmtuar në qendër të Kavajës; nuk i shërbente askujt, as mjedisit dhe as njerëzve. Obelisku nuk u rrëzua për arsye politike, por u bë në funksion të sheshit.
Ndërsa ngritja e bustit të Zogut është një pallaçollëk, pasi ai është një figurë që përbën tradhti kombëtare. Ky bust duhet të hiqet me motivin e tradhtisë kombëtare pas dy gishtave të Kavajës. Ai ka kryer aktin më të shëmtuar të tradhtisë kombëtare”, deklaroi Xhafa. Ai thotë se busti i tij mund të ngrihet vetëm në Burgajet, atje ku ka lindur, ndërsa Enver Hoxhës t’i ringrihet busti edhe më i madh nga sa ka qenë më parë. Ndërkaq, Xhafa u shpreh se kurrsesi nuk mund të ketë lidhje mes bustit të Enver Hoxhës dhe Zogut. “Unë nuk e kondicionoj, nuk e lidh, qenien e monumentit të Enver Hoxhës me qenien a mos qenien e monumentit të Ahmet Zogut! Pse? Sepse nuk mund të bëhet asnjë krahasim, asnjë përqasje, midis Enver Hoxhës e Ahmet Zogut. Ahmet Zogu ishte një mbret tradhtar i kombit shqiptar, i cili ia dorëzoi vendin pushtuesve italianë, më 7 prill 1939, ishte një hajdut me çizme, i cili vodhi thesarin e shtetit dhe ia mbathi me shputën e tij, duke e lënë popullin nën pushtimin fashist, ishte një mbret feudal anadollak, i prapambetur, i cili në 14 vjet të sundimit të tij nuk bëri thuajse kurrgjë për zhvillimin ekonomik, shoqëror, arsimor e kulturor të popullit shqiptar, ishte një servil i neveritshëm ndaj vendeve fqinje ballkanike e të Europës, një bandit ordiner, i cili shkoi deri atje sa, për të ardhur në pushtet dhe për të mbajtur pushtetin e tij gjakatar monarkik, shiti dhe pjesë të trupit të Atdheut tonë”, u shpreh me indinjatë Xhafa.
Marko Dajti
Kryetari i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti, e paralajmëron me zë të lartë se, komunistët do të ngrihen shumë shpejt për të rrëzuar bustin e Zogut. Ai deklaron se pas rrëzimit të bustit të Zogut, do të vendoset busti i Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. “Aksioni jonë politik do të konsistojë në vendosjen e bustit të Enver Hoxhës në një nga sheshet e kryeqytetit. Nuk kemi asnjë kundërshtim që të vazhdojë debati politik për mënyrën si është qeverisur vendi gjatë periudhës së komunizmit, por roli i tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare është i vërtetuar ndërkombëtarisht përtej çdo dyshimi”, u shpreh Dajti. “Ne nuk kemi dashur të përçajmë popullin. Por edhe populli e ndjen vetë se ish-mbreti nuk e ka vendin aty. i duhet të hiqet dhe të vihet busti i komandantit legjendar Enver Hoxha, që çliroi Shqipërinë dhe i solli asaj pavarësinë e vërtetë. Sepse pavarësinë e vërtetë, Shqipëria e ka fituar në vitin 1944. Është e pafalshme që asnjë shesh i Tiranës të mos ketë asnjë bust të Enver Hoxhës. Ky ishte qëllimi ynë, që t’iu tregonim të gjithë njerëzve, popullit, politikanëve dhe të gjithëve se ai nuk e ka vendin aty”, është shprehur Dajti. /Sot.com.al/