Berisha: Aeroporti i Rinasit, pasaporta e Shqipërisë
Tiranë - Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot Aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas si një ndër pasaportat më të shkëlqyera të Shqipërisë.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit të zgjerimit të terminalit të këtij aeroporti, Berisha, duke vlerësuar ritmet e kryerjes së punimeve të ndërmarra nga ana e koncensionarit "Tirana International Airport", theksoi se "punimet për zgjerimin e terminalit u kryen në një kohë rekord dhe këto janë ritmet për të cilat ka nevojë Shqipëria, janë vetëm këto ritme ato që mund të bëjnë të mundur të ndërtojë të ardhmen".
Kreu i qeverisë tha se ne filluam ndërtimin e zgjerimit të terminalit në në kohë krize të madhe evropiane dhe botërore. "Inaugurimi i punimeve po kryhet pasi aeroporti ka shënuar, në dallim nga të gjitha aeroportet e Evropës, një rritje prej 10 % të pasagjerëeve, kur aeroportet në këto vende kanë patur një rënie prej 4 %". Duke u ndalur në investimet e huaja në vend, Kryeministri informoi se Banka e Shqipërisë ka njoftuar se investimet e huaja në Shqipëri në 6-mujorin e parë të këtij viti u rritën me 59 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008.
Në të njëjtën kohë Kreu i Qeverisë garantoi koncensionarin "TIA" se qeveria shqiptare do të jetë një partner që vlerëson kontributin e dhënë në zhvillimin e këtij vendi. "Faza e dytë e zgjerimit të terminalit të Rinasit është dëshmi e ritmeve të ndryshimit të Shqipërisë", vlerësoi Kryeministri Berisha, ndërsa shtoi se "kam vizituar të gjithë vendin për të bindur qytetarët se Shqipëria po ndryshon dhe nuk ka dëshmi më të shkëlqyer se kjo se Shqipëria po ndryshon". Berisha vlerësoi shërbimet dhe sigurinë e ofruar në Aeroportin e Rinasit, ndërsa u shpreh se "arkitektura përshtatet plotësisht me peizazhet që e rrethojnë".
Terminali i ri i pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas, i cili u përurua sot, shënoi përfundimin e investimit për fazën B të zgjerimit dhe modernizimit të këtij aeroporti. Investimi gjatë kësaj faze nga ana e konçensionarit Tirana International Airoport shkon në rreth 20 milionë euro, duke arritur në total 70 milion euro, dhe falë tij, tashmë mund t’u shërbehet me një cilësi më të lartë me shumë se 1 milion e gjysëm pasagjerësh në vit, ndërsa pothuaj janë dyfishuar sportelet e pritjes dhe të trajtimit të bagazheve. Pas këtij investimi, do të jenë 14 sportele të reja pritjeje, banke dhe agjenci këmbimi valutor.
Ndërsa në pjesën mbrapa, pas kontrollit të dokumentave, do të jenë 3 porta të reja për daljen e pasagjerëve në pistë, bar të ri dhe një hapësirë të madhe dyqanesh. Volumi i objektit është afërsisht 40 000 m³. Këtu përfshihet dhe një sallë biznesi, e cila nga 130 m² do të arrijë në 300 m² . Ky terminal mund t’u shërbejë të paktën 1 milionë e gjysëm pasagjerëve në vit, ndërsa vitin e kaluar u regjistruan 1,3 milionë pasagjerë. Sipërfaqja e zgjerua në terminalin e pasagjerëve shkon në rreth 4 800 metra katrorë, 890 prej të cilave i takojnë pajisjeve për transportin e bagazheve. Ndërkaq, është mëse 2-fishuar edhe hapësira e sallës biznes. Burimet shtuan se pasagjerëve do t’u ofrohen shërbime më cilësore.