Ky artikull Nga Petrit Haliti, "Gazeta Shqiptare" dt 21.09.2009, diskuton rrethanat dhe pasojat e terheqjes se Amerikes nga ndertimi i mburojave antirakete ne Poloni e Ceki.
Po shkepus:
Në radhë të parë, efektet e tij mund të jenë në raportet e besueshmërisë së vendeve dhe të opinionit publik europian në politikën atlantike dhe europiane të administratës së re të SHBA-së. Nuk mund të thuhet se kuota e besueshmërisë ndaj politikes atlantike amerikane do të jetë e njëjtë me atë të para marrjes së këtij vendimi. Le të marrim fillimisht dy shtetet, ku ishte planifikuar të dislokoheshin interceptorët dhe radari i mburojës amerikane antiraketë, Polonia dhe Republika Çeke. Qeveritë e këtyre dy shteteve dhanë miratimin për vendosjen e mburojës antiraketë, ndonëse e njihnin kundërshtimin dhe presionin e madh të Rusisë ndaj tyre për të mos pranuar mburojën amerikane. Një pjesë e opinionit publik dhe disa parti politike, sidomos në Republikën Çeke, organizuan fushatë pas fushatash, disa prej të cilave të sponsorizuara nga Rusia, për të penguar vendosjen e mburojës antiraketë të Amerikës. Qeveria amerikane nënshkroi edhe marrëveshje zyrtare me Varshavën dhe Pragën vitin e kaluar, për dislokimin e mburojës antiraketë. Si Polonia, ashtu dhe Republika Çeke, e shihnin vendosjen e mburojës antiraketë amerikane, si një garanci e sigurisë së tyre edhe ndaj politikës dhe strategjisë së Rusisë për rivendosjen e influencës së saj në zonat e dikurshme të influencës të ish-Bashkimit Sovjetik. Qeveria amerikane nuk hoqi dorë nga planet e vendosjes së mburojës antiraketë, edhe kur Kremlini kërcënoi se si përgjigje do të vendoste edhe ai mburojën e vet antiraketë në Kaliningrad, enklava ruse mes dy shteteve anëtare të NATO-s, edhe kur Vladimir Putin kërcënoi se do të fuste përsëri në objektivat e raketave ndërkontinentale ruse kryeqytetet e shteteve europiane. Tani befas, edhe Polonia, edhe Republika Çeke, mësojnë se Shtëpia e Bardhë, në mënyrë të njëanshme heq dorë nga marrëveshjet që ka nënshkruar me këto dy shtete për mburojën antiraketë, dhe i jep kënaqësi presionit rus. Partitë dhe forcat proatlantike e proamerikane në këto dy shtete u gjetën befas në një pozitë tepër të pafavorshme në sytë e opinionin e tyre publik, dhe kjo nuk mund të mos ndikojë në nivelin e përkrahjes proatlantike në popujt e këtyre dy shteteve. Kjo që ndodhi inkurajon forcat proruse në këto dy shtete, që të rrisin ofensivën e tyre politike dhe presionin kundër pranisë dhe pjesëmarrjes në Aleancën Atlantike. Lëshimi i ri i Obamës mund të sjellë një dobësim të forcave proatlantike dhe proamerikane në shkallë kontinenti. Sepse ky vendim do të konsiderohet si një shenjë dobësie e Amerikës përballë kërkesave të Rusisë. Nuk duhet harruar se ndeshja strategjike për mburojën antiraketë u zhvillua në Europë, dhe kostoja politike e diplomatike do të paguhet nga Europa. Në një farë kuptimi, shtetet europiane, dhe sidomos ato që vijnë nga ish-regjimet komuniste dhe nga ish-Traktati i Varshavës, dhe që e njohin shumë mirë Rusinë, nuk mund të mos ndjehen si të zbuluar dhe mos u shkojë nëpër mend ndjenja e hidhur e një kohe të kapërcyer, kur ato ishin zona influence të Bashkimit Sovjetik dhe ato kontrolloheshin nga Moska. Miratimi i vendosjes së mburojës antiraketë në Poloni dhe në Republikën Çeke, ka qenë akt sovran i qeverive të atyre shteteve, në përputhje me stabilitetin dhe me interesat e tyre të sigurisë. Tani, situata e re i vendos ato në një pozitë edhe më të dobët përballë Rusisë. Pas kësaj, Rusia mund të inkurajohet të avancojë pretendime të tjera në marrëdhëniet me ish-shtetet komuniste të Europës Lindore, sepse mund të ndjehet e stimuluar nga hapi i ri i presidentit Obama. Ajo që e bën më të paqartë arsyetimin e përkrahësve të vendimit të presidentit amerikan, është fakti se heqja dorë nga mburoja antiraketë bëhet në një kohë, kur strategjia e Rusisë dhe ambiciet e Kremlinit për influencë globale po shpalosen më fort se kurrë. Nuk duket se retorika demokratike dhe paqësore e presidentit Obama, qysh nga ardhja e tij në pushtet më 20 janar të këtij viti, ka pasur rezonancën e pritur të udhëheqësit rus. Vetë gjuha e përdorur nga presidenti dhe kryeministri i Rusisë duket sikur është nxjerrë nga sirtarët e arkivave të Luftës së Ftohtë. Moska ka shpalosur planet e zgjerimit të potencialit të vet bërthamor strategjik. Bombarduesit bërthamorë rusë kanë nisur të patrullojnë tani qiejt e botës. Rusia po pretendon prani ushtarake edhe pranë ujërave të Amerikës, duke organizuar manovra ushtarako-detare me regjimin e Venezuelës. Kushdo që ka ndjekur kurbën gjithnjë e më tepër në ngritje të ambicieve imperiale të Rusisë nëpër botë, e sheh se Moska po afishon gjithnjë e më tepër mbështetjen e këtyre ambicieve të saj në dy instrumente kryesorë: në energjinë dhe në forcat ushtarake. Në një koniukturë të tillë ndërkombëtare, të rritjes së forcës dhe të ambicieve të Rusisë, vjen hapi i heqjes dorë nga mburoja antiraketë, të cilën, për hir të së vërtetës, duhet thënë që popujt dhe vendet ish-komuniste të Europës Lindore, e shihnin më shumë si mbrojtje nga Rusia se sa nga Irani dhe Koreja e Veriut. Mendimi ynë është se lëshimi i ri i presidentit amerikan ndaj Rusisë mund të ketë ndonjë efekt negativ edhe në rajonin e Ballkanit. Rusia ka nisur në rajonin tonë një marshim energjetik dhe diplomatik tepër agresiv dhe ajo mund të inkurajohet për të kërkuar koncesione të tjera në pika, rajone apo në çështje të ndryshme ndërkombëtare.