Page 1 of 1

Interesat kombëtare mbi ratifikimin

Posted: Mon Dec 14, 2009 7:55 pm
by Zeus10
NGA: PETRIT HALITI

Qeveria e kryeministrit bullgar, Bojko Borisov ka ndërmarrë një nga hapat më të rëndësishëm të historisë së marrëdhënieve të atij shteti në politikën e jashtme. Ajo ka rihapur procesin e rinegocimit të marrëveshjes që ka nënshkruar qeveria paraardhëse bullgare e ish-kryeministrit Sergej Stanishev, me Rusinë dhe me Greqinë për projektin rus të naftësjellësit Burgas- Aleksandropullos. Më 10-11 dhjetor, në Sofje u zhvilluan bisedimet e Komisionit Ndërqeveritar për Bashkëpunimin ekonomik, të kryesuar nga ministrat e Ekonomisë dhe të Energjisë të Bullgarisë dhe të Rusisë, që u përqendruan në rihapjen e bisedimeve për marrëveshjet mbi tri projektet e mëdha energjetike që Rusia kërkon të realizojë në Bullgari. Para disa ditësh në Athinë, ministri bullgar i Ekonomisë dhe Energjisë, Trajço Trajkov rihapi çështjen e naftësjellësit me drejtuesit e shtetit grek.
Rihapja e bisedimeve mes shteteve, pas nënshkrimit të marrëveshjeve shtetërore nuk është një gjë as e lehtë dhe as e shpeshtë në marrëdhëniet ndërkombëtare aktuale, sidomos në Ballkan. Ajo që e bën edhe më të veçantë hapin e qeverisë së kryeministrit Bojko Borisov, është fakti se marrëveshjet për projektet energjetike ruse, të nënshkruara në vitin 2007 mes Bullgarisë, Rusisë dhe Greqisë, i ka ratifikuar edhe parlamenti i Bullgarisë. Shumëkush mund të mendojë se pas ratifikimit në parlament të një marrëveshjeje ndërkombëtare me një shtet tjetër, qeveria, që e ka pranuar dhe nënshkruar atë marrëveshje, mund të flejë e qetë mbi dafinat e dividentëve të formave të ndryshme që ajo mund të ketë përfituar nga nënshkrimi i asaj marrëveshjeje. Por nuk vazhdon kjo qetësi kur vjen në pushtet një qeveri tjetër me përgjegjshmëri më të madhe publike dhe kombëtare, dhe e cila ndjen si imperativ të funksionimit të saj pikërisht mbrojtjen e interesave kombëtare në politikën aktuale dhe korrigjimin e gabimeve dhe hapave të dëmshme që kane bërë paraardhësit në fushën e politikës së jashtme. Mbi këtë përgjegjshmëri të interesave kombëtare, qeveria e re bullgare e kryeministrit Bojko Borisov, që erdhi në fuqi në muajin korrik 2009, ndërmori nismën politike dhe juridike të rishikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare energjetike, të nënshkruara nga qeveria e mëparshme me Rusinë. Shpjegimin e dha më 6 dhjetor vetë kryeministri i Bullgarisë, kur, duke vizituar qytetin e Burgasit, nga duhet të fillojë naftësjellësi që do të çojë naftën ruse në Aleksandropullos të Greqisë, deklaroi: "Marrëveshja është kundër interesave kombëtare të Bullgarisë. Qeveria e mëparshme i kishte humbur shanset të negocionte kushte më të mira për Bullgarinë". Kryeministri shpalli bllokimin për 18 muaj të Marrëveshjes bullgaro-ruso-greke për ndërtimin e naftësjellësit, derisa ministria e Mjedisit të bëjë një raport të plotë mbi efektet e këtij naftësjellësi në mjedisin dhe në turizmin bullgar. Është interesante të nënvizohen dy elemente lidhur me marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria e mëparshme bullgare për naftësjellësin. Elementi i parë ka të bëjë me faktin se ajo marrëveshje hasi në reagimin dhe kundërshtimin e fortë të opinionit publik dhe të shoqërisë civile në Bullgari, në kohën kur u nënshkrua. Zëra të fuqishëm të opinionit, jo vetëm dolën kundër nënshkrimit të marrëveshjes, por edhe protestuan se po shkeleshin interesat kombëtare të Bullgarisë. Qeveria e mëparshme e kryeministrit Sergej Stanishev, siç ndodh shpesh në Ballkan, i injoroi protestat e opinionit publik dhe jo vetëm e nënshkroi, por edhe e dërgoi për ratifikim në parlament. Por opinioni publik u hakmor ndaj asaj qeverie, duke ia dhënë votën në zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut partisë së kryeministrit Bojko Borisov. Elementi i dytë është fshehtësia me të cilën qeveria e mëparshme bullgare shoqëroi procesin e tratativave me Rusinë, duke mbajtur larg informimit publikun lidhur me përmbajtjen e marrëveshjeve me Rusinë dhe me Greqinë. Me gjithë kërkesat e opinionit dhe të opozitës për të zbardhur kushtet e marrëveshjes, me gjithë detyrimin kushtetues për t'i shpjeguar popullit kushtet dhe efektet e asaj marrëveshjeje, qeveria e mëparshme bullgare nuk ia zbardhi kurrë atë opinionit publik. Nuk kërkon koment aksioma e lashtë se çdo gjë që mbahet fshehtë, fsheh vetë diçka. Sikurse deklaroi kryeministri Borisov më 8 dhjetor, e vërteta është se nga marrëveshja për naftësjellësin, i vetmi shtet që nuk përfiton është Bullgaria. Kryeministri denoncoi faktin që marrëveshjet e nënshkruara me Rusinë dhe me Greqinë, nuk përmbajnë në asnjë nen të tyre mundësinë dhe të drejtën e Bullgarisë për t'u tërhequr nga marrëveshja. Ndaj dhe një nga vendimet e para që kryeministri shpalli, është se do ta bëjë publike marrëveshjen e nënshkruar dhe madje do ta hedhë në internet, me qëllim që çdo qytetar të jetë në gjendje të shohë dhe të kuptojë se si janë anashkaluar interesat kombëtare. Hapi i rëndësishëm i qeverisë së kryeministrit Bojko Borisov sjell një model dhe një përvojë të re, jo vetëm interesante, por edhe udhërrëfyese për marrëdhëniet e shteteve ende të dobëta të Ballkanit me njëri tjetrin apo me fuqitë e tjera. Bullgaria pasuron kështu praktikën dhe teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare në rajonin e brishtë të Europës Juglindore.
Së pari, Bullgaria jep shembullin e të drejtës dhe të guximit shtetëror dhe të përgjegjësisë kombëtare të një qeverie, e cila kupton rëndësinë dhe ndërmerr veprimet konkrete për të rishikuar marrëveshje të nënshkruara nga qeveria e mëparshme, marrëveshje, të cilat nuk kanë marrë parasysh dhe kanë shkelur interesat kombëtare. Së dyti, qeveria e kryeministrit Bojko Borisov, duke kuptuar përgjegjësitë e saj kombëtare, nuk ka hezituar t'u kërkojë rinegocimin dhe të rifillojë bisedimet zyrtare, si me Rusinë, që është një superfuqi energjetike dhe fuqi e madhe kontinentale, ashtu dhe me Greqinë, që është aleat i Bashkimit Europian dhe i NATO-s. Mbi paragjykimet dhe komplekset e inferioritetit, qeveria bullgare ka vënë interesat kombëtare të vendit. Së treti, përvoja bullgare tregon se qeveritë në Ballkan duhet t'i mendojnë mirë hapat, aktet dhe marrëveshjet që ndërmarrin me shtetet e tjera, kushdo qofshin ata, fqinj apo jo fqinj, të fuqishëm apo jo të fuqishëm. Sepse një qeveri e përgjegjshme për interesat kombëtare ka të drejtën dhe hapësirën për t'i rishikuar, rinegociuar dhe madje anuluar marrëveshjet e padrejta. Qeveritë që kanë neglizhuar interesat kombëtare nuk i shpëton nga përgjegjësia morale, juridike dhe historike as fakti që nuk janë më në pushtet, dhe as fakti se marrëveshja është ratifikuar nga parlamenti. Nxitimet për ratifikimet e marrëveshjeve të padrejta, në fakt forcojnë edhe më shumë bindjen në opinion për karakterin e padrejtë të asaj marrëveshjeje. Parlamenti është organi më i lartë legjislativ, por nuk është dhe nuk mund të jetë mbi interesat kombëtare. Ndaj dhe qeveria e re bullgare e vendosi interesin kombëtar mbi ratifikimin.
Se sa të drejta janë veprimet e qeverisë bullgare për mbrojtjen e interesave kombëtare, e provon mbështetja si nga Bashkimi Europian, ashtu dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Bullgaria po bën shumë gjëra të drejta pikërisht tani. Bullgaria po bën gjënë e duhur, duke e rimenduar politikën e saj energjetike", - u shpreh në Sofje Riçard Morningstar, i dërguar i posaçëm i SHBA-së për energjinë në Eurazi. Mbrojtja e interesave kombëtare është detyrim themelor jo vetëm i qeverisë, i shtetit dhe i popullit përkatës, por edhe një detyrim ndaj aleancave perëndimore, ku shtetet e Ballkanit janë anëtare apo po përpiqen të hyjnë.