«Bardhë: 8. vet. sh. euf. Qenie fantastike, të cilat, sipas paragjykimeve popullore, përfytyroheshin si vajza, që rronin në mal e nën tokë dhe bënin të këqija kur zemëroheshin».
«Bardhë: 5. fig. Që sjell mbarësi e lumturi; që sjell gëzim; fatlum, fatbardhë. Ditë (orë) e bardhë. Vite të bardha. Pleqëri e bardhë. Fat i bardhë. Shtëpi (derë) e bardhë. Ardhtë e bardhë! ur. Qofsh i bardhë! ur.
6. fig. I mirë, i pastër, i panjollosur; i çiltër; bujar; që sjell të mira. Jetë e bardhë. Me zemër të bardhë! ur. Me faqe të bardhë! ur. Me shpirt të bardhë. Ka zemër të bardhë».
«Të bardhat janë një lloj shtojzovallesh, vajza të bukura, pra, diçka si zanat».

«Malësorët besimtarë, aty ku është ruajtur ky kult, nuk e kanë me qejf ta zënë me gojë rast e pa rast emrin e Zanës, duke e quajtur mëkat një gjë të tillë. Për të emëruar Zanën, ata përdorin eufemizma, si: Shtojzovallet: (Shtoji zot vallet), Shojzorreshat (Shtoji zot rradhët e tyre). Të Lumet, Nuset e Malit, Fatmirat, Të Mirat, të Bardhat. Kjo ka të bëjë me mendësinë sipas së cilës emri i hyjnisë nuk duhet të përmendet rast e pa rast, se është mëkat i rëndë..».
«Mitologjia shqiptare është mjaft e pasur dhe e larmishme: në rite, në mite e besime, aq më shumë në qënie mitike me të veçantat e saj autentike, po dhe me të përbashkëtat me popujt e tjerë, po edhe e një shtrati të përbashkët mbarënjerëzore të kohës së lashtësisë. Të njëjtat figura mitike në jo pak raste i ndeshim me emra të ndryshëm, natyrisht të shfaqura diçka, si të thuash, në variante të ndryshme: këto, natyrisht, janë me burim eufemizmash a ndikime nga jashtë. Të marrim ndër to Zanën: Mund ta gjejmë me njërin nga këta emra: Zana, Gjindi, të Bardhat, Nuset e Malit, të Mirat, të Bekuemet, Shtojzovallet, Shtojzorreshtat, Perria, Vila, Ora. Të Lumet Natë, Mirat, Fatmirat. Si shihet, në një shumicë rastesh janë emërtime eufemizma, pra për t'i marrë me të mirë e për të mos u përmendur emrin».
«Kudo ndër Shqiptarë, në malsi më tepër, kur në të marrë të diellit del hëna e re, fëmijtë dhe vajzat e rritura i drejtoheshin hënës me lutje e formula të veçanta magjike, për fat, mbarësi në jetë. Ja njëra nga këto formula magjike, me të cilën vajzat i drejtoheshin hënës: «Hënë e re, vashë e re! / Unë në punë, ti në gjumë, / Unë shëndet e ti gërshet". (J. Nushi. Mitologji e besime në Myzeqe, "Etnografia Shqiptare", V. 1974, f. 336). Mendojmë se hyjnizimi i hënës në popullin tonë në një masë kaq të madhe ka të bëjë me ndonjë hyjni të lashtë ktonike vendëse me atribute të bujqësisë dhe të jetës familjare. Po Hëna na del edhe si e lidhur me Zanën, me natyrën e virgjër, pra si hyjni e natyrës; është ndërkohë edhe mbrojtëse e grave».
«Sipas këtij përfytyrimi, këto qenie mitike i gjejmë të përshkruara edhe në veprën e Kutelit me emrin Të Bardhat: ”Asaj kohe, kur flisnin dallandyshet edhe kocominjtë, kur Të Bardhat rrëmbenin njerëz dhe i shpinin në male me gurë edhe kur kuajt kishin krahë edhe fluturonin si shpesëri... Në pranverë, kur çilte molla e qershia mbushej fshati rëngë me Të Bardha, që loznin valle, natën me hënë, aty nër kopshte të lulëzuar”. Te rrëfenja ”Babalja”, personazhi i kësaj rrëfenje, një njeri që ishte në paqe me njerëzit, me kafshët, me natyrën (as merimangat, as gjarprin nuk vriste, as gomarit nuk i binte me stap) i shihte Të Bardhat dhe arrinte ta zbuste inatin e tyre kur ishin të zemëruara me ndokënd. Fakti se ato shihen dhe sillen mirë me njërzit që si Babalja nuk i bëjnë keqe as mizës, justifikohet nga origjina e tyre si mbetje të hyjnisë së natyrës së virgjër. ”Në pranverë, kur çelte molla e qershia, mbushej fshati rëngë më të bardha, që loznin valle, natën me hënë, aty nër ato kopshte të lulëzuara”. ”E ngrinin pa një, pa dy ato Zonjat e Bardha (paçin e hijen e tyre!) edhe e shpinin atje ku s’ta pret mendja asty, as mua”. ”Po aq bukur kqëndonin këto Të Bardhat sa e sa nuk i kishin dëgjuar... sa u turbullonin mendjen të rinjve, i nxirrnin jashtë pragjeve dhe i rrëmbenin e i shpinin larg- larg, si e patën ngritur atë të mjerin Niku, po për të gëzuar gjithë i gëzuar ish se ato zonjat e Bardha dinin ta bënin njerinë të lumtur”, ”Mos, bijani, mos! Mos i prishni punë plakut. Se plaku ju do. Ju jeni bija të bardha, jeni të mira, jeni të bukura si ju ka bërë vetë Shënediela, i paçim uratën”. ”Atë e lahen Të Bardhat (të bardha qofshin)”».
«Prapa figurës së zanës, me atributet e saj qenësore, vërejmë një hyjni të maleve, të natyrës së virgjer, mbrojtëse të bimësisë dhe të kafshëve të egra, gjahtare hyjnore. Është luftëtare me forca e mjete të mbinatyrshme në ndihmë të kreshnikëve. Zana, si figurë qendrore e besimeve popullore, zë një vend të veçantë në eposin legjendar mesjetar të shqiptarëve, madje merrte pjesë gjallërisht në veprimet e heronjeve të këtij eposi. Vend qendror zë edhe në disa balada mesjetare, në legjenda mitike: atë e ndeshim dendur në gjini të ndryshme të krijimeve folklorike. Dallohen për trimëri e aftësi luftarake hyjnore. (Tirta, M.)».