VLERA TE SHITURA
Shën Naumi është një nga manastiret më të njohura shqiptare. Gjendet 10 km.në verilindje të Pogradecit, në bregun lindor të liqenit. Sipas Dhorka Dhamos, manastiri i kushtohet:
Kryeengjëllit Mëhill. U ndërtua rreth v.900 nga Naumi, i cili punoi, vdiq dhe u varros atje, më 910. Në korrik të vitit 1925, Shën Naumi iu dhurua Jugosllavisë nga mbreti Zog, si shpërblim për ndihmën që i dha ajo për shtypjen e Revolucionit të Qershorit dhe për kthimin e tij në Shqipëri. Nga kisha e vjetër kanë mbetur vetëm themelet në trajtë trikonku (trifletëshi). Kisha e sotme është ngritur rreth shek. XVI mbi të parën. Vlerë të veçantë ka ikonostasi prej druri i zbukuruar me gdhendje të stilizuara dhe me ikona të Konstandin Jeromonakut, piktor i fundit të shek.XVII-XVII që ka punuar në zonën e Korçës (Vithkuq, Voskopojë) dhe Elbasan. Shquhet për elementet baroke perëndimore, të cilat ushtruan ndikim në piktorët e mëvonshëm. Piktura murore e kishës është vepër e v.1806 e Tërpo Korçarit, i biri i Athanas Zografit. Edhe kishëza e vogël, një ndërtim i mëvonshëm, gjithashtu është pikturuar. Në brezin e sipërm shtjellohej cikli i mrekullive të Naumit, ndërsa poshtë janë figurat në këmbë. Mbi arkivolin e Naumit parqitet në një kompozim origjinal vdekja e tij, ku midis figurave që vajtojnë, dallohet Klementi i Ohrit. Shën Naumi ka pasur një bibliotekë të pasur, që u dogj sëbashku me konakët e murgjve. Burimet në fjalë, nuk janë as të trilluara, as të shitura, as të vjedhura. Janë fakte shkencore, të konfirmuara edhe nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar (Tiranë, 1985, f.1004-1005).
Shën Naumi tokë shqiptare, dhe simbol i pandotur, i atdheut shqiptar
Kaherë na ka lutur, xha Thanas Kristo Rëmbeci, veteran i komunitetit të këtushëm shqiptar, që të shkojmë e të deshifrojmë varrin e stërgjyshit të tij, Papa Robes, që gjendet në oborrin e manastirit të Shën Naumit. Në bazë të dy Thirrjeve, njëra shqip e tjetra frëngjisht, që i shpërndau Komiteti i Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, në vjeshtën e parë të vitit 1925, kuptojmë se Shën Naumi është “tokë Shqipëtare dhe bën pjesë në trupin e Shqipërisë së lirë e të pavarur”. Është ky “simbol i pa ndotur dhe i naltë i lirisë dhe i dinjitetit të Atdheut Shqiptar”. Për të qenë sa më të saktë, po japim në tërësi, variantën shqipe, të një dokumenti autentik:
T H I R J E
“Krimi i naltë tradhëtie i Ahmet Zogut”
Shqipëtarë! Aventurieri i cili me gënjeshtër, intrigë dhe tradhëti atdheu; tye shkelun dëshirën Kombëtare, e mori përsipër fuqin për të udhë-hequr fatin e atdheut t’onë, asht në pikën e fundit qi të bëjë një akt sqelerat i cili nuk ka precedent në istorin e kombeve. Shqipëtarë! Shtatë herë Konferenca e Ambasadorëve në Paris, katër herë Ligë e Kombeve, dy herë Tribunali Ndërkombëtar i drejtësis në Hagë – këto instituta të nalta të thirrura qi të vëzhgojnë fatin e së drejtës-gjykuan qi vendet e Vermoshit dhe Shën-Naumit janë tokë Shqipëtare, dhe bëjnë pjesë prej trupit të Shqipërisë të lirë dhe të pavarur. Manastiri i Shën Naumit! Ky monument i çkëlqyer, i cili ka mbajtur prej shekujsh të herësirës dhe therorizmës, tradita të bukura dhe fisnike njerëzore; ky simbol i pa ndotur dhe i naltë i lirisë dhe i dinjitetit të Atdheut Shqipëtar! Populli shqiptar e saalutoi me fisnikëri patriotike vendimet e nalta, të cilat konsakrrojnë dhe për Atdheun t’onë prensipet e së drejttës dhe të liriës, mas të cilës do të paravejë istoria politike e kombeve.
Shqipëtarë! Ajo qi bën gëzimin patriottik të nji populli, triston personazhin sinistër, i cili mban sa turp magjistraturën e hepërme të Shtetit Shqipëtar. Uzurpatori, i cili me forcat e bajoneetave të hueja, ka mbytur liriet, vendosi terorizmin; sqelerati i cili shkel paktin fundamental dhe tallet me betimin e konstitutës – e cila ndalon rreptësissht qi toka kombëtare mos të dhurohen -, kërkon të shesë dheun e shenjtë t’Atdheut, atyreve që i dhanë fuqinë, dhe vendosën terorizmin. Tradhëtori sinistër i hequr prej ambicie mizerabil, dhe i lidhur me premtime sqelerate, tallet me traditat e stërgjyshërve dhe kërkon përsëri të shkelë dëshirën e Kombit dhe nderin e Atdheut. Shqipëtarë! Kemi nji detyrë të shejitë për të mbushur. Nuk mundim, nuk duhet qi monstri të përmbushi infamijen (poshtërsien). Nuk duhet të tolerojmë qi Toka e Atdheut në të cilën stërgjyshërit t’anë kanë duruar pa u tundur, kaq orgjira. Toka e bekuar, e cila në nji periudhë prej shumë kohe ka patur shumë gëzime dhe dhimbje të mëdha, t’arrijë prade (preda) e nji avanturiei pa skrupull. Nuk duhet të harrojmë se kemi përgjegjësira të randa dhe të shejta përpara gjeneratave të ardhme, sepse-në na u dha lumtëria t’a shohim të mbushur me sytë t’onë idealin e independencës t’onë Nacionale – taman për këtë kemi detyrë t’i lëmë të ardhmëve t’anë shembulla abnegacioni dhe patriotizmi, dhe jo shembulla turpi dhe tradhëti Atdheu.
Kollonia Shqiptare e Bukureshtit, tue marr para syesh se regjim’ i sotmë; presonal dhe despotik i aventurierit i cili u vue vetë dhe mbanë timonin e shtetit Shqiptar – she i cili kërkon me ç’do mnyrë të mbulojë veprat e pa-ligjishme, me responsabilitetin e nji të vet-quajturi Parllament, servil ose me mirë thënë i terrorizuar-është në derexhe të komprometoj interesat vitale të Kombit Shqiptar. KONVOKON SHQIPTARËT e gjith viseve në nji KONGRES të madh Kombtar Pan-Shqiptar, i cili t’avizoj për masat qi duhen marr për të slavagarduar interesat e larta të Kombit Shqiptar, për të rrëzuar regjimin e terorizmit dhe tradhëties, dhe për të ristabiluar nji regjim të urdhërit dhe dinjitetit Nacional. Shoqëritë dhe Kollonitë Shqiptare kudo-qi ndodhen, këshillat e Bashkive të gjith Shqipëries, janë të thirura të dërgojnë delegatë në kët kongres të madh Kombëtar, i cili do të mbahet ditën istorike të 8 Nandorit 1925, në qytetin Bukureshti, Kryeqyteti i Rumanies. Zgjedhim kët qytet sepse është Metropolla e liries të gjith mentimeve të mëdha, i të gjith popujve të Ballkanit, dhe posaçërisht qendra e lëvizjes për independencën dhe lirien e Shqipëries. SHQIPTARË KUDO QI NDODHENI, ATDHEU ËSHT NË RREZIK, Bëni Detyrën! 1 Vjesht e parë 1925. Pason Vula me shqiponjën në mes dhe mbishkrimin: SOCIETATEA COLONIEI ALBANEZE DIN BUCURESTI, 1915. Komiteti i Kollonies Shqiptare – Bukuresht, Strada Bozianu No.6.
Ka gjasë që apeli në fjalë, të jetë i pregaditur nga grupi antizogist, që vepronte në Bukuresht, e të cilin e udhëhiqnin, do tregtarë të pasur me prejardhje nga Korça: Themistokli Duro, Mihail Sotir Xoxe, Dhimitër Kristë Rëmbeci, Gavril Sterio Negovani, Kostë Boshnjaku, Akil Eftimiu, Ioan Mihail Lehova (foto), disa ndër to, duke qenë edhe botues gazetash patriotike, siç ishte Atdheu (1912), Shqipëria e Re (1919-1935), “Shkëndia” (1938), etj. E falënderojmë me këtë rast, zonjën Ekaterina Popesku, e bija e rilindasit korçar, Jovan Kristesku, që na i vu në dispozicion, këto dokumente. Nuk e dimë në ka nevojë të komentojmë përmbajtjen e tyre, por e dimë se nganjëherë politka, merr tatëpjetën. Atë që s’e bëri Hoxha, e bëri Zogu. Jo më kot, bashkëfshatarët e Sadudin Gjurës, brenda një nate, kaluan nga zogizmi në enverizëm, për ta kënduar madje edhe në diasporë këngën:Ciftelise kur ia prek telin, shperthen kenga per Enverin. E duam Enverin pse e donte Kosoven, dhe e urrejme pse ishte diktator.

.