
Historia e Bibliotekave & Co.
Një fushë tjetër ku secili mund të shtrijë më tej interesimin e tij për të njohur më mirë Shqipërinë e sotme, Shqipërinë e kaluar dhe historinë e shqiptarëve në trojet e tyre gjatë sundimin otoman është studimi i historisë së Bibliotekave të Evropës, Amerikës dhe Azisë.Në dekadat e para të shek. 16-të në Evrope kemi universitete, por s'kemi akoma një sistem arsimor për miletin.
Nga studimi i historisë së bibliotekave të Evropës, Amerikës dhe Azisë rezulton se biblioteka më e vjetër në Amerikë është ajo e Kolegjit të Harvardit, e cila trashëgoi nga themeluesi i saj më 1636-ën vetëm 400 libra. Ky kolegj a universitet njihet si institucion arsimor vetëm në kushtetutën e Masaçusets më 1780-ën. Universiteti nisi të hartojë tekste shkollore vetëm më 1800-ën. Sot, statujën e themeluesit të kolegjit e quajnë në Amerikë statuja e tre gënjeshtrave. Biblioteka e dytë në Amerikë ngrihet më 1731-in nga Benxhamin Frenklin, i cili themelon të parën bibliotekë për libra, që jepeshin me qira në Filadelfia, të cilën britanikët e djegin gjatë luftës më 1812-ën. Biblioteka e parë publike në mbarë Amerikën hapet vetëm më 1833-in në Petersburu të Nju Hempshajërit.
Më 1753 ngrihen në Angli Muzeumi Britanik dhe biblioteka e tij me 40,000 libra. Në perandorinë Habsburge më 1756-ën biblioteka më e vjetër universitare kishte vetëm 2,787 libra. Libraria akademike e universitetit të Vjenës u hap më 1777, në përvjetorin e ditëlindjes së Maria-Terezës, me 45.000 libra. Për të themeluar bibliotekën e parë në Rusi duhet të presim të vdesë Diderot më 1784-ën në France, që Katerina e II të sjellë në Rusi bibliotekën e tij, që bashkë me librat që ajo siguroi nga biblioteka e Volterit dhe librat që u sollën nga Polonia të formohesh fondi i parë i librave të Bibliotekës Kombëtare Ruse. 50 vjet më vonë, fondi i këtyre bibliotekave arrin në 200.000 e më shumë vëllime. Numri i librave në fondet e bibliotekave të Evropës dhe të Amerikës fillon të rritet në progresion gjeometrik.
Çfarë po ndodh gjatë këtyre pak dekadave, në një kohë kur Erazmi i Roterdamit në vitin 1508 udhëtonte nëpër Evropë vetëm me një arkë me një grusht libra? E tërë pasuria e Dijes së Njerëzimit në atë kohë ishte katandisur në një thelë?! Ku shkuan ato qindra mijëra libra, që mykeshin (dhe vazhdojnë të myken) në bibliotekat e monarkëve të Anglisë dhe monarkëve të tjerë të Evropës?
U deshën plot 270 vjet per të përgatitur armatën e re të mësuesve, që në vitin 1770 më në fund, vetëm në Gjermani, të mund të hapeshin disa shkolla për miletin.
Më interesant bëhet ky studim kur kohën e themelimit të bibliotekave në kryeqytetet kryesore të Evropës e ndërthurrim me kohën e themelimit të shteteve dhe kombeve, si dhe me procesin e arsimimit të shtetasve të tyre.
Këtë punë provoni ta bëni për vendet e Evropës: Italinë, Gjermaninë, Anglinë, Francën, Spanjën, si dhe për vende të tjera si Turqia, Arabia Saudite, Egjipti, Siria apo dhe pak më larg, India, Pakistani, Singapori, Kina, Japonia, e deri në Zelandën e Re.