
Ndeshja kualifikuese për evropianin 2012 ndërmjet reprezentacionit të Greqisë dhe Kroacisë në Athinë është përshkruar me tensione jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna, ku tifozët e të dyja kombëtareve janë përleshur ndërmjet vete.
Takimi është ndërprerë përkohësisht në minutën e katërt, për shkak se tifozët grekë kanë provokuar simpatizuesit kroatë, duke hedhur një mjet shpërthyes që ka shkaktuar zjarr në pjesën e tribunës ku ndodheshin ata.
Kjo ka shkaktuar zemërimin e kroatëve, të cilët kanë shkulur ulëse nga tribuna, ndërkohë që ka pasur përleshje mes tyre dhe tifozëve grekë, pas të cilës ka ndërhyrë policia që ka zbrazur pjesën e tribunës që ndante tifozët e të dyja ekipeve në stadiumin “Karaiskakis”.
Takimi ka vazhduar në minutën e tetë, ndërsa Greqia arriti të shënojë fitore me rezultat 2:0.
Pas kësaj fitoreje Greqia ka marrë pozitën e liderit me 21 pikë në grupin F, duke shtuar gjasat për kualifikim direkt në Euro 2012, derisa Kroacia ka 19 pikë në vendin e dytë.
Në këtë grup deri në fund të kualifikimeve do të zhvillohet vetëm edhe një xhiro, ku do të qartësohet gjithçka sa i përket pozitës së parë.