PARATHËNIE
Tim eti
Së shpejti në Francë do të botohet “Gramatika e krahasuar e gjuhës shqipe” e babait tim, Robert d’ANGÉLY. Një bashkëpërkim ka sjellë që paralelisht të botohet në Shqipëri një libër i përgatitur shqip: “ENIGMA – Nga pellazgët te shqiptarët”, një përmbledhje e 5 vëllimeve të librit “L’ENIGME”, që ka dalë në Francë më 1990 e 1991. Këtë vepër të plotë, të cilën im atë pa dyshim do t’ia kishte kushtuar Shqipërisë, unë sot po ia besoj popullit shqiptar, si një ndihmesë për kërkimet e gjuhëtarëve, historianëve dhe etnologëve, që interesohen për kulturën dhe prejardhjen shqiptare.
Falënderoj zotin Xhevat LLOSHI, zotin Bashkim KUÇUKU dhe zotin Fatmir TOÇI, që e realizuan këtë punë me qëllim që vetë shqiptarët të mund ta njohin këtë vepër, e cila tashmë u përket atyre.
“Më duhet ta përfundoj veprën e tij, që ishte jeta e tij, duke botuar njërin vëllim pas tjetrit…” Këto fjalë, që i kam shkruar në parathënien e pesë vëllimeve të para të veprës së tim eti “L’ENIGME” (të dala më 1990 e 1991) po i përsëris edhe sot me rastin e botimit të “Gramatikës”, e cila përbën vëllimin e 6-të dhe të 7-të të “ENIGMËS”.
Më në fund sot, tridhjetë vjet pas vdekjes së tim eti, po del “Grammaire Albanaise Comparée” (Gramatika e krahasuar e gjuhës shqipe) e tij, qëllimi kryesor i jetës së tij, me bindjen e thellë se “gjuha shqipe, ose gjuha pellazgo-etrusko-shqipe, është gjuha më e lashtë e Europës” dhe se “shqipja është paraardhëse e greqishtes së lashtë”.
Duke u nisur nga shënimet e pafund të tim eti (një pjesë e mirë e të cilave ka humbur), më del se ai kërkonte të bënte një vepër për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, plani i përgjithshëm i së cilës ndahej në katër pjesë. Pjesa e parë, që në thelb përfaqësohet nga pesë vëllimet e para të “ENIGMËS” do të ishte ajo, që ai vetë e ka quajtur: “Një studim dhe hulumtime historike, etnologjike, arkeologjike, gjuhësore, sociologjike etj…, ndjekur nga një shtojcë, që do të përfshinte shënime të ndryshme lidhur me tekstin e pjesëve të mëparshme”. A e ka hartuar këtë shtojcë të gatshme për botim? Ndoshta, por megjithëse unë kam gjetur shumë shënime lidhur me këtë temë, nuk e kam gjetur tekstin e redaktuar që do t’i përgjigjej kësaj shtojce të përfunduar. Pjesa e dytë, një “Gramatikë e shqipes”, ishte një vepër gjuhësore e shkruar frëngjisht Pjesa e tretë, një “Gramatikë e krahasuar e gjuhës shqipe, sanskritishtes, greqishtes, latinishtes dhe gjuhëve neolatine”, është p ashtu një vepër gjuhësore e shkruar frëngjisht. Por gramatika e paraqitur përfshin vetëm gjuhën shqipe dhe greqishten. Së fundi, pjesa e katërt duhej të ishte një “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe”. Kam gjetur shumë shënime me fjalë shqipe dhe me etimologjinë e tyre, por nuk kam gjetur asnjë dorëshkrim të ndërtuar, që mund të përbënte këtë fjalor etimologjik të përfunduar.
Im atë asnjëherë nuk ka thënë: “Kam hartuar një vepër, ma botoni”. Vetëm shumë kohë pas vdekjes së tij dhe pasi e kisha zbuluar Shqipërinë, unë rastësisht shfletova dorëshkrimet e tij kur isha me pushime. Kjo për mua qe një tronditje dhe një zbulim për një varg çështjesh lidhur me Shqipërinë dhe gjuhën shqipe.
Në shkrimet e veta im atë nderimin më të madh ia bën Konstandin Kristoforidhit. Ai shkruan se ka ndjekur hap pas hapi veprën e tij, të cilën e quan “vepër e madhe për gjithë filologët që interesohen për shqipen”, që mban titullin: “Gramatika e gjuhës shqipe në dialektin toskë”, të botuar më 1882 në Stamboll.
Botimi i gramatikës së krahasuar është një transkriptim besnik i dorëshkrimit, të cilin e kam respektuar tërësisht dhe të cilit nuk i kam bërë asnjë ndryshim. Ky libër u paraqitet shqiptarëve dhe gjithë atyre, që interesohen për gjuhën shqipe, për të gjetur lëndë që të rrahin kërkimet për prejardhjen e gjuhës shqipe.
Duke mos qenë specialiste, nuk më lejohet të jap asnjë gjykim ose të bëj ndonjë kritikë rreth përmbajtjes së kësaj gramatike. Megjithatë do të dëshiroja të citoja, ndërmjet vërejtjeve nga vetë pena e tim eti, diçka lidhur me përdorimin e alfabetit të tij për shqipen. Ja se çfarë thotë ai: “Shqiptarët në Kongresin e Manastirit në korrik 1908 vendosën të zbatojnë alfabetin latin. Kjo zgjedhje nga pikëpamja e praktikës nuk paraqiste përparësi kundrejt alfabetit që tashmë kishte qenë në përdorim dhe i cili, për hir të tridhjetë e gjashtë shkronjave të thjeshta, i përgjigjej me përsosuri gjithë shumësisë ose pasurisë së tingujve që ka gjuha shqipe. Përkundrazi, alfabeti latin me njëzet e katër shkronjat e tij gjithsej i ka detyruar shqiptarët sot të përdorin bashkimin e dy shkronjave, bashkime që jo gjithnjë janë të goditura, sepse ndodh që nuk i përgjigjen mirë shqiptimit që duhet arritur. Për këtë arsye ne kemi zbatuar një kombinim të shpikur prej nesh, që është me një konceptim më gjuhësor dhe që ka marrë para sysh gjithë mospërputhjet me shqiptimin dhe i ka zgjidhur… me një përdorim më të arsyeshëm të alfabetit latin”.
Veç kësaj, pasi i përshkova shënimet e tim eti, vura re se ai kishte cituar, rikopjuar, komentuar, diskutuar shumë autorë albanologë, gjuhëtarë, historianë. Dhe m’u duk e nevojshme që njëkohësisht me gramatikën origjinale të tim eti, të përfshija gjithashtu citimet, ilustrimet, fotografitë etj., të albanologëve dhe shkencëtarëve shqiptarë.
Por kush ka qenë im atë?
Im atë lindi në Paris më 22 dhjetor 1893 dhe vdiq në Paris më 22 tetor 1966. Ishte biri i një inxhinieri francez, që punonte në shërbim të Perandorisë Osmane si inxhinier për rrugët dhe urat. Ai fliste shumë pak për veten dhe jetën e tij.
Ai ka qenë një dijetar i madh, që jetonte në një univers librash, kureshtar për gjithçka, që interesohej për gjithçka, gjithnjë i gatshëm për të lexuar, për të shkruar ose për të nxjerrë shënime. Por pasioni i tij i veçantë ishte pasioni për gjuhën shqipe dhe ai ishte gjithmonë i gatshëm për të diskutuar një fjalë ose etimologjinë e një fjale.
Ai ishte shumë i rreptë, i pëlqente puna e bërë mirë, ishte kërkues ndaj të tjerëve ashtu si dhe ndaj vetes. Nuk e pranonte mediokritetin, punën shkel e shko, njohjen e keqe të gjuhëve, fjalën e gjymtuar, duke kërkuar gjithmonë përsosurinë. E shquanin një vullnet i madh, një këmbëngulje e madhe dhe një durim i madh, cilësi të cilat e bënë që, pasi humbi dokumentet e veta, shkrimet, librat, elementët bazë të punës së vet, të kishte më pas kurajën që të rifillonte ta shkruante gjithë veprën e vet.
Im atë ishte njeri i hapur, besnik, i drejtë, integral, asnjëherë lajkatar, thoshte kurdoherë atë që mendonte, qoftë dhe kur kjo mund të kthehej kundër tij. Me gjithë dukjen serioze, ai në jetën private ishte njeri shumë i ndjeshëm, gazmor, me një gëzim të vërtetë për të jetuar. I pëlqenin udhëtimet, sidomos kur i lejonin të përdorte kompetencën e tij gjuhësore. Prandaj ka bërë si përkthyes udhëtime në anijet e mëdha të udhëtarëve “Champlain” të Kompanisë së Përgjithshme Transatlantike dhe në “Georgic” të Cunard White Starline, që lundronin ndërmjet Francës, Anglisë, Shteteve të Bashkuara dhe ishujve Bermude.
Kur unë isha fëmijë, babai më merrte gjithandej. Qëllimi i shëtitjeve të tij ishin pothuaj kurdoherë libraritë në Odeon, në bulevardin Saint-Michel, në Quai Saint-Michel dhe bukinistët përgjatë gjithë Senës. Ai qëndronte atje më këmbë me orë të tëra duke lexuar. Por pjesën më të madhe të kohës e kalonte në bibliotekë, sidomos në Bibliotekën Kombëtare, ku ka kaluar një pjesë të madhe të kohës. E adhuronte kinemanë, ku më ka çuar shpesh për të parë shumë filma… Nga pikëpamja fetare im atë njihte me përsosuri fetë katolike, protestante, ortodokse dhe myslimane. Me të unë kam hyrë në shumë kisha të Parisit të këtyre besimeve. Më kujtohet kur këndonte tekste liturgjike greke në kishat ortodokse të Parisit si Katedralja ortodokse në rrugën Georges Bizet apo kur i lexonte këto tekste në kishën Saint-Julien-le Pauvre, një kishë e kultit grek katolik të ritit bizantin. I pëlqente të fliste për xhamitë e famshme të Stambollit, si Xhamia Blu, bazilika e lashtë e Shën Sofisë që u bë më vonë xhami, ose dhe xhamia e mrekullueshme Sulejmanie, e ndërtuar nga arkitekti i famshëm osman Sinani…
Më 1924 im atë u martua me nënën time, një shqiptare nga Përmeti, e bija e doktorit Josif Bënja, i cili kishte qenë në Delegacionin shqiptar në Konferencën e Londrës në korrik 1913 për caktimin e kufijve të Shqipërisë. Nëna ime ishte një grua e gëzuar dhe me kurajë, që mua më shëmbëllente forcën dhe magjepsjen e gruas shqiptare.
Për shkak se i ati lëvizte vazhdimisht nga profesioni, im atë ka përshkuar gjatë fëmijërisë dhe rinisë së tij së bashku me prindët Turqinë, Greqinë, Shqipërinë, një pjesë të Rusisë, dhe çdo verë vinte në Francë. Ai e njihte shumë mirë jugun e Shqipërisë, në veçanti krahinën e Përmetit, të Dangëllisë, të Frashërit dhe gjithë Epirin. Ai i njihte zakonet, ritet, këngët popullore, jetën e përditshme të këtij populli të varfër dhe krenarinë e tij legjendare.
Lidhur me arsimin e tij, im atë bëri studimet klasike për greqishten dhe turqishten në Shkollën e Madhe Kombëtare Greke të Fanarit në Stamboll. Ka studiuar në kolegjin frëng Saint-Benoît në Stamboll për latinishten, greqishten, dhe filozofinë. Ka studiuar në fakultetin e filologjisë të Universitetin të Athinës, ku i lindi pasioni për greqishten e vjetër dhe autorët klasikë. Së fundi, u bë bakalaur në drejtësi pranë fakultetit të drejtësisë në Universitetin e Parisit. Më vonë, tërësia e dijeve të tij i bëri të mundur që të merrte pa provime Shkollën Kombëtare të Gjuhëve Lindore në Paris, të cilën e kishte ndjekur vazhdimisht, ku me vendim të ministrisë për dy vjet ka qenë i ngarkuar me kursin e shqipes dhe pastaj për tre vjet kishte vendin e mësuesit të shqipes.
Nga viti 1923 e deri më 1927 ka qenë mësues i shqipes pranë Mario Rokut (Mario Roques), pedagog i rumanishtes në “LANGUES’O” dhe pionier i kërkimeve gjuhësore frënge për albanologjinë. Ky kurs i shqipes financohej nga një dhurim i Mithat Frashërit, i familjes së madhe të luftëtarëve për pavarësinë e Shqipërisë. Më 1928 mori gjithashtu diplomën e turqishtes të Shkollës së Gjuhëve të Lindjes. Më pas u bë profesor i frëngjishtes në licetë turke (Liceu Hajrieh në Fatih) në Stamboll dhe profesor i gjuhëve të huaja (greqishtes, anglishtes, italishtes, gjermanishtes etj.) në shkollat private të Parisit (Shoqata Filoteknike e Parisit, Shoqata Politeknike e Parisit etj.).
Kjo prirje e përqendruar kryesisht në studimin e popujve të lashtë të pellgut mesdhetar dhe të Ballkanit do të shprehej në hartimin e dorëshkrimit të “ENIGMËS”.Kjo vepër i ka kushtuar gjithë jetën. Ai nuk mundi ta realizonte ëndrrën e vet që ta botonte veprën dhe kur vdiq la dorëshkrimin, i cili mbeti i fjetur në heshtje të thellë për tridhjetë vjet.
Nga bibliografia e gjerë që gjendet në shënimet e tim eti, shumë nga referimet ende kanë fletëporositë e bibliotekave të ndryshme, ku i ka marrë për t’i konsultuar. Këto referime lidhen jo vetëm me gramatikën, por edhe me pesë vëllimet e “ENIGMËS” dhe janë kaq të shumta, sa nuk ka qenë e mundur të përfshiheshin të gjitha në bibliografinë në fund të botimit. Megjithatë është me interes të vërehet, se ndërmjet bibliografisë rreth 90 referime kanë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë ose me gjuhën shqipe.
Më kujtohen gjithnjë disa nga librat midis librave të parapëlqyer, që kishin lidhje me Shqipërinë. Të tillë kanë qenë librat e F.Pukëvilit (Poucqueville, konsull francez pranë vezirit shqiptar Ali Pashë Tepelena, për Shqipërinë dhe Greqinë; libri i fratit jezuit Dyponse (Duponcet) “Historia e Skënderbeut, mbretit të Shqipërisë”; librat e Ronsard dhe të Lamartine; librat e H. Hekarit (Hecquard) dhe A. Degrandit, konsull i Francës në Shkodër me kujtimet e tyre për Shqipërinë e Epërme; ata të mareshalit Marmont, të E. Legrandit, të udhëtarit G. L. Jaray; dhe mbi të gjitha studimi i Mario Roques për “Fjalorin e shqipes” të vitit 1635 (“Dictionarium Latino-epiroticum” të Frang Bardhit). Ai e përjetonte të sotmen dhe të shkuarën e Shqipërisë, kulturën e saj të vjetër, rrënjët që te pellazgët, këta “të bardhë primitivë” që nga lashtësia deri te gegët e toskët e sotëm. Ai ishte i bindur për lashtësinë e gjuhës shqipe, siç e dëshmonte peshkopi frëng G. Adae që më 1332, i cili ndër të tjera ka thënë: “Dhe unë e di se sado që shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë ata kanë në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre shkronjën latine”.
Kohët e fundit kam pasur rastin të vizitoj me emocione qendrën e lashtë të Kaminia-Polióhni në ishullin e Lemnosit të Greqisë, ku është gjetur mbishkrimi pellazgjik, që është komentuar gjatë nga im atë në vëllimin V të “ENIGMËS”. Në këtë peizazh të rrënojave pellazge buzë Detit Egje unë ripashë tim atë dhe mbishkrimet e lashta dhe sërish e ndjeva se ishte detyra ime që të botoja synimin thelbësor të jetës së tij.
Shpresoj se kjo vepër, të cilën, siç e thashë, im atë me siguri do t’ia kishte kushtuar Shqipërisë, do të japë ndihmesë për hulumtimet e albanologëve dhe të gjuhëtarëve shqiptarë që do të përpiqen për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të shumta rreth lindjes e formimit të gjuhës shqipe.
Gjatë gjithë kësaj pune të pasionuar e kam ndier veten shumë afër tij.
Që atje ku është im atë, të cilin e kam dashur aq shumë, duhet të jetë i lumtur që do ta shihte të botuar fundin e “ENIGMËS”.
Me nderim për kujtimin e tij
Solange d’ANGELY”
Tetor 1998
LIbri i parë:
PELLAZGËT
DY FJALË LEXUESIT
Ky libër është shkruar me qëllimin, që t’i shërbejë si hyrje historike një gramatike etimologjike të krahasuar dhe një fjalori etimologjik të krahasuar të gjuhës shqipe. Kërkimet dhe studimet janë bërë për këtë qëllim. Në këtë vepër ne paraqesim një pamje të përgjithshme të së kaluarës së madhe që ka pasur populli i vogël shqiptar i sotëm, të cilin me të drejtë ne e konsiderojmë si popullin më tipik arian dhe si popullin më të lashtë të Europës që nga emri i vet etimologjikisht. Me gjithë këtë lashtësi të madhe, kjo e kaluar e shqiptarëve është pothuaj e panjohur si në Francë, ashtu edhe në botën tjetër, dhe nuk del as në historitë tona të përgjithshme ose universale, as në broshurat e veçanta.
E megjithatë kjo është një histori e gjatë dhe e rëndësishme e këtij populli, të ngulur në rrugën e tij që prej origjinave më të lashta të njeriut, dhe me gjithë pushtimet e me goditjet nga jashtë, që kanë bërë të rrudhen dhe të zhduken pak nga pak kufijtë e shtrirjes së gjerë, që ai zinte rreth gjithë pellgut të Mesdheut, ai prapë ka mundur të shtrihet dhe të mbahet në strehën e vet të vogël e të fundit, që ndodhet në caqet e trevës që zë ende sot, me mundime të mëdha, larg kryqëzimeve të mëdha të përleshjeve të mirëfillta kontinentale. Ai ka mundur të ruajë në këtë strehë, nën mbrojtjen pikërisht të përndjekësit të tij të fundit e më të egër – turkut – dhe në epokën tonë na ofron një shfaqje pothuaj unikale të një zgjimi pothuaj të mrekullishëm dhe një zhvillim origjinal të jashtëzakonshëm.
Ndonëse ai ndahet, - gjë që është provuar se është vetëm në dukje, - në dy degë kryesore: toskët dhe gegët, të cilët i kujtojnë se janë në armiqësi, dhe ndonëse është i ndarë në katër fe të ndryshme: myslimanë sunitë, myslimanë bektashinj, të krishterë ortodoksë dhe të krishterë katolikë, që është provuar se nuk ka ndonjë ndikim për shkak të tolerancës reciproke të besimtarëve të feve përkatëse, ky popull, të cilin e konsiderojnë të ndryshëm brenda gjirit të vet, na jep një shembull të përsosur të unitetit kombëtar! Kjo është njëkohësisht historia e një populli të pasur me mësime të ndryshme të vlefshme: për politikanin lidhur me përbërjen, organizimin dhe administrimin normal e pa përplasje me gjithë pengesat që përmendëm lidhur me përbërjen e tij fetare; për juristin lidhur me zbatimin e ligjeve të përshtatshme të sotme dhe me studimin e ligjeve tradicionale ose të pashkruara të kanunit të LEK DUKA GJINIT; për sociologun lidhur me mënyrën e të qenit e të jetuarit dhe me ruajtjen pothuaj të paprekur të dokeve e zakoneve mijëvjeçare të stërgjyshërve; për historianin lidhur me origjinën e tij, zhvillimin e tij, bëmat e tij luftarake dhe mbrojtjen ose ruajtjen e individualitetit të tij në gjirin e kombeve armiqësore, të gatshme për ta gëlltitur dhe për ta zhdukur; për gjuhëtarin më në fund, lidhur me shembullin e gjuhës së tij të mrekullueshme dhe kaq të rregullt në format e saj, sa për ne është e pamundur për të mos i njohur një frymë krejt të veçantë, që ka ndikuar mbi të gjitha gjuhët e tjera si ariane, edhe jo ariane, dhe që e kapërcen shumë atë të greqishtes ose të latinishtes, të cilave u ka shërbyer si model. Më së fundi, kjo është historia e pandashme prej popujve të tjerë, si europianë dhe aziatikë, ndërmjet të cilëve me valë të ndryshme zgjerimi i tij, që nga ekspedita e Pellazgëve ose e Ariasve drejt Indisë në lashtësinë më të madhe, që nga ekspedita e Aleksandrit të Madh, që ishte një përsëritje ose një kopje e së parës, që nga pushtimet e Romës ose të Bizantit, dhe së fundi, që nga njëzet e katër vjetët e luftave të vazhdueshme të heroit legjendar e të famshëm “Ushtar të Krishtit”, Gjergj Kastriotit të mbiquajturit Skënderbe kundër turqve dhe sulltanëve të tyre Murati II dhe Mehmeti II, shtrirja e tij ka lënë gjurmë aq të thella dhe hulli të dallueshme në trajtën e rrënojave dhe të dëshmive ende të lexueshme ndërmjet emrave të personave, në doket e zakonet, në gjuhë e gjithashtu në besimet e fshehta. Europa mesjetare nëpërmjet Perandorisë Bizantine, trashëgimtare të fuqive dhe të qytetërimeve romak e grek, është ajo që realizon, konkretizon dhe na provon në mënyrë të padiskutueshme ekzistencën materiale të elementit shqiptar dhe epërsinë e gjuhës e të frymës shqiptare, që sundonte nga Konstantinopoli në Kerson, nga Athina në Brigjet e Francës, nga Shqipëria në Egjipt, nga Danubi në Romë dhe deri në Sicili, e nga kolonat e Herkulit deri në Kaukaz. Të gjitha këto përbëjnë një të kaluar të madhe; një sfond i vogëlsisë dhe thjeshtësisë së sotme, që kërkon dhe tërheq vëmendjen e botës së sotme të qytetërua.
Na duket një detyrë tepër e vështirë të paraqesim një histori, - qoftë dhe një përshkrim dhe në një vëllim të kapshëm, - për lexuesit përgjithësisht pak të informuar, aq më tepër që nuk kanë asnjë dijeni për shqiptarët dhe çështjet shqiptare. Kuptohet me lehtësi se kjo vështirësi vjen nga fakti, që mungojnë libra të mëparshëm, që do ta kishin trajtuar çështjen shqiptare së pari nga pikëpamja e përgjithshme, dhe pastaj në përputhje me pikëpamjen tonë të veçantë. Na është dashur prandaj ta bëjmë gjithçka nga e para ose të ecim për analogji; dhe fakti që e zotërojmë me themel subjektin tonë na ka lejuar të lehtësohet mjaft detyra jonë. Gjatë gjithë punës nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi hedhur poshtë e rrëzuar, dhe kemi arritur vetëm të hedhim themelet, të bëjmë pjesët kryesore dhe ndarjet më të mëdha, duke u kurorëzuar me çatinë e domosdoshme të kësaj ndërtese, duke e lënë për më vonë që të kryejmë rifiniturat e nevojshme, meqë mund të shpresojmë për ndihmën dhe përkrahjen, që do të na japin të tjerët po aq kompetentë ose të interesuar për sipërmarrjen tonë, si dijetarët për deshifrimin e mbishkrimeve pellazgjike, etruskologët, albanologët, helenistët e shquar etj….
Me gjithë këtë ndërlikim të detyrës sonë, si një detyrë primitive, origjinale ose të dorës së parë, mund të vërehet gjerësia e informacionit që përfshin dhe përmbledh vepra jonë. Në sajë të përfundimeve ose deduksioneve që kemi mundur të nxjerrim nga ky informacion i gjerë, në sajë të njohjes së thelluar të gjuhëve të nevojshme e të dobishme për ta redaktuar tekstin, dhe në sajë të praktikës së fituar në kërkim dhe në këshillimin me arkivat, që përbëjnë burimet kryesore për ta nxjerrë këtë informacion, kemi pasur mundësinë të arrijmë në rezultatet e shpresuara, që përbëjnë objektin e shumë hipotezave dhe të sintezave të këtij libri.
Si rrjedhim, ky libër pasqyron gjithçka një njeri i informuar ose kompetent mund të nxjerrë nga veprat serioze, ku flitet pak a shumë gjatë për Pellazgët ose Lelegët dhe për pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë. Ai është detyrimisht përgjithësues dhe nga vetë përcaktimi i kufizuar në shtjellim. Siç thamë, nuk ka asnjë synim tjetër, përveç se të paraqesë me radhë një varg piketash, pamjesh të përgjithshme, një hyrje fillestare për zgjidhjen e problemit ose të enigmës, që është shtruar në krye të kësaj vepre; është një përmbledhje por jo e thatë, që sugjeron kureshti të reja, është një histori e vogël dhe mësimdhënëse e popullit më të vogël europian të sotëm, por që në kohën e vet ka qenë më i madhi i Europës dhe burim i pothuaj gjithë popujve të kontinentit tonë. Deri më sot, për fat të keq, ai i ka munguar nxënësit, studentit, historianëve, letrarëve dhe gjithë publikut të ngritur të gjuhës frënge.
PROLOG
Ka shumë vjet, që në një libër të shquar të autorit shqiptar PIKA, me titullin ”Shënime kritike”, kemi lexuar këtë përcaktim, i cili përdoret për një dijetar perëndimor të gjuhësisë dhe etnologjisë: “Një dijetar gjuhëtar është një shkrimtar, i cili pasi ka lexuar një duzinë librash, të cilët trajtojnë po atë subjekt, shkruan librin e trembëdhjetë. Dhe natyrisht, ky i trembëdhjeti nuk mungon të riprodhojë me saktësi, të gjitha gabimet që dymbëdhjetë të mëparshmit i kanë tashmë.” Dhe autori M. PIKA citon një numër shembujsh, që në të vërtetë e konfirmojnë mendimin që ka shprehur.
E sollëm këtë shënim të autorit shqiptar jo për të bërë të besohet, se ne vetë e kemi lënë mënjanë ndihmesën që autorët e mëparshëm, - kur e kanë pasur, - mund të na jepnin; përkundrazi, ne kemi lexuar dhe kemi huazuar shumë, madje edhe faqe të tëra, të cilat i kemi riprodhuar ndonjëherë pa u përpjekur ta ndryshojmë tekstin; por ne i kemi cituar sepse këto huazime janë bërë për të shërbyer si masa, si vëllime ose si blloqe guri, të prera e të gdhendura sipas përmasave e kërkesave tona, që i kemi hedhur pastaj në betonin ende të lëngët, i cili përbën lëndën tonë. Si pasojë, ajo që duhet parë dhe shqyrtuar në këtë libër nuk janë blloqet e gurit, të cilët i përkasin fushës publike, nga e cila i kemi nxjerrë, por duhet parë çimentoja që “i ngjit” këto blloqe dhe që është e vetmja, e cila përfaqëson punën tonë të vërtetë, aq më tepër se ka përparësinë të përbëjë njëkohësisht një risi letrare, për shkak të origjinalitetit të konceptimit dhe të çlirësisë së ndërtimit.
Por ky origjinalitet që përmban vepra jonë dhe risia që ai sjell për shkencat gjuhësore dhe etnologjike kanë që të dyja një prejardhje më të rëndësishme se ajo që përmendim. Në të vërtetë, ky origjinalitet dhe kjo risi, rezultat të kërkimeve dhe studimeve tona të gjata, që kanë një synim të vetëm, janë bërë të mundura vetëm në sajë të njohjes së thelluar të disa gjuhëve, të domosdoshme për ta arritur këtë synim. Këto njohuri, speciale dhe adekuate, na kanë lejuar në fakt të bëjmë jo thjesht një punë hartuesi mendues, po gjithashtu dhe punën e hartuesit të një sinteze sistematike të një vizionari intuitiv. Ky vizion intuitiv në hapësirë dhe në kohë, na ka dhënë mundësinë që të paraqesim vazhdimisht gjendjet e ndryshme shoqërore të shoqërive tashmë të kaluara: të kohëve të reja, të mesjetës, të lashtësisë, të parahistorisë dhe të tjera, e gjithashtu na ka lehtësuar konceptimin retrospektiv të evoluimit të popullsive të ndryshme pellazgjike përmes shekujve, që nga errësira parahistorike e deri në ditët tona.
Pikërisht duke ndjekur këto evoluime, për t’u gjetur shkaqet që i kanë përftuar, dhe për t’i afruar, për t’i krahasuar e për t’i gjykuar përpara se të bëhej sinteza, ne kemi arritur të “SHOHIM” me anë të një vështrimi retrospektiv të vizionarit intuitiv, gjendjet shoqërore të këtyre popujve pellazgjikë që evoluan prej kohëve të lashta, dhe kështu kemi mundur t’i përshkruajmë këto gjendje në përputhje me evoluimet e tyre, ashtu siç janë përftuar. Me një fjalë, njohuritë tona adekuate na kanë shërbyer si një tejqyrë për të parë me qartësi përmes leximeve të ndryshme dhe për të dalluar imazhet e hijet mjaft të shquara atje, ku autorë të tjerë, jo të armatosur ose më tepër jo të pajisur si ne, nuk kanë parë gjë tjetër veçse një ‘mjegullirë’.
Ngaqë kanë injoruar etimologjinë e vërtetë të fjalëve, gjuhëtarët e kohëve të reja dhe bashkëkohës (si F.Miklosich e të tjerë, sa herë që ka qenë rasti për fjalë shqipe, të cilat përdoren edhe nga gjithë popullsitë e tjera të Ballkanit e të Azisë së Vogël), gjithnjë kanë deklaruar prerazi se këto fjalë, nga pikëpamja e prejardhjes etimologjike, janë turke, arabe, persiane, rumune, sllave, greke, italiane ose të tjera, por asnjëherë nuk kanë menduar që ato mund të jenë fare thjesht shqipe. Dhe meqë gjuha shqipe që prej një shekulli e gjysmë ose dy ka qenë epërdorur edhe nga një numër shumë i madh turqish, kudo nëpër këto vise, ka qenë krejt e natyrshme që këto fjalë të jenë përhapur në gjithë Juglindjen europiane dhe në gjithë Lindjen e Afërt.
Ajo që e ka lejuar përfytyrimin tonë për të krijuar, nga gjendja shoqërore dhe nga mënyra e jetesës dhe të ekzistencës njerëzve të një epoke, një ide ose një opinion të ndryshëm nga autorët përpara nesh, është po ajo aftësi që na lejon në sajë të njohurive tona adekuate, të bëjmë një krahasim ndërmjet epokës sonë dhe jetës sonë të sotme, me atë çka mbretëronte te pellazgët prej epokës parahistorike dhe te pasardhësit e tyre: grekët, etruskët, romanët etj., nga lashtësia, në bizantinët e mesjetës dhe te pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë të sotëm. Duam të themi se po të jemi ‘frymëzuar’ nga imagjinata jonë për të shkruar një vepër si kjo, kjo nuk ka ardhur për shkak të cilësive ose mundësive eprore dhe të jashtëzakonshme të përfituara përjashtimisht, por në sajë të aftësisë që na ka dhënë njohja e disa gjuhëve dhe sidomos të shqipes e të greqishtes.
Gjatë gjithë veprës sonë janë cituar më shpesh disa tekste, për t’i komentuar më pas dhe për t’i ndrequr në ato gjëra që i kanë të gabuara. Po ashtu mjaft shpesh ne i citojmë për të nxjerrë më pas çfarë kanë në kundërshtim me pikëpamjen tonë. Kështu, pa qenë rinovues, përkundrazi, ne jemi përpjekur të nxjerrim nga tekstet, si të lashta edhe të kohëve të reja, të vërtetën që na imponohet, duke ndrequr përkthimet e gabuara dhe duke korrigjuar idetë false, që kanë mbizotëruar dhe vijojnë të qëndrojnë edhe sot. Me këtë duam të themi se ne përpiqemi që t’i kthejmë popullit shqiptar atë që u përkiste pellazgëve: nën emrin e trakëve, tirrenëve, frigëve, grekëve, etruskëve, romanëve, bizantinëve e të tjerëve, dhe që serbët, grekët ose helenët e bullgarët e sotëm kanë arritur ta uzurpojnë abuzivisht nëpërmjet një propagande tendencioze, duke e shtrembëruar të vërtetën historike në favor të vet. Ky uzurpim sistematik dhe mijëvjeçar duhet të marrë fund, me gjithë ekzistencën e një literature të rëndësishme, që gjithnjë përpiqet të përligjë dhe të mbajë më këmbë pretendime të tilla të rreme; ai duhet aq më tepër të marrë fund sepse shqiptarët, domethënë ata që kanë të drejtë me të vërtetë, janë ende aty dhe nuk janë zhdukur nga faqja e dheut. Madje do të thoshim, po t’i besonim Nostradamit, se shqiptarët ende nuk kanë mbaruar së luajturi gjithë kartat e tyre dhe të habisin gjithë botën në arenën politike ndërkombëtare; e gjithashtu ne zotohemi këtu për t’u kujdesur që të luhen mirë këto karta, sepse në këto momente ata gjenden në një pikë vendimtare të jetës së tyre si një popull që i përket një race fort të dalluar, së cilës ata kanë nderin t’i kenë dhënë emrin e tyre, sepse Πελαργος ose Πελασγος etimologjikisht do të thotë: i lindur shqiptar, i lindur i bardhë ose i lindur nga raca e bardhë.
Për të gjitha këto arsye të ndryshme, ne shpresojmë se kemi bërë një vepër të dobishme, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe nevojave të korrigjimeve, zgjidhja dhe ndreqja e të cilave, në pjesën më të madhe, është ndier nga disa kompetentë e njerëz që e njohin fushën, por të cilët vetë për arsye të ndryshme nuk kanë dashur ta ndërmarrin vetë këtë punë. Kolegët tanë, gjuhëtarë ose etnologë, do të na thonë me gjykimet e tyre, me vërejtjet e kritikat, nëse vërtet ia kemi dalë mbanë sipërmarrjes sonë, duke e arritur qëllimin që kemi vënë.
Paris, e hënë, 8 maj 1961
Hyrje
Ajo që na ka shtyrë për të hartuar këtë Vështrim Historik (I cili mban titullin: “Enigma.. e zgjidhur”, ka qenë sidomos denigrimi sistematik nga ana e serbëve dhe e helenëve për gjithçka, në të gjitha epokat që nga lashtësia e deri më sot, që ka qenë pellazgjike ose shqiptare; mandej komploti i heshtjes e ka ndjekur këtë denigrim; dhe së fundi, janë mashtrimet historike të përhapura nga dy palët e interesuara me qëllimin e prerë për të falsifikuar të vërtetën mbi shqiptarët, duke krijuar paragjykime të rreme e tendencioze, për të përvetësuar gjithçka që u përket shqiptarëve të sotëm.
Dijetarët e sotëm, të mjegulluar nga gjendja shoqërore aktuale e popullsive të ish Perandorisë Romake, të cilat pas kaq invazionesh, që ndodhën gjatë periudhës bizantine, flasin një numër të madh gjuhësh të ndryshme midis tyre, nuk mund të kalojnë nëpërmjet një përfytyrimi retrospektiv në gjendjen shoqërore reale të këtyre popullsive në epokën e Perandorisë, duke menduar se këto kanë folur, ashtu si edhe sot, gjuhë të ndryshme. Gjatë kësaj vepre ne disa herë kemi parashtruar që, nga koha e Jezu Krishtit, për shembull, e vetmja gjuhë mbizotëruese që është folur në të gjithë Perandorinë Romake, ka qenë shqipja, dhe fryma e saj nuk do ta pengonte ta kishte një fat të tillë që ta luante atë rol të rëndësishëm, të cilin ka mundur ta luante. Latinishtja dhe greqishtja nuk kanë qenë, ashtu si sanskritishtja, veçse gjuhë letrare dhe diturore. Lidhur me këtë ja se çfarë ka shkruar A.-H.Sayce (në Principes de Philologie compare, parathënia e botimit të parë, Paris, 1884, f. XIII). “Sanskritishtja është qenësisht një gjuhë diturore, që kurrë nuk është folur, ashtu siç na e tregojnë dokumentet. Ajo u shërben sot priftërinjve dhe letrarëve. Ajo është shfronësuar nga vendi i lartë që zinte si përfaqësuese e veçantë e gjuhës mëmë ariane, dhe është pranuar se nga disa pikëpamje gjuhët europiane kanë ruajtur më besnikërisht tingujt e format primitive, se sa i kanë gjuhët e Indisë.” Ne po e citojmë këtë pjesë vetëm sepse ajo konfirmon nga të gjitha anët mendimin tonë po për këtë çështje, domethënë se ka qenë gjuha pellazge ose shqipe, që duke nisur nga 3000 vjet para Krishtit, ka sjellë lindjen e gjuhëve primitive të Indisë dhe, vetëkuptohet, gjithashtu të sanskritishtes, siç do ta tregojmë gjatë veprës.
Nëse gjuha e folur në antikitet dhe në epokën bizantine nuk do të ishte shqipja, por më tepër greqishtja e vjetër, siç besojnë gjithë dijetarët helenistë, helenët e sotëm nuk do të kishin pasur vështirësi për ta bërë të rijetonte një shtet-social, i cili tashmë ka ekzistuar, dhe nuk do të ishin të detyruar ta prishnin e ta deformonin gjuhën e lashtë, për ta shndërruar në greqishten modern, dhe këtë të ndryshme deri në atë pikë, sap o të mos kishin qenë shkronjat të njëjta, pashmangshmërisht do të ishte deklaruar se gjendemi para dy gjuhëve të ndryshme. Helenët e sotëm do të quheshin edhe më fajtorë, pot ë dihej se nëpërmjet gjuhës së pastruar … ata kishin ardhur në një gjendje shoqërore pothuaj të afërt me gjendjen e shoqërisë së elitës në antikitet dhe me gjithë këtë sukses të madh, për faj të disa çamarrokëve, të mbiquajtur leshatakë ose… , pa dyshim sepse nuk rruheshin e nuk kriheshin mirë, idetë e opinionet absurd të të cilëve i kanë ndjekur, kanë bërë hapa prapa, e kanë fshirë gjithçka dhe e kanë përmbysur, duke prishur tërësinë e rezultateve të çmueshme që kishin arritur duke mësuar një greqishte kaq të pastër në termat dhe aq të rregullt në format gramatikore, sa edhe greqishtja e vjetër. Do të duheshin edhe pak përpjekje të vogla dhe do të kishin arrirë të rindërtonin format e thjeshta të së ardhmes e të paskajores, që janë shpërbërë, dhe të rivendosnin përdorimin e dëshirores ose të …, siç i ka shqipja, duke bërë të rigjallërohej gjendja e gjuhës greke të lashtë. Në vend të kësaj, duke cituar një proverb që helenët e dinë mirë, ata kanë bërë si lopa, e cila pasi i ka lënë ta mbushë mirë kovën, i jep një shkelm, e përmbys dhe gjithë qumështi derdhet e shkon kot.
Shpjegimi që duam të japim ne gjen konfirmim në gjuhën latine. Në të vërtetë latinishtja ka qenë një gjuhë e folur më përgjithësisht dhe më shpesh, ndryshe nga greqishtja, që kishte vetëm një formë: klasiken, kurse kjo gjithnjë ka pasur dy forma: një klasike ose shkencore, latinishtja e shkrimtarëve të epokës klasike ose gjuha e shkencës mirëfilltas, dhe një popullore, me sintaksë më të thjeshtë, latinishtja e folur nga shtresat popullore. Si pasojë rolin që luante latinishtja popullore kundrejt latinishtes klasike, e cila flitej në Romë nga mjekët dhe në Perandori nga zyrtarët e popujve të nënshtruar, e luante shqipja kundrejt greqishtes së lashtë në botën orientale, me këtë ndryshim që ndonëse rrethi i përdorimit të greqishtes ishte më i kufizuar se ai i latinishtes, sepse ishte në përdorim në shkollë, në gjyqet, për ushtrimin e kultit, në qeveri, në administratën e lartë dhe në diplomaci, pronë vatrat familjare madje edhe të elitës dhe jashtë ishte përsëri shqipja që përdorej. Rezultati: gjithë popujt barbarë të perëndimit kanë pësuar ndikimin e latinishtes së folur nga legjionet romake përtej Etrurisë dhe nga ky kontakt kanë lindur me kohë gjuhët romane ose neolatine, pra italishtja, frëngjishtja, spanjishtja, portugalishtja dhe dialektet ose të folmet e ndryshme që ato kanë. Ky fakt nuk është përftuar si pasojë e kontakteve me legjionet romake të Perandorisë së Lindjes, do të thoshim, sepse ushtarët, si dhe popullsitë civile nuk flisnin greqishten e latinishten, që i flisnin vetëm oficerët, por fare thjesht shqipen.
Kështu latinishtja kishte më shumë avantazhe se greqishtja, sepse kishte mundur nëpërmjet legjioneve të bëhej e njohur e të përhapej, kurse popujt e nënshtruar ndodheshin në prani të një gjuhe, aq më tepër të gjuhës së fitimtarit, për të cilin kishin interes si praktik, ashtu edhe politik që ta mësonin. Ky interes, meqë dilte i përbashkët dhe i përgjithshëm për të tërë popujt e nënshtruar, solli që pak nga pak gjuha e stërgjyshërve të zhdukej për t’i lënë vendin gjuhës së fitimtarit. Ne ngulim këmbë këtu për faktin, që të ndodhë zhdukja e një gjuhe populli në favor të një gjuhe tjetër, duhet që të ketë vullnetin, ose të paktën pranimin e popullit, i cili e humbet.
Mund të kundërshtohet, se si është e mundur që në antikitet dhe në epokën bizantine gjuha greke nuk flitej nga të gjithë, sepse vazhdimisht zbulohen mjaft mbishkrime greke, të cilat lidhen me këto epoka? Kësaj do t’i përgjigjemi se në mesjetë dhe deri një a dy shekuj më parë Europa jonë perëndimore gjithashtu ishte plot me mbishkrime latine, por kjo nuk do të thotë doemos se latinishtja flitej po ashtu. Jo, sigurisht; ne e dimë fare mirë, se ajo vetëm mësohej në shkolla dhe nuk flitej aspak në vatrat e shtëpive, ku nuk ishte në përdorim, pot ë flasim vetëm për Francën, ku kishte të folme të tjera dhe vetë frëngjishtja, në trajtën e një dialekti gjithashtu flitej, porse kishte avantazhin që mësohej në shkolla. Prandaj fakti që gjejmë në një vend mbishkrime greke të gdhendura gjatë gjithë epokave që nga antikiteti i vonë deri në kohën e re, nuk do të thotë se popullsia që banonte në këtë vend ka qenë gjithashtu greke si racë, por vetëm si arsimim, siç ishin pellazgët e Greqisë, maqedonasit, frigët, lidiasit, likiasit etj.
Nga vetë këto mbishkrime mund të nxirret gjithashtu përfundimi, se gjithë popullsitë pellazgjike ose shqiptare të antikitetit përdornin për arsimin e tyre gjithashtu shqipen, sepse ato provojnë që ka qenë para greqishtes, si në tekstet e likishtes dhe të të tjerave, ku as nuk ka pasur tekst grek.
Dijetarët mendojnë se historia dhe vendosja e helenëve në Greqi përkojnë me shfaqjen e parë të hekurit në Ballkan, kurse tradita, siç thonë ata, e bën këtë popull që të ketë ardhur nga Skitia ose Kaukazi, nëpër Danub dhe bregun e Adriatikut rreth shekullit XV ose XVI. Porse kjo ardhje lidhet me ilirët të vitit 3.000 para Krishtit, një pjesë e të cilëve e krahut të djathtë ndoqi bregun Adriatik drejt perëndimit dhe, kur arriti në derdhjen e lumit Po, u nda për herë të dytë: pjesa e majtë, më e rëndësishmja, u shty drejt jugut dhe arriti të pushtonte Italinë e të përbënte së bashku me rrënjësit popullsinë e aborigjenëve, kurse pjesa e djathtë iu ngjit bregut të majtë të lumit Po deri në lartësitë e Gjenovës, kapërceu lumin, u shty drejt jugut deri në bregdet dhe, duke ndjekur atë, arriti në Ventimilja, që ku dega e fundit depërtoi në Gali. Sa për helenët, siç e dimë, pasi e kemi shpjeguar shumë herë në këtë vepër, ata janë pasardhës nga përzierjet e pellazgëve me mesopotamasit ose egjiptasit, që emigruan në Greqi rreth 1700 para Krishtit dhe të cilët u përzien një herë të dytë pas vendosjes së tyre në Greqi, me të tjerë pellazgë. Me një fjalë, këta janë pasardhës të Danait, Kekropsit, Kodrosit, Kadmit dhe të shokëve të tyre, që zbarkuan me ta dhe të atyre pellazgëve të Greqisë, që u bashkuan me këta imigrantë. Nga kjo del se pellazgët, që nuk e pranuan këtë “bashkëpunim”, ose që u treguan më “refraktarë” kundrejt këtyre pushtuesve të huaj, përbënte klasën e ilotëve (Ειλωτες), të penestëve (Πενεσται), të metekëve (μετοικοι), të periekëve (Περιοικοι), të skllavëve (δουλοι), të robërve të tokës (υπηπεται), etj… Kështu shteti social i Greqisë së lashtë përbëhej nga elementi mbizotërues dygjuhësh: që fliste në shtëpi shqip dhe që mësonte në shkollë greqishten, dhe që u quajt më vonë helenë, të dalë nga përzierjet pellazgo-egjiptiane, pellazgo-aramease, pellazgo-fenikase ose pellazgo-mesopotamase, të imigruar në Greqi dhe të përzier përsëri me disa pellazgë, që kanë dashur ta pranonin këtë përzierje, dhe më pas me elementin pellazgjik të pastër e autokton, që fliste në shtëpi dhe kudo vetëm gjuhën pellazge ose shqipe, dhe elita e të cilit gjithashtu mësonte greqisht dhe përbënte ‘borgjezinë’, si dhe ‘plebejtë’, anëtarët e të cilëve që flisnin greqishten mund të quheshin gjithashtu helenë.
Kjo gjendje e Greqisë, ashtu si dhe e Epirit, Maqedonisë, Azisë së Vogël dhe Ishujve, ka vazhduar deri në vitin 146 para Krishtit. Pushtimi romak i dëboi sunduesit alogjenë, gjë që e pakësoi shumë popullsinë e Greqisë, dëmtoi tregtinë, bëri të bien artet dhe ndërpreu arsimin. Por pellazgët e skllavëruar, të një race me romakët, e morën veten, fituan lirinë dhe gjuha pellazge ose shqipe, që ishte dëbuar nga greqishtja në Greqi, në Ishujt dhe në Azinë e Vogël, e rifilloi përdorimin e saj si më parë, domethënë si para epokës së Homerit. Greqishtja, e cila me gjithë pushtimin romak rilulëzoi sidomos në Romë, Aleksandri dhe Antioki, me Ediktin e Konstandinit të Madh i rifitoi të drejtat e saj, kur krishterimi u ngrit në fe shtetërore. Por kjo greqishte, këtë radhë gjithashtu u kufizua në rolin e saj si gjuhë e dytë, duke mbetur gjithmonë e para, domethënë gjuhë amtare, shqipja.
Në antikitetin e lartë, para imigrimeve të Danait, Kekropsit, Kadmit, Kodrosit dhe shokëve të tyre, popullsia e Greqisë nga pikëpamja racore ishte shumë më e pastër se pas këtyre imigrimeve. Ajo përbëhej vetëm nga pellazgët, domethënë të lindurit të bardhë, që mbanin emra të ndryshëm: ilirë, selë, trakë = Γραικοι ose Graeci, ose grekë, argienë ose ‘Aργειοι ose args ose argues ose arias, domethënë: të bardhë ose arbën ose albanë, akeas etj… Kjo pastërti nuk ishte vetëm e pellazgëve të Ballkanit, të Azisë së Vogël dhe të Italisë, po gjithashtu për të gjithë popujt e botës së bardhë, që njihej nga bashkëkohësit e epokës në fjalë. Del se sa më shumë afrohemi në kohën tonë, aq më shumë popujt bëhen të shumtë në numër dhe aq më e madhe bëhet përzierja. Në këtë mënyrë në kohën tonë, me lehtësitë e mëdha të komunikimit, gjithë popujt modern, ashtu si populli Helen i sotëm, janë me prejardhje të përbërë, ndonëse në shkallë të ndryshme.
Pak më vonë pellazgët-frigas dhe fenikasit hynë në kontakt në Liki dhe në ishullin e Kretës; kështu mjeshtëria e varreve më të vjetra të Mikenës, e ngjashme me atë të Frigisë, mban gjurmët e Lindjes së Mesopotamisë. Nga ana tjetër, duke e pasur prejardhjen nga Peloponezi cistet prej bronzi të Etrurisë, qytetërimi etrusk na del si vazhdim i drejtpërdrejtë i qytetërimit pellazgjik të Mikenës.
Ky qytetërim pellazgjik i Mikenës ka dalë nga një tjetër pellazgjik, të quajtur minoik të Kretës, i cili është zhvilluar në këtë ishull që nga viti 3500 deri 1200 para Krishtit dhe që karakterizohej nga një frymë e veçantë butësie, gëzimi e progresi qytetërues, si dhe nga një frymë paqeje të vazhdueshme e të qëndrueshme, gjë që i ka lejuar dijetarit Evans, i cili ka bërë gërmimet në Kretë, ta quajë në mënyrë të goditur dhe me mençuri PAX MINOICA. Sa për popullin e Kretës, që bëri të lindte një qytetërim i tillë, ai nuk është gjë tjetër veçse një popull pellazg i pastër, që në atë kohë nuk mund të kishte përzierje tjetër veçse me pasardhësit e drejtpërdrejtë të racës së kuqe ose të atlantëve të Egjiptit, lundërtarë dhe kolonizatorë, të cilët kolonizuan gjithashtu pellazgët primitivë dhe autoktonë të brigjeve të Nilit. Një popull primitive, i tillë si pellazgët, për pasojë, i cili ka krijuar ab ovo gjithçka, që nuk ka kopjuar asgjë, siç e pamë, ai edhe nuk e bënte dot, dhe vetëm me imagjinatën e tij, nuk mund të ishte vetëm se moral e moralizues, njerëzor e njerëzues, paqësor e tolerant. Kështu gjithë autorët e vjetër, si grekë dhe latinë, i përshkruajnë si të qetë, διους = të urtë, punëtorë, prodhues, tolerant dhe mikpritës, të gjitha arsyet ose cilësitë, që i kanë bërë të asimilojnë gjithë popullsitë, të cilat emigronin ose gjenin strehë tek ata.
Po e njëjta gjë ka ndodhur me gjuhën pellazge: origjina e saj, siç e pamë, është kaq e largët dhe numëron dhjetëra e qindra mijëvjeçarë të formimit, të zhvillimit, të evoluimit e të njëjtësimit, sa ndiejmë një farë ndjenje mëshire për të gjithë ata, që gjithmonë janë përpjekur t’u japin gjuhëve mesopotamase (semitike) një rëndësi, që formimi i tyre krejt i vonshëm, - gjithsej mbi dhjetë mijë vjet, - nuk mund t’ua sigurojë, dhe aq më pak, t’u atribuohet atyre roli huazues për gjuhën pellazge. Veç kësaj, nuk mund të ishte ndryshe për këtë gjuhë pellazge, kaq primitive, sepse pot ë ndjekim termat e vetë Biblës, është gjuha e vetme, që flitej nga raca e bardhë e gjitha, para shpërndarjes që pasoi projektin e ndërtimit të Kullës së Babilonisë, në Mesopotami. Duke folur për gjuhët primitive ose për gjuhën primitive, ne kemi shpjeguar se si gjuha pellazge ose shqipe është po aq e lashtë sa raca e bardhë vetë, ashtu si më pas afër vitit 1700 para Krishtit ajo bëri të lindte greqishtja e vjetër, i shërbeu asaj si model dhe më në fund, nën emrin e etruskishtes bëri të lindte latinishten dhe më pas, i shërbeu bashkë me greqishten si model.
Gjuha shqipe e shtetit të lirë të Shqipërisë së sotme ka, që nga fundi i Republikës Romake, rreth fillimit të erës sonë, dy dialekte: toskërishten dhe gegërishten. Dialekti gegë i ngjet më shumë greqishtes së vjetër, kurse dialekti tosk i ngjet shumë më tepër latinishtes. Arsyeja e një fakti të tillë, të cilin ne do ta shpjegojmë gjithashtu në tekst, u detyrohet pasojave të fitores që arriti gjenerali romak Paul Emili mbi epirotasit në vitin 168 para Krishtit. Pasi ky gjeneral e rrafshoi tërësisht Epirin dhe e dërgoi si skllave gjithë popullsinë në kryeqytet për t’i shërbyer si ilustrim të triumfit të tij, tokat e shkretuara të këtij vendi, që kishin mbetur bosh për më shumë se njëqind vjet, deri në fundin e Republikës së Romës, u pushtuan nga etruskët e mërguar, të cilët për t’u mbrojtur nga rreziku që i kërcënonte në Itali, kapërcyen kanalin e Otrantos, në kohën e shpërnguljeve në masë. Këtu është gjithashtu arsyeja përse toskërishtja, e cila është në kontakt më të drejtpërdrejtë me Greqinë dhe gjuhën greke, i ngjet latinishtes; kurse gegërishtja, që është më larg nga Greqia dhe e ndarë prej saj nga Toskëria, i ngjet greqishtes.
Ne do të shpjegojmë gjatë tekstit në mënyrë të mjaftueshme mënyrën që ka shërbyer për formimin e greqishtes së lashtë. Mënyra është kjo: për formimin e emrave dhe të përemrave greqishtja merrte rrënjën, duke hequr mbaresën shquese ose nyjën e pasme të shqipes, kurse për foljet merrte thjesht rrënjën, qoftë kjo dhe e zgjeruar me mbaresa të ndryshme foljore. Duhet shënuar se vetë folja në shqipen mund të ketë si dhe në greqishten dy ose më shumë rrënjë, që ndryshojnë tërësisht ndërmjet tyre.