Zogaj: Berisha, jo fitues i zgjedhjeve
TIRANË - Edhe pse nuk mori mandatin e deputetit në vendlindjen e tij, Lezhë, Preç Zogaj, nuk ndihet i humbur. "Humbja është një mundësi për t'u përmirësuar, sikurse triumfi, në rrethana të caktuara, mund të jetë më i keqi i ndëshkimeve. Por të mundem në zyrën e Berishës, për ato parime rreth të cilave jemi bashkuar me Berishën, kjo nuk është më humbja ime",- shprehet Zogaj në një intervistë të gjatë për gazetën "Shekulli". Ai analizon hapur arsyet se pse PD-ja nuk mori fitoren e kërkuar, duke theksuar se këto zgjedhje nuk e sollën Berishën fitues.
Zoti Zogaj, numri shtatë i PD-së në Qarkun e Shkodrës, që ju ishte propozuar juve, rezultoi fitues në zgjedhjet e 28 qershorit. A ndiheni i penduar që e refuzuat atë vend?
Refuzimi im nuk ka lidhje me faktin merrej a s'merrej ajo karrige. E dija se merrej. Arsyet e refuzimit janë mbi mandatin, përtej mandatit.
Keni thënë se Berisha nuk ju ka respektuar. Kjo është arsyeja?
Po. Në momentin e bërjes së listës së kandidatëve, Berisha nuk më ka respektuar.
Edhe pse ju ofroi një vend të sigurt...
Shikoni, unë nuk jam në politikë as për emër, as për një rrogë. Kam hyrë në politikë si shkrimtar i njohur, në një hap me Berishën. Për mua respekti qëndron mbi postin, mbi gjithçka. Respekti është vetë marrëdhënia, është e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja.
A mund të përcaktojë një çast apo një episod një marrëdhënie shumëvjeçare, duke pasur parasysh se shtypi dhe publiku ju ka njohur qoftë në opozitë, qoftë në pushtet si njeri të afërt me Berishën?
Është e vërtetë, Berisha më ka mbështetur, më ka ndihmuar, të njëjtën gjë kam bërë edhe unë ndaj tij nga pozicioni i deputetit, i shkrimtarit, i analistit politik. Por në këtë sistem, në sistemin proporcional rajonal, renditja, vendi në listë tregon vlerësimin që kanë për ty dhe për atë që ti përfaqëson për ata që bëjnë listën.
Vendi i shtatë në Qarkun e Shkodrës, që m'u njoftua spontanisht në momentin e fundit, kontrastonte thellë me natyrën e marrëdhënieve në fjalë. Nuk po flas këtu për ndjeshmërinë e një shkrimtari dhe poeti, që ka marrë disa çmime kombëtare dhe që ka detyrimin të mbrojë krenarinë e artit nga çdo formë e nënvlerësimit dhe poshtërimit.
Po flas për bashkëpunimin politik, institucional dhe miqësor të një deputeti me Kryeministrin e qeverisë së tij; të një bashkëthemeluesi me bashkëthemeluesin e PD-së dhe RD-së, e kështu me radhë. Bashkëpunim për projekte, për vizione, për qëndrime, për ligje, për çështje të ushtrimit të pushtetit në zonë dhe me gjerë; bashkëpunim që, sipas bindjes sime, fluturonte lart.
Ky ishte bashkëpunimi im me Berishën, ndoshta i veçantë në llojin e vet. Kur ja, në çastin e fundit, caktimi i shtati në Shkodër, pa më marrë asnjë mendim, pa më dhënë asnjë shpjegim, e transformon këtë marrëdhënie në diçka meskine! "Merr një karrige edhe ti".
Është thënë se ju kishit probleme me partinë në Lezhë dhe prandaj vendosi t'ju dërgonte në Pukë...Si është e vërteta?
Kjo është një legjendë...
Nuk keni pasur probleme?
Me partinë? Asnjë problem. Kam ndihmuar fort dhe ndershmërisht rindërtimin e degës së PD-së në Lezhë, kandidatët e çdo posti dhe forumi janë renditur sipas votave me zgjedhje të lira, të fshehta e transparente, që rrallë janë bërë në atë rreth.
Partia Ligj dhe Drejtësi në Lezhë mori vota më shumë se mjaft parti të tjera të vjetra tashmë, por ato nuk mjaftonin për të dalë deputet. A ishte fushata juaj një investim i çuar dëm?
Dua të them një gjë: Në parim, unë e pranoj në mënyrë sportive mospërfshirjen, mundjen, humbjen. Humbja është një mundësi për t'u përmirësuar, sikurse triumfi, në rrethana të caktuara, mund të jetë më i keqi i ndëshkimeve.
Por të mundem në zyrën e Berishës, për ato parime rreth të cilave jemi bashkuar me Berishën, kjo nuk është më humbja ime. Nëse Berisha nuk ka pasur kohë për shkak të fushatës të ndalet pak te kjo sarkazëm politike, tani e ka kohën. Unë pres një reflektim për këtë çështje. Mbi këtë bazë do të reflektoja edhe për ndonjë nxitim timin.
Pas refuzimit të vendit të shtatë në Shkodër, ju kandiduat në Lezhë, nën siglën e partisë së Ngjelës, Ligj dhe Drejtësi. A ekziston kjo parti në Lezhë?
Akoma. Por ishte një mënyrë për të kandiduar. "Krenaria është mëkatare',- thotë poeti i madh amerikan Turner. U ka ndodhur njerëzve shumë më të shquar se unë, i ka ndodhur Platonit, Bajronit, Gorbacovit, Les Valesës.
Politikani, por sidomos poeti, nuk bën dot pa krenarinë. Unë i ftova zgjedhësit të korrigjojnë vendimin e Berishës, duke bërë fushatë komplementare me PD-në. Nuk mund të kisha pozicion tjetër.
Nuk më shkonte, nuk e ndjeja. Por shumë shpejt fushata elektorale kombëtare u modelua si një duel PD-PS dhe zbriti si e tillë në çdo cep të vendit, me tërë peshën e saj mediatike, propagandistike dhe financiare. Shanset për alternativat e tjera ishin tepër minimale.
Keni qenë shumë vite në Kuvend dhe tani e shihni veten jashtë. A do të vazhdoni të merreni me politikë, nëse po, cilat do të jenë raportet tuaja me PD-në?
Gjatë fushatës, në kuadrin e luftës që më bënin përfaqësuesit e PD-së, kam dëgjuar të thuhet se në Tiranë me kanë përjashtuar nga "të gjitha funksionet". Nuk kam pyetur si qëndron e vërteta. Por nëse kam dalë tepër sërish në PD, kjo nuk do të thotë se kam dalë tepër në demokraci. Përkundrazi.
Edhe më parë, kur kam dalë tepër në PD, kam qenë aktiv dhe efektiv në politikë. Unë jam një prej themeluesve kryesorë të PD-së. Edhe pse kohët ndryshojnë, vazhdoj të motivohem nga përgjegjësia për atë që bëmë e premtuam në dhjetor të vitit 1990.
E di se politika në këtë kohë po bëhet sinonim i interesave afatshkurtra apo meskine, një botë e tërë servilësh dhe tipash të talentuar në artin e lëpirjen e çizmeve janë gjallëruar si rrallë ndonjëherë.
Kjo është shenja më e sigurt se vendi po varfërohet në të gjitha pikëpamjet, por unë besoj në dhuntitë vetëmbrojtëse të demokracisë, besoj te principet, besoj te idetë, te forca e tyre magjike. Prej vitesh jam i apasionuar me çështjet e gjeopolitikës të lidhura me transportin, rrugët, portet dhe aeroportet. Jemi një grup intelektualësh që mendojmë, studiojmë dhe shkruajmë për këto çështje.
Një ndër ta është inxhinier Xhevahir Ngjeqari, studimet e të cilit janë një pasuri kombëtare. Projekti i autostradës koncensionare Durrës-Tiranë-Elbasan, mbështetur prej nesh, ka marrë 8.5 pikë nga grupi i punës pranë Ministrisë së Punëve Publike dhe pret të hidhet në tender.
Është një vepër madhore. Financimi i siguruar italian mund të kompensojë ndër të tjera efektet e krizës në sektorin e ndërtimit.
Bashkimi Europian ka paralajmëruar se vlerësimi i ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 28 qershorit do të ketë një ndikim përcaktues për marrjen ose jo në konsideratë të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE...
Kjo dihet. Të gjithë po presim se si do të jetë raporti përfundimtar për zgjedhjet e 28 qershorit.
Cili është parashikimi juaj në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat dhe liberalizimin e vizave?
Shqipëria një ditë do të marrë edhe statusin, edhe vizat. Por diskutimi këtu bëhet për realizimin e tyre brenda afateve të premtuara. Në këtë, kontekst raporti përfundimtar për zgjedhjet është i një rëndësie të madhe. Sepse edhe Europa, edhe vizat kalojnë nga zgjedhjet e lira, të ndershme, të barabarta.
Raporti paraprak, që u publikua në Tiranë më 29 qershor, evidentoi një seri defektesh kronike të zgjedhjeve tona, siç janë përdorimi politik i administratës, shpenzimet shproporcionale që cenojnë parimin e barazisë në zgjedhje, shkeljet në shpërndarjen e kohës televizive, paqartësia në çështjen e pronësisë mbi mediat, format e ndryshme të presionit ndaj zgjedhësve...Raporti i ndërmjetëm, tre javë më vonë, evidentoi probleme të tjera që u vunë re gjatë numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve.
Tani duhet të presim raportin përfundimtar për të gjykuar ku jemi e ku do të shkojmë. Një gjë mund ta themi që tani: Frazat e tipit "këto zgjedhje shënuan një hap para në krahasim me të mëparshmet", nuk kanë vlerën që kishin kur nuk kishim hyrë në NATO dhe kur nuk kishim dorëzuar kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE.
Tani Shqipëria ka mbërritur në pikën kur vlerësohet duke u krahasuar me standardet dhe jo me vetveten. Një raport përfundimtar, i ngjashëm me raportet paraprake, do ta shtynte dhe do ta fuste në labirinte të reja procesin e përafrimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ju flisni për një raport përfundimtar, që mund të mos u ngjajë raporteve paraprake.
A mund të ndodhë kjo, keni ndonjë informacion se kjo mund të ndodhë?
Nuk kam informacion. E di se po bëhen përpjekje për të relativizuar ato vlerësime negative që janë bërë deri tani për zgjedhjet dhe mandej për t'i zhvlerësuar fare këto vlerësime nëpërmjet ndonjë favori deux ex machina që mund t'i bëhet Shqipërisë, pavarësisht nga standardi zgjedhor. Në mendësinë tonë politike, Europa ka qenë dhe mbetet një mjet, jo një qëllim.
Një mjet për të forcuar pushtetin personal të drejtuesit të radhës, një mjet për të bërë politikë të brendshme, kryesisht kundër rivalëve dhe kundërshtarëve politikë. Ky raport kaq i deformuar me Europën është shkaku kryesor i vonesave tona për të prekur ëndrrën europiane.
Por kjo është bërë e lexueshme kudo tashmë. Unë mendoj se tani që jemi vend i NATO-s, vetëm i zemërojmë partnerët tanë europianë kur u kërkojmë të venë dorën në zemër apo, më keq, të injorojnë raportet e vëzhguesve të tyre nga terreni. Është më mirë te kontestohen me fakte këto raporte, nëse ka fakte, se sa të ndiqet rruga e mësipërme.
Partia Demokratike dhe vetë Kryeministri Berisha kanë folur për një fitore të dyfishtë në rezultat dhe në standarde. A nuk është kjo një përgjigje e tij ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë?
Kanë folur ditët e para, kur po numëroheshin votat. PD-ja e preku, por nuk e preu shiritin e fitores, prandaj është detyruar të thërrasë në qeveri LSI-në e Ilir Metës. Sa u përket standardeve, nuk ka shumë rëndësi se çfarë thotë qeveria dhe institucionet e saj. Qeveria mirë flet gjithmonë.
Rëndësi ka çfarë thonë vëzhguesit e autorizuar ndërkombëtarë. Ata janë pala e tretë. Ata dëgjohen në Uashington dhe Bruksel. Pretendimet e opozitës gjithashtu kanë rëndësi, por vetëm nëse parregullsitë e pretenduara janë të dokumentuara.
Nëse zgjedhjet vonojnë procesin e integrimit, a përfshihet këtu edhe ëndrra për liberalizimin e vizave, të cilin Kryeministri Berisha ua ka premtuar shqiptarëve në vitin e parë të mandatit të dytë, domethënë deri në shtator të vitit të vitit 2010?
Shqiptarët e morën disa herë këtë premtim të premtimeve në celularët e tyre, në tribuna dhe në studio televizorësh. Koha kalon, këtu do të jemi për të gjykuar a do të liberalizohen vizat në këtë afat apo jo. Unë mendoj se qeveria duhet ta rishikojë afatin e premtuar. Dhe kjo nuk ka lidhje me standardin zgjedhor. Kushtet e liberalizimit të vizave njiheshin përpara zgjedhjeve.
Ato janë një përzierje kushtesh teknike (pajisja e shtetasve me pasaporta biometrike), teknike-ligjore (kontrolli i integruar i kufijve), politike (lufta kundër korrupsionit, liria e medias, liritë dhe të drejtat njerëzore).
Autoritetet e Tiranës kanë folur kryesisht për kushtin e pajisjes së shtetasve me pasaporta biometrike, që është një kusht i realizueshëm në afatin njëvjeçar, por i pamjaftueshëm. Për arsye elektorale, autoritetet i kanë injoruar ose fshehur kushtet e tjera dhe tani, kur zgjedhjet kanë përfunduar, shqiptarët po mësojnë nga Europa të vërtetën.
Ky problem është shumë serioz. Kushtet e liberalizimit të vizave, që janë tërësisht në dorën tonë, duhen parë drejt në sy një për një, nga qeveria dhe opozita, mundësisht në një tryezë të përbashkët, duke përcaktuar masat dhe afatet për përmbushjen e tyre. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë "kur".
A mund të realizohet kjo në kushtet e konfliktit të ri që është krijuar mes qeverisë dhe PS-së, për shkak të zgjedhjeve?
Keni të drejtë. Situata nuk është e favorshme. Por një sforcim i madh në këtë pikë duhet bërë. Siç e thashë, duhen parë kushtet drejt në sy, duhen diskutuar konkretisht edhe me partnerët europianë, pa u fshehur si struci.
Për shembull, çfarë domethënieje ka kushti i lirisë së medias?
Po kushti i luftës kundër korrupsionit, çfarë domethënieje ka? A është ky një kusht nga ato të rrumbullakosurit, që vendosen për të mos hapur rrugë, apo kemi të bëjmë me dukuri konkrete, të kapshme?
Korrupsioni ka qenë kali i betejës i Berishës në vitin 2005 e në vazhdim. Ai ndoshta lëndohet kur sheh se vendit i vendoset si kusht një luftë që ai e konsideron si më të fituarën.
Kryeministri Berisha dhe mazhoranca e drejtuar prej tij kanë sot detyrimin kombëtar të shqyrtojnë natyrën dhe përmasat e përhapjes së korrupsionit në vend, duke i shpallur një luftë të re këtij kanceri.
Nëse korrupsioni nuk është dega ku rri pararoja e kësaj mazhorance, sipas mendimit tim, kemi shanse për liberalizimin real të vizave në vitin 2011. Në të kundërtën, shqiptarët duhet të presin zhvillime të tjera.
Kur thoni mazhoranca, keni parasysh edhe LSI-në me katër deputetët e saj?
Po.
Cili është komenti juaj për bashkëqeverisjen e Berishës me Ilir Metën, që rëndom po trumbetohet si bashkëpunim nën sloganin e zgjidhjeve të çështjeve të integrimit europian dhe liberalizimit të vizave?
Unë mendoj se bashkëqeverisja e tij me Berishën do të varet ndjeshëm nga trendi i zhvillimeve integruese. Nëse vendi do të marrë në afatet e premtuara statusin e vendit kandidat në BE dhe liberalizimin e vizave, Meta do të ketë në dorë një kartë të fortë për të përligjur pa kosto elektorale përfshirjen në koalicionin e qendrës së djathtë.
Ai do të përpiqet maksimalisht që kjo të ndodhë, duke u përballur me pengesat e brendshme. Për të, kjo do të jetë një betejë për të mbijetuar ose për t'u shuar politikisht. Nëse Europa na lë një takim tjetër për këto çështje për të cilat po flasim, fjala vjen pas zgjedhjeve vendore të vitit 2011, Metës do t'i shkonte dëm lëvizja që ka bërë.
Në këtë kontekst, parashikoni edhe tërheqjen e LSI-së nga bashkëpunimi me PD-në?
Të fillojë njëherë, se nuk ka filluar akoma. Le të shohim se si do të sillet në qeveri një forcë politike që nuk vjen për të shtuar numrat e shumicës, por për ta mundësuar krijimin e shumicës. E kemi thënë: këto zgjedhje nuk prodhuan fitues. Pra, gjithçka mund të ndodhë në të ardhmen, në vartësi të zhvillimeve.
Këto zgjedhje nuk prodhuan fitues. Megjithatë, zoti Berisha është deklaruar fitimtar...
Rezultati i PD-së është si puna e gotës gjysmë plot dhe gjysmë bosh. Varet si kërkon ta shohësh. Nëse e sheh në kontekstin e objektivit dhe bilancit që pati kësaj radhe qeveria "Berisha", fare mirë mund të pohosh se PD-ja nuk ia arriti qëllimit. Nëse e sheh jashtë këtij konteksti, mund të thuash se rezultati ishte i mirë.
Kësaj radhe, për shkak të sistemit, u votua qartazi për qeverinë në një anë dhe opozitën në anën tjetër. Këtë garë populli e nxori barazim. Koalicioni qeveritar i drejtuar nga Berisha doli i pari, por nuk fitoi. Kjo është e vërteta.
Është tjetër gjë që Berisha, nga nevoja për të qeverisur, nuk lexoi verdiktin e popullit, por ftoi në qeveri një gjymtyrë të opozitës, LSI-në. Kjo lëvizje tavoline e mban atë Kryeministër, por nuk e bën fitimtar të zgjedhjeve.
Cilat janë, sipas jush, shkaqet që PD-ja dhe koalicioni qeveritar nuk realizuan objektivin e shpallur për t'i fituar vetë zgjedhjet?
Shkaqet janë komplekse dhe meritojnë një analizë të thellë. Ajo që ra në sy në fushatë ishte mungesa e risive. Për këtë rezultat që u arrit, sipas vlerësimit tim, punoi si përherë karizma e Berishës dhe zgjidhja taktike që ai dha me krijimin e një koalicioni shumë të gjerë. Disa nga "mëkëmbësit" e tij në qarqe të ndryshme, që kanë krijuar njëlloj kaste rreth Berishës, nuk sollën ndonjë gjë të re, për të mos thënë më shumë.
Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Berisha "shpëtoi" për një qime dhe ndoshta ai nuk i ka fshirë ende djersët e ftohta të një rezultati si ky. Nga ana tjetër, mendoj se shkaku kryesor vërtitet rreth çështjes së funksionimit të demokracisë së brendshme dhe modernizimit të partisë në kuptimin perëndimor dhe bashkëkohor të fjalës.
Kam lexuar e dëgjuar se rezultatet e PD-së në qytetet kryesore, nuk janë në nivelin e rezultateve si në zonat periferike apo rurale. Kjo është një e dhënë që duhet verifikuar mirë.
Duhet analizuar mirë statusi që ka kultura, dija dhe etika në PD. Flas në përgjithësi, sepse po t'u referohem njohjeve të mia të pjesshme dhe sporadike, më rezulton se padituria dhe injoranca i kanë forcuar pozitat. Injorantë-arrogantë, në një anë dhe konformistë të shkolluar, në anën tjetër!
Ky është aliazhi i ri në disa nivele të PD-së. Ky është një moment delikat në jetën e PD-së. Dihet se një strukturë dijeje prodhon një strukturë pushteti. Kjo është aksiomë.
Një parti në pushtet mund të ketë shumë arritje, historike madje, por ajo nuk mund të fitojë në zgjedhje të lira e të ndershme pa qenë e hapur, e gjerë, demokratike, elitare dhe popullore njëkohësisht. Sigurisht, kjo është një temë e gjerë, që kërkon reflektim dhe kohë.
Të flasim pak për një temë tjetër të nxehtë të kësaj periudhe. Si i shikoni diskutimet e brendshme të PS-së lidhur me dorëheqjen ose jo të Ramës në krye të partisë?
Ndryshe nga partitë e tjera, socialistët i kanë zgjidhur këto çështje me statut. Kryetari PS-së është i vetmi që futet në zgjedhje duke vënë një bast të qartë me zgjedhësit.
Pikërisht për këtë arsye, pra pikërisht për faktin se kreu i PS-së ka vendosur një standard të ri politik, që s'e kanë të tjerët, siç është ai i dorëheqjes në rast humbjeje, ky drejtues ka të drejtën e shenjtë të shohë me sytë e tij të vërtetën e zgjedhjeve ku i qan zemra dhe siç ia lejon ligji.
Kjo e drejtë e shefit të opozitës është ndërkohë detyrimi i institucioneve zgjedhore, por edhe i kundërshtarëve apo fitimtarëve për t'i mundësuar kujtdo, e në radhë të parë humbësit të madh, njohjen e së vërtetës, që ai të ikë i qetë, me mendje të mbledhur.
E gjithë kjo nuk është altruizëm, tekë apo kalorësi, por investim për standardet, për të vërtetën, demokracinë dhe paqen në vend. Unë nuk e kam kuptuar se si mund të mos zbatohet Kodi Zgjedhor, që PD-ja dhe PS-ja e kanë bërë së bashku.
Si mund të dalë dikush mbi vullnetin e tre të pestave të Kuvendit, si mund të ndodhë kjo në shtetin ligjor, në demokraci?
Dikush duhet të prononcohet për këtë precedent të pashembullt, që ka prodhuar e do të prodhojë vetëm tension e konfliktualitet, pra pikërisht gjënë më të keqe për ëndrrën tonë europiane, për vendin e bërë "telef" nga zgjedhjet që ka përpara të panjohurat e krizës ekonomike në zhvillim
Bashkëpunimi me Berishën
Po flas për bashkëpunimin politik, institucional dhe miqësor të një deputeti me Kryeministrin e qeverisë së tij; të një bashkëthemeluesi me bashkëthemeluesin e PD-së dhe RD-së, e kështu me radhë. Bashkëpunim për projekte, për vizione, për qëndrime, për ligje, për çështje të ushtrimit të pushtetit në zonë dhe me gjerë; bashkëpunim që, sipas bindjes sime, fluturonte lart.
Ky ishte bashkëpunimi im me Berishën, ndoshta i veçantë në llojin e vet. Kur ja, në çastin e fundit, caktimi i shtati në Shkodër, pa më marrë asnjë mendim, pa më dhënë asnjë shpjegim, e transformon këtë marrëdhënie në diçka meskine! "Merr një karrige edhe ti".
Humbja si deputet
Në parim, unë e pranoj në mënyrë sportive mospërfshirjen, mundjen, humbjen. Humbja është një mundësi për t'u përmirësuar, sikurse triumfi, në rrethana të caktuara, mund të jetë më i keqi i ndëshkimeve.
Por të mundem në zyrën e Berishës, për ato parime rreth të cilave jemi bashkuar me Berishën, kjo nuk është më humbja ime. Nëse Berisha nuk ka pasur kohë për shkak të fushatës të ndalet pak te kjo sarkazëm politike, tani e ka kohën. Unë pres një reflektim për këtë çështje. Mbi këtë bazë do të reflektoja edhe për ndonjë nxitim timin.
E ardhmja në politikë
Unë jam një prej themeluesve kryesorë të PD-së. Edhe pse kohët ndryshojnë, vazhdoj të motivohem nga përgjegjësia për atë që bëmë e premtuam në dhjetor të vitit 1990. E di se politika në këtë kohë po bëhet sinonim i interesave afatshkurtra apo meskine, një botë e tërë servilësh dhe tipash të talentuar në artin e lëpirjes së çizmeve janë gjallëruar si rrallë ndonjëherë.
Kjo është shenja më e sigurt se vendi po varfërohet në të gjitha pikëpamjet, por unë besoj në dhuntitë vetëmbrojtëse të demokracisë, besoj te principet, besoj te idetë, te forca e tyre magjike
Qëndrimi për zgjedhjet
Shqipëria një ditë do të marrë edhe statusin, edhe vizat. por diskutimi këtu bëhet për realizimin e tyre brenda afateve të premtuara. Në këtë kontekst, raporti përfundimtar për zgjedhjet është i një rëndësie të madhe. Sepse edhe Europa, edhe vizat kalojnë nga zgjedhjet e lira, të ndershme, të barabarta.
Raporti paraprak, që u publikua në Tiranë më 29 qershor, evidentoi një seri defektesh kronike të zgjedhjeve tona, siç janë përdorimi politik i administratës, shpenzimet shproporcionale që cenojnë parimin e barazisë në zgjedhje, shkeljet në shpërndarjen e kohës televizive, paqartësia në çështjen e pronësisë mbi mediat, format e ndryshme të presionit ndaj zgjedhësve...
Raporti për zgjedhjet
Tani duhet të presim raportin përfundimtar për të gjykuar ku jemi e ku do të shkojmë. Një gjë mund ta themi që tani: "Frazat e tipit 'këto zgjedhje shënuan një hap para në krahasim me të mëparshmet"', nuk kanë vlerën që kishin kur nuk kishim hyrë në NATO dhe kur nuk kishim dorëzuar kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE.
Tani Shqipëria ka mbërritur në pikën kur vlerësohet duke u krahasuar me standardet dhe jo me vetveten. Një raport përfundimtar, i ngjashëm me raportet paraprake, do ta shtynte dhe do ta fuste në labirinte të reja procesin e përafrimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Qëndrimi ndaj BE-së
E di se po bëhen përpjekje për të relativizuar ato vlerësime negative që janë bërë deri tani për zgjedhjet dhe mandej për t'i zhvlerësuar fare këto vlerësime nëpërmjet ndonjë favori deux ex machina që mund t'i bëhet Shqipërisë, pavarësisht nga standardi zgjedhor.
Në mendësinë tonë politike, Europa ka qenë dhe mbetet një mjet, jo një qëllim. Një mjet për të forcuar pushtetin personal të drejtuesit të radhës, një mjet për të bërë politikë të brendshme, kryesisht kundër rivalëve dhe kundërshtarëve politikë.
Vizat
Kushtet e liberalizimit të vizave njiheshin përpara zgjedhjeve. Ato janë një përzierje kushtesh teknike (pajisja e shtetasve me pasaporta biometrike), teknike-ligjore (kontrolli i integruar i kufijve), politike (lufta kundër korrupsionit, liria e medias, liritë dhe të drejtat njerëzore).
Autoritetet e Tiranës kanë folur kryesisht për kushtin e pajisjes së shtetasve me pasaporta biometrike, që është një kusht i realizueshëm në afatin njëvjeçar, por i pamjaftueshëm. Për arsye elektorale, autoritetet i kanë injoruar ose fshehur kushtet e tjera dhe tani, kur zgjedhjet kanë përfunduar, shqiptarët po mësojnë nga Europa të vërtetën.
Qeveria dhe lufta kundër korrupsionit
Ai ndoshta lëndohet kur sheh se vendit i vendoset si kusht një luftë që ai e konsideron si më të fituarën. Kryeministri Berisha dhe mazhoranca e drejtuar prej tij kanë sot detyrimin kombëtar të shqyrtojnë natyrën dhe përmasat e përhapjes së korrupsionit në vend, duke i shpallur një luftë të re këtij kanceri.
Nëse korrupsioni nuk është dega ku rri pararoja e kësaj mazhorance, sipas mendimit tim, kemi shanse për liberalizimin real e vizave në vitin 2011. Në të kundërtën, shqiptarët duhet të presin zhvillime të tjera.
PD-ja dhe zgjedhjet
Kësaj radhe, për shkak të sistemit, u votua qartazi për qeverinë në një anë dhe opozitën në anën tjetër. Këtë garë populli e nxori barazim. Koalicioni qeveritar i drejtuar nga Berisha doli i pari, por nuk fitoi. Kjo është e vërteta.
Është tjetër gjë që Berisha, nga nevoja për të qeverisur, nuk lexoi verdiktin e popullit, por ftoi në qeveri një gjymtyrë të opozitës, LSI-në. Kjo lëvizje tavoline e mban atë Kryeministër, por nuk e bën fitimtar të zgjedhjeve.
Pse PD-ja humbi qytetet?
Duhet analizuar mirë statusi që ka kultura, dija dhe etika në PD.
Flas në përgjithësi, sepse po t'u referohem njohjeve të mia të pjesshme dhe sporadike, më rezulton se padituria dhe injoranca i kanë forcuar pozitat. Injorantë-arrogantë, në një anë dhe konformistë të shkolluar, në anën tjetër! Ky është aliazhi i ri në disa nivele të PD-së. Ky është një moment delikat në jetën e PD-së.
Dihet se një strukturë dijeje prodhon një strukturë pushteti. Kjo është aksiomë. Një parti në pushtet mund të ketë shumë arritje, historike madje, por ajo nuk mund të fitojë në zgjedhje të lira e të ndershme pa qenë e hapur, e gjerë, demokratike, elitare dhe popullore njëkohësisht.
Strategjia e PD-së
Për këtë rezultat që u arrit, sipas vlerësimit tim, punoi si përherë karizma e Berishës dhe zgjidhja taktike që ai dha me krijimin e një koalicioni shumë të gjerë.
Disa nga "mëkëmbësit" e tij në qarqe të ndryshme, që kanë krijuar njëlloj kaste rreth Berishës, nuk sollën ndonjë gjë të re, për të mos thënë më shumë. Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Berisha "shpëtoi" për një qime dhe ndoshta ai nuk i ka fshirë ende djersët e ftohta të një rezultati si ky.
Kodi Zgjedhor
Unë nuk e kam kuptuar se si mund të mos zbatohet Kodi Zgjedhor, që PD-ja dhe PS-ja e kanë bërë së bashku. Si mund të dalë dikush mbi vullnetin e tre të pestave të Kuvendit, si mund të ndodhë kjo në shtetin ligjor, në demokraci?
Dikush duhet të prononcohet për këtë precedent të pashembullt, që ka prodhuar e do të prodhojë vetëm tension e konfliktualitet, pra pikërisht gjënë më të keqe për ëndrrën tone europiane, për vendin e bërë "telef" nga zgjedhjet, që ka përpara të panjohurat e krizës ekonomike në zhvillim.