[quoteemDr. Hasan Bello, Studiues-Instituti i Historisë, Tiranë.]
Plani pesëvjeçar i shtetit shqiptar për zhvillimin e propagandës kombëtare nëpër kolonitë shqiptare (1934-1939)
Në fillim të shek. XX-të si rezultat i rrethanave të vështira social-ekonomike me të cilat u përball populli shqiptar një pjesë e madhe e popullsisë u detyrua që të emigronte drejt SHBA-së, Europës dhe vendeve të tjera ballkanike. Sigurisht që vala e emigrimit ka filluar më herët, por në këtë periudhë u krijua një raport i çuditshëm lidhur me anën sasiore. Kështu, vihet re se në disa shtete të ndryshme numri i shqiptarëve ishte aq i madh sa që ia kaloi edhe qyteteve të Shqipërisë. Një rast tipik është ai i kolonisë së Stambollit, në të cilin në vitet 20-të banonin rreth 20.000 shqiptarë. Cili qytet i Shqipërisë kishte një numër kaq të madh banorësh në këtë periudhë? Por edhe në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë që jetonte brenda vendit, numri i shqiptarëve që jetonte në emigracion ishte disa fish më i madh.
E vetmja fatkeqësi për diasporën shqiptare ka qenë e vazhdon të mbetet përkujdesja e shtetit amë. Kjo për disa arsye, siç mund të ishte brishtësia e shtetit tonë nga pikëpamja ekonomike, mungesa e politikave specifike për diasporën apo pse jo edhe mungesa e një vizioni të qartë lidhur me përfitimet që mund të kishte shteti shqiptar nga bashkatdhetarët që jetonin jashtë atdheut.
Megjithatë nuk mund të thuhet se interesi ndaj kolonive shqiptare ka qenë krejtësisht zero. Gjithmonë shteti shqiptar është përpjekur që pavarësisht kushteve të vështira në të cilat ndodhej herë pas here ta hidhte vështrimin edhe tek këto koloni. Për ta ilustruar këtë me një rast konkret do të sjellim si shembull një plan pesëvjeçar për vitet 1934-1939. Ai kishte si synim kryesor zhvillimin e propagandës kombëtare tek kolonitë shqiptare, duke hapur e financuar disa shkolla dhe kurse të gjuhës shqipe.
Në hyrje të tij argumentohej se përse ishte e domosdoshme hartimi i këtij plani të detajuar. Ai niste me faktin e dhimbshëm duke konstatuar se mjerisht shqiptarët e kolonive po shkombëtarizoheshin dita ditës, duke u asimiluar me të huajt, si nga gjuha ashtu dhe nga zakonet, karakteri apo ndjenjat. Procesi i shkombëtarizimit tek shqiptarët e vendosur familjarisht nëpër shtete të huaja ishte duke shkuar paralelisht me zhvillimin e kulturës dhe qytetërimit ndër këta shqiptarë. E kundërta vihej re tek disa koloni ku shqiptarët kishin mbetur më pak të zhvilluar nga pikëpamja kulturore, tek këta të fundit shihej një konservim më i mirë i gjuhës dhe i karakterit kombëtar. Kurse në kolonitë ku ndodheshin shqiptar më të qytetëruar, sidomos tek ata më të kulturuarit, procesi i shkombëtarizimit zhvillohej në mënyrë më të shpejtë dhe më të plotë. Nga kjo kategori, sigurisht që më i prekur ishte brezi i ri, i cili kishte lindur dhe ishte rritur në emigracion. Prandaj, nëse nuk merreshin masa të menjëhershme, ky brez sipas raportit në fjalë ishte kryekëput i humbur kombëtarisht. Kjo sepse fuqia konservative e emigrantëve shqiptar nuk mund ta përballonte fuqinë asimiluese të kulturave të huaja. Sidomos shkollat nëpër të cilat studionin fëmijët shqiptar nga mosha e vogël deri në ciklin universitar, do të ndikonin që ata kur të dilnin në jetë ta kishin humbur krejtësisht vetëdijen kombëtare. Si shembull, sillej rasti i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, nga e cila megjithëse kishin dalë intelektualë dhe patriot të njohur, fëmijët e tyre gradualisht ishin duke u shkombëtarizuar. Prandaj, nëse nuk ndërhyhej, brenda dy-tre brezash rrezikohej që të zhdukej e gjithë pjesa e emigruar e kombit tonë. Por ky proces shkombëtarizimi, sipas raportit, nuk zhvillohej njësoj edhe për kolonitë e kombësive të tjera, si tek kombësia greke, armene, hebreje, etj. Përkundrazi, të gjitha këto koloni në pjesën dërrmuese të tyre vazhdonin ta ruanin gjuhën dhe karakterin e tyre kombëtar, ndonëse kishin emigruar shumë kohë përpara shqiptarëve. Shkaku kryesor ishte se ndryshe nga kolonitë shqiptare, atyre nuk i kishin munguar shkollat dhe organizatat e veta kombëtare. Nga kjo pikëpamje ishte e nevojshme që shteti shqiptar të ndërhynte seriozisht për t`u ardhur në ndihmë bashkatdhetarëve të emigruar. Por, hapja e shkollave dhe e instituteve kombëtare që do të merreshin me përhapjen e gjuhës dhe kulturës tek kolonitë tona, ishte një barrë e rëndë për arkën e varfër të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër plani konstatonte se edhe nëse hapeshin këto shkolla, nuk mund të thuhej se ato do të sillnin përfundimin e duhur për këto arsye: 1) Pamundësia për të hapur më shumë se nga një shkollë fillore në çdo qendër kolonie (Bukuresht, Sofje, Stamboll, Kajro, etj.,) gjithsesi do ta bënte të pamundur që në këto shkolla të studionin të gjithë fëmijët e emigrantëve shqiptar që jetonin nëpër qytete të ndryshme. 2) Pas përfundimit të këtyre shkollave kombëtare, fëmijëve shqiptar do t`u kufizohej mundësia për të vazhduar studimet në shkollat e ciklit të mesëm apo universitar, mundësi e cila u ishte siguruar në rast se studionin në shkollat vendase që kishin lidhje kontinuiteti me njëra-tjetrën. Për këto arsye, në raport vihej theksi tek gjetja e një formule të mesme, e cila do të siguronte minimumin e shpenzimeve dhe maksimumin e rezultatit, në mënyrë të tillë që të shpëtoheshin të gjith brezat e shqiptarëve nga procesi i shkombëtarizimit, duke mos ia mbyllur atyre rrugën e një zhvillimi të plotë kulturor. Kjo gjë, mund të realizohej duke krijuar në të gjitha qendrat e kolonive shqiptare shkolla speciale kombëtare për adoleshentët. Qëllimi i këtyre shkollave nga pikëpamja kombëtare do të ishte që të plotësonin kulturën e përgjithshme që të rinjtë shqiptar merrnin në shkollat vendëse. Një aspekt tjetër ishte edhe mbledhja e të rinjve shqiptar nëpër shoqata kulturore e sportive me ngjyrim kombëtar. Këto shkolla speciale, meqenëse do të frekuentoheshin nga nxënës pak a shumë të rritur dhe të përgatitur nëpër shkollat vendase, programi i tyre duhej të ishte sa më i përgjithshëm. Prandaj, sipas raportit, çdo shkollë e tillë duhet të kishte dy seksione:
1) Seksionin e gjuhës shqipe.
2) Seksionin e literaturës, historisë, gjeografisë si dhe njoftime të përgjithshme shqiptare.
Seksioni i parë planifikohej të ishte një shkollë nate, e cila do të kishte si qëllim që t`u mësonte nxënësve shqiptar të flisnin, të lexonin dhe të shkruanin gjuhën shqipe. Nxënësit do të ndaheshin në dy-tre grupe ose dhe më shumë sipas rastit dhe mësimet për secilin grup do të jepeshin së paku tre herë në javë.
Seksioni i dytë, i cili do të mblidhte nxënës më të rritur ose studentë që dinin ta shkruanin dhe ta lexonin gjuhën amtare, mund ta zhvillonte programin e vet sipas rrethanave, natën, në fundjavë ose në kohën e pushimeve shkollore. Programi i këtij seksioni do të zhvillohej në trajtën e konferencave me karakter të përgjithshëm, që duheshin përgatitur paraprakisht. Konferenca të tilla duhej të organizoheshin periodikisht edhe për publikun. Në mbarim të çdo seksioni, nxënësit do t`i nënshtroheshin një provimi përfundimtar dhe më pas do të pajiseshin me certifikata të posaçme. Këto certifikata do të kishin peshën e duhur për të ekuivalentuar diplomat që këta nxënës kishin fituar në shkollat e huaja në vendet përkatëse. Kjo bëhej me qëllim që nëse dëshironin të përfitonin bursa ose të shërbenin në administratën shqiptare, ata t`i kishin rrugët e hapura si të gjithë shqiptarët që jetonin brenda shtetit amë. Kjo do ta favorizonte tej mase forcimin e arsimit kombëtar tek kolonitë shqiptare dhe do t`i shtynte të gjithë prindërit për t`u siguruar më shumë avantazhe fëmijëve të tyre.
Për të përmbushur këtë plan konkret u hartua një preventiv i detajuar lidhur me hapjen e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe në Bukuresht, Stamboll, Kajro, Sofje, Selanik, Kostancë, etj. Në këtë preventiv parashikohej një buxhet i detajuar pesëvjeçar për mësuesit, qeratë, mobiliet, energjinë elektrike, etj., çka tregonte edhe për seriozitetin e kësaj nisme.
Vetvetiu lind pyetja, po sot a ka shteti shqiptar një buxhet të destinuar për hapjen e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe tek shqiptarët jashtë atdheut? A ka ky shtet një strategji që synon mbrojtjen e tyre nga asimilimi?
Nga: Hasan Bello
Studiues-Instituti i Historisë, Tiranë.
http://www.tiranaobserver.al/plani-pese ... 1934-1939/[/quoteem]